



Suksesi i shqiptarëve në disiplina të veçanta, institucione të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, institucione arsimore, politikbërje, diplomaci apo fusha të tjera, përbëjnë një krenari për mërgatën shqiptare të Amerikës dhe kombin tonë. Suksesi i shqiptarëve të lindur në Amerikë por që flasin shqip e ruajnë traditat më të çmuara kulturore, familjare e patriotike e atdhetare shqiptare, është frymëzim dhe emocion i veçantë për çdo të ri shqiptar që ka ëndrra dhe pasion për ti shërbyer Amerikës. Joseph Cubi filloi një rrugëtim të jashtëzakonshëm në Forcat Ajrore të Amerikës. Prestigj, përgjegjësi, sukses dhe krenari. Josephi është djali i Ilir Cubit, anëtarit të kryesisë së Vatrës dhe nipi i Marjan Cubit, atdhetarit që i kushtoi 43 vite çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Joseph Gjergj Cubi i angazhuar që i vogël në aktivitete kulturore komunitare e kombëtare u rrit me ndjenjat patriotike për të dashur atdheun e tij Amerikën dhe atdheun familjar shqiptarinë. Që prej datës 28 Shkurt të vitit 2024 ai bëhet pjesë e forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke shënuar jo vetëm një sukses por duke përmbushur dhe një falënderim për ndihmën që Amerika ka dhënë për çlirimin e Kosovës. Arritjet e të rinjve shqiptarë në mërgatë, janë suksese komunitare e kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.