Intervistë e posaçme me gazetarin dhe shkrimtarin Ilir Ikonomi pas publikimit te librit me te ri”pushtimi”/
NEW YORK CITY : Në një intervistë të posaçme për gazetën tonë, me gazetarin dhe shkrimtarin Ilir Ikonomi autori i dy librave ” best seller” “Faik Konica, Jeta në Uashington” dhe “Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit” flet me gazetarin tonë në SHBA, Beqir SINA, mbi librin më të ri “Pushtimi”
Një libër siç thotë ai që tregon historinë e pushtimit të Shqipërisë nga Italia në prag të Luftës së Dytë Botërore dhe përmban rrëfimin e shefit të misionit diplomatik amerikan në Tiranë, Hugh Gladney Grant (Hju Glledni Grant).
Gjithashtu, Ikonomi nëpërmjet “rrëmimeve” të tij në arshivat e Uashingtonit, duke shkruar edhe këtë libër ka “zbuluar atë se çfarë vendi zenë SHBA në faqet e librit të tij “, si dhe ditët e fundme të Shqipërisë mbretëri e ditët e para të pushtimit italian të rrëfyera nga ministri amerikan i kohës në Tiranë, Hugh Grant.
“Vërtet, kjo është një histori e njohur, por për herë të parë ajo tregohet nga këndvështrimi i një amerikani, i cili e pa me sytë e tij pushtimin, sepse ndodhej në Tiranë në atë kohë. Ai ishte ministri fuqiplotë i SHBA në Shqipëri dhe quhej Hugh Grant, thotë në këtë intervistë Ikonomi.
Ai si një “gjuetar” i mirë, duket në faqet e shkruara të këtij libri, se ka gjetur dokumente të rëndësishme në Arkivin Kombëtar Amerikan, pikërishtë, bëhet fjalë për dy dokumente që hedhin dritë mbi qëndrimin e mbretit dhe të shteteve europiane për pushtimin.
Lidhur me pyetjen se si mendon Ikonomi a duhet të rishkruhet historia në Shqipëri dhe kush duhet ta bëjë këtë?
Ilir Ikonomi përgjigjet prerë se :”Historia, është duke u rishkruar në sajë të pluralizmit të pikëpamjeve për ngjarjet dhe figurat kryesore historike. Ka kaluar koha kur për çdo gjë kishte një pikëpamje të vetme të diktuar nga pushteti. Mendoj se tek historianët tani ekziston një kuptim më i mirë për karakterin kompleks që kanë ngjarjet dhe personazhet historike, pra ekziston më shumë realizëm. Për arësye të ndryshme, ku hyn edhe sedra, një pjesë e tyre nuk heqin dorë nga opinionet e prera që mund të kenë shprehur në të kaluarën e tyre si shkrues të historisë zyrtare.”
Zoti Ikonomi, çdo lexues, para se të blejë një libër do të donte të dinte për autorin, pra: kush jeni ju, nga keni ardhur, cila është jeta juaj?
Kam lindur në Pogradec, jam rritur në Berat. Im atë ka qenë mjek, nëna mësuese. Jam rritur në një shtëpi me shumë libra dhe ku nuk flitej shumë për politikë. Im atë dinte disa gjuhë të huaja prandaj në shtëpinë tonë kishte shumë fjalorë, të cilët ai i shihte si urën e vetme për të komunikuar me botën perëndimore. E dinim origjinën tonë prej disa brezash, sepse në shtëpi kishim një dokument që tregonte historinë e familjes nga ana e babait. Kam studiuar në Kinë për gjuhë kineze në vitet 1970. Punova si përkthyes i kinezçes në Radio Tirana deri në vitin 1990. Me rënien e komunizmit, u bëra korrespondenti i parë i agjencisë Rojter në Shqipëri dhe pas dy vjetësh Zëri i Amerikës më ftoi për të punuar në Uashington. Që nga ajo kohë vazhdoj të jem gazetar në seksionin shqip të VOA.
“Pushtimi” është libri juaj i tretë. A ka ndonjë numër librash që duhet të shkruash për t’u ndjerë shkrimtar?
Nuk e besoj. Shkrimtar të quan ose jo lexuesi. Në rastin tim, rruga si autor librash sapo ka nisur dhe ende nuk e di se çfarë mendon lexuesi, por sinqerisht nuk ndihem shkrimtar në kuptimin klasik të fjalës. Them se do të të shkruaj edhe libra të tjerë nëse lexuesi vazhdon të ketë interes për punimet e mia.
Ju shkruani për historinë shqiptare, duke filluar nga vitet e para të shtetit shqiptar. Si i përzgjidhni temat për të cilat vendosni të shkruani?
