Dr. Paulin Marku/
Gjashtë vite më parë ndërroi jetë Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrës. Imzot Mirdita kujtohet me mirënjohje dhe konsideratë të thellë nga komuniteti shqiptar në New York, i cili shërbeu si baritor në kishën shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” nga viti 1973-1993 në Bronx New York. Nëpërmjet veprimtarisë se tij, kleriku i lartë njohu nga afër shumë shqiptarë në SHBA dhe njëkohësisht u njoh me vuajtjet dhe persekutimet e regjimit komunist në Shqipëri.
Imzot Mirdita, njihte nga larg realitetin shqiptar por në vitin 1991, ai vizitoi personalisht Shqipërinë.
Në vitin 1992 Papa Gjon Pali II e emron Arqipeshkv në krye të Dioqezës Tiranë-Durrës.
Viti 1993 shënon dy ngjarje te rëndësishme për Shqipërinë, së pari është vizita e parë e Shenjtërisë së Tij, Papës Gjon Pali II në Shqipëri dhe shugurimi Ipeshkev i Rrok Mirditës i cili do të ishte udhëheqës shpirtëror i besimit katolik në vendin ku për 50 vite ishte mohuar dhe dhunuar e drejta e besimit;
së dyti, largimin e Imzot Rrok Mirditës nga një komunitet shqiptarë që e donin dhe respektonin aq shumë, si në SHBA dhe zhvendosja e tij në Shqipëri, për të ngritur besimin fetar katolik, ku etja dhe dëshira e popullit për një besim fetar të lirë dhe të pa ndikuar nga regjimi dhe politika ishte një dritë shprese për lirinë shpirtërore.
Ai, shumë shpejt do të shvendosej, për të drejtuar një komunitetin katolik pas traumës së madhe të shkaktuar nga regjimi komunist, ku ishte mohuar besimi dhe liria fetare për shumë dekada. Misioni tij, si një baritor i kishës katolike në Shqipëri filloi në vitin 1993.
Vendosja e Ipeshkvit Rrok Mirdita në Dioqezën Tiranë-Durrës shënon ringritjen e shpresës dhe të besimit katolik në Shqipëri. Ai, së bashku me ato pak klerikë që i mbijetuan regjimit komunist, u vendosën në krye të besimtarëve katolik për të shpërndarë fjalën e Zotit.
Nga viti 1993 deri në ditët e fundit të jetës së tij, Imzot Rrok Mirdita nuk reshti së punuari për zhvillimin e besimit katolik dhe për shpërndarjen e fjalës së Zotit në Shqipëri. Presidenti i Republikës Bamir Topi e ka dekoruar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacion: “Për kontributin dhe veprimtarinë e vyer në ringjalljen e besimit shpirtëror dhe shpresës për një të ardhme më të mirë, për ringritjen e institucioneve të kultit si dhe për forcimin e pasurimin e mëtejshëm të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare të popullit shqiptar”.
Sot përkujtohet, 6 vjetori i ndarjes nga jeta të Imzot Rrok Mirditës.
Ai do të mbetet në zemrat e çdo katoliku si një frymëzues shpirtëror e baritor i devotshëm dhe i përkushtuar për ruajtjen e harmonisë ndërfetare në Shqipëri.