Fatosi i shkencave mjedisore shqiptare”, e vlerëson atë kolegu i tij, Illo Foto/
Nga: Prof. Murat Gecaj/
1.
Si tani, më kujtohet ajo ditë e paharruar e fillimit të shtatorit, në vitin 1991. Një lajm shumë i dhimbshëm e tronditës erdhi në familjen e kolegut dhe mikut shumë të dashur Gegë Sokoli, në kryeqytet. Me bashkëkrahinasin, prof. Kolë Tahiri, shpejtuam për në shtëpinë e tij. Aty gjetëm në pikëllim të thellë bashkëshorten, Marijen dhe katër djemtë e tij të vegjël. Sigurisht, nuk kishte fjalë ngushëlluese për ta, pasi ishte ndarë përgjithnjë nga jeta, në mënyrë tragjike, kryefamiljari i tyre. Para se të shkonte në vendlindjen e tij, për ta festuar natën e shenjtë të festës së Zojës të Mërturit, kishim bërë vizita të ndërsjellta familjare, në shtëpitë tona, të lagjes nr.4 të Tiranës. Me një parandjenjë të keqe, e këshilluam atë miqësisht që të mos e bënte atë udhëtim. Por ai nuk u bind, se donte të takonte njeriun më të dashur të tij, Nënën, e cila përmblidhte për të, të gjitha kujtimet e fëmijërisë dhe të jetës plot brenga e vështirësi. Por nuk e besonte kurrë, se kështu po shkonte drejt fundit të jetës së tij, ende të re!?…
Ajo natë, pas atij lajmi të kobshëm, kaloi për të gjithë me dhimbje të patreguar e lotë të nxehtë. Ndërsa të nesërmen në mëngjes e sollën trupin e pajetë të tij, një grup malësorësh nga krahina e tij. Isha i pranishëm, kur ia hoqëm rrobat e gjakosura dhe i pamë shumë plagë të hapura në trupin e Gegës së pafajshëm, me thika të mprehta. Ndoshta, ishte viktima e parë e kanunit të vjetër, në agun e Demokracisë në Shqipëri. Atij iu bënë nderimet, që meritonte dhe e dërguam të prehej përjetësisht në banesën e tij të fundit. Por nuk u mbulua me dhe kujtimi I jetës dhe veprimtarisë së tij, atdhetare e profesionale, me gjurmë të pashlyera te familjarët, kolegët e miqtë, studentët e gjithë të njohurit e panumërt, të cilët e deshën dhe e respektuan aq shumë.
2.
Jo rastësisht ose jo sa për “formalitet”, ia vura titullin këtij shkrimi, se ing.Gegë Sokolin nuk e mbulon kurrë “pluhuri” i harresës. Po vërtet, është kështu, pasi ai la gjurmë të pashlyera, me punën dhe jetën e tij të shkurtër, jo vetëm te familjarët, por dhe te kolëgë e miq të shumtë, te bashkëkrahinasit e vet dhe më gjerë.
Para një viti, m’u dha rasti ta sillnim përsëri në kujtesë Gegën, bashkë me kolegun publicist e shkrimtar, Fiqiri Shahinllari, nga Floqi i Korçës dhe tani me banim familjarisht në Virxhinia të SHBA-ve. Ai më këshilloi të kërkoja ndonjë të dhënë për bashkëkrahinasin tim, nga specialisti i njohur I bujqësisë, Illo Fotos, i cili tani jeton në qytetin Boston. Ja, një pjesë nga mesazhi im:
“I nderuar z. Illo Foto, përshëndetje nga Tirana! Sot, në festën e 1 majit 2012, sapo hapa kompjuterin, gjeta një shënim tuajin, i cili më empocionoi e më përmalloi. Ai fliste për mikun tim shumë të dashur, por dhe të familjes sonë, Gegë Sokolin. Nuk po zgjatem këtu, por kur ai u shkëput nga jeta tragjikisht, pra në atë kohë, jam marrë unë, me ndonjë koleg, me ceremoninë e përcjelljes, pasi kishte vetëm gruan dhe katër fëmijë të vegjël. Më kanë thënë se tani ata jetojnë në Nju Jork dhe nuk kam arritur t’ua gjej e-mailin, por as adresën e tyre!…Prandaj, nëqoftëse është e mundur, kam dëshirë të më dërgoni ndonjë shënim ose kujtim tuajin për të”.