Përpiqem të zgjedh ato tema historike që na interesojnë më shumë neve si shqiptarë për të kuptuar vetveten. Prandaj në librat e mi do të hasni disa nga ngjarjet dhe figurat më madhore për Shqipërinë: Ismail Qemali, shpallja e pavarësisë, Faik Konica, pushtimi i Shqipërisë nga Italia e të tjera. Të gjitha detajet në librat e mi janë në funksion të këtyre ngjarjeve dhe personazheve të mëdha. Nuk më pëlqen të shkruaj për politikën e ditës, sepse ajo nuk të lejon të nxjerrësh përfundime të mëdha dhe të reflektosh se nga kemi ardhur e ku po shkojmë. E kundërta mund të thuhet për të shkuarën historike. Nëse e pasqyron me besnikëri dhe në mënyrë të balancuar e të arsyeshme, ajo të ndihmon të kuptosh të ardhmen.
A kanë librat tuaj një lidhje të brendshme, diçka që ndoshta e kuptoni vetëm ju?
Besoj se kanë një fije që i lidh – idenë se Shqipëria ka patur një të kaluar të vështirë, në kuptimin që krijimi i shtetit shqiptar ka qenë një sipërmarrje jashtëzakonisht e mundimshme dhe këto mundime kanë vazhduar gjatë. Disa njerëz nuk e kuptojnë dot këtë, pra se sa i vështirë ka qenë krijimi i një entiteti të unifikuar në kushtet e ndarjeve të mëdha krahinore e fisnore, mungesës së theksuar të zhvillimit ekonomik dhe ndarjes në tre besime. Në të gjithë librat e mi jam përpjekur ta paraqes këtë fenomen shqiptar në formën e sfondit të madh të veprimit të personazheve, në mënyrë që lexuesi të mund të arrijë përfundime për të tashmen dhe t’u japë përgjigje pyetjeve të tilla, si: ku e kanë rrënjën përçarjet e sotme dhe çfarë e pengon ecjen përpara.
Ky libër tregon përmes dokumentesh historinë e pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939, në prag të Luftës së Dytë Botërore. Përse zgjodhët një temë për të cilën është folur shumë?
Vërtet kjo është një histori e njohur, por për herë të parë ajo tregohet nga këndvështrimi i një amerikani, i cili e pa me sytë e tij pushtimin, sepse ndodhej në Tiranë në atë kohë. Ai ishte ministri fuqiplotë i SHBA në Shqipëri dhe quhej Hugh Grant.
Përse ju duket me rëndësi kur tregohet nga një amerikan?
Amerikanët në atë kohë nuk kishin ndonjë interesim të veçantë për Ballkanin, politika e jashtme e SHBA nuk ishte shumë aktive. Prandaj, ndryshe nga diplomatët e tjerë të huaj në Shqipërinë e asaj kohe, Granti mund të shihet si një vëzhgues i ftohtë dhe i paanshëm i ngjarjeve. Mendoj se raportet që ai i dërgonte Departamentit të Shtetit për pushtimin e Shqipërisë janë mjaft të paanshme.
Çfarë pjese zë rrëfimi juaj si autor në këtë libër?
Hugh Granti flet kryesisht për pushtimin e Shqipërisë nga Italia dhe ngjarjet që pasuan, siç ishin konsolidimi i regjimit të pushtimit, taktikat e italianëve për të krijuar përshtypjen se pavarësia nuk ishte humbur, imponimi prej tyre i një kushtetute të hartuar në Romë, eliminimi i politikës së jashtme të Shqipërisë, etj. Për të dhënë një pasqyrë më të plotë të Shqipërisë në periudhën para pushtimit, unë kam shkruar një ekspoze në formën e një rrëfimi që i paraprin asaj për të cilën flet ministri Grant.
Diplomati amerikan duhet ta ketë takuar shumë herë Mbretin Zog. Çfarë mendimesh shpreh ai për monarkun shqiptar?
Po, e ka takuar shumë herë. Granti kishte simpati për shqiptarët në përgjithësi dhe i kuptonte ndjenjat e tyre proamerikane. Të njëjtën simpati shprehte edhe për Mbretin Zog, i cili gjithashtu ushqente ndjenja miqësore për Amerikën. Takimi i tij i fundit me Mbretin ishte një ditë para pushtimit, më 6 prill. Sipas shënimeve të hollësishme të Grantit nga ai takim, Zogu i tregoi hapur ministrit amerikan situatën e vështirë në të cilën ndodhej, për shkak të trysnisë së madhe që po i bënin italianët. Granti na jep të kuptojmë se Mbreti Zog, me inteligjencën e tij natyrore, e analizonte drejt gjendjen në Evropë dhe e kuptonte se askush nuk do t’i vinte në ndihmë nëse Shqipëria sulmohej nga Italia. Në raportet për Sekretarin amerikan të Shtetit, Granti bën një analizë të hollësishme, me të cilën në mënyrë të paanshme tregon se si arriti Italia ta fusë Shqipërinë në zinxhirin e saj. Ai shpjegon se Zogu i njihte mirë kartat e tij. Ndoshta, – shkruan Granti, – Mbreti llogariste që, nëse fillonte një luftë botërore, Italia do të humbiste dhe ai do të çlirohej nga borxhet që kishte marrë prej saj. Llogaritë nuk i dolën, sepse Italia nuk vonoi ta pushtonte Shqipërinë.
