-Kryeministri Hoti pas takimeve në Bruksel e anulimit të udhëtimit drejt Uashingtonit kthehet në Prishtinë, në konferencë shtypi sot deklaroi:Është me interes për shtetin e Kosovës që procesi i dialogut me Serbinë të mbyllet sa më shpejtë duke qenë se ka interesim të madh nga Bashkimi Evropian, nga vendet kyçe të tij, dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës-
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 27 Qershor 2020/ Kryeministri Avdullah Hoti sot në Prishtinë pas kthimit nga vizita zyrtare në Bruksel, tha se është me interes për shtetin e Kosovës që procesi i dialogut me Serbinë të mbyllet sa më shpejtë duke qenë se ka interesim të madh nga Bashkimi Evropian, nga vendet kyçe të tij, dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pavarësisht ndryshimeve në axhendën e ditëve të fundit sa i përket dialogut, ne si qeveri mbesim të përkushtuar për procesin e dialogut. Besojmë thellë se dialogu nuk ka alternativë. Këtë qëndrim e kam prezantuar edhe dje te zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe e njëjta gjë na është kërkuar nga ata zyrtarë me të cilët jemi takuar”, tha kryeministri i Kosovës në konferencë shtypi.
Për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur ditëve të fundit, vijoi kryeministri Hoti, kemi shtyrë vizitën në Uashington.
“Unë kam pasur komunikim intensiv me të dërguarin special të Presidentit Amerikan Trump për dialog, ambasadorin Grenell. Pas diskutimeve që kam pasur me të jemi dakorduar përfundimisht që takimin ta shtyjmë për një datë tjetër, e cila duhet të ndodhë së shpejti. Axhenda e atij takimi mbetet e njëjtë prapë, që t’i japë shtysë mbështetjes së procesit të dialogut përmes një axhende të zhvillimit ekonomik që e ndryshon komplet gjendjen ekonomike në dy vendet, por edhe komplet në rajon”, theksoi Hoti.
Kryeministri Hoti tha se, tanimë janë duke u bërë aranzhimet finale për Samitin e Parisit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë.
“Ne kemi dhënë dakordimin tonë si qeveri që jemi të gatshëm për të qenë pjesë e atij samiti që kryesohet nga dy shtete kryesore të BE-së. Në fakt, jemi të nderuar që kemi një fokus dhe një interesim kaq të madh të Presidentit të Francës dhe Kancelares Gjermane për këtë proces. Në ditët e ardhshme ne do të punojmë shumë brenda qeverisë për të funksionalizuar strukturat e nevojshme për procesin e dialogut përmes Këshillit të ekspertëve për dialog, të cilët do të jenë të përgatitur që të prezantojmë qëndrimin tonë për secilën prej temave që ngritën në procesin e dialogut”, u shpreh kryeministri kosovar.
Për ditën e sotme, 27 Qershor, ishte parlajmëruar një takim në Shtëpinë e Bardhë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por në 24 Qershor Presidenca kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në 25 Qershor edhe kryeministri Hoti deklaroi se, për shkak të zhvillimeve të reja duhej të kthehej në Prishtinë për tu marrë me situatën dhe
bëri të ditur se e ka njoftuar ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 Qershor në Shtëpinë e Bardhë.
***
KRYEMINISTRI HOTI: KOSOVA I KA PLOTËSUAR TË GJITHA KUSHTET PËR LIBERALIZIM TË VIZAVE
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pas kthimit nga vizita zyrtare në Bruksel, sot në 27 Qershor 2020,
ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka njoftuar për takimet që ka zhvilluar me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.
Kryeministri Hoti theksoi se në këto takime janë diskutuar temat me interes vital për shtetin e Kosovës, duke filluar nga çështja e vizave, luftimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, dialogu, për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Kosovë, anulimi i vizitës në Uashington dhe për përgatitjet për Samitin e Parisit.
