
Dr. Etleva LALA
Eötvös Loránd Tudományegyetem (Universiteti ELTE)
Programi i Albanologjisë, Budapest, Hungari
Arkivi Apostolik i Vatikanit është një mister jo vetëm për shkak të lëndës burimore tepër të vëllimshme, por edhe për shkak të vështirësisë për ta gjetur lëndën burimore. Maria Luisa Ambrosini e cilëson këtë arkiv si “sekret” për shkak të sistemit tejet të komplikuar të katalogizimit, i cili sipas saj i ngjan “një qyteti të madh të varrosur, një Herkulaneum të mbuluar nga llava e kohës, një sekret që është po aq sekret sa një gërmim arkeologjik.”[1]
Në Arkivin Apostolik të Vatikanit, ndryshe nga arkivat e tjerë, nuk ka një katalog për Shqipërinë dhe për shqiptarët, siç ka zakonisht në arkivat e tjerë. Një katalog i tillë nuk ekziston në AAV as për vendet e tjera, kështu që studiuesit që hyjnë në Arkivin Apostolik të Vatikanit duhet para së gjithash të dinë, sesi të kërkojnë materialet që u duhen dhe si të bëjnë konkordancat e duhura për materialet që gjejnë nëpër skedarë, gjë që është një shkollë më vete, që kërkon mjaft kohë dhe punë sistematike. Edhe pse stafi i Arkivit Apostolik të Vatikanit është mjaft ndihmës, sidomos shefi i sallës së referencave, dr. Luciano Cipriani, studiuesi pritet që ta njohë shumë mirë lëndën e tij që në momentin që hyn në këtë arkiv, sepse më shumë se tre dokumente në ditë nuk lejohen të konsultohen.
Edhe pse është një ndër arkivat më të hershëm në botë, katalogizimi, sistemimi dhe skedimi i të gjithë materialit dokumentar e arkivorka qenë i pamundur në Arkivin Apostolik të Vatikanit, edhe pse përpjekje për këtë gjë janë bërë që nga krijimi i këtij arkivi, siç do të shohim në këtë shkrim. Mjafton të përmendim këtu që nga projekti i dixhitalizimit të dokumentave që ka filluar në fillim të shekullit XXI, është krijuar një databazë prej 180 terrabyte për mbi 7 milion imazhe,[2] të cilat nuk përbëjnë as edhe një fraksion të vëllimit dokumentar të këtij arkivi.
Ka studiues shqiptarë që pretendojnë se bëjnë studime në Arkivin Sekret të Vatikanit, apo siç quhet tani në Arkivin Apostolik të Vatikanit, ndërkohë që në fakt ata po hulumtojnë në Arkivin e Propaganda Fide, që gjithashtu është arkiv i Vatikanit, por nuk ka lidhje me Arkivin Sekret të Vatikanit që sot quhet Arkivi Apostolik i Vatikanit. Këto janë dy institucione të ndryshme. Arkivi i Propaganda Fide, që e ka hyrjen nga universiteti Urbaniana, është një arkiv mjaft i rëndësishëm përsa i përket materialit arkivor që fillon nga shekulli XVI dhe në të ka shumë materiale sidomos për Bogdanin dhe Kolegjin Ilirik, një pjesë e mirë e të cilave janë botuar nga Marlekaj[3] dhe Marquete.[4] prandaj përshkrimi i mëposhtëm i mënyrës sesi gjenden dokumentet në Arkivin Apostolik të Vatikanit, nuk vlen për Arkivin e Propaganda Fide.
Në Arkivin Apostolik të Vatikanit lejohen vetëm 60 studiues në ditë, ku përparësi kanë studiuesit që kanë studiuar edhe më parë në këtë arkiv.[5] Ky numër kaq i vogël në krahasim me mijëra kërkesat që vijnë çdo ditë nga e gjithë bota nuk ka ndonjë arsye misterioze pas, por është thjesht një vendim pragmatik, sepse në Arkivin Apostolik të Vatikanit, fizikisht nuk ka vend për më shumë studiues.
Arkivi Apostolik i Vatikanit ka qenë që herët një sfidë për punonjësit dhe studiuesit e tijpërsa i përket renditjes, sistemimit, katalogizimit të materialit që ai përmban dhe pastaj lehtësisë dhe aksesit për konsultim të materialit të mbledhur. Si rezultat, përpjekjet shumëvjeçare të grupeve të arkivistëve dhe të specialistëve për ta bërë sa më të aksesueshëm këtë arkiv, kanë qenë të panumërta. Shumë prej këtyre arkivistëve kanë punuar gjithë jetën e tyre për të gjetur mënyrën sesi të bëjnë një katalogizim të plotë e përfundimtar të dorëshkrimeve, të dokumenteve dhe të materialit të shumtë të këtij arkivi, dhe përsëri nuk kanë arritur të bëjnë një të vetëm e të plotë.
Duke qenë se këto përpjekje janë bërë në periudha të ndryshme dhe nga grupe arkivistësh e specialistësh që gjithmonë përballeshin me probleme të ndryshme e të paimagjinueshme më parë, për shkak të prurjes së jashtëzakonshme të dokumentacionit që hynte e dilte nga Selia e Shenjtë, rezultatet e punës së tyre janë kurorëzuar me një mori katalogësh të ndryshëm, që kanë qenë specifike për fonde të veçanta: secili me sistem të veçantë deshifrimi të vendndodhjessë dokumenteve, e madje me shënime të ndryshme nga ato të paraardhësve apo pasardhësve të tyre. Ndër më kryesorët, që vazhdojnë të ruajnë funksionin e tyre origjinal si katalogë janë skedarët që sot mbajnë emrin e udhëheqësve të projekteve si Garampi, Montroy,[6] Martini,[7] tek të cilët do të përqëndrohemi në vazhdimësi, për shkak të orientimit themelor që ato ofrojnë për këdo që futet për hulumtime në Arkivin Apostolik të Vatikanit.
