Senatori amerikan, John McCain, tha të hënën në Beograd se çdo gjë që ndodhë në Evropën Juglindore është me rëndësi jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale serbe më 2 prill.Senatori amerikan vlerësoi siç tha, përparimin e Serbisë në reformat drejt integrimeve evropiane, duke theksuar se Serbia luan një rol thelbësor si “fuqi e pajtimit” por edhe si ekonomi në rajon.
“Jam optimist se me kohë të gjitha vështirësitë e Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane do të tejkalohen”, tha senatori amerikan, i cili siç tha ka biseduar me kryeministrin serb edhe për rëndësinë e bisedimeve ndemjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
“Procesi i bisedimeve është i vështirë, por duke falënderuar presidentin (Tomislav)Nikoliç dhe Vuçiçin si dhe bashkëbiseduesit e tyre në Prishtinë, ky dialog ka sjellë përparime”, tha senatori McCain. Ai tha se duhet kurajë për vazhdimin e një procesi të tillë dhe se këtë mesazh do ta transmetojë edhe në Kosovë gjatë kësaj jave.Senatori McCain tha se bashkëpunimi i dy vendeve është me rëndësi për luftën kundër terrorizmit.”Jam krenar që Shtetet e Bashkuara edhe më tej janë partneri me aktiv ushtarak i Serbisë me mbi 90 veprimtari të përbashkëta në vit”, tha ai.Senatori McCain tha se mesazhi i tij për senatin, presidentin dhe popullin amerikan është se “ajo çfarë ndodhë në Evropën Juglindore është me rëndësi jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.Ai tha se me presidentin e zgjedhur serb ka biseduar edhe për faktin se, siç tha, dy luftëra botërore kanë filluar në këtë rajon dhe nuk duhet lejuar krijimin e një situate që do të përkeqësonte gjendjen në këtë zonë.Ai ka shprehur me këtë rast edhe shqetësimin e tij me sjelljen ruse, përfshirë edhe “përpjekjet e paradokohshme për të rrëzuar qeverinë në Mal të Zi”.Duke folur për zhvillimet e fundit në Siri, senatori McCain tha se Rusia pa dyshim kishte njohuri për përdorimin e armëve kimike nga forcat besnike të presidentit Bashar Al-assad.Kryeministri serb tha se me senatorin amerikan është diskutuar për çështjet që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë e rajonit, dhe pjesëmarrjen e Serbisë në stërvitjet përbashkëta ushtarake, ndërsa theksoi se gjatë bisedës ka nënvizuar këmbënguljen e Serbisë për qëndrim neutral ushtarak ndaj NATO-s dhe Rusisë.
Senatori McCain shkoi në Beograd pas vizitave në Slloveni e Kroaci, ndërsa gjatë javës do të qëndrojë në Bosnje, Mal të ZI, Kosovë dhe Shqipëri.