NGA ALFONS GRISHAJ/DIELLI
Filozofi i parë i civilizimit perëndimor, Talesi i Miletit, theksonte se, “Uji ështëqendra e jetës. Anaksimandri, nxënësi i Talesit shkonte në një drejtim tjetër, i cili theksonte se gjithçka ngrihetnga pafundësia dhe shkon në infinit. Kurse Anaksimenesi, nxënësi i Anaksimandrit thoshte: “Ajri është i rëndësishëm po aq sa uji”, dhe besonte se shpirti është formuar nga ajri. Ndërsa Pitagora, që besonte tek rinkarnimi, thoshte: “Jeta është lojë e numrave!”
Në të vërtetë të gjitha çfarë thonë tre filozofët e parë të perëndimit që studiuan burimin e jetës, kanë pasur rëndësi të padiskutueshme në mendimin filozofik përgjatë shekujve. Ndërsa definicionet e Talesit dhe Anaksimenesit janë më të lehta për t’u kuptuar, teoria e Pitagorës, duket shumë më e ndërlikuar. Prandaj po tentoj të ndalem tek “loja” e numrave të Pitagorës, për ta futur në hullinë time kompromentuese të këtij shkrimi.
Dikur, në një muzikal shqiptar, (Karnevalet e Korcës) një personazh i thoshte të shoqes në diskutim e sipër: “Olimbi, jeta është llogari!”. Skenaristi, duke synuar ta satirizonte personazhin, pa dashur, jep efektin e kundërt. E bën atë të këndshëm. Unë nuk e besoj se ai e njihte Pitagorën sa të citonte gati me përpikmëri thënien e tij. Po, ç’ t’ i bësh, logjika e numrave!
Në botë, loja e numrave është leva e Arkimedit për të lëvizur materien rreth nesh, pro dhe kundra. Siç dihet, luftërat fitohen me lojë numrash. Votat janë llogari numrash, por diku kanë tjetër funksion e diku tjetër. Në vendet e civilizuara ato janë elementet e mekanizmit që sjell ndryshimin në shoqëri. Në vendet e pazhvilluara, ku votat blihen me para, janë thjesht elemente statistikore, numërorë barku dhe jo ndërgjegjeje. E kështu mund të vazhdojë deri në “infinit” siç, thoshte Anaksimenesi.
Këtu fillon dhe tragjikomedia e shumë popujve. Varfëria e tejskajshme dhe humbja e shpirtit janë lojë e numrave! Robëria dhe nënshtrimi janë lojënumrash. Gjymtimi i kujtesës historike, harresa dhe rikthimi prapa…, po shaka numërorësh! Prishja e shumë familjeve dhe miqësisë, lojë numrash. Prostitucioni dhe bordellot, lojë e dhimbshme numrash. Shkatërrimi i solidaritetit, lojë numrash.
Loja e numrave, të len pa bukë, pa shtëpi, të copëton familjen. Nëse ndërgjegja e lirë do t’i mundte numrat, njeriu që vuan do kish qenë në paqe hyjnore me burimet që ia ka dhuruar Perëndia, por janë pikërisht lojtarët e këqinj të numrave që ngulen në çdo udhëkryq si barrikada të hekurta nëluftë të pabarabartë me viktimën. Dhe udhëkryqi është ekuacioni i banditëve politikë që militojnë 24/7.
Karl Jungu thoshte: “Natyra, ndonëse shpesh tregohet e errët dhe jo e tejdukshme, kurrë nuk tregohet dinake siç tregohet njeriu.”
Ngado të shkosh, injorantët politikë shtohen me një etje shtazore për të gërmuar minierën e numrave, sepse injoranca politike numërore ka një bark të madh që shpesh gremis dhe veten, si në rastin aktual në Amerikë. Krahu i majtë është dashnor i numërorëve pa djersë. Dhe ky vend lind dhe importon komisarë të kuq që robotohen me peticione amorfe, Markoviç për llogari të Ramës, emërohet Dukë Hudhra i Diasporës. Tjetri, Xhokeri i Thaçit dhe Vuçiqit. Lojë numrash o baba! Të heqim Richard Grenell! Opa, atij i çimentohet pozicioni…, dhe nëse Grenelli nuk e ka pasur ndërmend lojën e numrave kundër Dardanisë, tani mundet ta luajë atë i frymëzuar nga peticionistat e “zgjuar” që, në njërën anë hiqen Trampistë, në anën tjetër sofistë.
Megjithatë, askush nuk mund ta kthejë Zamzamin në shkretëtirë, përveç Zotit që e bëri për të shuar etjen e djalit të Abrahamit.
Sartre thoshte, “disa zgjedhje (numrash*) janë bazuar mbi gabimin, dhe disa mbi të vërtetën”, dhe unë këtë të fundit mundohem t’ua shpjegoj tinzarëve shqipfolës, sepse karma ka rrezë të gjerë, në mos sot… nesër të troket në derë.
————————————-
* Shtesë e imja