Skedari Garampi[8] është përpjekja më e madhe e bërë ndonjëherë për katalogizimin e materialit arkivor të Arkivit Apostolik të Vatikanit. Ky skedar u hartua nga Giuseppe Garampi[9], me bashkëpunëtorë arkivistë dhe specialistë me përvojë ndërkombëtare. Skedat, të cilat Garampi me bashkëpunëtorët e tij i hartoi sipas lëndës arkivore dhe asaj të botuar, gjatë periudhës 20 vjeçare të shërbimit të tij si prefekt i AAV (olim ASV)[10] shërbejnë si inventar orientues në AAV që nga fillimi i shekullit të kaluar [shek. XX], kur monsg. Pietro Wenzel dhe don Gregorio Palimeri[11]bënë renditjen tematike të tyre. Ata i ngjitnin skedat e vogla në faqe formati folio, për të formuar kështu serinë prej 125 vëllimesh,[12] me madhësi folio, të njohura sot për studiuesit, historianët dhe të tjerët me emrin SchedarioGarampi.[13]
Inventarët për konsultime të dokumenteve, të cilat sot ruhen në Salla degli Indici të Arkivit Apostolik të Vatikanit me numrat nga 72 deri në 136, kanë filluar të hartohen shumë kohë më parë se të emërohej prefekt Giuseppe Garampi, gjë që tregon se puna e Garampit ishte një përpjekje që vazhdonte. Disa nga autorët e këtyre skedarëve që njihen, janë Michele Lonigo, Felice Contelori, Constantino Centofiorini, Giovanni Bissaiga dhe Donnino de Petris. Rëndësia e këtyre skedarëve është shumë e madhe për hulumtimin e fondeve të ndryshme, veçanërisht skedarët që punuan Bissaiga (1672) dhe de Petris (në vitet 1727 dhe 1731), të cilët synuan të bëjnë një rregullim të tërësishëm themelor të tërë lëndës arkivore të AAV (olim ASV) dhe janë të pandryshuar deri në ditët e sotme.
Sipas hulumtimeve më të fundit të bëra nga Vittorio Peri (1981), për disa nga momentet më të rëndësishme të AAV, vihet në dukje se ishte paraardhësi i Garampit, Filippo Antonio Ronconi [1741-1750], ai që kishte tërhequr vërejtjen për domosdoshmërinë e fillimit të punës për hartimin e një katalogu të përgjithshëm, që do të ndihmonte për gjetjen e dokumenteve dhe hulumtimin më të lehtë e më të shpejtë të tyre. Në ditarin e tij të punës, menjëherë pas emërimit si prefekt i ASV, Garampi shkruan: “Detyra ime e parë është rregullimi dhe sistematizimi i tërë lëndës arkivore, e cila është në gjendje të keqe dhe pothuajse e pasistemuar fare, si dhe përgatitja e katalogëve dhe e inventarëve përkatës për të gjitha fondet.”[14] Si drejtues projekti, në një sipëmarrje të tillë, dhe duke punuar me një numër të kufizuar bashkëpunëtorësh, Garampi është treguar një arkivist i shkëlqyer në përdorimin dhe në respektimin e kritereve arkivore, të cilat na shërbejnë edhe sot e kësaj dite si shembuj konkretë në punë të tilla.
Duke qenë këmbëngulës, me një kureshtje të fortë dhe i duruar në punë, Garampi, fillimisht përcaktoi temat kryesore të punës së tij nëpër fonde, për të vazhduar pastaj me imtësitë e shumta, të cilat me lehtësi të veçantë i sistemonte në fondet përkatëse. Një veprim i tillë është shumë i arsyeshëm, kur kemi parasysh rrëmujën dhe gjendjen e keqe që mbretëronte në arkiv, morinë e dokumenteve, të dorëshkrimeve dhe të gjërave të tjera, të cilat janë pasuri me vlera të rralla botërore.Garampi detyrohet që të bëjë një plan shumë praktik, duke zvogëluar kërkesat e tij në të dhënat e hollësishme të secilës ipeshkvi që, fillimisht, i kishte planifikuar veç e veç në projektin e tij, por që sipas këtij plani të ri do të punohej paralelisht me dokumentet arkivore dhe lëndën e botuar, duke bërë kështu edhe një konkordancë të regjistrave, duke përmirësuar gabimet e vendndodhjeve të dokumenteve, si dhe duke evidentuar dokumentet e reja të dëmtuara si dhe ato të zhdukura.
Ideja e Garampit u zhvillua në një projekt shumë kompleks dhe serioz, i cili për herë të parë përmendet në kërkesën që vëllimet e fondit Registri Laterani të silleshin për ruajtje nga Dataria, ku gjendeshin deri atëherë [1756]. Mendohet se faza e parë e këtij projekti duhet kërkuar në kategoritë Papët, Kardinalët, Offici dhe Kishat e Romës të të ashtuquajturit SchedarioGarampi.
