
Në fillim të shkurtit 1902, u mblodh në Paris, Kongresi i Parë i Xhonturqve ose thënë ndryshe Kongresi i Opozitës Liberale Osmane. Ngjarja u përcoll me kërshëri nga shtypi europian. “L’illustrazione italiana”, më 15 shkurt 1902, paraqet këtë imazh nga Parisi, ku në qendër të fotografisë gjendet princi i kurorës Sabahaddin dhe në të djathtë të tij Ismail Qemal Vlora.
Gazeta franceze “Le Bloc”, që botohej nga burrështetasi francez Xhorxh Klemanso (Georges Benjamin Clemenceau, 1841-1929), publikoi më 22 shkurt 1902, një shkrim ku pasqyrohej zgjedhja e Ismail Qemalit në Komitetin e Përhershëm.
Ismail Qema Vlora kishte spikatur në qarqet intelektuale europiane si përkrahës i parimeve liberale. Ai përkrahte parimin e decentralizimit të Perandorisë Osmane, respektimin e të drejtave kombëtare dhe rivendosjen e kushtetutës osmane. Ismail Qemal Vlora ishte një figurë kyçe si e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ashtu edhe e Revolucionit të Turqve të Rinj. Ismail Qemali, së bashku me eksponentë të tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, u përfshinë në lëvizjen e Xhonturqve, duke pasur parasysh synimin për rivendosjen e kushtetutës së vitit 1876. Ata e shikonin atë si një mundësi për të realizuar të drejtat kombëtare shqiptare. Por, Ismail Qemali i mbeti besnik vizionit dhe ideve të tij, prandaj ai u nda me Turqit e Rinj që në kongresin e zhvilluar në Paris më 1902, pavarësisht se ai ishte edhe një prej organizatorëve të tij.
Ismail Qemali vendosi si kusht kryesor për pjesëmarrjen e tij në këtë kongres, përfaqësimin aty të të gjitha etnive të Perandorisë, në mënyrë që të formuloheshin dëshirat e të gjithë popujve. Kushtet e tij u pranuan dhe ai shkoi në Paris. Pas debatesh të gjata e të nxehta, shumica e Kongresit të Turqve të Rinj, e kryesuar nga princi Sabahedin dhe e përkrahur nga Ismail Qemali, dha pëlqimin t’u drejtohej një thirrje Fuqive për një regjim në përputhje me parimet e Kushtetutës së 1876. Ky organizim duhet të përfshinte të gjithë elementët etnikë në Turqi, duke u garantuar liri e drejtësi dhe mbrojtje të të drejtave kombëtare të tyre. Por, një ndarje e thellë u shënua lidhur me çështjen e ndërhyrjes së huaj. Grupi, i kryesuar nga filozofi Ahmed Riza, i cili këmbëngulte për një pushtet qendror të fortë, e kundërshtonte me forcë çfarëdolloj ndërhyrje të jashtme. Kështu që midis Turqve të Rinj filluan të merrnin formë dy rryma kryesore, njëra që favorizonte nacionalizmin turk dhe tjetra otomanizmin liberal.
Xhonturqit përkrahnin idenë e pushtetit të qendërzuar, ndërsa kombësitë joturke si shqiptarët dhe armenët ishin për decentralizimin e pushtetit. Ideja që përkrahte Ismail Qemali ishte dhënia e autonomisë për kombësitë joturke në perandori. Ismail Qemali mori pjesë në kongresin e xhonturqve si shqiptar. Ai kurrë nuk u bë xhonturk. Parulla e Ismail Qemalit ishte: “As me turqit e vjetër as me turqit e rinj, por të punojmë për vatanin”. Ismail Qemali ka bashkëpunuar me xhonturqit vetëm kur kjo ishte në interes të çështjes shqiptare. Ai kishte rezervat e veta ndaj krerëve xhonturq, ashtu si edhe krerët xhonturq kishin rezervat e tyre ndaj tij.
Megjithatë, xhonturqit kishin nevojë për njerëz të kalibrit të Ismail Qemal Vlorës. Ata i propozuan atij kryesimin e organit të tyre më prestigjioz të shtypit, gazetës “Osmanllë”. Ai nuk e pranoi propozimin, për arsye se, siç thoshin xhonturqit, “Ismail Qemali përpara çdo gjëje mendon për Shqipërinë.”. Sejfi Vllamasi, në librin “Ballafaqime politike”, shkruan se: “Ismail Qemali, i shquar si diplomat e patriot shqiptar, dhe me një prestigj të konsiderueshëm në Shqipëri e në Turqi dhe jashtë kufijve të perandorisë, peshonte rëndë. Për këtë shkak, xhonturqit e urrenin dhe ia kishin frikën”.
Ismail Qemali e shikonte bashkëpunimin me Turqit e Rinj si pjesë e luftës së përbashkët të shqiptarëve dhe turqve për vendosjen e rendit kushtetues në Perandorinë Osmane. Por, nga ana tjetër, ai kërkonte të ruante pavarësinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nga lëvizja xhonturke. Ai nuk dëshironte që shqiptarët të identifikoheshin si turq, osmanë apo myslimanë. Siç do të tregonin më pas faktet, politika dritëshkurtër dhe nacionaliste e xhonturqve, vuri në rrezik jo vetëm ekzistencën e popullit shqiptar, por edhe vetë ekzistencën e pavarur të kombit turk, i cili shpëtoi vetëm falë revolucionit të udhëhequr nga Mustafa Qemal Ataturk.
Ismail Qemal Vlora e shikonte vijimin e bashkëpunimit midis turqve dhe shqiptarëve në luftën e përbashkët për ta futur Turqinë në rrugën e reformimit dhe njohjes së të drejtave kombëtare dhe autonomisë për popujt brenda Perandorisë, duke u dhënë atyre autonomi sa më të gjerë në përputhje me nenin 23 të Traktatit të Berlinit. Largpamësia politike e Ismail Qemalit shfaqet edhe në letrën e datës 18 tetor 1900, nga Brukseli, ku ai flet lidhur me të ardhmen e Perandorisë Osmane. Pavarësisht verbërisë proverbiale të xhonturqve, Ismail Qemali e kishte kuptuar që herët rrezikun që u kanosej shqiptarëve nga shpërbërja e Perandorisë Osmane. Nuk do të kalonte asnjë dekadë dhe parashikimet e Ismail Qemalit do të bëheshin realitet.
Ismail Qemal Vlora i priu shqiptarët, duke e vendosur kombin mbi fenë. Kjo mundësoi krijimin e shtetit shqiptar mbi tri fe të ndryshme. Ai veproi njësoj si baballarët e kombit dhe hartuesit e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-ve në vitin 1776, të cilët pavarësisht se i kishin shërbyer Perandorisë Britanike, në fund e luftuan shtypjen e padrejtë dhe e udhëhoqën kombin e tyre drejt lirisë dhe pavarësisë.
Dr. Evarist Beqiri