Ledio Xhoxhi, Historian/
Aleksandër Xhuvani lindi më 14 mars të vitit 1880 në Elbasan, në familjen e priftit të fshatit Shtërmen, Papa Janit. Në vitin 1883 i vdes e ëma në moshë të re. Për rritjen e Xhuvanit kujdeset e motra. Më 1887 nis mësimet në shkollën fillore 4-vjeçare të lagjes Kalà në Elbasan. Në vitin 1891 fillon shkollën qytetase me tri klasë në gjuhën greke. Këtu merr mësime nga Tush Pina (Dhimitër Andrea Pina), njeri me ndjenja të flakta patriotike, përhapës i shkrimit shqip dhe ideve kombëtare. Prej tij, për herë të parë në klasë merr mësim në gjuhën shqipe. Më 1894 mbaron qytetasen dhe po këtë vit i ati i Aleksandrit kujdeset t’i japë të birit ndonjë zanat për të siguruar jetesën. Në verën e vitit 1895, ndonëse dëshira e tij ishte të shkollohej më tej, me këmbënguljen e të atit dhe i bindur prej tij, Xhuvani filloi punën si çirak orëndreqës tek Anastas Dodbiba.
Më 1898, në moshën 18 vjeçare, Xhuvani i frymëzuar nga atmosfera patriotike e krijuar në Elbasan, bashkë me disa shokë vendos rrugën e dijes. Në gusht të këtij viti, bashkë me Josif Haxhimimën dhe disa shokë të tjerë, me paratë që i dha e motra u nis për në Manastir të Maqedonisë për të vazhduar studimet në gjimnaz. Në vitin 1899, meqenëse i ati nuk e mbante dot me shpenzimet e veta, Xhuvanit iu dha bursë prej Patrikanës së Stambollit për të vazhduar studimet në gjimnazin e fshatit Çotil. Zjarri i lëvizjeve kryengritëse që ishte përhapur në Maqedoni (sot Maqedonia e Veriut) mundi të depërtojë edhe në gjimnaz. Xhuvani dhe shokët e tij njihen me idetë e lëvizjes kombëtare nëpërmjet revistave dhe librave që qarkullonin fshehurazi.
Më 1901 mbaron për tre vjet shkollën e mesme katërvjeçare. Në vitin 1902 shkon në Stamboll me shokun e afërm të klasës Frederik Antoriadhi, me origjinë greke, i cili me miratimin e prindërve e mban në shtëpinë e tij disa muaj për të kaluar pushimet verore. Në fund të verës, sipas këshillës së babait të Frederikut, Xhuvani bashkë me shokun e tij, shkon në Athinë për të vazhduar universitetin. Aleksandër Xhuvani i ndihmuar nga shqiptarët që jetonin në Athinë siguron bursën nga një mirëbërës grek i quajtur Varika, i cili kishte lënë testament që pasuria e tij të përdorej për zhvillimin e arsimit. Xhuvani u regjistrua në Fakultetin e Filologjisë. Më 1905 dalin në shtyp artikujt e parë. Shkrimi i parë i Aleksandër Xhuvanit është “Mendime mbi çështjen e ‘ë’-së”. Në të trajtohen probleme që lidhen me kulturën e gjuhës letrare. Ndonëse student, problemin e vështirë të gjuhës letrare shqipe e trajton me frymë kombëtare dhe me objektivitet në artikullin e dytë të botuar “Për themelin e një gjuhe letrare”. Këta artikuj i boton në “Albania” me pseudonimin Dok Sula. Që në bankat e universitetit nis interesimin për problemet e gjuhës shqipe.
Në Athinë, gjatë vitit 1906, takohet me Luigj Gurakuqin e me shqiptarë të tjerë dhe njihet me Ismail Qemalin. Xhuvani i drejton dy lutje Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë; njërën për të ndjekur kurs normal pranë Kolegjit “Korsini” dhe tjetrën për të dhënë mësimin e gjuhës shqipe gjatë nëntorit të vitit 1906. Ministria kërkoi mendimin e Prof. Batinjatit që ishte Rektor i Institutit. Ky iu përgjigj ministrisë duke lavdëruar kulturën e Xhuvanit. Gjatë këtij viti vazhdon të botojë shkrime gjuhësore në “Albania” dhe në “La Nazione Albanese” me pseudonimet Dok Sula dhe Castrensis.
Në janar të vitit 1907, me ndihmën e Luigj Guarkuqit dhe pas miratimit të lutjeve nga Ministrija e Punëve të Jashtme të Italisë, Xhuvani fillon për herë të parë punën si mësues i gjuhës shqipe në kolegjin arbëresh të Shën Dhimitër Koronës. Në këtë kolegj më parë kishte dhënë mësim poeti i madh arbëresh Jeronim De Rada.