Për herë të parë, Garampi e prezanton projektin e tij në kërkesën drejtuar papa Benediktit XIV [1757] për sjelljen e fondeve dhe të arkivave të veçanta që nuk ruheshin akoma në AAV. Kaq i detajuar dhe i mirëmenduar ishte ky projekt, saqë të gjithë studiuesit e deritanishëm janë të një mendimi se ky skedar i jashtëzakonshëm pati një rëndësi të veçantë edhe për botimet e shumta të lëndës arkivore të quajtura Orbis christianus illustratus,[15] ku gjendej historiku i të gjitha ipeshkvive të botës së krishterë, përfshirë këtu edhe ato shqiptare. Në projekt ishte menduar që, fillimisht, të bëhej një renditje kronologjike e ipeshkëve, pastaj historia e ipeshkvisë, marrëveshjet e ndryshme, shenjtorët e secilës ipeshkvi, kishat, famullitë, banorët e saj, si dhe gjendja ekonomike dhe të ardhurat financiare, duke u mbështetur kryesisht në burimet e botuara deri në atë kohë, citimi i veprave dhe autorëve të të cilave ishte obligim në atë kohë.
Nga dokumenti i vitit 1756, kemi të dhëna të sakta për fondet të cilat Garampi zotëronte në atë kohë në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe ato ishin:
a) Të gjithë regjistrat e papëve avinjonezë, të cilët kanë shërbyer si themel për rregullat e kancelarisë(Registri Vaticani). Ai përmbledh dokumente nga viti 1305 deri në vitin 1423, që është koha ngapapa Klementi V e deri te papa Gregori XI.
b) Rreth dy mijë vëllime me bula nga papa Bonifaci IX deri te papa Shën Piu V dhe të gjitha me përmbajtje të vëllimshme e të rëndësishme. Kjo pjesë është vazhdim i Registri Vaticani nga pontifikati i papa Bonifaci IX deri te papa Piu V (1572).
c) Të gjitha brevet e papëve, të cilat përmbajnë marrëveshje dhe komunikime me princërit dhe të tjerët në lidhje me provizionet apostolike të beneficeve. Të gjitha këto vëllime ruhen në fondin: Arm. XXXIX-XLV; Epistulae ad principes.
d) Të gjitha Librat Kamerale, në të cilat janë të regjistruara provizionet dhe proceset për vlerën e beneficeve dhe të dënimeve për këto procese. Kjo seri ka më shumë se 1300 vëllime dhe ndahet në tri nënseri: Introitus et exitus; Collectorie dhe Obligationes et solutiones.
e) Të gjithë regjistrat e Sekretarisë së Shtetit sipas nunciaturave përkatëse, në të cilat gjenden madje edhe të gjitha marrëveshjet me përmbajtje të ngjashme. Nga kjo seri, në skedarë kemi dokumente nga nunciatura të ndryshme nga e gjithë bota, ndër të tjera edhe nga shqiptarët.
Përveç këtyre janë edhe rreth 4000 dokumente nga seria Instrumenta Miscellanea, pastaj disa vëllime nga seritë Armadi I-XII, Armadi XXXIX-LXIII,Acta Camerarii, Acta Miscellanea, Benedicti XIV Bulae et Constitutiones; Fondo Albani; Fondo Carpegna dhe Fondo Pio. Edhe pse Garampi nuk e posedonte ende fondin Registri Laterani, ai me bashkëpunëtorët e tij kishte mundësi që ta kontrollonte atë për periudhën që nga papa Bonifaci IX (1389) e deri te papa Pali IV (1559).
Nën drejtimin e Garampit disa nga skedat janë grupuar, sistemuar dhe vendosur në kuti të veçanta. Nuk është shumë e vështirë të ndiqet sistematizimi dhe grupimi i bërë, ngaqë është ndjekur sistemi kronologjik i renditjes, p.sh. në Kurinë Romake, grupet e vogla përbëjnë tërësinë e përgjithshme prej më shumë se 120.000 skedash, duke përfshirë këtu renditjen kronologjike: papët, kardinalët, ipeshkvët, famullitë dhe zyrtarët etj. Për pjesën tjetër prej 700.000 skedash, siç duket, Garampi ka përdorur të njëjtin kriter, duke vendosur p.sh. skedat e ipeshkëve të ipeshkvisë së Durrësit, të Prizrenit, të Ohrit, të Shkodrës, të Drishtit etj. me materialet e tjera të kësaj ipeshkvie, duke pasur për qëllim të paraqesë një pasqyrë sa më të saktë dhe shumë të hollësishme të lidhjeve mes tyre, të zhvillimit dhe të funksionimit sa më të mirë të kësaj ipeshkvie.
Daniele Farlati dhe Jacopo Coleti, autorët e kryeveprës Illyricum Sacrum, kanë shfrytëzuar lejen e kardinal Garampit për të konsultuar skedat eipeshkvive dhe të ipeshkëve, që kanë përmendur në veprën e tyre,[16] gjë që tregon se çfarë roli të rëndësishëm ka pasur dhe ka ky skedar për historinë trevave e shqiptare dhe të territoreve fqinje.[17]
Në skedarë nuk janë përfshirë fonde të shumta dhe tepër të rëndësishme, të cilat në atë kohë nuk ishin pronë e Arkivit Sekret të Vatikanit, p.sh. fondet e Registri Avinionensi, që kanë hyrë në AAV në vitin 1783 ndërsa më vonë edhe fonde të tjera si, Brevi Lateranensi, Registri delle Suppliche, Fondo Borghese, Segreteria dei Brevi etj. por edhe shumë fonde të tjera, të cilat nuk inkorporoheshin në konceptin e punës së tij.