Fjala e plotë e kryeministrit Hoti në konferencën për media
Ju falënderoj të gjithëve për prezencën, këtë ditë të shtunë!
Ju kemi ftuar për të prezantuar para jush disa çështje lidhur me vizitën në Bruksel, që mendoj se është tepër e rëndësishme për shtetin dhe Qeverinë e Kosovës.
Siç e keni parë nga agjenda e djeshme kemi pasur takime të nivelit më të lartë në kuadër të institucioneve të Bashkimit Evropian, duke filluar nga presidenti i Këshillit, Charles Michel, nga presidentja e Komisionit Evropian, znj. Von der Leyen, nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme në kuadër të Parlamentit Evropian, i cili njëkohësisht është edhe nënkryetar i Partive Popullore Evropiane dhe mik i Kosovës, David McAllister.
Temat që i kemi diskutuar në këto takime, pa përjashtim të gjitha, besoj që janë tema me interes vital për shtetin e Kosovës duke filluar nga vizat. E them me kënaqësi që ka një mirëkuptim të plotë nga ana e Komisionit Evropian dhe e Parlamentit Evropian, për nevojën që ka Kosova dhe qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm sa më parë.
Pranohet nga të gjithë që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet që i janë vendosur për liberalizim të vizave. Sigurisht, tash është obligim yni si Qeveri që t’i mirëmbajmë ato kritere që i kemi plotësuar për liberalizim të vizave.
Unë pres që disa prej vendeve anëtare që në të kaluarën kanë qenë pak skeptike në këtë drejtim, me përkushtimin e treguar nga Qeveria e re, për Agjendën e Reformës Evropiane, për zbatimin e MSA-së dhe reformat në drejtësi, të lëvizin sa më shpejt përpara në liberalizim të vizave.
Siç e keni parë, një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian, dje i kanë shkruar Kancelares Merkel, duke qenë se Gjermania nga data 1 korrik e merr kryesimin e BE-së, deputetë nga të gjitha grupet parlamentare pa përjashtim dhe kjo neve na bën me shpresë që ka një pajtueshmëri të gjerë te të gjitha grupet e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ne do të punojmë tash në javët e ardhshme, veç e veç, me secilin prej vendeve të BE-së për të treguar përkushtimin tonë për reformat dhe për mirëmbajtje të kritereve që i kemi plotësuar tanimë për liberalizim të vizave.
Çështja e dytë për të cilën kemi biseduar është sigurisht luftimi i pandemisë. Unë i kam falënderuar Komisionin dhe institucionet e BE-së për mbështetjen që na kanë dhënë në luftimin e pandemisë, edhe financiare, edhe teknike.
Ne tash, siç po duket, duhet të bëhemi gati për valën e dytë të pandemisë dhe do të punojmë ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me institucionet shëndetësore që të krijojmë të gjitha kapacitetet e nevojshme që të normalizojmë jetën, biznesin, arsimin dhe institucionet e tjera sa më parë dhe të mësohemi të jetojmë në kuadër të kushteve të pandemisë. Orientimi ynë si qeveri është që të zbatojmë protokollet e Komisionit Evropian sa i përket luftimit të pandemisë.
Çështja e tretë që e kemi biseduar në detaje, është rimëkëmbja ekonomike dhe mbështetja që i duhet krejt Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës në veçanti për t’i tejkaluar pasojat ekonomike të pandemisë.
I kam njoftuar institucionet e BE-së për përpjekjet që kemi bërë deri tash, me krijimin e Fondit për rimëkëmbje ekonomike që është afër 400 milionë euro dhe jemi dakorduar që në pjesën e dytë të vitit i gjithë Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, të trajtohet veçmas në një pako gjithëpërfshirëse të mbështetjes ekonomike dhe të rimëkëmbjes që jep Bashkimi Evropian për të gjitha këto vende.
