
NGA DALIP GRECA/
Idriz Çelaj ka bujtë në çatinë e përbashkët të poetëve pa zhurmë, pa bujë, thjesht, ka hyrë herët, që kur ishte fëmijë, nxënës shkolle. Dikur, 10 vite të shkuara, në nëntorin e vitit historik 2012, në një bisedë me shkas për Diellin e Shqiptarëve të Amerikës, në një numër special të 100 vjetorit të Vatrës, më pat treguar se poezinë e parë e shkroi kur ishte në klasën e gjashtë. Ishte një poezi kushtuar mësuesit.Duket se mentor i tij në rrugëtimin me poezinë ishte një poet yni kombëtar. Idrizi kujtonte në atë bisedë, takimet me poetin kombëtar Azem Shkreli, i cili duke ia vlerësuar poezitë, i pat dhënë kurajo.Kishte botuar atë kohë një poezi, që ishte më e pjekur se mosha e tij. Azem Shkreli e përgëzoi për vargjet dhe detajin artistik duke i thënë: Me këtë varg tëndin, unë mund të bëj një poemë të tërë. Vazhdo e shkruaj! Një kompliment që e mikloi dhe i dha krah Idrizit.
Dhe Idrizi vazhdoi të shkruaj duke iu përgjigjur hoveve të shpirtit, më shumë për vete se sa për publikun, por asnjëherë nuk e ndali penën.
Pas librit të pare”Për Ty dhe Arbanën”(2010), erdhi Vëllimi poetik”Arti i Fjalës”, i dyti libër i tij(2019), me 82 poezi, që i kushtohet ëngjëllit të tij, bijës së dashur Rinës(Heroinës). Janë katër vargje përkushtimorë, që janë të thurur me dashuri -dhimbjeje të Atit & Poetit:
Bija ime, ti ishe e mbetesh një ëngjëll
Yllnaj’ që ndrit në errësirë.
Pa Ty Heroinë, jemi gjysma njerëzish,
Me Ty ne jemi gjysma tjetër…
Ati nuk komentohet, poeti po. Vargu ka dalë nga honet e shpirtit të vrarë për të bijën, ku Ati e ka të hapur plagën e përjetshme dhe ka thirrë në ndihmë poezinë për ta mjekuar.
Poezitë e Idrizit nuk kanë mbingarkesë figurash stilistike, as spërdredhje vargu, a puthje rimash, stili i tij krijues është i thjeshtë, vargu- i bardhë, poezitë dalin nga shpirti, veçanërisht ato me motive erotike;
“Unë të doja Trëndafil
Kur m’u bëre plagë e jetës(Poezia” Ajo Plagë”)
Poeti është i bindur se “një buzëqeshje të Hënës/ Mund ta fali/ për pikturën e syve të së dashurës…(Poezia “Më fal yllin e Mbrëmjes”.
Poeti bëhet ëndërr sepse dhe dashuria është ëndërr për të(poezia -Kudo), por ëndrrat mbeten ëndrra, dhe shpirti i poetit trishtohet kur e dashura shkon pa lamtumirë(poezia-Asnjë lamtumirë)…
Shpesh herë ai bashkëbisedon me trëndafilat(simbol të dashurisë), flet me yjet(Poezia-“Vetëm” dhe “Flas”, bashkëbisedon me qiellin, me zogjtë, me hënën( poezia-Fshehur), këndon këngën e bilbilave(Natë ëndrrash), puth rrezet e Diellit(Puthje brezash). Poeti konstaton poetikisht se edhe yjet puthen…dhe aty gjen këngën e tij…Udhëtimi i poetit është i pafundmë, ai mendon se e dashura ngrihet mbi yjtë si valë deti(poezia-Udhëtimi)…
Shpirti artistik i poetit Idriz Celaj është plot këngë, plot dashuri, fjalën e adhuron kur është këngë dhe i fal puthje trëndafilit…(poezia-Bëhu Këngë), (Trëndafil) etj.