Në skedarë, gjithashtu nuk gjenden të dhëna me rëndësi të jashtëzakonshme për gjendjen e ipeshkvive (famullive, kishave, kuvendeve, kaptoleve etj.), që kanë të bëjnë me vizitatapostolike nga seria e njohurSacra Congregazione del Concilio e ashtuquajtur edhe Relationes ad limina. Janë të shumta relatat për vizitat e shpeshta që janë bërë në Shqipëri. Numri i tyre është tepër i madh dhe në to ka të dhëna me vlerë tepër të çmuar për të gjitha segmentet e jetës së popullit shqiptar gjatë shekujve. Gjatë 2000 viteve të krishterimit, të gjitha relatat e vizitave apostolike, nga seria Sacra Congregazione del Concilio janë bartur në serinë Sacra Congregazione Vescovi e Regolari, Visite Apostoliche.
Në skedar mungojnë edhe shënimet për serinë Processus Datariae, mbi bisedat dhe konsultimet informative që bëhen në Vatikan, me rastin e emërimit të kryeipeshkëve, ipeshkëve dhe të prelatëve të tjerë kishtarë. Po ashtu nuk gjenden të dhëna as nga seria Sacra Congregazione dei Riti, që ka të bëjë me shenjtërimin dhe kanonizimin e shenjtorëve si dhe të dhënat për urdhrat e ndryshme, si për augustinët, celestinët, domenikanët, françeskanët, benediktinët, jezuitët etj., të cilët kanë vepruar gjatë shekujve në botë, por edhe në territoret shqiptare.
Giovani Contea dhe Giambatista Pistolesiishin dy bashkëpunëtorët më të afërt të Garampit gjatë gjithë punës së tij për përgatitjen dhe përshkrimin e skedave dhe të skedarit në përgjithësi. Sipas studiuesit Ignaz Philipp Dengel, numri i bashkëpunëtorëve të Garampit nuk ka kaluar asnjëherë më shumë se katër persona, por një gjë e tillë mund të saktësohet vetëm pasi të bëhen analizat e dorëshkrimeve që ndodhen në të tëra vëllimet e skedarit.[18]
Sipas të gjitha gjasave, pjesën dërrmuese të më shumë se 800.000 skedave të skedarit të sotëm i ka punuar fiorentinasi Giambatista Pistolesi, i cili ishte arkivist në kohën kur është emëruar Garampi si prefekt i AAV (olim ASV). Pistolesi kishte parë e konsultuar rreth 650 vëllime të Registri Vaticani. Për fat të keq, në vitin 1772filloi një mosmarrëveshje mes dy arkivistëve, Garampit e Pistolesit, e cila përfundoi me largimin përgjithmonë të Pistolesit nga AAV dhe me transferimin e Garampit në Varshavë, kështu që edhe projekti i tij përkohësisht u ndërpre. Para se të largohej përfundimisht, ai i raportoi papa Klementit XIV [1769-1774] për punën e tij 22-vjeçare në përgatitjen e skedarit duke i dorëzuar edhe të gjitha materialet e gatshme që kishte përfunduar deri në atë kohë. Punën e filluar nga Garampi e vazhdoi prefekti pasardhës i AAV, MarinoZampini [1772-1782], së bashku me dy ndihmësit e tij Gaetanon dhe Marinin, pas vitit 1785.
Në vitin 1809 i gjithë arkivi i Vatikanit u transferua në Paris me urdhër të Napoleonit, sepse Napoleoni i shpallur perandor në vitin 1804, synonte që të krijonte një arkiv qendror me thesaret e gjithë Evropës në Paris.Në prill të vitit 1814, pasi trupat e koalicionit hynë në Paris, qeveria e re franceze urdhëroi kthimin e arkivit, por nuk dha fondet e mjaftueshme për transportin. Zyrtarët e Vatikanit filluan të krijojnë një fond për transportin duke shitur disa nga vëllimet si dhe dokumentet e lidhura tog. Kjo strategji si dhe humbjet gjatë transportit bënë që një e katërta deri te një e treta e materialit arkivor nuk arriti kurrë të kthehej nga Parisi në Vatikan.[19]
Krejtësisht e harruar, vetëm aty nga fillimi i viteve 80 të shek. XIX, është marrë vendim që dokumentet me shënime të ndryshme, të cilat nuk kanë qenë në vendin e duhur, përfundimisht të sistemohen dhe të renditen në fondet përkatëse, sipas propozimit që më parë kishte bërë Pistolesi. Skedat e shpërndara nëpër kuti dhe në vende të ndryshme u sistemuan dhe u vendosën nëpër fletë të formatit folio, që më vonë u lidhën në vëllime përkatëse, në këtë mënyrë të mund të ruheshin këto shënime me vlera të jashtëzakonshme, për t’iu lehtësuar punën arkivistëve, studiuesve dhe historianëve të shumtë që vijnë çdo vit në AAV.
Dy arkivistët PietroWenzel dhe GregorioPalmieri kanë punuar në këtë projekt pa ndërprerje për 22 vite të tëra, duke ndjekur udhëzimet që më herët kishte lënë me shkrim Pistolesi dhe me skedat e shpërndara nëpër kuti e vende të ndryshme. Këto i sistemuan duke i vendosur nëpër fletë të formatit folio, për të krijuar vëllimet e sotme të Schedario Garampi. Meqenëse nuk kishte asnjë mundësi që të realizohej projekti i parë që kishte menduar Garampi, Wenzeldhe Palmieri vendosën që lëndën e mbledhur dhe të skeduar ta sistemonin sipas renditjes alfabetike, gjithnjë duke ruajtur kategoritë: ipeshkvët, priftërinjtë, favorizimetdhe të ndryshme(miscellaneae), brenda një njësie territoriale kishtare. Nga fundi i shek. XIX, pas 22 vitesh punë pa ndërprerje, këta arkivistë arritën t’u jepnin skedave të Garampit formën e sotme të skedarit, duke krijuar një seri të veçantë, të ndarë në dhjetë kategori të ndryshmetë përbërë prej prej 125[20] vëllimesh të formatit folio.
