
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe aleatit kryesor të saj po përballen me mosmarrëveshje rreth vendimeve politike të qeverisë aktuale të Kosovës dhe shpërfillje të këshillave të qeverisë amerikane në raport me komunitetin serb në Kosovë.
Në pyetjen se si mund të kapërcehet situata në të cilën është kjo marrëdhënie, zoti Hovenier tha se “nuk mendoj se do të ketë ndonjëherë një moment kur qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe amerikanët nuk do të mbështesin njerëzit dhe projektin e Kosovës. Është pjesë e ADN-së tonë“.