Si të gjithë poetët edhe Idrizi bashkëbisedon me hënën për dashurinë, i fal asaj buzëqeshje dhe për ta realizuar dashurinë mësimet i merr nga fluturat; flet me këngën për dashurinë e vërtetë…(poezia-Hënë)…
Motivet e dashurisë mbizotërojnë vëllimin poetik-Tek pi një gotë verë të kuqe, ai dallon se gota është e dehur(varg metaforik), dhe ai dallon se është i barabartë me Yjet(natyrisht i dehur nga dashuria, kjo ndjenjë hyjnore, dhe lëshon kushtrimin e racës së poetëve: Dua të jem trëndafil tërë jetën(Poezia- Nga Dashuria)…
Për poezinë, për vargun, poeti ngrihet mbi Ylber dhe i merr atij hua ngjyrat, (Poezia- Çfarë fala); trandafili kthehet në simbolikë në poezinë dashurore të poetit Çelaj, aq sa dhe kopështit i vë pika trëndafili dhe shkruan fjalë në gjethet e tij, ndrësa nga shpirti hyjnor i dalin aroma dashurie…Vargu i tij është i mbrujtur me petale trëndafili(poezia-Kopshti)…
Poeti nuk ngopet me dashuri: Për dashurinë të shkruaj në gjeth/ Vetëm kur ka mbrëmje me yje/Ndoshta do të bëhesh këngë jete/Kjo mbrëmje pa fund e dashurisë…..Këngën sonte e shkruaj në gjeth trëndafili/Së bashku me Hënën këndojmë sonte….(Poezia- Për Dashurinë)…
Për dashurinë poeti ëshët gati t’i zbresë ëndrrat nga Yjet dhe të bëhet pranverë….Pastaj, natyrshëm vjen betimi poetik për besnikëri: “Nëse mbaj mëkat, u bëfsha Shkrumb e hi/ Me shpirtin tënd nëse nuk rri(Poezia-Buzëqeshje)…
Për poetin, jeta është ëndërr për Liri(Dashuri, Zemra), ndërsa fytyra e së dashurës në përfytërimin e tij është një pikturë, kur shfaqet herë Mona Liza, e herë e ajo e së dashurës së tij…(Tjetër)… Herë-herë poeti mbetet peng mes dashurisë dhe Diellit, e vargu i ktheht në pikturë dhe thërret Pranverën t’i sjell zogjtë e hershëm të rikthehen si ëndërrimtarë të Lirisë (ValëDeti).
Si shumica e bashkësisë së poetëve, edhe Idrizit i pëlqen të ëndërrojë e të thurë vargje për dashurinë (Ëndërr, E Ëndërruar, Të kam në ëndërr, Natë ëndrrash, Libri i Ëndrrave, etj…) në ëndërr i vijnë vargjet dhe ai ndjehet ëmbël i kalmendur në krahët e ëdrrave…Si të gjithë poetët.
Në librin poetik”Arti i fjalës” disa nga poezitë janë dedikime të realizuar artistikisht, siç është poezia ”Befasisht” dedikuar babait Bak Zhuka, apo”Ndjej Frymën e Ajrit-dedikuar nënës), Çfarë të fala Natyrë(dedikuar demonstratave të vitit 1981, ku poeti ishte pjesë e tyre, ku njeriu dhe poeti bëhen njësh, dhe kërkojnë që të ngrihen mbi re deri tek Dielli për të takuar Lirinë…Poezia”Çfarë është Kjo”, i dedikohet vëllait Fadil, ish i burgosur politik; ku Dashuria për vëllanë e burgosur për liri është Dritë…dhe poeti thërret ëngjëjt në ndihmë për ta nxjerrë vëllanë nga ferri ku e kanë futë djajtë (serbët)… Fare i veçantë është dedikimi kushtuar aktorit Mentor Dervishaj”Ecim këmbëzbathur”- Asnjë gur nuk më vret/ Se sa kujtimet e ferrit/Çfarë përplaset dhembshëm/ Brenda teje… Poeti ndjen acarin në dimrat mëkatarë dhe thërret Diellin atë çast ta ngrohë….
Në vështrimin tim, e bukur deri në dhimbje, është poezia “Nuk dua të largohesh” kushtuar Çelë Bardhit, ku përmes vargjeve i kërkon poetit:nëse largohesh nga jeta /Ma lerë shpirtin, ose vargun tënd Kujtim… Ndërsa tek poezia tjetër dedikuse për të parët e vet prej Çelë Shabanit e deri tek Binak Zhuka- poeti shfaq pendesën poetike e ndjesore: Si nuk i kujtova më herët/ Të parët e mi? Kohëra mallëngjyese, që thurën legjenda… Tani dua të vrapoj/Këmbëzbathur nëpër shi/Dua të lagem dhe të krijoj/ Për secalin brez nga një varg të ri….Ai thërret në ndihmë yjet, që t’u tregojë për të parët e tij…
Dhe poeti ka se çfarë të tregojë. Më lejoni të bëj një kapërcim historik për pak çaste: Idriz Çelaj ndjehet krenar për paraardhësit. Familja e madhe e tij ka lënë gjurmë në historinë për liri dhe të drejta Kombëtare. Babai i tij, Binaku dhe xhaxhai Qerim, ishin pjesë të çetës së Zhuk Haxhisë, gjyshit të Idrizit. Janë të njohura trimëritë e Zhuk Haxhisë që në kohën e mbrojtjes të Plavë e Gucisë nga ushtria serbomalazeze. Në fillim të viteve ’40 të shekullit të shkuar, popullsisë së kësaj treve i ishte zgjuar shpresa për t’u ribashkuar me trojet amtare. Prijësit e Rugovës dhanë një kontribut të jashtzakonshëm për vëllezërit e tyre të gjakut dhe gjuhës, të Plavës e Gucisë. Ndër luftëtarët e asaj kohe, kronikat përmendin: Zhuk Haxhia, Sak Faslia, Sylë Mehmeti, Ker Sadria, Sali Rama, Bek Rexhepi, Haxhi Mustafa, Tahir Coli e të tjerë.