Gjendjaaktualee Schedario Garampi
Nr. rendor i vëllimeve | Kategoria | Regjistri indeksor i serive | Nr. i vëllimeve në një kategori | |
1-30 | Benefici | 445-474 | 30 | |
31-67 | Vecovi | 475-511 | 37 | |
68-91 | Misecllanea – I.A | 512-534.A | 24 | |
92-94 | Abbates | 535-537 | 3 | |
95-106 | Cronologico | 538-549 | 12 | |
107 | Papi | 550 | 1 | |
108 | Cardinali | 551 | 1 | |
109-111 | Offici | 552-554 | 3 | |
112-113 | Chiese di Roma | 555-556 | 2 | |
114-125 | Miscellanea – II.A | 670-681 | 12 | |
Meqenëse puna me skedarin është mjaft e komplikuar dhe kërkon një kujdes të veçantë, do të zbërthejmë kategoritë kryesore që janë më të rëndësishmet për shqiptarët në përgjithësi.
1. Benefici. Vëllimet 1-30. Të dhënat për këtë kategori janë kryesisht për shek. XVI dhe kanë fare pak skeda [disa dhjetëra] për shek. XIII-XV. Të dhënat janë marrë kryesisht nga Registri Vaticani,Registri Laterani, Diversa Cameralia dhe Armadio XXIX-XXX. Të gjitha skedat i ka shkruar një dorë. Kanë të bëjnë kryesisht me beneficet kishtare; ndarjen e indulgjencavefamullive dhe kishave etj.
2. Vescovi. Vëllimet 31-67 kanë të dhëna për ipeshkvët e ipeshkvive të të gjithë botës së krishterë të renditur sipas renditjes alfabetike, gjithnjë sipas emrit e mbiemrit në formën e latinizuar. Brenda çdo ipeshkvie, skedat janë të renditura kronologjikisht, nga kohët më të vjetra deri në fund të shek. XVIII. Për secilin ipeshkv ka të dhëna të sakta për emërimin e tij; funksionet që kishte në kishën katolike dhe për letërkëmbimin e tij. Të dhënat janë marrë nga fonde të ndryshme: Registri Vaticani,Registri Laterani, Miscellanea, Vescovi, Acta Camerarii, Epistule ad principes etj. Kështu p.sh. nëse shkojmë te shkronja ‘P’ dhe gjejmë ipeshkvinë ‘Polatensis’ ndër të tjera gjejmë edhe një shënim të tillë:1421, 5 maii Nicolaus Zaccharia ep. fit Polatensis. AB. Mart. 5, IV, 9, p. 120.[21]Se çfarë duhet të bëjmë me këtë shënim për të shkuar te vetë dokumenti, do ta shpjegojmë pak më vonë.
3. Miscellanea I. A dhe Miscellanea II. A. Në këtë kategori janë vënë të dyja këto seri, Miscellania I. A, vëllimet: 68-91 [përkatësisht 12 vëllime] dhe Miscellanea II. A, vëllimet: 114-125 [përkatësisht 12 vëllime]. Sipas madhësisë, kjo kategori është e dyta menjëherë pas asaj Vescovi dhe është njëra prej kategorive më të rëndësishme.[22] Në të gjejmë të dhëna nga më të ndryshmet për institucionet lokale kishtare: famullitë, kishat, kaptolet, spitalet, sunduesit, mbretërit, princërit, urdhrat, konfesionet e ndryshme, etj. Ka të dhëna për gjendjen kishtare në viset e Dukagjinit,Hasit,Himarës; pastaj për familjet e shumta fisnike feudale shqiptare, Kastriotët, Balshët, Muzakët, Topiajt, Matrangët, etj. Kjo kategori me këto dy seri është tepër e rëndësishme për jetën politike, administrative, kulturore, ekonomike, historike dhe përditshmëritë brenda një ipeshkvie sipas renditjes kronologjike nga më të hershmet deri në fund të shek. XVIII.
4. Abbates. Vëllimet 92-94. Skedat janë të renditura sipas rendit alfabetik të famullive përkatëse, numri i të cilave ishte rreth 1500, nga viti 1295 e deri te pontifikati i papa Palit III-të [1534]. E veçanta e këtyre vëllimeve është se këtu janë bërë përpjekje për të regjistruar emrat e të gjithë famullitarëve dhe diakonëve nga e gjithë bota. Ndërsa, është e sigurt, se nuk ishte e mundur të përfshiheshin të gjitha të dhënat për të 1500 famullitë, ngaqë për këtë tematikë ekziston një material shumë i gjerë arkivor, i cili kurrsesi nuk mund të përmblidhej në 3 vëllime. Të dhënat kryesisht janë marrë nga fondet: Registri Vaticani, Registri Laterani dhe Obligationes et Solutiones.
5. Cronologico. Vëllimet 95-106. Skedat janë të renditura kronologjikisht deri në vitin 1766. Në këto skeda ka të dhëna nga të gjitha kategoritë e mëparshme dhe janë të pjesëshme, dhe të parenditura në kategoritë përkatëse, për shkak se ose të dhënat nuk ishin të plota, ose kanë mbetur që të verifikohen me dokumentet përkatëse në lidhje me vendndodhjen e tyre. Të dhënat janë marrë nga Registri Vaticani dhe Instrumenta Miscellanea, por edhe nga fonde të ndryshme për të cilat nuk gjejmë të dhëna të sakta.
