
Kjo pershendetje eshte realizuar me rastin e promovimit te librit “Banda Kombetare VATRA”, nje histori unike shqiptaro-amerikane, i autorit Vasil S. Tole. Promovimi u organizua ne Akademine e Shkencave ne Tirane me 4 nentor 2021, ora 11.00 ne sallen Aleks Buda. Teksti i pershendetjes: “Quhem Jay Bartlett. Unë jam një nga shtatë nipërit e muzikantit, dirigjentit, kompozitorit dhe mësuesit të muzikës shqiptaro-amerikane Thomas Nasi dhe gruas së tij pedagoge muzike, Olympia Tsika. Me rastin e botimit të librit “Vatra – Banda muzikore e Vatrës, një histori unike shqiptaro-amerikane” nga profesor Vasil S. Tole, desha të ndaj me ju disa kujtime nga ana amerikane e historisë. Menjëherë pas kthimit nga Shqipëria dhe punës së tyre në mësimdhënie muzike dhe me grupin muzikor Vatra, siç përshkruhet nga profesor Tole, Tomi dhe Oli, siç i thërrisnim gjyshërit tanë, shkuan në Chatham dhe më pas në Orleans në Cape Cod, që është një zonë turistike në bregdetin e Masaçusets në SHBA Familja Nasi u bë e famshme në zonën e tyre në Cape Cod duke filluar nga vitet 1930, për inicimin e arsimit muzikor dhe ansamblet për shfaqje muzikore komunitare. Në shumë mënyra, përpjekjet e tyre ishin paralele me atë që ata ishin përpjekur të arrinin në Shqipëri gjatë viteve 1920. Gjatë gjithë jetës së tyre në Amerikë, familja Nasi mbajti lidhje të shumta me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe treguan një interes të vazhdueshëm për çështjet e vendit të tyre, Shqipërisë. Këtë na e përcollën edhe neve. Edhe pas daljes në pension nga sistemi arsimor publik, Tom dhe Oli vazhduan të jepnin mësim gjatë viteve 1960 për të rinjtë në Cape Cod në muzikë instrumentale. Neve nipërve, na dukej se të gjithë në Cape Cod i njihnin gjyshërit tanë, dhe ne vetë ishim thuajse të famshëm meqë na lidhnin me ta. Fëmijët Nasi, Alberti, Madeline (më pas emri i martesës Watt) dhe Carmen (më pas emri i martesës Bartlett – nëna ime), ishin të gjithë muzikantë të talentuar dhe anëtarë kryesorë të grupeve dhe orkestrave që prindërit e tyre themeluan në Massachusettin lindor. Alberti, ndoshta më i talentuari nga të tre, u shkëput përkohësisht nga studimet e tij për violinë në Kolegjin Rollins në Florida për t’iu bashkuar Forcave Ajrore të Ushtrisë Amerikane në Luftën e Dytë Botërore. Për fat të keq, ai u vra në betejë në vitin 1944. Motrat e tij mbetën muzikante amatore aktive për pjesën më të madhe të jetës së tyre. Të shtatë nipërit e familjeve Watt dhe Bartlett morën mësime nga Tom dhe Oli, pasi shkonin shpesh për vizitë te ta në Cape Cod, në vlerësim muzike dhe mësime për instrumente të ndryshme,. Asnjë prej nesh nuk u tregua aq i aftë sa nënat dhe gjyshërit tanë, por përfshirja jonë në muzikë na ka bërë të gjithëve adhurues të përjetshëm dhe na ka dhënë shumë kujtime të mrekullueshme familjare të veçanta në vlerësim muzike dhe shfaqje muzikore. Së fundi, dua të falënderoj profesor Tolen që mori përsipër të ruajë historinë e zhvillimit muzikor gjatë kësaj periudhe në Shqipëri. Shpresoj se do të kënaqeni duke lexuar rrëfimin e tij për këtë”.