Nga Keze Kozeta Zylo/
Fillimi i mbarë është gjysmë e punës kanë thënë të moçmit dhe ne këtë mjaltë të mënçurisë popullore e kemi frymëzim dhe moto në përvojën tonë 18 vjeçare të Arsimit Shqip në Diasporë.
Java e kaluar ishte një Ditë Historike në Albany, në kryqytetin e Nju Jorkut, ku për herë të parë në historinë e Diasporës Shqiptaro Amerikane në Albany hapet një shkollë e parë shqipe nga “Alba Life” Ambasador i Kombit, rrjeti më i madh i shkollave Shqipe në Diasporë.
Java e dytë ishte frytdhënëse, pas suksesit të radhës të hapjes së shkolles ku morën pjesë personalitete të shquara nga Parlamenti dhe Senati i Nju Jorkut, superitendenti i shkollave amerikane në Albany si dhe Principli i Shkollës amerikane “Sand Creek Middle School” ku zhvillohet mësimi shqip. Kjo javë e frytshme më kujton shkrimtarin e shquar botëror, amerikanin Mark Twain i cili thotë: “Sekreti për të ecur përpara është fillimi.”
Mësuesit dhe nxënësit i mirëpritën me shumë kënaqësi ardhjen e nxënësve nëpër klasa të cilat u mbushen plot e përplot dhe zhvilluan mësimet përkatëse sipas një programi të detajuar profesional. Kështu mësuese Era Shkembi Çorbaxhi, njëherazi dhe koordinatore e Shkollës shqipe “Alba Life” në Albany e filloi orën e mësimit me një bashkëbisedim në lidhje me ceremoninë e hapjes së Shkollës së parë shqipe. Mbasi shkruajtën 6 fjali me shkronjën A të cilën e mësuan në klasë, mësuan se kur mund të përdoren kush, çfarë, ky dhe kjo. Pas përsëritjeve dhe ushtrimeve në klasë, në gjysmën e orës së fundit mësuan Himnin e shkollës dhe u përgatitën për valle tradicionale shqiptare që do t’i performojnë në skena të ndryshme sipas programit të Shkollave Shqipe “Alba life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online.
Mësuese Edvina Belishta iu mësoi nxënësve të grupmoshës së më të vegjëlve shkrimin e Shkronjës së madhe A dhe të shkronjes së vogël a.
Ata u pyetën se si kishin kaluar javën dhe pastaj në monitor Smart Board panë tregimin e shkronjës A ku u drejtuan shumë pyetje për tregimin, personazhet dhe mesazhet që përcollën. Ata punuan në grup për modelimin e shkronjës A me fletë punëdore. Në pjesën e aktivitetit në klasë ata u njohën me këngën Himn “Gjuha Shqipe, Gjuha jonë”.
Duke përdorur këto metaoda dhe strategji të mësimdhënies doemos që do të kenë
efikasitet në mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë. Nëpërmjet teksteve dhe materialeve të miratuara nga dy ministritë e arsimit të shtetit shqiptar dhe të Kosovës ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e aftësive dhe të folurin në grup në klasë.
Gjatë aktivitetit praktik dhe mësimor nxënësit mësojnë vallet, këngët dhe nxiten për të parë me tej traditat dhe historinë e mrekullueshme të rrënjëve të tyre. Nxënësi mendon dhe mundohet ta trasmetojë apo ta mësojë në shtëpi lëvizjet për një valle, të këndojë tekstin e marrë dhe ndërton përvojën për t’u aftesuar në të ardhmen.
Në këto klasa publike janë të gjitha kushtet moderne dhe tradicionale duke i përdorur të gjitha mjetet me efikasitet të plotë. Më duhet të theksoj se çdo shkollë e “Alba Life” i kryen mësimet në shkollat publike amerikane ligjërisht dhe të mbrojtura me siguracionin shëndetësor përkatës dhe natyrshëm ky është një sukses ku flet për seriozitetin, profesionalizmin dhe përgjegjësine për këtë program dhe Mision Kombëtar të siguruar nga themeluesi z. Qemal Zylo. Mësueset punuan fort me muaj të tërë me themeluesit e shkollës në trainime dhe diskutime së bashku në të mire të mësimdhënies në këto klasa. Ky program dinjitoz i udhëhequr nga mësueset në shkollë duke përdorur teknika ndërvepruese, zhvillon aftësitë, shkathtësitë, dhe çon në formimin e gjithanshëm të personalitetit të nxënësve. Përvoja jonë 18 vjeçare ka dhënë suksese dhe sigurisht duhet të falënderojmë prindërit e mrekullueshëm që na kanë besuar fëmijët e tyre në bangat e shkollës “Alba Life” dhe ne doemos i ruajmë si sytë e ballit. Mjaft prindër shprehin mirënjohjen dhe dashurinë për hapjen e kësaj shkolle pasi jo vetëm që mësohet gjuha shqipe, por është dhe jeta sociale me njeri tjetrin si shqiptarë dhe që në këto kohra mjerisht po humbet jeta sociale dhe fëmijët tanë po bëhen më të vetmuar nëpër I-Pade ose lojëra kompjuterike që shpesh janë shkatërruese për moshën e tyre.
Dita e dytë ishte mbresëlënëse, e begatë dhe shpresëdhënëse për të ardhmen e mësimit shqip në Albany, pasi fillimi i mbarë është gjysma e punës.
Shqipja do të vazhdojë përjetësisht sa te ketë shqiptarë mbi dhe, sepse siç thotë Himni:
Gjuha Shqipe, Gjuha jonë/ Oh sa bukur tingëllon/ Larg Atdheut dhe pse jemi/ Ne në shpirt atë e kemi.
26 Janar, 2025
Albany, New York