6. Papi. Vëllimi 107 përmban emrat e papëve, të renditura sipas rendit alfabetik. Të dhënat kryesore janë nxjerrë nga fondet: Registri Vaticani dhe Registri Laterani.
7. Cardinali. Vëllimi 108 përmban të gjithë kardinalët, të renditur sipas rendit alfabetik. Të dhënat janë nxjerrë nga fonde dhe seri të ndryshme.
8. Offici. Vëllimet 109-111 përmbajnë emrat e shërbimeve, të urdhrave… etj., të Kurisë Romake. Fillon me Abbreviator… dhe përfundon me zecca.
9. Chiese di Roma.Vëllimet 112-114 përmbajnë të dhëna kryesisht për historinë kishtare të Romës, duke përfshirë edhe kardinalët, prelatët e ndryshëm, vendet e shenjta, kishat e famullitë e vogla, shumica e të cilave sot nuk ekzistojnë më. Këtu ka mjaft shënime për familjen Albani [papën Klementi i XI-të, kardinalët Albani etj.].
Formati i skedave është i ndryshëm. Më të voglat janë rreth 6 cm, ndërsa më të mëdhatë zënë pothuajse tre të katërtat e faqes folio së një vëllimi. Skedat për kategoritë: Vescovi, Abbates, Offici, Cardinali, Miscellanea I, janë më të vogla për nga dimensionet dhe formojnë dy shtylla në një faqe. Secila skedë ka të dhënat e saj të veçanta dhe tepër të rëndësishme për orientim, si p.sh.datimin që është i shënuar në dy forma, me numra romakë dhe me numra arabë, e para: 10. kal. Apr. An VI; ndërsa e dyta: 1430, 5. qershor, anno IX etj. Ka raste të shumta, kur janë të shënuara të gjitha të dhënat për datën, duke shënuar, ditën, muajin dhe vitin, si dhe vitin e pontifikatit, por ka edhe të atilla që kanë vetëm vitin, pra mungojnë muaji dhe dita. Shënimet e Garampit nga Registri Lateranensi nuk e japin datën e dokumentit. Po ashtu, viti i pontifikatit dhe numri i vëllimit nuk janë të besueshëm, sepse numrat romakë dhe arabë nuk tregojnë gjithmonë vitin e pontifikatit dhe numrin e vëllimit.[23]
Secila skedë përmban të dhëna kryesore për dokumentin që përfaqëson, p.sh. emrin, vendin dhe shënime të tjera për personinqë përmendet aty. Skedat që janë më të gjata dhe më të detajuara, sjellin hollësi më të shumta rreth dokumentit përkatës.
Shumë e rëndësishme është edhe signatura e shënuar në fund të çdo skede në anën e djathtë poshtë, ndërsa data, kur ajo ekziston, shënohet në fillim majtas, ndërkohë që objekti kryesor, shënohet në fillim të skedës. Signatura sjell të dhëna për vendndodhjen e dokumentit përkatës brenda vëllimit, fondit ose serisë së fondeve. Megjithatë, këto të dhëna janë shënuar sipas një sistemi të veçantë të përdorur nga Garampi dhe kolegët e tij, sistem ky i cili deri më sot nuk është deshifruar akoma plotësisht. Për të kuptuar vendndodhjen aktuale të dokumenteve të përdorura nga Garampi, është e domosdoshme që për secilën signaturë të Registri Lateranensi të dhënë te skedari Garampi, të bëhet një konkordancë mes signaturave të vjetra dhe numërimit aktual nëpërmjet Sussidi[24] dhe Studi sui Registri di Bolle Papali të Giusti-t, apendiksi V i Prospetto dei Registri Lateranensi.”[25] Teorikisht duket shumë e komplikuar, prandaj për ta ilustruar po japim shembullin që e përmendëm më lart, po marrim një të dhënë nga sinopsi që Shuflaj kishte përgatitur për vëllimin e tretë të Acta et diplomata res albaniae mediae aetatis,[26] por që nuk arriti ta përfundojë kurrë për shkak se u vra:
1421, 5 maii Nicolaus Zaccharia ep. fit Polatensis
dhe signatura e dhënë nga ai është:
Mart. V. a. 4, Lat. 59, fol. 120.[27]
Si e tillë kjo signaturë nuk ka asnjë lloj kuptimi. Për ta deshifruar duhet kërkuar në Schedario Garampi në këtë rast me emrin e ipeshkvisë dhe konkretisht në kategorinë Vescovi, në vëll. 56, folion 24v dhe aty gjejmë informacionin përkatës për personin në fjalë, me këtë signaturë:
AB. Mart. 5, IV, 9, p. 120.[28]
Megjithatë, as ky informacion nuk do të na ndihmonte shumë pa bërë konkordancën me ndihmën e Sussidi-t. Te Sussidi gjejmë këtë shënim shumë të dobishëm:
A.B.= Archivum Bullarum (Registri Lateranensi).[29]
A.B. Mart. 5 = Registri Lateranensi, Martinus V.[30]
Duke bërë konkordancën e shifrave IV, 9, gjejmë që signatura e sotme e kësaj të dhëne është:
Reg. Lat. 217, f. 120.
Pasi marrim në dorë Reg. Lat. 217, zbulojmë që folio 120 ishte sipas faqosjes së vjetër, ndërkohë që sipas faqosjes së re është f. 121v-122.v Ngjashëm me këtë ilustrim duhen bërë të gjitha konkordancat si ato që gjendet në botime, p.sh. te Shuflajt, Farlati, Theiner etj. ashtu edhe ato që gjenden direkt në Schedario Garampi.