Më 1908 punon për të përfunduar një gramatikë të gjuhës shqipe si dhe mëson gjermanishten. Më 22 tetor të vitit 1909 shkolla e mesme e Shën Dhimitër Koronës lëshon një certifikatë për punën e mirë të Xhuvanit si mësues i gjuhës shqipe në kolegjin arbëresh. Më 1 dhjetor po të këtij viti, kur nis punën Normalja e Elbasanit, Xhuani i përgjigjet me kënaqësi ftesës për t’u bërë mësues i shqipes në shkollën e parë të mesme të Shqipërisë. Përveç gjuhësisë ai u ngarkua të zhvillonte historinë dhe gjuhën frënge. Në vitin 1910, pas përfundimit të vitit shkollor, Aleksandër Xhuvani niset për në Korçë për një marrëveshje me shoqërinë “Përparimi”, për financimin dhe shtypjen e teksteve shkollore të cilat duheshin për vitin e ri shkollor. Në janar të vitit 1911, në faqet e gazetës “Shkrepëtima” ku punonte si redaktor dhe mbante barrën e kësaj gazete, boton artikullin “Nevojat shkollore”. Në këtë vit fillon me Fan Nolin, me të cilin lidhet miqësisht, polemikën për probleme gjuhësore. Në mesin e vitit 1911, për qëndrimin luftarak ndaj çështjeve kombëtare, xhonturqit e detyrojnë qeverinë egjyptjane të mbyllin gazetën “Shkrepëtima” nga e cila dolën vetëm 21 numra.
Në janar të vitit 1912 Xhuvani pajtohet si sekretar i shoqërisë “Vëllazëria” të kolonisë shqiptare në Aleksandri, shoqëri e krijuar për të mbrojtur të drejtat kombëtare të Shqipërisë. Më 1913, Xhuvani, i cili ndjek situatën e krijuar në Shqipëri pas Shpalljes së Pavarësisë, vendos t’a lërë detyrën e sekretarit të shoqërisë “Vëllazëria” dhe të kthehet në atdhe për të punuar në Shkollën Normale si drejtor i saj (1913-1914), e cila rihapet, gjithashtu këtë vit martohet.
Në vitin 1915 emërohet anëtar i Këshillit Arsimor te Durrësit bashkë me Sali Cekën. Më 1917, me rihapjen e Normales emërohet përsëri drejtor i saj (1917-1920). Thirret të punojë për disa muaj në Komisinë letrare të Shkodrës, krijuar me iniciativën e Luigj Gurakuqit për problemet e njësimit të gjuhës letrare. Më 1918 zgjidhet kryetar i shoqërisë kulturore–letrare “Qarku letrar i Elbasanit” si dhe kryetar i Komisionit letrar.
Gjatë vitit 1919, bashkë me popullin e Elbasanit proteston kundër veprimtarisë së delegacionit të Durrësit që ishte në dëm të integritetit kombëtar. Boton “Libri i gjuhës gramatike”, pjesa e parë për klasën e tretë të shkollës fillore. Më 1920 merr pjesë në Kongresin arsimor të Lushnjës me cilësinë e kryetarit të Komisionit organizues e drejtues. Më 2 tetor me dekret të Këshillit të Epërm, Aleksandër Xhuvani emërohet kryetar i Komisisë Letrare që funksiononte pranë Ministrisë së Arsimit. Boton “Libër i gjuhës shqipe”, pjesa e dytë për klasën e katërt të shkollës fillore.
Më 10 korrik të këtij viti i dërgon letrën e parë albanologut të shquar austriak Norbert Joklit. Nis kështu midis tyre një letërkëmbim i gjatë i cili vazhdon deri në vitin 1940. Po këtë vit Xhuvani njihet personalisht me Norbert Joklin në takimin që pati në hotelin “Huberthof” të Vjenës.
Më 1922, për të tretën herë caktohet drejtor i Normales (1922-1929) dhe boton të parën sintaksë të gjuhës shqipe për klasat e larta të fillores. Boton abetaren për shkollat fillore. Në vitin 1923, nën kujdesin e Xhuvanit ngrihet pranë shkollës Normale “Shkolla Ushtrimore”.
Në gusht të vitit 1924 merr pjesë në Kongresin Arsimor Kombëtar që u mbajt në Tiranë, ku merren vendime për forcimin e karakterit demokratik dhe kombëtar të arsimit. Gjatë vitit 1925 vazhdon të punojë si drejtor i Normales. Boton artikujt “Kujtesa”, “Fantazia” etj. Pas mbarimit të vitit shkollor thirret në Tiranë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit ku punon për shtatë javë bashkë me të tjerë për hartimin e ligjeve, rregulloreve dhe programeve mësimore.
Më 1926 boton “Fillime të pedagogjisë për shkollat normale e për mësuesit e fillores”, pjesa e dytë, për klasën e tretë të Shkollës Normale. Më 16 shkurt 1927, në Konferencën e mbajtur në Shkollën Ushtrimore të Normales në Elbasan, me rastin e 100–vjetorit të vdekjes së J. H. Pestalocit, Aleksandër Xhuvani flet mbi jetën, veprat dhe pedagogjinë e tij.
Gjatë vitit 1928 boton shkrime gjuhësore, letrare dhe për probleme të arsimit. Më 1929 fillon punën si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit ku punon për 4 vjet.