Jemi dakorduar që të rishikojmë agjendën e reformave evropiane edhe një herë, bazuar në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, por ta rishikojmë duke vendosur kritere të qarta në mënyrë që të mbesim të fokusuar drejt integrimit evropian. Kjo është e para që sot kam dashur të flas para jush dhe para qytetarëve.
E dyta, zhvillimet politike dhe zhvillimet e fundit në veçanti që kanë ndodhur në Kosovë, e kanë ndërruar pak dinamikën e agjendës sonë si qeveri, tash pas njoftimit për dorëzim të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Lidhur me këtë çështje më lejoni t’i them tri shtylla të qëndrimit tonë si qeveri:
E para, lufta çlirimtare e popullit të Kosovës sigurisht është arritja më e madhe e organizimit tonë për të fituar pavarësinë. Kjo luftë është e shenjtë për popullin e Kosovës, kjo luftë ka sjellë lirinë dhe pavarësinë dhe në fakt akti i shpalljes së pavarësisë që është njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, plotësisht e legjitimon luftën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
E dyta, duhet të pajtohemi të gjithë ta respektojmë në plotni parimin e drejtësisë që është prezumimi i pafajësisë derisa nuk ka vendim përfundimtar nga një gjykatë kompetente dhe
E treta, unë jam i bindur që të gjitha institucionet, bartësit e institucioneve në Kosovë do të tregojnë maturi në këtë situatë të re të krijuar, sikur që kemi treguar maturi në të kaluarën për të respektuar plotësisht obligimet tona kushtetuese dhe ligjore, por edhe obligimet tona ndërkombëtare që i kemi si shtet.
Çështja e fundit që dëshiroj të flas para jush është procesi i dialogut. Më lejoni edhe një herë të them para jush që pavarësisht ndryshimeve në agjendën e ditëve të fundit sa i përket dialogut, ne mbesim të përkushtuar për procesin e dialogut si qeveri. Besojmë thellë se dialogu nuk ka alternativë. Këtë qëndrim e kam prezantuar edhe dje te zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe e njëjta gjë na është kërkuar nga ata zyrtarë me të cilët dje jemi takuar.
Është me interes për shtetin e Kosovës që ky proces të mbyllet sa më shpejt duke qenë se ka interesim të madh nga Bashkimi Evropian, nga vendet kyçe të BE-së dhe nga SHBA.
Për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur ditëve të fundit, për të cilat fola më lart, ne kemi shtyrë vizitën në Uashington. Unë kam pasur komunikim intensiv me të dërguarin special të Presidentit Trump për dialog, ambasadorin Grenell.
Pas diskutimeve që kam pasur me të jemi dakorduar përfundimisht që ta shtyjmë për një datë tjetër, e cila duhet të ndodhë së shpejti. Ju do të njoftoheni së shpejti për datën që do të caktohet për këtë takim. Agjenda e atij takimi mbetet e njëjtë prapë, që t’i japë shtysë mbështetjes së procesit të dialogut përmes një agjende të zhvillimit ekonomik që e ndryshon komplet gjendjen ekonomike në dy vendet, por edhe komplet në regjion.
Tanimë janë duke u bërë aranzhimet finale për Samitin e Parisit. Ne kemi dhënë dakordimin tonë si qeveri që jemi të gatshëm për të qenë pjesë e atij samiti që kryesohet nga dy shtete kryesore të BE-së. Në fakt, jemi të nderuar që kemi një fokus dhe një interesim kaq të madh të presidentit të Francës dhe Kancelares gjermane për këtë proces. Në ditët e ardhshme ne do të punojmë shumë brenda qeverisë për të funksionalizuar strukturat e nevojshme për procesin e dialogut përmes Këshillit të ekspertëve për dialog, të cilët do të jenë të përgatitur që të prezantojmë qëndrimin tonë për secilën prej temave që ngritën në procesin e dialogut.
Besoj që shumë shpejt agjendën për këtë Samit do ta kemi publike dhe do të njoftoheni të gjithë me kohë.
Ju falënderoj për vëmendjen!