Përse Zogu është një figurë kaq e debatuar mes historianëve? Përse ka kaq pasione kur flitet për të?
Mendoj se një pjesë e kësaj është pasojë e trashëgimisë politike të Shqipërisë. Gjatë shumë dekadave të komunizmit, në Shqipëri pati një fushatë denigruese kundër Zogut. Historianët e asaj kohe, me bindje ose nën presion nuk na dhanë dot një analizë objektive të monarkut shqiptar, i cili si çdo prijës që vepron në një mjedis të vështirë ka plot dritëhije. Sot, shumë qëndrime kanë ndryshuar, por kam përshtypjen se kritikat kryesore që i bëhen Zogut ende ngrihen mbi të njëjtën bazë si edhe më parë. Për shembull, qëllimisht theksi vihet tek ikja e tij më 7 prill dhe pak flitet për natyrën e trysnisë italiane, për komplotet e tyre për ta eliminuar fizikisht Mbretin dhe përgjithësisht për atmosferën e krijuar, ku rezistenca ishte e pamundur. Lihet në heshtje, për shembull, fakti që Musolini kishte të paktën një vit që përgatitej për ndërhyrjen ushtarake në Shqipëri dhe kjo i linte pak hapësirë Zogut për të rezistuar. I mëshohet faktit që Mbreti Zog u lidh së tepërmi me italianët dhe nuk thuhet se cilat mund të kishin qenë alternativat: Lidhja me grekët? Lidhja me jugosllavët? Apo izolimi tragjik nga bota siç bëri Hoxha? Po ashtu, pak flitet mbi përpjekjet e Zogut për bashkim kombëtar dhe për modernizimin e një Shqipërie që po ndërtohej si shtet gati nga themelet. Kur analizat ngrihen mbi pasione, kjo të pengon të kuptosh edhe ato që vërtet mund të quhen anë të errëta të Zogut, siç ishin përpjekjet për të qëndruar me çdo kusht në pushtet, dëshira për luks dhe ekstravagancë në një vend që ende vuante nga uria, etj.
Si mendoni se duhet të rishkruhet historia në Shqipëri dhe kush duhet ta bëjë këtë?
Historia është duke u rishkruar në sajë të pluralizmit të pikëpamjeve për ngjarjet dhe figurat kryesore historike. Ka kaluar koha kur për çdo gjë kishte një pikëpamje të vetme të diktuar nga pushteti. Mendoj se tek historianët tani ekziston një kuptim më i mirë për karakterin kompleks që kanë ngjarjet dhe personazhet historike, pra ekziston më shumë realizëm. Për arësye të ndryshme, ku hyn edhe sedra, një pjesë e tyre nuk heqin dorë nga opinionet e prera që mund të kenë shprehur në të kaluarën e tyre si shkrues të historisë zyrtare. Natyrisht, kur vjen puna te hartimi i teksteve, kjo është një sipërmarrje me përgjegjësi të madhe. Këtu mendoj se ka rëndësi ruajtja e baraspeshës, në kuptimin që në komisionet e teksteve të marrin pjesë historianë që pasqyrojnë një pluralitet pikëpamjesh. Sidomos ndarja e politikës nga historia në kuptimin e plotë të kësaj shprehjeje, mendoj se duhet të jetë një kriter kryesor.
Dëgjojmë shpesh të thuhet se tek shqiptarët ka rënë leximi, njerëzit nuk interesohen dhe aq shumë për librin. Ju ç’mendoni?
Nuk e besoj se kurioziteti për të ditur mund të bjerë ndonjëherë. Por me siguri që do të ketë periudha kur rënia e fuqisë blerëse bëhet pengesë që të shiten më shumë libra. Kam përshtypjen se po t’u ofrohet një libër i mirë, njerëzit nuk kursejnë për ta blerë. Në një shoqëri gjithnjë ka njerëz që lexojnë dhe njerëz që nuk lexojnë dhe nuk besoj se kjo do të ndryshojë ndonjëherë.
Intervistojë : Beqir SINA
Urimet e mia ma te mira per punen e vlershme te Z. Ilir Ikonomi. Kerkimet e tia na arkivat amerikane po nxjerrin ne drite shume fakte qe pasunojne historine e vendit tone, dhe ky ashte nji sherbim qe duhet cmue nga te gjithe shqiptaret.