Gjatë vitit 1931 vazhdon krijimtarinë botuese, boton rreth 14 shkrime dhe tekste shkollore. Më 1933 boton “Fillime të pedagogjisë”, pjesa e parë, psikologji për Shkollat Normale. Fillon punën përsëri si drejtor i Normales (1933-1938). Më 1938 punon në Ministrinë e Arsimit si anëtar i Komisionit Teknik. Pushtimin fashist të vitit 1939 e pret me urrejtje. Ai shprehet kundër politikës dhe synimeve italiane për fashistizimin dhe italianizimin e shkollës shqiptare, kundër depërtimit të ideologjisë dhe kulturës fashiste në shkollë. Më 1940 Ministria e Arsimit e dërgon Aleksandër Xhuvanin në gjimnazin e Shkodrës me cilësinë e inspektorit për të hetuar gjendjen e shkaktuar nga revolta patriotike e nxënësve dhe mësuesve. Ai vihet në krye të kësaj revolte. Për qëndrimin antifashist më 16 tetor, Ministria e Arsimit e pushon nga puna. Aleksandër Xhuvani kthehet në Tiranë. Për qendrimin antifashist, gruaja e tij internohet në Porto Romano dhe burgoset në burgun e Burrelit. Me krijimin e Partisë Komuniste në Elbasan, djali i madh i Xhuvanit, Ptolemeu, bëhet anëtar i saj.
Më 16 korrik 1943 bie heroikisht në luftën e Pjoskës, Ptolemeu, djali i madh i Aleksandër Xhuvanit. Në vitin 1944, i ndodhur në Tiranë, përjeton nga afër luftën për çlirimin e saj. Heroizmin e kësaj lufte ai e përshkruan në letrën që i dërgon më 30 nëntor Sotir Koleas. Në vitin 1945 bëhet anëtar i Komisionit Iniciator për formimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Merr pjesë dhe flet në konferencën për krijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Zgjidhet nënkryetar i Komitetit drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve.
Më 1946, Aleksandër Xhuvani emërohet pedagog në Institutin pedagogjik 2-vjeçar që hapet më 20 dhjetor në Tiranë. Zhvillon lëndën histori e shkrimit dhe e letërsisë shqipe dhe arbëreshe. Më 28 janar 1947, me Vendim të Këshillit të Ministrave, Aleksandër Xhuvani emërohet shef i Seksionit të Gjuhës e të Letërsisë në Institutin e Studimeve të quajtur më vonë Instituti i Shkencave.
Më 1949 merr pjesë ne Kongresin Botëror të partizanëve të paqes që zhvilloi punimet në Francë. Me rastin e 40–vjetorit të Shkollës Normale, në dhjetor dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhrin e Punës të Klasit të dytë”. Më 1950, me propozim të kryetarit të qeverisë, Kryesia e Presidiumit të Kuvendit Popullor i jep Aleksandër Xhuanit titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Në korrik të vitit 1950, në legjislacionin e dytë të Kuvendit Popullor zgjidhet Nënkryetar i Presiumit të Kuvendit Popullor.
Më 1953 mban fjalën e hapjes në sesionin e pestë të Asamblesë së Institutit të Shkencave. Komisioni i lartë i atestimit, duke vlerësuar kontributin e Aleksandër Xhuvanit ne fushën e gjuhësisë, i jep atij gradën “Doktor i Shkencave” dhe titullin “Profesor”. Në vitin 1954, Xhuvani jep ndihmesë për hartimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe”. Me rastin e 45-vjetorit të themelimit të Shkollës Normale, Aleksandër Xhuvani nderohet me titullin “Urdhrin e Flamurit”.
Më 14 mars 1955 festohet 75-vjetori i ditëlindjes së Aleksandër Xhuvanit. Në këtë përvjetor Aleksandër Xhuvanit i dorëzohet “Urdhëri i Lirisë i Klasit të Dytë”. Gjatë vitit 1956 boton librin “Për pastërtitë e gjuhës shqipe”. Harton bashkë me E. Çabej punimin “Prapashtesat e gjuhës shqipe”.
Më 14 mars 1960, në Universitetin e Tiranës organizohet mbledhja me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes së prof.dr. Aleksandër Xhuvanit. Xhuvanit i dorëzohet “Urdhëri i Lirisë i Klasit të Parë”. Në vitin 1961 nxjer botimin e dytë të sistemuar shkencërisht të Fjalorit shqip-greqisht të Kostandin Kristoforidhit.
Më 22 nëntor të vitit 1961 pushon së rrahuri zemra e Aleksandër Xhuvanit. Më 24 nëntor, në Tiranë zhvillohet ceremonia e përcjelljes së arkivolit me trupin e Aleksandër Xhuvanit. Varrimi u bë në Elbasan.
p.s. Shkëputur nga botimi i autorit Ledio Xhoxhi, me titull “Aleksandër xhuvani dhe kontributi i tij në arsimin shqiptar”, botim i vitin 2016.