
Prof. Viola Isufaj/
Fotoja emblematike e ballkonit e cila jep festimet në Vlorë, para godinës së Qeverisë së Ismail Qemalit, kjo foto rrezatuese, fuqizuese e shpresëngjallëse, ka në qender kryetarin e qeverisë së parë shqiptare, Ismail Qemalin dhe figura të larta të kombit që kurrë nuk duhen harruar. Luftëtari dhe intelektuali shtatlartë ne krah te Ismail Qemalit është Izet Borshi Isufaj, i cili gjatë periudhës që kryente studimet në Stamboll, ra në kontakt me intelektualë patriotë shqiptarë që ndodheshin në Turqi. Lëvizja e Rilindjes Shqiptare si dhe takimet me vëllezërit Frashëri, Hasan Tahsini etj., ia përforcuan ndjenjat atdhedashëse. Një meritë e Izet Borshit kanë qenë lidhjet e tij me shoqëritë kulturore që ushtronin aktivitetin e tyre në Sofie dhe Bukuresht, në Izmir e Stamboll me Kristo Luarasin, Shahin Kolonjën e të tjerë. Kur u kthye në Shqipëri, kryente veprimtari patriotike: u mësonte shqiptarëve të shkruanin e të lexonin shqip- bashkë me të shoqen Esma, e kishin kthyer shtëpinë në një shkollë të vërtetë në kushtet kur mësimi i gjuhës shqipe ndalohej rreptësisht nga autoritet turke. Si financier punoi në qytete të ndryshme të Vilajetit të Janinës, në Kosovë, Tepelenë e Delvinë e Himarë si dhe në Qeverinë e Ismail Qemalit pas shpalljes së Pavarësisë.
Izet Borshi Isufaj ka marrë pjesë në të gjithë luftërat që janë bërë në Shqipërinë e Jugut që nga viti 1909 e deri në luftën Ballkanike. Fundi i vitit 1912 e gjeti në Vlorë ku qëndroi deri në ngritjen e flamurit, ditën e shpalljes së pavarësisë-që e dëshmon prania e tij në ballkonin historik përkrah Ismail Qemalit. Në janar të 1920 zgjidhet delegat i Delvinës për të marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës; nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare për Luftën e Vlorës ngarkohet në Komitetin e Luftës me detyrën e komandantit të prapavijës dhe gjatë përpjekjeve plagoset.
Për veprimtarinë e tij është dekoruar nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë me medalje për kontributin e tij për shpalljen e pavarësisë dhe për luftën e Vlorës, medalje të cilat kurrë nuk i janë dorëzuar familjes.
Shkaku është se pasardhësit e tij vuajtën dënimin me burg politik, dëbimin dhe persekutimin nga regjimi që erdhi në fuqi në 1944.
Familja e është shpërngulur nga Tirana në Durrës pas Luftës së Dytë Botërore. Ata ishin duke jetuar ne Tiranë sepse Zyhdi Isufaj, i biri i i Izetit ishte zhvendosur aty prej Borshit që në vitet ‘20 për të kryer studimet në shkollën teknike amerikane “Harry Fultz”. Si e gjithë inteligjenca shqiptare, me instalimin e sistemit totalitar, ai u dënua me burgim- dhe familja u dëbua nga Tirana. Zyhdiu, biri i Izetit la përshtypje të thella tek bashkëkohësit për shkak të një inteligjence dhe një karakteri të rrallë (letrat e Dervish Dumës dhe Ali Dumës si dhe dokumentet e sigurimit te shtetit dëshmojnë jo vetëm formimin intelektual por karakterin e tij të paperkulur). Për shkak se Zyhdi Isufaj ishte djali i Izet Isufaj Borshit, librat e Historisë së Shqipërisë do të ndaleshin fare pak te figura e Izet Borshit e pas viteve ‘90 ai do të cilësohej si “miku i harruar i Ismail Qemalit”. Figura e tij ne ballkon krah plakut te mençur te shqiptarëve ështe lehtësisht e identifikueshme jo vetëm prej shtatlatësisë së tij, por eshte prej fotove familjare ku dallohet qartë portreti i tij. E megjithëkëtë, nuk mund të thuhet ende me siguri se emri dhe vepra e tij janë ngulitur ne historinë e shqiptarëve.
Në “Fitorja”, më 18.07.1981, ne artikullin Kuvendi i Manastirit te Cepos, në rubrikën “Të njohim traditat tona”, përshkruhet kështu: “Pa arritur per ne Cepo, arriten patriotet Izet Borshi e Hariz Maksuti, te mberthyer per vdekje ne rrugen patriotike nga idealizma kombëtare”. Ndërsa Lëvizja Kombëtare Shqiptare, Kryesia e Keshillit te Pergjithshëm më 19 gusht 2004, vendosi t’i japë Mirenjohje Kombëtare mbas vdekjes, për Izet Habib Isufi/Isufaj Borshi me këtë përmbajtje: “Ai dhe të paret e tij kanë qenë veprimtarë të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në rezistencën nacionale për liri, pavarësi, bashkim dhe zhvillim kombëtar. Izeti ka dhënë ndihmesë të dalluar si pjesëtar i Kuvendit Kombëtar në Vlorë, më 28 nëntor 1912 ku u shpall zyrtarisht pavarësia e kombit shqiptar. Ka qenë organizator dhe pjesëmarrës në çetën luftarake Borshi, të komanduar nga Sulo Demo Hajdini për Luftën e Vlorës, 1920 ku edhe ka ndritur Flamurin Kombëtar për fitoren.”
Njeriu i financave të Qeverisë së Vlorës, njohja me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin, bombardimi i shtepisë prej forcave greke në Borsh, harrimi për më shumë se gjysmë shekulli -janë zbardhur nga Gazeta “Shekulli” ne artikullin shumëpërfshirës “Miku i harruar i Ismail Qemalit”, kushtuar figurës së Izet Isufaj Borshit, një shkrim që meriton vëmendje të posaçme.
Por, në mbyllje, le t’i drejtohemi edhe shtypit të para viteve ‘40 për të parë sesi çmohej veprimtaria e tij.
Për shkak të zemrës së mbushur me ndjenja të larta për atdhe, ai përshkruhet si: “edhe sot i gjallë”:
“… Izet Borshi dhe sot i gjallë si dhe një plak besnik e patriot, Hariz Maksuti prej katundit Kopaç të rrethit Delvinës. Izet Borshi plaku patriot i pandarë në lëvizjen kombëtare si dhe Haris Maksuti, krejt i mbërthyer në udhën patriotike. Kështu pra, megjithë këtë shoqëri patriotike, të armatosur me zell e me vullnet të plotë, nisemi prej Zhulatit për të arritur në Manastir të Cepos…”
(“Rilindja Shqiptare” Sarandë, dt. 13, 25 shtator dhe 1 tetor 1929, Marrë nga Libri “Çamëria” nëpërmjet Kronikave të kohës 1902-1940 të Hajredin Isufit).