


Ramazan Çeka/
Polifonia që ktheu Memaliajn në kryeqendrën e folklorit shqiptar.
Në qendër të Memaliajt, aty ku Vjosa rrjedh e pandalshme me madhështinë e saj të amshuar, u ndez për të dytin vit radhazi flaka e Festivalit Folklorik “Jehona e Vjosës”, duke kthyer qytetin në kryeqendër të folklorit mbarëkombëtar. Në kulmin e gushtit, në sheshin “Minatori”, mbi 150 artistë dhe 20 ansamble nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën për të dhuruar një magji që do të mbetet e paharrueshme.
Çdo këngë, çdo valle, çdo ritëm shpalosi pasurinë e folklorit tonë. Publiku u bë pjesë e një magjie të përbashkët, ku traditat e veriut dhe të jugut, e gjithë Shqipëria dhe trojet shqiptare, u takuan në një valle që bashkonte gjithë kombin. Ishte një simfoni që lidhte traditat dhe emocionet në një ritëm të vetëm.
Dy netë të mbushura me emocione të papara, garë të fortë dhe interpretime të shkëlqyera e shndërruan Memaliajn në një sofër mikpritëse.
Parada e kostumeve tradicionale, ekspozita e pikturave e fotografive, tingujt e polifonisë dhe ritmet e valleve shpalosën një pasuri shpirtërore që e bëri publikun të ndjejë krenari e nostalgji njëkohësisht.
Atmosfera solemne e ditës së parë u shndërrua në një zjarr emocionues në natën e dytë, kur skena u mbush me ngjyra, zëra dhe ritme të papërsëritshme. Në këtë festival, çdo këngë ishte një amanet i brezave, çdo valle një lutje e hershme, dhe çdo melodi një urë që lidhte të djeshmen me të sotmen.
Drejtori artistik i festivalit, z. Viktor Aliu, theksoi se ky event synon të aktivizojë dhe promovojë grupet polifonike, duke ruajtur jetën folkorike si trashëgimi shpirtërore të popullit tonë dhe duke transmetuar tek brezat e rinj dashurinë për folklorin dhe traditën. Ky festival tashmë është pjesë e kalendarit kulturor kombëtar dhe premton të mbajë gjallë traditën për shumë vite.
Ky festival, ndryshe nga të tjerët, ka një hapësirë të gjerë gjeografike, duke bashkuar çdo vit grupe të ndryshme nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe trojet shqiptare, dhe duke nxjerrë në pah pasurinë dhe gjallërinë unike të folklorit burimor. Veçoria e tij qëndron pikërisht në diversitetin e grupeve të përfshira, të cilat vijnë nga komunitete të ndryshme, duke dëshmuar pasurinë dhe larmishmërinë e trashëgimisë sonë kulturore.
Çmimet u dorëzuan nga emra të nderuar dhe u bënë një kurorë për artin, duke e kthyer ceremoninë në një moment solemn. Juria, e përbërë nga personalitete të artit dhe kulturës; dirigjenti Ermir Dizdari, specialisti i kulturës z. Sejmen Gjokoli dhe shkrimtari z. Feti Zeneli, vlerësoi me profesionalizëm grupet më të spikatura, duke shpërblyer talentin dhe pasurinë e folklorit tonë.
Çmimi i Parë – Ansambli “Lunxheria”
Çmimi i Dytë – Grupi Polifonik “Lazarat” & Ansambli “Haziz Ndreu”
Çmimi i Tretë – Grupi Polifonik “Memaliaj” & Ansambli “Ferizaj”
Çmimi i Publikut – Shoqëria Artistike “Gurra e Picarit”
Çmimi Special i Festivalit – Ansambli Artistik “Kaltersia”
Diploma “Simboli i Trashëgimisë” – Grupi “Krojet e Velçës”, Ansambli “Drenica”, Rapsodët e Deçanit dhe Ansambli “Mat”.
Moderatorja Migena Kraja, me profesionalizmin dhe sharmin e saj, u shndërrua në pasqyrë të suksesit; ajo i dha festivalit hijeshi dhe bukuri, duke e kthyer çdo çast në një përjetim të veçantë, të mbushur me magji.
Sheshi u mbush me qytetarë, me emigrantë të kthyer për pushime dhe me mysafirë nga të gjitha trevat, që u shkrinë në një valë entuziazmi të papërshkrueshëm, një pëlhurë emocionesh që i bashkoi të gjithë. Shumë prej tyre pohuan: “Në këtë qytet ndjehesh vërtet artist.”
Festivali, i organizuar nga Shoqata “AlbAccess Open” në bashkëpunim me Bashkinë Memaliaj dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dëshmoi se trashëgimia shqiptare nuk është vetëm kujtim, por një thesar që vazhdon të frymojë dhe të gjallërojë zemrat e njerëzve.
“Jehona e Vjosës” tashmë është kthyer në traditë, një festival që jeton në zemrat e publikut si një frymëmarrje e përhershme e kulturës sonë. Është një festë që rizgjon kujtesën dhe lidhjen e brezave me Memaliajn, një urë që bashkon shqiptarët kudo që janë, një pasqyrë ku shohim vetveten të ndriçuar nga drita e trashëgimisë sonë.
Në atmosferen kulmore të kësaj feste, mbetet e qartë: Folklori shqiptar nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës, por një gjallëri që frymon me çdo këngë, me çdo hap dhe me çdo valle. Në Memaliaj, këto ditë gushti, festivali foli me zërin e polifonisë, vallëzoi me ritmet e trevave dhe u përjetua si një solemnitet festiv, një poezi e gjallë e trashëgimisë kombëtare.