Po të marrim parasysh metodën e punës që ne kemi ndjekur, duke kontrolluar faqe për faqe të 500 vëllimet e fondit Registri Lateranensi, do të dukej sikur nuk ka shumë kuptim dhe rëndësi që të përdorim edhe SchedarioGarampi për të kërkuar dokumente të këtij fondi nëpërmjet këtij mekanizmi. Megjithatë SchedarioGarampi është i pazëvendësueshëm po të mbajmë në mendje që shumë prej vëllimeve të Reg. Lat. kanë humbur gjatë transportit nga Parisi, dhe duke qenë se Garampi e kishte bërë indeksin e tij para kësaj fatkeqësie, në të gjenden shumë informacione edhe nga vëllimet e humbura. Si rrjedhim, SchedarioGarampiështë nga ato indekse që nuk mund të shmanget në një punë sistematike kërkimore-shkencore dhe hulumtuese në ArchivioApostolicoVaticano.
Disa nga kryeipeshkvitë dhe ipeshkvitë shqiptare që gjenden në Schedario Garampi janë si më poshtë: Ac(h)riden, Ochrida (Ohër), Alexiensis, Alessio,Ljes,Lixien (Lezha), Antibarensis (Tivari), Arbanensis, Albanese (Arbëria), Avelonensis, Aulonensis,Avlona (Vlora), Balle(a)censis, Balezo (Ballshi), Cervicensis (Çermenika), Crayensis (Kraja), Crojensis, Croja (Kruja), Cunaviensis, Co(g)navien(Kunavia), Dagnensis Daynen, Danj (Danja), Drivastensis, Drivasto, Drivost (Drishti), Dulcinensis, Dulcigno, Olcini, Olgun(Ulqini), Duracensis, Dyrrhachien, Durazzo (Durrës), Polatensis Maior, Pulati, Pilot (Pulti i Epërm), Polatensis Minor (Pulti i Poshtëm), Sappatensis, Sappae, Zappaten, Nensiati (Sapa), Scopien, Üsküp, Skoplje (Shkupi), Scutaren, Scutari (Shkodra), Suacensis, Soazzo, Svac, Sas (Shasi), Wregensis (Vregu).
Në këtë shkrim u përpoqëm të japim pak a shumë fillin e Ariadnës,aq sa mundemi në këtë formë, sepse studiuesit gjermanë, hungarezë e të tjerë, për të cilët do të flasim në një shkrim tjetër, këtë gjë e bëjnë direkt në vetë Arkivin Apostolik të Vatikanit, apo edhe në workshope paraprake me ata studiues të rinj që do të hulumtojnë në këto arkiva. Jam e bindur se herët a vonë edhe studiuesit shqiptarë do të marrin mbështjetjen e duhur institucionale për të hulumtuar në Arkivin Apostolik të Vatikanit, sepse herët a vonë edhe shteti shqiptar do të ndërgjegjësohet që historia e shqiptarëve duhet të bëhet me projekte të vërteta dhe jo duke përsëritur çfarë është thënë e bërë deri tani apo duke u lavdëruar me punën e të huajve, duke i rezervuar vetes rolin e tribunës që shpërndan dekorata për ta, ndërkohë përgjigja aksiomë ndaj studiuesve shqiptarë është “nuk ka fonde.” Me siguri që te autoritetet vendim-marrëse ose para-dhënëse, udhëheqësit e projekteve justifikohen me ankesën që Shqipëria nuk ka studiues të mesjetës.
Studiuesit e mesjetës janë të rrallë në gjithë botën, në përgjithësi, për shkak të vështirësive shumë specifike që ka ky profesion: njohje jo vetëm të shumë gjuhëve moderne, por edhe të gjuhëve të vjetra si latinisht e greqisht, si dhe njohje të paleografisë dhe të diplomatikës që të mund të lexojnë dokumentet e vjetra. Në përgjithësi për këtë arsye medievistët gjejnë gjithmonë vende pune, përveç se në Shqipëri. Edhe pse me Ph.D. nga një universitet i mirënjohur në botë, dhe për më tepër nga një departament specifikisht dhe ekskluzivisht për mesjetës, dhe me një përvojë arkivore në Arkivin Apostolik të Vatikanit që prej vitit 2001, në Shqipëri jo vetëm që nuk mund të angazhohesh si medieviste në asnjë projekt madhor, por nuk ka asnjë vend pune në asnjë institucion shkencor që ka histori mesjete brenda, a thua se Shqipëria ka kaq shumë studiues të mesjetës dhe konkurrenca është kaq e madhe mes tyre, saqë me një specialitet të tillë është e pamundur të punësohesh në Shqipëri. Absurdi është që përditë lexon ankesa që nuk kemi studiues të mesjetës. Megjithatë, duke qenë se unë nuk kam ndërmend të heq dorë nga mesjeta, jam e sigurt që herët a vonë do të më japin edhe mua një dekoratë për kontributin tim në historinë e mesjetës së shqiptarëve. Deri atëherë këtë profesion ndoshta do të më duhet ta ushtroj vetëm jashtë Shqipërisë dhe botimet t’i bëj vetëm në gjuhë të huaja.
[1] Maria Luisa Ambrosini. The Secret Archives of the Vatican (Boston: Little and Brown, 1969), 16, 27.
[2] “Digital acquisition”https://www.archivioapostolicovaticano.va/content/aav/en/attivita/ricerca-e-conservazione/acquisizioni-digitali.html (Accessed: dhjetor 2021)
[3] Luigji Marlekaj. Piero Bogdani e l’Albania del suo tempo. Con la riproduzione fotografica di centotrentadue documenti (Liantonio Editrice S.n.c., 1989).
