RAIMONDA MOISIU: KORÇA PËR MUA ËSHTË AROMA E BLIRIT, SERENATES, INTELIGJENCES E QYTETARISË – UNË PËR KORÇËN JAM BIJË E SAJ!/
– Me sa di unë, vendlindja juaj është Korça, një qytet që më ka lënë mbresa të pashlyera, kur kam qenë në verë të vitit 1979, ku edhe sot kujtoj rrugët e pastra, aromën e blirit dhe bisedat mes njerëzve si pëshpëritje serenatash që shpalosnin kulturë, ndaj doja të dërgoja në vitet e fëmijërisë tënde, atëherë kur vatra familjare të pikturohet në shpirt me penelin e kujtesës për t’u marrë me vete gjithë jetën… a mund të na thoni diçka që ju kujtoni në çaste vetmie, apo prej ngaçmimeve të ndryshme të jetës?
– Kësaj pyetje që në krye po i përgjigjem me termin shpirtëror “lokalist”: Jam 24 karat korçare! Korça për mua është aroma e blirit, serenatës, kulturës, inteligjencës e qytetarisë korçare. Ndërsa unë për Korçën – jam bijë e saj. Përmes qytetit tim dikur kalonte një lumë që e ndante atë në dy lagje –të krishterë e myslimanë. Unë jam lindur e rritur në pjesën perëndimore të qytetit, pikërisht në lagjen e aristokracisë myslimane, lagje e hershme e ngritur në shekullin e 15-të me ndërtimin e Xhamisë nga Iljas Bej Mirahori, kleriku historik e i shquar korçar nga ku hodhi themelet e Korçës, të qytetit modern për kohën.
Rrjedh nga një familje e thjeshtë qytetare dhe intelektuale, me tradita patriotike dhe atdhetare. Babi im një idealist e patriot, bir i një fanolisti dhe partizan i plagosur në kokë nga lufta, ku humbi pjesërisht dritën e syve, punoi nëpunës i thjeshtë në ndërmarrje shtetërore, ndërsa nëna ime ishte nga mësonjëset e para të dala në dekadën e parë të çlirimit të atdheut me arsim 7 vjeçar, më pas mbaroi shkollën e mesme pedagogjike në Korçë dhe dyvjeçar në Shkodër, punoi mësonjëse në fshatrat e Kolonjës rrëzë malit të Gramozit, dhe edukatore kopshti në qytet.
Unë jam rritur dhe edukuar e rrethuar nga erudicioni i kockës qytetare e intelektuale, jo vetëm i familjes sime, por edhe familjeve të dëgjuara korçare, si ajo e Merdanëve, Mytevelinjve, Tabakëve, Tuxharëve, historianit Nedim Thëllimi, dhe fermerëve të thjeshtë, fisnikë, shumë punëtorë e duarartë, që në termin popullor i quanim “bostanxhinj”. E rrethuar nga erudicioni i dijes e kulturës i mësuesit Shefqet Selimaj, një burrë i mençur dhe i ditur, mësuesit tjetër për arsimin fillestar Haxhi Çili dhe mësueset, Zhani Zheku, Vasilika Grameno e Nimete Shtylla. Mësuesi e gjuhës dhe letërsisë në arsimin e hershëm, që ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm te unë – ishte Sotir Naçi, biri i mësuesit të shquar të Mësonjtores së Parë shqipe, Nuçi Naçi. Vëllai i vetëm i nënës sime, inxhinier pyjesh, por edhe pasionant mbresëlënës i letërsisë, do të ndikonte tek unë, mbesa e tij, me detyrimin ndaj leximit të krejt bibliotekës së tij të pasur me libra të autorëve më të shquar botërorë që nga; Fan Noli e Konica, Tolstoi, Dostojevski, Aleksandër Dumas, Gorki, Petro Marko, Dritero Agolli, Ismail Kadare, Fatmir Gjata, Haki Stërmilli etj. Nuk e ekzagjeroj po t’iu them se në moshën 12 – 13 vjeçe kam lexuar librat e ndaluar për kohën: “Zonjusha me orkide” e “Belami” të Dumas, “Qyteti i Fundit”, dhe “Hasta La Vista” të Petro Markos, “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit, “Marsejeza” e Justin Godart dhe “Nëna” e Gorkit. Kështu që unë u rrita dhe u edukova, duke vështruar erudicionin e mençurisë dhe urtësisë intelektuale e krijuese të atyre sa përmenda më lart. Të gjitha këto së bashku me kujdesin dhe rigorozitetin e nënës sime, si mësuese, ndikuan në formimin tim të dijeve dhe letrare. Ajo më mori kohë për të kuptuar se çfarë duhet e si duhet të sfidosh që të bëhesh një shkrimtar, poet apo artist.