Me dashamirësi dhe respekt të veçantë për Gegën, ndër të tjera, ai m’u përgjigj me këto radhë, për të cilat edhe tani e falënderoj nga zemra:
“I nderuar Zotëri Murat! Quhem Illo Foto, specalist bujqësie, tani pensionist dhe mik i Fiqri Shahinllarit.Unë shkruaj libra bujqësore dhe Fiqo ka hartuar për to një studim vlerësus , prej 26 faqesh….Para pak ditësh, Fiqo , duke rilexuar librin tim, “Fshatarësia e tradhëtuar ” , i kishte tërhequr vëmendjen portreti i ing.Gegë Sokolit, për të cilin flitet në faqen 140, të librit në fjalë. Ai me tregoi, se i ndjeri ishte miku juaj familjar dhe më porositi t’ua bëja një përkujtimore , për të ndjerin dhe të paharruarin , ing.Gegë Sokoli .
Atë e kam takuar për çështje pune dhe më tërhoqi vëmëndjen, se kisha të bëja me një specalist elitar dhe njeri me zemër të madhe . Këto ndjesi i hodha në libër, pas 25 vjetësh, kur shkrova librin tim. Aty, mbasi përshkuaj disa dukuri të pylltarisë moderne të kohës , shprehem tekstualisht :
Është koha të pershkruaj një fatos të plejadës së inxhinjerëve pyjorë, specialistin e telantuar dhe të përkushtuar, tropojanin Gegë Sokoli. Ishte model i modestisë dhe i viryteve njerëzore. Por ai u bë pre e egërsisë kanunore të gjakmarrjes , kur ishte në kulmin e energjive shkencore dhe profesionale . Gjakmarrja ia ndërpreu jetën fizike, por veprimtaria e tij është e materializuar në krejt natyrën shqiptare .
Mandej, vijoja të shkruaja, se si e takova ing.Gegën, problemin që diskutuam bashkë dhe që i dha zgjidhje të menjëhershme. Fryt i këtij bisedimi, ishte ngritja e një ndermarrjeje për rritjen e dhive, e cila e kishte qendrën në Vaqarr të Tiranës dhe ishte shumë rentabile. Flas, për konceptet praktike ekonomike -shkencore , që shprehte ky shqiptar i ditur . Po aty, unë vijoja:
Për të arritur në këtë përfundim logjik , njeriut i duhet një jetë e tërë, me kërkime, eksperimentime, humultime. Por jo Gegës, sepse ai ishte i pasionuar pas natyres. Ishte brumi i saj. Pra, për të tilla figura, kanuni duhej të bënte përjashtim. Se, kur vret shkencëtarin, hyn në gjak me Kombin” .
Këto radhë i kam shkruar në vitin 1998 dhe më vonë për Gegën nuk kam shkruar më…Por nuk e kam quajtur të mbyllur përshkrimin e veprimtarisë së këtij fatosi të shkencave mjedisore shqiptare”.
Për të paharruarin ing. Gegë Sokoli është shkruar edhe më pare, në shtyp e në Internet. Për të kanë shprehur mendime dhe ndjenja të bukura mjaft njerëz. Në një libër ka shkruar edhe ing.Sami Leka, me titullin: “Nuk vritej Gega, veç forca e zakonit kanunor”. Ndër të tjera, plot domethënie, ai shprehet kështu:
“Kudo, me profesionalizëm dhe vizion tekniko-shkencor. Nuk e pranuan menjëherë idenë e tij, se shkaku i dështimeve të pyllëzimeve në zonën e Ragamit ishte prania e kripërave magneziale. Por, kur Instituti i Studimit të Tokave mundësoi analizën e tyre, pohimi i këtij inxhinieri mbeti i pakontestueshëm”.
Ndërsa po riprodhojmë edhe fjalët e njerit prej bashkëkrahinasve të Gegës, pra të Nikë Kolëpreçajt. Ai kujton:
“Gegë Sokolin e kam njohur në shkollën e mesme, në Shkodër, ku ishim nxënës që të dy, ai në gjimnaz dhe unë në pedagogjike. Qe i shkëlqyeshëm në mësime, në shoqëri dhe më vonë po i tillë në punë. Ai rreshtohet në vargun e krenarisë së Nikaj-Mërturit, si person i talentuar. Respektet për figurën e tij do t’i ruajmë përgjithmonë”.