[4]Odette Marquet: Pjetër Bogdani. Letra dhe dokumente nga Arkivi i Kongregatës „de Propaganda Fide” si dhe nga Arkivat Sekrete të Vatikanit (Shkodra: At Gjergj Fishta, 1997).
[5]Admission to the Vatican Apostolic Archives and Access to the Study Rooms for Research Works.https://www.archivioapostolicovaticano.va/content/aav/en/consultazione/admission-request.html (Accessed: December 2021).
[6] Indeksi Montroi u hartua në Avinjon nga Pierre de Montroy, në vitin 1718-1732. Është një indeks kryesisht alfabetik, dioqezë për dioqezë i çdo vëllimi të serisë Registri Avignonensi. Në ASV gjendet në Salla degli Indici, nr. 557-641. Shih: Leonard E. Boyle, A Survey of the Vatican Archives and of Its Medieval Holdings (Pontifical Institute of Medieval Studies, 2001): 128-131.
[7] Indeksi Martini u punua në Avinjon nga Joseph de Martin, në vitin 1711 dhe është një kalendar i Registri Avignonensi, vëllim për vëllim dhe zë për zë. Në ASV gjendet në Salla degli Indici, nr.642-669. Shih: Boyle, Survey, 128-131.
[8] Për Schedario Garampi, janë bërë studime të tëra. Hermann Diener, Schedario Garampi. Eine Exzerptensammlung des 18. Jahrhunderts als Hilfsmittel zur Erschliessung des Vatikanischen Archivs, In Quellen und Forschungen aus italienishen Archiven und Bibliotheken 62 (1982): 204-221.
[9] Musa Ahmeti, “Skedari Garampi,” Revista Ekskluzive 9, (2002), 26-27.
[10] Giuseppe Garampi ishte prefekt i ASV në periudhën 9 korrik 1751-1772.
[11]Jadranka Neralić, Priručnik za istrazivanje hrvatske povijesti u tajnom vatikanskom arhivu od ranog srednjeg vijeka do sredine XVIII stoljeca: Schedario Garampi II (Hrvatski instituti za povijest, 2000), 19 [në vijim Neralić, Schedario Garampi).
[12] Francis X. Blouin Jr., ed. Vatican Archives: An Inventory and Guide to Historical Documents of the Holy See (New York: Oxford University Press, 1998) Shënon 124 vëllime.
[13] Karl A. Fink, Das Vatikanische Archiv. Einführung in die Bestände und ihre Erforschung (Roma, 1951), 26. [Henceforth: Fink, Das Vatikanische Archiv)
[14]Garampi, Ditari, f. 188.
[15] Fink, Das Vatikanische Archiv, 29.
[16] Emilio Patriarca, La Dalmazia in un carteggio di Uomini dotti con gli artefici dell’Illyricum Sacrum, Udine, 1935, f. 7.
[17] Shih: Archivum Romanum Societatis Iesu (më tej: ARSIR), Romë, Fondi, Opera Nostrorum [Opp. N.N.] 222; Epp. NN. 49, f. 67-94;Archivio de Concina, San Daniele del Friuli, Fondi,Raccolta marchese Corrado: Famiglie Nobili; Cartegio C. Combi e ab. Luigi nobili Narducci; Vidimani, f. 123-194.
[18] Për këtë problematikë mund të konsultohet: Indice Alfabetico delle Principali Materie contenute nel Registro Cronologico delle Miscellanee del’Archivio Segreto Vaticano, vëll. 158, nr. 1.
[19] Phillip Cuccia “Controlling the Archives: The Requisition, Removal, and Return of the Vatican Archives during the Age of Napoleon.” Napoleonica. La Revue 2, 17 (2013): 66-74. https://www.cairn.info/revue-napoleonica-la-revue-2013-2-page-66.htm (Accessed: December 2021).
[20] Janë 125 vëllime e jo 124 siç pohon Blouin, Vatican Archives, 367.
[21]AAV,Schedario Garampi, vëll. 56, f. 24v.
[22] Angelo Mercati, Dagli Instrumenta Miscellanea dell’Archivio Segreto Vaticano (con due tavole), në: “Quellen und Forschungen aus Italienischen Archiven und Bibliotheken. Herausgegeben vom Deutschen Historischen Institut in Rom Band XXVIII” (Rome: Deutsches Historisches Institut in Rom, 1936-1937), 135-177.
[23] Herman Diener, Rubrizellen zu Supplikenregistern Papst Clemens‘ VII (1378/79), 51, 324: https://perspectivia.net/servlets/MCRFileNodeServlet/ploneimport4_derivate_00007157/diener_rubrizellen.pdf (Accessed: December 2021)
[24] GermanoGualdo, Sussidi per la consultazione dell’Archivio Vaticano. Os Schedario Garampi – i Registri Vaticani – i Registri Lateranensi – le “Rationes Camerae” – l’Archivio Concistoriale. Collectanea Archivi Vaticani, vëll. 17 (Città del Vaticano: Archivio Segreto Vaticano, 1989), 265-313.
[25] MartinoGiusti, Studi sui registri di Bolle Papali. Collectanea Archivi Vaticani, vëll. 1 (Città del Vaticano: Archivio Segreto Vaticano, 1979), 152-159.
[26]AQSh, Fondi M. A., viti 1931, nr. 295, dos. 85.
[27]AQSh, Fondi M. A., viti 1931, nr. 295, dos. 85,fl. 2 [ol. 32].
[28]AAV,Schedario Garampi, vëll. 56, f. 24v.
[29] Gualdo, Sussidi, 86.
[30]Gualdo, Sussidi, 88.