Kam pasur një fëmijëri normale të lumtur e të gëzuar. Ajo ç’ka e bënte më të hareshme fëmijërinë time ishte vëmendja e gjithë pjesëtarëve të familjes ndaj meje, jo vetëm si vajza e vetme me dy vëllezër, por mësoja shumë dhe ata krenoheshin dhe gëzoheshin me arritjet e rezultatet e mija në mësime. Me mbarimin e arsimit tetëvjeçar me rezultate të shkëlqyera fitova të drejtën e studimit për gjuhë të huaja, dega anglisht. Në të mesmen do dëshiroja të përmend mësuesen e letërsisë Liri Dhrimo, ajo për mua ngelet modeli shembullor dhe profesional i dijeve, njohëse e shquar e gjuhës e letërsisë shqipe e botërore. Statura e saj qytetare, intelektuale e dijeve dhe e mësonjëses ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm tek unë. Në të lartën dua të përmend studimin në gjuhë të huaj të letërsisë botërore. Mbas mbarimit të studimeve mendova se hapi tjetër ishte puna, të ushtroja profesionin e mësueses të gjuhës angleze në Korçë e rrethinat e saj, deri ditën që kam emigruar në SHBA.
– Si mendoni ju, një krijuese në Shqipëri, a mund të jetë vetvetja në krijimtarinë e saj, po në diasporë, apo ka pengesa të dukshme dhe të padukshme që e stepin atë? Ju ku e vendosni veten, në krijuese që shpalosh pa hezitim ato që ndjen dhe mendon? Cilat janë disa nga problemet aktuale në Shqipëri e në Diasporë?
– Ka ndryshime dhe pengesa duke filluar që nga mentaliteti dhe atavizmi maskilist ndaj krijimtarisë femërore, sigurisht. Nuk më pëlqen ta ndaj në krijuese në Shqipëri e Diasporë. Zëri krijues, qytetar e intelektual femëror është i pranishëm në tërë botën shqiptare në të dyja kahjet e Atlantikut. Megjithatë, ju këmbëngulni për diçka esenciale dhe mbase esencialja mund të jetë kjo: duke e filluar nga vetja ime, unë me mund e sakrifica kam fituar pavarësinë dhe forcën gjatë jetës, jam shumë e lirë, dhe liria ime është modeli i sinqeritetit – pra- Vetvetja. Këtë e reflektoj edhe në krijimtarinë time, ku liria ime është e pafrikshme, e çiltër e pa komplekse. Që do të thotë se frymëzimi, muza, idetë, ëndrrat janë diktuar në një pjesë të jetës dhe lirisë për të jetuar e shprehur.
Ka ëndrra prej tyre që kanë kuptim, por ka edhe të pakuptimta, sigurisht të gjithë kemi të tilla, por ato kanë rëndësinë e tyre të veçantë në jetën tonë, pra në rastin tim ato marrin kuptim nëpërmjet letërsisë. Sepse unë nuk mund ta shpjegoj, pse unë shkruaj disa gjëra që unë kurrë nuk e kam menduar edhe kur kam qenë vetvetja. Ka drama sociale, tragjedi të dhimbshme përtej dhimbjes, që mua më dhëmbin në shpirt, lënë gjurmë të thella në shpirtin tim, ka dashuri të mëdha e të bukura në lirinë dhe jetën time dhe të gjithsecilit dhe unë i kam përjetuar me forcën e shpirtit dhe reflektuar në krijimtarinë time.