3.
Gega lindi në fshatin Brisë, rrëzë Alpeve të Shqipërisë, në vitin 1939, në një familje të thjeshtë e me tradita atdhetare. Fati i tij i keq ishte, se mbeti jetim pa baba, pasi atë e vranë në periudhën e pushtimit fashist, kur donte të largohej nga burgu i Shkodrës. Në këto kushte, në vitin 1947, Gega e vazhdoi jetën në shtëpinë e fëmijës, në Xhan e në Theth të Dukagjinit të Shkodrës. Më tej, shkollimin e vijoi në këtë qytet, ku përfundoi shkollën e mesme, me nota shumë të mira. Pasioni i parë i tij ishte shahu, gjë që e bëri të njohur dhe prandaj luajti në kampionatin e kategorisë së parë. Në vitin 1960, e dërguan për studime të larta në Rumani, ku vazhdoi për inxhinier pyjesh. Por, me ndërprejen e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve tona, i vijoi dhe i përfundoi studimet, në vitin 1965, në Institutin e Lartë Bujqësor të Tiranës (sot Universiteti Bujqësor).
Më tej, me pasion dhe përkushtim, Gegë Sokoli e filloi detyrën e tij në Fushë-Arrëz të Pukës dhe më pas ishte kryeinxhinier në Shëmri të Kukësit. Ndërsa në vitin 1970 e emëruan drejtor të Ndërmarrjes Pyjore të Tropojës. Tashmë, me një përvojë të gjatë pune dhe aftësi të larta profesionale, e caktuan pedagog në Fakultetin e Pyjeve të ILB të Tiranës. Fjala e tij në auditor ishte me peshë të veçantë për studentët e tij, sepse u sillte atyre praktikën e gjallë të jetës, të cilën e kishte marrë në vitet e mëparshme.
Sidomos, gjatë kohës së punës së tij në rrethet e Veriut të Shqipërisë, ra në sy zelli e përkushtimi i tij për njohjen, rritjen dhe ruajtjen e drurëve pyjorë, duke i shtuar kështu mjaft hapësirat e gjelbërta. Kolegët e tij të punës, si dhe të gjithë specialistët e pyjeve, por dhe njerëz të tjerë, që e njohën nga afër, e mbajnë mend atë intelektual të ditur e të urtë, dashamirës me të gjithë dhe që i peshonin kudo rëndë, fjala e mendimi i shprehur.
Janë këto cilësi e të tjera, të cilat i përmendëm shkurt më lart, që emri i dashur i këtij biri të Nikaj-Mërturit dhe gjithë Malësisë së Gjakovës (Tropojë) të mbetet përherë i paharruar dhe të kujtohet me respekt të merituar, nga të gjithë punonjësit e sektorit të pyjeve, nga studentët e kësaj dege me rëndësi për ekonominë tonë kombëtare dhe tërë ata, që e kanë njohur. Prandaj, përmbledhurazi themi, se ka qenë plotësisht i drejtë vendimi, me të cilin ing. Gegë Sokoli është shpallur “Nderi i Shoqatës Nikaj-Mërtur”. Por emri i tij ka mbetur i skalitur edhe në çifteli, vegël karakteristike e vendlindjes së tij, me fjalët e zemrës së dy këngëve, të hartuara nga rapsodë të njohur popullorë.(Ne Foto: Ing.Gegë Sokoli (1939-1991)
Tiranë, 1 shtator 2013
Ervin Sokoli says
Pershendetje zoterinj te nderuar. Eshte data 16 Mars 2014 dhe duke klikuar emrin e babait Tim Gege Sokoli une djali I Tij Ervin Sokoli me banim ne New York gjeta kete artikull qe me emocionoi shume. Ne Radha te pare falenderojme authorin dhe te gjith miqt qe ndihmuan per te shkruar kete artikull. Do Kisha shume deshire tju takoja ne person kudo qe jeni. Me mungojne shume kujtimet e babait Tim Gege Sokoli. Numri I’m eshte 001 917 609 0997 email I’m eshte e_kolndreu@yahoo.com me shume respekt familia Sokoli. Sinqerisht Ervin Sokoli