I N M E M O R I A M

(1933-2025)
LUZ THAQI, N.Y.
1.Kur të vdes një mik, sikur të sëmbon në shpirt, të prek në ndërgjegje, të drithëron për zbrazëtirën e pa kompensuar që shkakton. Humbja e tij të kthen në retrospektivë, t’i shprush kujtimet në raport me te, që nga njohja e tutje; jeton me emrin e tij, gjurmët e tij të lëna në kohë për misionin e kryer ndaj shoqërisë, atdheut, ndaj kombit.
Me një realitet të tillë u ndeshem këtyre ditëve me shkuarjen në amshim të korifeut të mërgatës, veprimtarit të pandalur, patriotit dhe kryetarit të Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit, Ismet Ukë Sadiku (Berisha), duke mbetur, kështu vravashkë e pafikur.
Tridhjetë e dy vite më parë, (kthej kujtesën prapa), kur u përgatitesha për ardhjen time të pare si vizitor në SHBA, kisha fokusuar në agjendë si çështjen më të rëndësishme dhe të domosdoshme, takimin me Ismet Ukë Berishën, nipin e Sadik Ramës nga Gjurgjeviku dhe të birin e Komandantit të Çetës së Ukë Sadikut, patriotit dhe heroit të Betejës se Çelisë së Siceves, në të cilën ranë dëshmorë në vjeshtën e vitit 1945, 35 patriotë shqiptarë. Në mesin e kësaj beteje të lavdishme, ranë edhe babagjyshi im, Zef Sokoli, së bashku me mixhën tim, MarkZef Sokoli (atëbotë 16 vjeçar), ballë për ballë me forcat serbo-malazeze në kuadër të Lëvizjes Nacional – Demokratike Shqiptare, e cila luftonte për liri dhe bashkimin e trojeve etnike Shqiptare.
Pas arritjes sime në NY, nuk u rehatova derisa do e takoja Bacën Ismet, e më pastaj dhe vëllezërit e tij, Selimin i cili tani jeton ne Stemford-SHBA , dhe Skënderin (tani më në amshim), i cili kishte qenë pjesë e Çetës së Uke Sadikut, atëherë shumë i ri e që me mixhën tim Markun, kishin qenë të angazhuar në detyra të Çetës derisa ranë në altarin e lirisë. Shpjegimet e tij, të dëshmitarit të gjallë, Skënderit, më sillnin rrëfimin si ëndërror, për babagjyshin dhe mixhën tim, të cilët i kisha parë vetëm vegim drite në fotot e tyre, e që e kishin lënë babanë tim jetim, në moshën 10 vjeçare së bashku me gjyshen…Atë bisede me Skënder Ukë Sadikun nuk do ta harrojë kurrë dhe do ta ruaj të gjallë perhere në memorien time!
2.Në rrjedhat e historisë sonë kombëtare, gjithnjë ka pasur personalitete të cilët u veçuan jo rrallë për përkushtim dhe devotshmëri të pathyeshme, të idealit të lartë atdhetar e kombëtar që kishin në shpirt. Të tillë lindin në çdo kohë, janë të nevojshëm për jetën, shoqërinë dhe kombin në përgjithësi, e që bashkërisht forcojnë trungun e historisë sonë kombetare. Brezat që pasojnë, si thesar të çmuar, të kaluarën e rimarrin pikërisht në përmes këtyre njerëzve të spikatur.
Njëra nga ato figura që ka lënë gjurmë në historinë e lëvizjes sonë kombëtar për liri, pavarësi dhe bashkim të trojeve Etnike, është edhe Ismet Ukë Sadiku, së pari i brumosur me heroizmin familjar e pastaj edhe me veprën e tij jetësore që mbi shtatë decenie e deri në frymën e fundit,u rreshtua në anën e popullit duke u dëshmuar si udhëheqës i Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit dhe përfaqësues i denjëi epokës se cilës i takoi, në daljen zot dheut e atëdheut të vet.