Në udhëtimin tim krijues poetik e në prozë gjen vajzën, femrën qytetare emancipuese, kurajoze, ekspozoj brishtësinë femërore, e cila jep e merr dashuri, gjen tonin qytetar e intelektual, me guxim ndaj ambientit, rrethanave, mentaliteteve, dhunës ndaj gruas, -përcjell mesazhin e dashurisë njerëzore. Sa herë ulem të shkruaj, më krijohet ndjesia e një udhëtimi të lumtur e të trishtë, pra më duhet të ekuilibroj gjendjen shpirtërore e pasionin në përshkrimin e realiteti plot jetë, mbresëlënës që mbart në vetvete magjinë e ndryshimit e të shpresës, të mëkoj ëndrrat, që unë dëshiroj të arrij në rrugën e krijimtarisë. Një femër krijuese është vetvetja edhe në rastin kur shkruan për tema tabu duke përshkruar aktin intim me imtësia, ashtu sikundër ajo e ka përjetuar vetë, përpiqet sadopak të jetë e mundur transparente dhe me elokuencë, që është ajo pjesë aq tërheqëse dhe e ndjeshme për meshkujt e tërë botës.
Sot letërsia e femrave autore po zë një vend të veçantë në letrat, ku aderojnë shkrimtare të shquara si Elvira Dones, Natasha Lako, Diana Çuli, Besa Myftiu, Irma Kurti, Flutura Açka, Luljeta Leshanaku, Mira Meksi, Rozi Theohari, Albana Mëlyshi, Ilirjana Sulkuqi, Entela Safet Kasi, Mimoza Ahmeti, Elinda Marku, Lindita Arapi, Yllka Filipi, Ilire Zajmi, Albina Idrizi, Drenusha Zajmi, Eva Gavani, Merita Bajraktari McComarck, Julia Naçi Gjika, Elida Buçpapaj, Vilhelme Vranari, Shpresa Vrana, etj, dhe veçmas prurjeve të reja në letërsinë shqiptare. Të qenit vetvetja në të shkruar do të thotë se dashuria njerëzore triumfon në të bukurën e të përditshmen njerëzore. Për mua më e vështira në artin e të shkruarit ka qenë pjesa kur dhimbjen dhe dashurinë time në shpirt, apo harenë e gëzimin ta kthej fenomen shoqëror apo historik.
– Unë kam lexuar disa krijimtari të shkrimtarëve dhe poetëve të emigracionit dhe vetëm në pak autorë shikoj ngritje cilësore, shumica nuk sjell ndonjë risi të re për letërsinë shqipe, si mendoni ju, pse vjen kjo?
– Sigurisht ka një masivitet të madh të njerëzve që shkruajnë, sepse janë shtuar edhe streset në jetën e përditshme. Disa shkruajnë fjali e paragrafë “të mrekullueshëm”, por nuk kanë asnjë ide si t’i renditin ato së bashku në një rrëfim apo si t’i bëjnë personazhet e veprës të vijnë realë e jetësorë. Të shkruara mjaft çekët, një drejtshkrim gjuhësor analfabet, nën nivelin e mesatares letrare e artistike, jepen më shumë pas sasisë së faqeve, se sa pas cilësisë artistike e letrare, vetëm e vetëm për të fituar imagjinaren – statusin e reputacionit të një shkrimtari të madh, “të talentuar”, të një “poeti të shquar”. Këta janë autorë të importuar nga sindromakarrieriste e përfitimit të famës e parasë, pehlivanët e letërsisë. Verbohen aq shumë nga kjo famë dhe të bëjnë emër, sa nuk kursejnë as financat e tyre ta blejnë reputacionin dhe karrierën si shkrimtarë, bilës kanë guximin shkojnë deri aty sa të vetëquhen “gjeni”. Kjo racë krijuesish janë fenomene groteske paralajmërojnë vulgaritetin dhe mediokritetin në letërsi, injorancën dhe paditurinë, vetëgjymtimin dhe vetëvrasjen intelektuale të shoqërisë, skllavërinë shpirtërore dhe krijuese të talenteve që ripërcaktojnë karakterin e dyfishtë të udhës së artit dhe letërsisë artificiale, realitetin mjeran të kësaj lloj letërsie. Krijues, që nuk kanë asgjë të freskët apo të re për të rrëfyer. Pse ndodh kjo? Ngaqë kemi letërsi jo cilësore e artistike, artificiale, dashuri të rremë, vetëkënaqësi mediokre, plagjiaturë e naivitet letrar. Sepse ata janë të vetëdijshëm në mediokritetin dhe melagomaninë e tyre që përfaqësojnë kokëboshësinë nën kurorat e famës e lavdisë. Ka mjaft poetë e shkrimtarë në ekzil, që me grintën e mençurisë, talentit, profesionalizmit dhe fuqisë shpirtërore përcjellin krijimtari të mirëfilltë letraro – artistike dhe përcaktojnë denjësisht letërsinë më të mirë në nivel letrar e cilësor të viteve të fundit në emigracion.
