




Rafaela Prifti/
Njazi Musliu banon në shtetin e Alaskës prej gati gjysmë shekulli dhe e ndien veten aty si në shtëpinë e tij. Sot shtatëdhjetë e ca vjeçari ka kompaninë e suksesshme AutoMart dhe, çka është më e rëndësishme, ka një optimizëm të palëkundur për të ardhmen e tij në shtetin më të madh të Amerikës. “Kyçi i suksesit për shqiptarët që vijnë këtu nga të gjitha viset për punësim apo shkollim është bindja se Alaska është vendi i tyre,” thotë ai me entuziazëm gjatë bisedës sonë.
Njaziu u largua nga Ferizaj drejt Amerikës në moshë të re. Pasi vijoi studimet në Illinois dhe u punësua përkohësisht në Nju Jork, në vitet ’70 Njaziu “shkeli” në Alaska, ku ndjeu një lidhje të fortë me natyrën e egër dhe të magjishme dhe me njerëzit e atij vendi. Vetë Alaska nuk kishte më shumë se një dhjetëvjeçar nga koha kur ishte integruar me Amerikën (3 janar, 1959) si shteti i 49-të. Njaziu ishte emigrant i ri shqiptar në shtetin më të madh të Amerikës – Alaska është dyfish më e madhe se Teksasi – dhe vendi ku e thërrasin “Xhesi” (Jesse) i hyri në zemër menjëherë.
Kishte punuar si trajner apo instruktor në kampe pushimi të rinisë në Nju Jork. Më pas kishte qenë në Çikago dhe shtete të tjera pa e gjetur veten. Kur një shqiptar i Maqedonisë i dha idenë të shkojnë në Alaska ku mund “të fitonin ma mirë” të dy udhëtuan drejt Ankorixh (Anchorage) qytetit më të madh ku banon gati 40 për qind e popullsisë së gjithë Alaskës. Në Anchorage Njaziu u mrekullua nga madhështia mahnitëse e akullnajave dhe bukurisë natyrore rreth e përqark, ku gjente kënaqësinë të ishte fizikisht aktiv por edhe të jetonte me komoditetet e lehtësitë së jetës urbane.
“Bashkësia shqiptare e Alaskës ishte fort mirë e organizuar në vitet e luftës në Kosovës,” përgjigjet ai kur e pyes për jetën e komunitetit. “Në atë kohë komuniteti jepte ndihma për mbështetje financiare si edhe për armatime. Në vitin 1998 një delegacion i posaçëm me dhjetë anëtarë u nis nga Alaska për në Tiranë dhe më pas për Bajram Curri ku ishin stërvitjet e ushtarëve të UÇK-së.” Përkrahja e Senatorit të Alaskës Ted Stevens (1923-2010), i cili kishte post me rëndësi në një Komisioni parlamentar, ku merrej vendimi për bombardimin e Serbisë, shënoi kthesë në mbështetjen e kongresit amerikan. Meqenëse Senatori Stevens kishte votuar kundra bombardimit, Jesse e ftoi atë ta shikonte situatën e shqiptarëve dhe gjendjen e tyre në kampet e Maqedoninë. Prej asaj vizite, Senatori Stevens e ndryshoi votën dhe u bë një nga përkrahësit më të zëshëm për fushatën e NATO-s në luftën e Kosovës. “Aeroporti kryesor në Anchorage mban emrin e tij Ted Stevens,” vëren me krenari Jesse. Në data të mëdha si Dita e Pavarësisë dhe festa të tjera komuniteti dhe shoqatat përkujtojnë me nderim patriotët e historisë dhe miqtë amerikanë. Kur vjen fjala te aktivitetet, Jesse është pak nostalgjik për ekipin futbollistik Bashkimi i viteve 1978 ndërsa ndihet krenar për ndihmat e akorduara për studentët përmes Rotary Club.
Ai përmend mikun e tij Din Kosova dhe përmbledhtazi kujton historinë sesi emigranti shqiptar i Kalifornisë ngriti vetë një përmendore guri e betoni gati shtatë metra kushtuar Presidentit Wilson në 2011 pa e ditur se trualli i shkretëtirës kaliforniane ishte pjesë e mbrojtur e parkut Joshua Tree National Forest. Atij ju desh ta çbënte me duart e tij punën e dy viteve, por të gjithë e dinë se synimet dhe dëshira e tij ishin të mira.
Në anën tjetër të telefonit, herë pas here, dëgjohen zëra që e pyesin për diçka dhe ai, pasi kërkon falje për ndërprerjen me mirësjellje, pasi “është në punë”, kthehet përsëri në bisedë pa humbur asnjë notë entuziazmi në zërin e tij tingëllues.
Kur e pyes për vendlindjen, thotë se udhëton për vit, dhe përmend rastin e takimit të 50 vjetorit të maturës së Ferizajt, sepse i kanë mbetur në mendje moshatarët e tij, disa prej tyre me shkop, dhe vajzën që e kish dashuruar në gjimnaz të cilës nuk i njiheshin tiparet e dikurshme. “Për çudi, koha nuk e ka pasur këtë efekt tek unë,” thotë ai pa e fshehur ndjenjën e kënaqësisë që akrepat e viteve nuk kanë trokitur mbi të si tek moshatarët e brezit të tij.
Xhesi është prind i tre fëmijëve të rritur e të suksesshëm me të cilët krenohet shumë. Së bashku me birin e tij njëvjeçar Oliver Metushi Musliu, ata “festuan 4 korrikun në Alaskën e bukur!” shkruhej në mesazhin e tij ditën e festës së Pavarësisë.
Qyteti-port Anchorage është pikë kyçe transporti dhe si tillë u ka dhënë mundësi për tu “ankoruar” shumë e shumë të ardhurve të tjerë. Industritë e punësimit janë kryesisht në transportin ajror që dominon mbi të tjerët. “Alaska zë vendin e parë për nga numri i aeroplanëve privat,” thotë Jesse. “Ku ka më shumë shqiptarët në Alaska?” e pyes. Ai përgjigjet se në Anchorage ka rreth 1,000, në Bethel rreth 5,000 shqiptarë dhe në Fairbanks ka të ardhur të hershëm nga Kërçova, dhe shumë që kanë ardhur nga Korça nga vitet 1990. Një pjesë tjetër vijnë këtu nga Arizona, Texas, e Illinois. “Fëmijët e tyre janë punësuar në mjekësi, linja ajrore e zanate të tjera. Por është interesante të shikosh se shqiptarët janë lidhur me eskimo dhe në familjet e tyre tash ka fëmijë shqiptarë eskimezë,” vëren ai. E pyes me kureshtje edhe për shqiptarin e famshëm të qytezës Bethel, Alaska, të cilin e njohin me emrin Lincoln Selmani. Shqiptari taksist me origjinë nga Maqedonia vajti në Bethel për mundësi më të mira punësimi, dhe punoi për disa vjet me synim të merrte aty familjen dhe pastaj vazhdoi të punonte shumë vite të tjera si me një rutinë të njohur që tashmë numëron mbi pesëdhjetë vjet në Alaskë. “Emrin e ka Bilal, por më shumë është Lincoln,” komenton Jesse për ngjashmërinë fizionomike të shqiptarit që “njihet ngado” me emrin e presidentit amerikan.
“Shqiptarët në Alaska janë të suksesshëm sepse janë të bindur se kanë ardhur në vendin më të mirë të botës. Nga kjo bindje buron suksesi i tyre”, përfundon Jesse. Në pikën më të largët gjeografike prej Amerikës kontinentale nga veriu, lindja e perëndimi, ai ka arritur aty ku dëshiron të jetë.