Nga Alfons GRISHAJ/
Tek po digjej Biblioteka e Aleksandrisë, iu ankuan Cezarit, se po digjej biblioteka më e vjetër në botë, po zhdukej e shkuara. Cezari iu përgjigj: “Unë nuk merrem me të shkuarën, por ndërtoj të ardhmen!” Pas shëmbjes së Teatrit Kombëtar, m’ u kujtuan fjalët e Cezarit, dhe bëra lidhjen me arkitepin e Ramziut. E kam shkruar dhe më parë, të gjithë diktatorët kanë një psikologji, një ndjesi, një paranojë, një frymëzim, një veprim me kosto shumë të lartë gati të pariparueshëm.
Pasi ka lënë dhe mjekrën sipas stilit të Ismail Qemalit, ka bërë dhe grimin si ai, pozon gjithnjë para fotos së tij, duke aluduar se ka risjellur lirinë e shumëpritur të “arnautllëkut”, por, pas Ismail Begut… ama!
Ramëziu çfarë nuk mendon, çfarë nuk ëndërron sepse paranoja e ka molepsur fund e krye. Të gjithë qahen për Teatrin ku më qan zemra dhe mua, po shumë pak kush e ndjen se ai po shkatërron Shqipërinë, po instuticionalizon krimin, mafien, diktaturën dhe mbi të gjitha, po vret shpresën e shqiptarëve kudo në botë.
Nëse analizojmë shembjen e teatrit, do të thonim se u shemb një monument kulture të ndërtuar nga shpirtërat e një brezi artistësh brilantë, që i dhuruan emocione të pafundme publikut, por dhe një kështjellë të qëndresës së emancipuar të artistëve dhe aktivistëve të lirë të kryeqytetit. Dhe kështjellat e trashëgimisë kulturore e historike janë objekte strategjike që armiqtë i shembin siç bëjnë dhe me urat, rrugët, muzetë dhe shkollat. Sigurisht, ka mjaft njerëz që nuk e kuptojnë këtë akt barbar lufte, siç nuk e kuptonte plaku i shkandulluar tek filmi “Ura” që përsëriste herë pas here pyetjen, “Po me urën çfarë patën xhanëm? Ç’ të keqe u bënte kjo urë?!”. Ata që nuk kuptojnë nuk kanë pse të gjykohen për indeferencën që treguan duke mos mbështetur masivisht artistët dhe aktivistët. Por ata që u ndanë nga lufta e drejtë dhe e ndershme, për t’u bërë palë me armiqtë duhet ta kuptojnë se përçmimi është pak për ta. Turpi i tyre le të jetë përjetë dhe damka e tyre.
Në Amerikë kanë status muzeal deri dhe sendet apo vendet e kriminelëve, deri tek kaçorret apo objektet e vjetra me vlerë historike apo monumentale. Askush nuk guxon t’ i tjetërsojë apo t’i shkatërrojë. Në Shqipërinë tonë, në emër të modernizmit: mbjellin drogë, rrahin fëmijë, prishin monumente kulture, shesin pasurinë kombëtare, pa pikën e turpit dhe pa asnjë përgjegjësi morale bëjnë orgji politike, shembin shtëpia qytetarësh, fusin në burg fukarenj, punësojnë militantin e verbër, frymëzojnë vetë-gjygjësinë, i japin bonus krimit shtetëror etj…etj.
Ne sot qajmë një teatër, por fatkeqësisht, jemi bërë vetë ne për t’u qarë, sepse, sipas atyre që rreshtova më lart, nuk jemi në gjëndje të themi me vendosmëri: Kurrë Më!