– Ç’është poezia për ju? Çfarë poezie shkruani ju dhe ku e gjeni më shumë veten në poezi apo në prozë? Kur shkruani prozë, mendoni se e rëndoni me më shumë figuracion se ç’ka duhet? Kjo gjë ndodh tek poetet që shkruajnë edhe prozë, po tek ju?
– Respektoj poezinë në maksimum, ashtu si ai fetari që respekton fenë e tij. Unë besoj shumë në të qenët poet në të gjitha çastet e jetës. Të qenët poet është njerëzore, jo luks. Nganjëherë unë kaloj net pa gjumë duke medituar për funksionimin e poezisë. Poezia për mua është përpjekja që të bashkosh idetë me fjalët, figurat e goditura artistike, muzikalitetin, rimën, kadencën, vargun e lirë, modernen, kombinimin e artit me filozofiken, psikikes me shpirtëroren. Fjalët e përdorura nga poetët janë fjalët ndjellëse dhe kanë anën e tyre intelektuale, ndjejnë sensin që përshkon çdo poet që krijon. Jeta e njeriut është poezi, – poezia është Poeti!
Në prozë humbet në honet e thellësisë së shpirtit, kujtesës dhe përvojave jetësore në këndvështrimin metaforik. Në prozë je thellësisht i vetmuar, ndërsa në poezi bisedon me natyrën, me zogjtë, me dashurinë , me jetën. Poezia e proza kanë vështirësitë e veta. Poeti e prozatori duhet të jetë i aftë për të dyja. Por edhe poezia e proza ecin së bashku si dy nimfa të dashuruara.
– Kam vënë re që ju i shkruani shumë dashurisë në një këndvështrim të veçantë dhe tepër kurajoze, si është pritur fillimisht nga opinioni shqiptar? Çfarë keni parasysh kur botoni, lexuesin, apo veten? Si mendoni ju për kualitetin e lexuesit të poezisë?