Mbi gjysmë shekulli, Ismet Berisha, së bashku edhe me shumë veprimtarë të tjerë të angazhuar për çështjen Shqiptare, do e udhëheq Lidhjen e Tretë Shqiptare të Prizrenit në NY, duke vepruar pa ndërprerë në interestë Kosovës dhe kombit. Nga kjo organizatë kombëtare, përcillej dhe ndihmohej fati i atdheut: u organizuan shumë tubime, demonstrata, u dërguan shumë kërkesa udhëheqjeve të ndryshme të botes demokratike, si dhe institucioneve më relevante dhe vendimmarrëse amerikane. Pra, edhe në saje të këtyre angazhimeve u kontribua ne sensibilizimin dhe internacionalizimin e çështjes se Kosovës.
Gjate viteve të rezistencës sonë të armatosur në Kosove, në vitet 1998-1999, zyrat e Lidhjes së Prizrenit në Bronx ishin të hapura 24 ore në 7 ditë të javës për të gjithë shqiptarët. Ismet Uke Berisha, i mishëruar me fatin e popullit shqiptar të Kosovës dhe me fatin tonë përgjithësisht, ndodhej çdo here aty.
Në kujtesën time ruaj në mendje një natë pranvere tëvitit 1999, kur ora kishte kaluar 12 e natës, pasi që në zyrë kishim të organizuar edhe kujdestari, prandaj bacës Ismet i drejtohem me fjalët: ”Baca Ismet, është bërë një farë kohe e vonë, gjysma e natës tashmë kaloi, do të ishte mirë që të shkoni në shtëpi dhe të pushoni, më pastaj ditën e nesërme të vini, prap ne do jemi këtu”. Ai do të më përgjigjet: “Jo,jo, o burrë, nuk dua të shkoj, nuk më mban shtëpia kur e di se çfarë po ndodh në Kosovën tone, ndërsa ajo po digjet cep më cep të saj”.
Ismet Berisha ishte një personalitet i veçantë, me karakter të fortë, i pamposhtur në idealet e tij për lirinë dhe bashkimin e trojeve Shqiptare; i gatshëm përherë si edhe paraardhësit e tij për çdo sakrificë, me qëndrim vertikal dhe ballëlartë siç qëndruan kolosët e kombit: I paepur, i dinjitetshëm dhe ndër kundërshtime kurrë i palëkundur dhe i ligështuar. Si i tillë, Baca Ismet, me veprën e tij, la trashëgim një frymëzimse si duhet dhe mbrohet atedheu, duke mbetur përherë pranë këtij populli ashtu siç e kujtojmë: të dashur, me qendrim karizmatik, me një shpirt titanizmi jetësor…
3.
Në këtë shkrim të shkurtër nekrologu, për Njeriun, i cili me veprën e tij jetësore e siguroi pavdekësinë, Ismet Uke Berishën, të cilin e çmova dhe e nderova pa masë dhe te cilit për 30 vjet i qëndrova krah në aktivitetin dhe angazhimet e tij kombëtare, perjetësisht i falem kujtimit, punës dhe veprës së këtij kolosi të kombit. Kurrë nuk do ta harroj, bujarinë, fisnikërinë dhe burrërinë e tij me shumë karar.
Përkundër moshës, për 30 vjet, Baca Ismet, do të me thërras në orën 9 të mëngjesit për të më uruar Ditën e Flamurit, Krishtlindjet, Pashkët…dhe thosha me veten time: Si është e mundur një Njeri i Madh, i thyer në moshë, të jetë aq korrekt në raportet miqësore, si asnjëherë të mos harrojë lajmërimin, nderimin, por edhe kohën e njëjtë, pa e ndrruar asnji here?
Pra, i tillë ishte Ismet Uke Berisha.
Pusho në përjetësinë e merituar, miku i im i dashur, Ismet Ukë Berisha. Vepra e jote jetësore la një model trashëgimi, udhërrëfimin e frymëzimin kombëtar që do t’i kapërcejë shekujt.
Shpirti i Atdheut Shqiptar, prore do të rrezatojë e do t’i bëj dritë veprës tënde të lavdishme!