Zhuk Haxhia i takonte familjes atdhetare të Çel Shabanit, ish komandant gjatë Lidhjes së Prizrenit (I dekoruar nga Presidenti Sali Berisha më 1993). Trimëritë e kësaj familje nisnin që në fillim të shekullit të shkuar, ku i biri Çelë Shabanit, Haxhi Çela ishte udhëheqës dhe luftëtar i njohur Rugovas, që u dallua në betejën e zhvilluar në Majën e Lanit kundër malazezëve. Zhuk Haxhia sa rroku pushkën në dorë nuk e lëshoi deri në vdekje. Ai ishte pjesë e luftës së Beranit më 1911, ndërsa më 1912 është pjesmarrës në Luftën e Moknës. Nga vitet 1918-1924 është njëri ndër luftëtarët më të spikatur të Rugovës. Më 1941 Zhuk Haxhia me çetën e vet luftoi për mbrojtjen e kufijëve etnikë dhe u printe vullnetarëve rugovas. Ai nuk i uli armët gjatë viteve 1941-45. Çeta e tij kishte në përbërje trima të njohur të Kosovës; Ker Sadria, Sali Rama, Sak Faslia, Tahir Coli, Jashar Haxha, Hys Selimi, Riza Zymeri e të tjerë. Me çetën e tij, Zhuk Haxhia në bashkëpunim me Isuf Bajraktarin dhe Haxhë Mustafën e mbrojtën vijën kufitare prej Moknave deri në Qafë të Çakorrit. Luftimet i vazhduan edhe në vitin 1946. Pushteti komunist e dënoi Zhuk Haxhinë me vdekje, dënim që më pas iu kthye 20 vite burgim i rëndë. Në burg përfundoi edhe Babai i Idrizit, Binaku e axha Qerim, të cilët kaluan kufirin dhe shkuan në Shqipëri për të kërkuar mbrojtje, por regjimi i Enver Hoxhës, i ktheu sërish tek Tito. Përfunduan në burg të Gjilanit.
Një peng e ka Idriz Çelaj; Kullat e Zhuk Haxhisë dhe e Çel Shabanit, dëshmi të hsitorisë, të rrafshuara nga dy luftra, kanë mbetur të rrënuara në themele. Vetë Idrizi nuk ka mundësi financiare, ndoshta shteti i ri Kosovës duhet ta ndjejë për obligim, që ato kulla duhet të ringrihen dhe të dëshmojnë, ndërsa eshtrat e Çelë Shabanit kanë mbetur në Plavë, atje ku dhe u martirizua në emër të lirisë së trojeve. Edhe kjo mbetet detyrë e shtetit, por edhe shqiptarët e asaj treve ia kanë borxh Çelë Shabanit.
Vëllimit të dytë poetik”Arti i Fjalës” i ka paraprirë libri i pare me poezi i autorit “PËR TY DHE ARBANËN”- Kur Idriz Çelaj botoi vëllimin“Për Ty dhe Arbanën”, Dielli shkroi pak rreshta prezantuse, por Idrizi nuk shprehu qejfmbetje, jo se poetët nuk zemrohen, përkundrazi. Megjithatë ai më falenderoi për ato pak rreshta prezantuse. Në fakt vëllimi poetik i Idrizit (I shoqëruar me grafika të Ramiz Mujës) shquhet për frymën lirike dhe tonet epike të rrëfimit. Në 35 poezitë e atij libri, poeti ka derdhur metaforikisht shpirtin poetik.Poezia e tij përcjell ndjesinë e spërkatjes së vargjeve me aromë vendlindjeje, me epizmin dhe romantizmin e bjeshkëve, me gjakun e trimave që sollën lirinë e Kosovës. Idrizit i pëlqen që të shkruaj edhe për dashurinë, edhe për historinë, edhe për simbolet kombëtare. Përmend nga ky vëllinm poezitë përkushtimore për Nënë Terezën, Ibrahim Rugovën, Fan S Nolin, Faik Konicën etj.
Ende i kam në kujtesë vargjet e poezisë së tij kushtuar idhullit të tij, Rugovës:”Nëse vdes”- Nëse vdes/ Para Festës së Madhe,/ Kokën,/ Ma ktheni kah Shqipëria,/ Zemrën,/ Ia paça falë Kosovës/ Këngën/ Këndojeni për trojet Shqiptare…
Kjo është edhe deviza e poetit.
S’më mbetet gjë tjetër veçse ta falenderoj poetin, mikun tim Idriz Çelaj, që na i dhuroi këto libra, duke shpresuar se nuk do të vonohet shumë për t’na rimbledhur për librin e tretë.