– Vetëm dashuria shpëton botën! Fjala dashuri në vetvete është një! E bukur, e brishtë inteligjente dhe gjthpërfshirëse. Ekzistojnë dy shprehje për dashurinë: – Të dashurosh dhe të jesh në dashuri! Që të dyja kanë në themel brishtësinë e sinqeritetit të ndjenjës njerëzore. Të jesh grua të të dashurojnë është art dhe të përjetosh një dashuri nga më të bukurat e jetës është vërtet –art. Pikërisht ky lloj model i sinqeritetit të dashurisë, më ka dhënë mua kurajon, forcën, guximin e besimin për të lëvruar pjesën më të guximshme të poezisë atë liriken, erotiken, meditativen e krehur bukur me skena hipotetike të besueshme të ndjeshme dhe me etikë intimiteti poetik e prozaik. Kam pasur tre lloj vlerësime; të ndershme e objektive – vlerësime lajkatare maskilistësh, – vlerësime ambiciozësh që i shtojnë vetes strese duke pasur zili gjërat të shkruajtura nga unë, një emër jo fort i njohur në poezi para pak vjetësh. Gjithsesi, të gjithë i përshëndes, se fundja ata/ato e kanë lexuar poezinë dhe prozën time. Sa për mbështetjen e poetëve të talentuar kam ndjerë mbështetjen e tyre dhe kemi ndarë së bashku eksperiencat. Është klishe e lashtë; “Çfarë shkon rreth, vjen rreth e rrotull” – një gjetje kjo veçanërisht e vërtetë e mbresëlënëse për komunitetin e poetëve. Unë jam një e apasionuar pas të shkruarit brenda realitetit që jetoj, jo për të qenë e pasur apo të fitoj famë – unë vetëm bëj kompromis me lirinë time dhe lirinë e lexuesit, bëj kompromis me vetveten dhe përshëndes emocionalisht dhe artistikisht lexuesin e krijimtarisë sime, bëj kompromis me mesazhin e emancipimit shpirtëror, qytetar e intelektual që ja edhe ai/ajo/lexuesi/lexuesja të ndjehet ashtu sikundër ndjehem unë –gjithçka në emër të dashurisë njerëzore.
– A mendon se letërsia shqiptare i ka shkallmuar prangat e diktaturës dhe a mendoni ju që një shkrimtar i realizmit socialist të shkruajë vepra të letërsisë moderne?
– Po është më se e vërtetë se ekziston dhe ndjehet ndryshimi thelbësor mes dy epokave –realizmit socialist dhe periudhës postkomuniste, është rrotacion konceptesh e përmbysje dogmash, dhe letërsia ka fituar lirinë dhe forcën shprehëse. Gjithsesi asnjë shoqëri nuk është statike. Shkrimtari, poeti e artisti i shërben një periudhe të caktuar historike, popullit e kombit të tij. Por e përbashkëta brenda krijimtarisë letraro – artistike mes dy epokave janë, frymëzimi, bota shpirtërore e secilit nga ne dhe vlerat njerëzore të saj. Të gjitha këto duhen kuptuar thellësisht në kohën e kushtet kur ajo krijimtari është shkruar. Ne kemi sot shkrimtarë të shquar që u përkasin dy epokave, shkrimtarë që kanë bërë emër dhe janë vlerësuar nga kritika e kohës në epokën që ata kanë jetuar e shkruar. Ndërsa këta shkrimtarë të vjetër shpalosën ide të mëdha, që bota duhet të ndryshonte, për një kohë të re e me koncepte të reja, ata ditën si t’jua kalojnë të rinjve stafetën, dhe të marrin përsipër luftën për ndryshim që është luftë e vazhdueshme. Dhe lexoni letërsinë postkomuniste sa vërehet ndryshimi e progresi, – ndonjëherë ajo merr gjenerata, por shpresa për ndryshim nuk vdes.
– Në vlerësimet e veprave në letërsinë shqipe, a mendoni ju që duhet një komision mbarëkombëtar me specialistë të letërsisë për të bërë veçimin e më të arrirave dhe për të bërë një kritikë të mirëfilltë të tyre dhe si e mendon nëse po?
– Çdo krijues dhe autor duhet të dijë se puna, praktika, eksperiencat jetësore dhe durimi i bëjnë shkrimtarë dhe poetë. Jo gjithçka që shkruhet është perfekt e duhet ta botojmë. Që shkrimtarit apo poetit t’i botohet vepra, së pari ai/ajo duhet patjetër të vetë ndërgjegjësohet për atë që ka shkruar dhe të kërkojë që vepra e tij/e saj të vlerësohet së pari nga një Bord Letrar dhe Kritika e Kohës i përbërë me specialistë profesionalë të gjinive të ndryshme për cilësinë, nivelin letraro – artistik, drejtshkrimin e gjuhës shqipe, si edhe ruajtjen e pastërtisë gjuhësore nga huazimet e gjuhëve të huaja. Kur them që të vlerësohen, dua të theksoj që edhe botuesit e veprës së tyre do të konkurrojnë më pas. Botuesit janë biznesmenë njëlloj si bizneset në profesione të tjera. Nga ata kërkohet “nivel monetar,…”jo artistik, kërkohet për qokë dhe famë. Sepse ata – botuesit – nuk janë filantropistë, ata janë aty për të fituar para. Është domosdoshmëri jetike dhe unike që veprat e reja para se të çohen për botim të vlerësohen nga një komision mbarëkombëtar, jo vetëm për të na dhënë vepra të mira e të arrira, por rritet edhe interesi për të lexuar dhe detyrimi ndaj lexuesve sikur plotësohet më dukshëm e më mirë. Nëse shkrimtari dhe poeti kanë pasionin dhe talentin e lindur, nuk ka rëndësi sa kohë merr, libri do ta shohë dritën e botimit, fundi e justifikon mjetin.
