Nga ROLAND QAFOKU/
Kurrë nuk merrte mungesat, por asnjë nuk mungonte në orën e tij. I urrente klishetë e atij regjimit dhe tallej në forma nga më të ndryshme me komunistët. Për shumë nga nxënësit e tij, ai ishte idhull në sport. Bejkush Birçe u nda nga jeta sot dhe për mua ky është një lajm i trishtë. Ai ishte një nga profesorët që ka ndikuar më shumë në jetën time në marrjen e një kulture fizike të veçantë, por edhe për karakterin e fortë që ai zotëronte. Mua dhe klasës sime na ka dhëmë mësim fiskulturën në shkollën e mesme “Skënderbej” në Tiranë. Quheshim me shumë fat ne të klasës A që trajneri i Partizanit dhe më pas Dinamos, paradite na jepte ne mësim dhe pasdite stërviste yjet e futbollit shqiptar. Me profwsor Birçen, fiskultura nuk ishte një orë e lehtë për ta bërë gjysmë pushim. Ai na shtrydhe mirë e mirë në 45 minuta, që ne e kishim çdo ditë, por mënyra se si na e bënte lëndën na e bënte tejet tërheqëse. Larg klisheve dhe programit mediokër mësimor, prej tij njohëm për herë të parë jo vetëm çfarë ishin sporte si regbi, tenis, ski dhe boks, por edhe ti ushtronim ato. Klasa jonë ishte ndër të rrallat që arriti të bënte 10 kilometërshin e famshëm në Kodrat e Liqenit Artificial dhe me këtë “trofe” në dorë ai u thoshte në stërvitje futbollistëve se “normat i kanë kapur begsat 17-vjeçarë dhe nuk ka shanse mos t’i kapni ju”. Kishte studiuar në Moskë dhe vetë kishte ushtruar disa sporte, përveç futbollit, por ama mbetet një nga trajnerët më të mirë të futbollit shqiptar në histori. Kishte një kulturë perëndimore dhe në sqetull përherë mbante revistën “France Football”. Lexonte vetë dhe na e tregonte edhe ne nxënësve të tij. Për herë të parë prej tij kam parë atë revistë që ishte media më e rëndësishme botërore print për futbollin. Profesorin tim e kisha të ftuar më 17 qershor 2018 në studion e emisionit tim “Debati” për ndeshjet e Botërorit në Rusi në atë kohë. Nuk lëshoi asnjë mburrje se e njihte aq mirë atë sport, madje edhe Moskën, qytetin kur kishte harxhuar një pjesë të rinisë së tij. Por veçse seç më ngjallte të njëjtën autoritet që kishte kur më jepte mësim. Kishte një karakter hekur fare dhe nuk guxonte kush atje në stafin e shkollës t’i kërkonte llogari për revista të huaja që mbante, programin ndryshe dhe marrëdhënie të afërta me nxënësit. Ne vetëm e imagjinonim se çfarë marrëdhëneesh kishte profesori ynë me futbollistët. Në trup ishte sa gjysma e disave, por kishte një autoritet të tipit napolonian. Një personalietet të krijuar me cilësi profesionale dhe karakter të fortë. Ky ishte profesori im dhe i shumë e shumë nxënësve që besoj janë trishtuar po si unë me lajmin nga ikja nga kjo botë e tij. Do mbahesh mend përherë për cilësitë e forta dhe sukseset në sport profesor! Dhe për gjithçka që më mësove! Qofsh i parajsës!