– A mendoni ju, që përveç Ismail Kadaresë, kemi shkrimtarë që e meritojnë të kandidojnë për çmimin “Nobel” dhe cilët janë ata?
– Kjo është temë e prekshme, ka shumë për të thënë rreth saj. Vlerësimi letrar në Shqipëri është i përqendruar vetëm në emra të veçantë e të përhershëm. Për këtë temë po jap vetëm mendimin tim personal. Po kemi sigurisht shkrimtarë dhe shkrimtare që meritojnë të kandidojnë për Çmimin Nobël, bilës nga letërsia shqipe kemi autore femra që e meritojnë atë çmim. Në rast se merret parasysh krijimtaria e Petro Markos mbas vdekjes ai meriton Çmimin Nobel – ndërsa mes gjeneratës së artë të shkrimtarëve dhe figurave të njohura tashmë të letrave shqipe, e meriton Fatos Kongoli, ndërsa për femrat autore shqiptare në poezi Luljeta Leshanaku dhe si shkrimtare e kompletuar, nuk e ekzagjeroj kur e shpreh – e meriton Elvira Dones.
– Në vlerësimet që bën Ministria e Kulturës, apo dhe Bashkitë nëpër rrethe, unë kam shprehur mendimin se këto jepen jo për vepra të arrira, por sa e si ndihmojnë autorët në politikat partiake që janë në pushtet, ju çfarë mendimi keni?
– Si krijuese, intelektuale, qytetare dhe bashkëkombase, ju drejtohem Ministrisë së Kulturës, kolegëve në Shqipëri e krejt botën e trojet shqiptare, të hedhin sytë nga Letërsia që shkruhet në egzil, që jo vetëm i përket periudhës së shtrirjes kombëtare jashtë kufijve të atdheut dhe idealizmit, pasionit dhe shprehjes, zbulimin e zërit të veçantë rreth veprave të Rilindjes të shpirtit shqiptar krijues të letrave shqipe, rreth ideve të artit si frymëzim shpirtëror dhe metaforës së rritjes intelektuale dhe letraro – artistike, dhe shprehin më së miri të vërtetën universale për individin e shoqërinë, dhe ta vlerësojnë këtë letërsi. Të qëndrojnë larg vlerësimit nën sindromën e klaneve dhe qokave.
– Diçka konkretisht rreth krijimtarisë suaj, librat që keni botuar dhe dorëshkrime, po në të ardhmen keni projekte?
– Unë kam punuar shumë fort që ta ndërtoj krijimtarinë time. Nuk ka qenë e lehtë, me mund e sakrifica fizike, mendore, financiare dhe pasion. Jam përpjekur gjithmonë që të jap më të mirën e të bukurën në krijimtarinë time. Deri më tani jam autore e 12 librave në prozë, poezi e publicistikë dhe bashkëautore në gjashtë antologji kombëtare e ndërkombëtare me poezi shqipe dhe angleze, jam bashkëautore në antologji me prozë e publicistikë, që shkojnë në 18 libra. Shpresoj që këtë vit të botoj disa libra që i kam në dorëshkrim në gjininë e romanit, vëllim me poezi në gjuhën shqipe e angleze, një libër me përsiatje, esse dhe kritika letrare, dhe librin voluminoz me publicistikë me intervista. Vajza ime e vetme, Evisa është menaxhere e botimeve të mija dhe shpreson shumë që ato këtë vit të shohin dritën e botimit.
– Si funksionon Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë, a ndihmohet nga shteti amerikan, apo nga donatorë të tjerë? Po për botimin e veprave si veprohet, a ka ndonjë grup kritik në Amerikë që merret me kritikën dhe në ç’nivel është ajo? Roli yt si Kryetare, planet për shoqatën?
– Në kapërcyellin e shekullit 21-ë, poeti, përkthyesi, kritiku letrar dhe publicisti shqiptaro -amerikan Prof. Gjekë Marinaj doli me teorinë në lidhje me Letërsinë Postkomuniste të Diasporës Shqiptare; Grupimin e krijuesve, autorëve, poetëve e shkrimtarëve në egzil, në Shoqatë apo Lidhje Shkrimtarësh, – ide që pati efekt të thellë dhe mbështetje nga figura të njohura të Letrave Shqipe, mërguar në ShBA – ës, në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, – ide që do të bënte rrotacionin spektakolar dhe historik në letërsi; Themelimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë. Shumica e shkrimtarëve shqiptaro – amerikanë i përkasin Letërsisë Postkomuniste të Diasporës, ata ndajnë e tregojnë historinë nën efektin e karizmës, aureolës të rrënjëve historike dhe kulturës shqiptaro – amerikane. Është një Shoqatë e regjistruar me ligj, jo fitimprurëse, dhe nuk ndihmohet nga shteti amerikan aspak, gjithshka bëhet në bazë të kontributit financiar të vetë krijuesve dhe aktivitetet e Shoqatës përballohen me shumë vështirësi, në bazë të kuotës së anëtarësimit në Shoqatën e Shkrimtarëve. Angazhimi im, me zgjedhjen si Kryetare e Shoqatës, është aktiv, angazhim ekstra me vullnet e dëshirë, që pavarësisht mundësive që ofron Amerika, përballemi me vështirësitë që hasen në emigracion prej punës e obligimeve të ndryshme familjare e ekonomike. Me mbështetjen e Kryesisë, të Presidentit të SHSHSHA – së, poetit e publicistit Adnban Mehmeti dhe anëtarëve të saj, ndaj idesë sime për të mbajtur një simpozium shkencor rreth – i dha frytet e veta dhe në fund të vitit të kaluar zhvilluam Simpoziumin Shkencor me temë “Letërsia dhe roli i saj në Diasporë. Vëmë re se prurjet në letërsi janë të shumta, shtëpitë botuese të shumta, të cilat tashmë janë bërë në modë, duke e trajtuar literaturën, sikur të jenë mallra me shumicë, në një mjet përfitimi material, financiar dhe më shumë gjasa për përfitim moral e intelektual, kështu që veç kumtesave që u referuan aty dhe certifikimi i referuesve, u trajtua dhe ramë dakord në parim, ngritja e një bordi kritik letrar, që do të merret me kritikën e librit para se vepra të shkojë për botim. Aktualisht jemi në koordinim e kontakt të vazhdueshëm me kolegët e kryesisë dhe së shpejti ky bord do të funksionojë. Në muajin prill ose maj nuk e kemi vendosur akoma datën, organizojmë aktivitetin letrar dhe në atë aktivitet do të ndajmë çmimet për veprat më të mira, por jo si para ca viteve me Penda e Artë, por me emrat e korifenjve të letrave shqipe në Diasporë si psh Çmimi: Faik Konica, Fan Noli, Arshi Pipa, Isuf Luzaj, Bilal Xhaferi etj.
– Një mesazh për krijuesit shqiptarë…
– Ëndrrat për t’u bërë krijues – poet apo shkrimtar është sa e bukur aq edhe e ndjeshme. Secili krijues duhet të ruajë besimin, guximin dhe kurajon për të hedhur në letër atë që ndjen e përjeton në udhëtimin e lumtur e të trishtë të jetës. Kjo realizohet vetëm me punë e integritet, pasion e talent, por edhe fat.
Bisedoi:Zyba Hysa