Shkruan Ramiz Lushaj/
Bajram Haziri (Rrogami), i vllaznisë Gjomakaj (Gjon Maka), u lind më 2 tetor 1885 në Rrogam të Epërm të Kolgecajve, në rreth 300 m. lartësi mbidetare. Trungu i tij familjar ndihet i prejardhun nga Shkreli i Malësisë së Madhe qyshse në shek. XVII. Ndoshta kësaj kohe erdhën vet Gjon Mark Papa me dy djemtë e tij: Markun e Hasanin. Në brezni gjaku, këta Gjonmakajt e Rrogamit, janë kusherinj me Marash Vatën, bajraktarin e Shkrelit, figurë e lavdisë historike. Dera e Madhe e Gjomakajve (Rrogami), tue fillue nga Qerim Zymer Lulashi, njihet si “Oxhak” i madh, një nga dymbëdhjetë oxhaqet e Malësisë së Gjakovës (Malësisë së Mirë), i cilësuem edhe si ma i pari ndër këta oxhakë të kohës.
Kjo Derë e madhe e burrave të shquar, ky Oxhak i pushkës e i pleqnive, kjo familje e fisme e vitale në breza, krijoi lidhje të gjakut e pragut, miqësi e kumbari, me gjithato shtëpi me emër historik si me Abdullah Hoxhën e Gashit (var nga xhonturqit më 1908 në Gjakovë, sëbashku me Shaban Binak Alinë e Mulosmanëve), Mus Zenel Qelinë (vrarë nga malazezët në luftën e Moraçës), Grosh dhe Shpend Zeqir Haklaj të Gashit (nipa të Hazir Syl Rrogamit), Miftar Matoshin e Leniqit të Bytyçit (vra nga austro-hungarezët në Qafë të Luzhës), Tahir Bek Dini – bajraktari i Shipshanit (Bek Bajraktari – vrarë në Luftën e Nokshiqit), Col Isuf Agaj nga Hasajt e Babinës, Rexhep Uk Hysenaj nga Ahmatajt e Gashit, Elez Hysen Biberaj nga Shoshani i Krasniqes, Nikë Gjonin nga Gjonpepajt e Nikajve (kumar shpie), etj.
Bajram Hazir Rrogami u lind në vit lufte të përflakshme e të përgjakshme, kur në sythim të pranverës të vitit 1885 marshall Vesel Pasha ndërmori një ekspeditë ndëshkimore otomane kundër Malësisë së Gjakovës. Një nga prijësit e formacioneve me rreth 4.000 luftëtarëve aktiv të fiseve të saj ishte edhe Avdyl Qerim Zymeri i Rrogamit, që kishte në krah të tij edhe nipin e vet: Syl Qerim Zymerin, përndryshe: gjyshi i Bajram Hazir Rrogamit. Kontributi i tij luftarak u përjetësue në kangët historike:
Avdyl Rrogami n’armë të bardha,
Vesel Pashës po i del përpara:
-Ndalu Pashë, se k’tu s’ngreh çadra!…
…Avdyl Rrogami trim duhi,
Në nizamë po ban kërdi,
Shumë po i vret, shum’ po i mbyt n’Dri,
Mos me shkel turqit n’Malësi.
Me marrë nizam’, me marrë vergji…
Në këtë vit lufte (1885) otomanët e dogjën kullën e Gjomakajve të Rrogamit, por kësokohe kur zot shtëpie ishte Hazir Syl Qerimi, baba i Bajram Hazirit, kjo u ngrit edhe ma e madhe e ma e bukur, si një kështjellë malësore. Edhe dy herë të tjera u dogj kjo kullë: nga otomanët në vitin 1893 dhe nga sllavët në vjeshtën e vonë të vitit 1913.
Kulla e madhe e Bajram Hazir Rrogamit i ka ruajt në trupin e vet të gurtë gjurmët e predhave të topit të serbëve, që i kanë gjuejt nga Podi i Rasofës (Maja e Dhinë) kah koha e luftërave ballkanike, pasi brenda saj ishin prijtarë e luftëtarë të lirisë e pavarësisë shqiptare si Bajram Curri, Hysni Curri, Sali Man Mulosmani, Rexhep Abdullah Mulosmani, Cen Selimi nga Llugajt e Epërm, Osman Isuf Rrogami, Brahim Sadik Rrogami, Man Rexhep Zekukaj, Sadri dhe Bajrush Musnimanaj etj., të cilët kishin pesë ditë luftë të panderprerë në rrethim, derisa mundën me u tërhjek në drejtim të Shkodrës.
Historia e vlerëson pjesmarrjen e Bajram Hazir Rrogamit në Lidhjen e Dytë të Prizrenit (16-19 shtator 1943) si i vetmi delegat nga Malësia e Gjakovës.
Në dokumente të Kuvendit Themelues të kësaj Lidhjeje të ripërtrime figuron i njëzet e nanti në listën emrore, përkrah Sheh Musa Shehzade i Prizrenit, Rexhep Mitrovica nga Mitrovica, Xhafer Deva (mitrovicas, i ardhun nga Tirana), Lukë Simon Mjeda – delegat i Prizrenit, Asllan Boletini i Mitrovicës, Shemsi Ferri i Plavës – delegat i krahinës së Plavë-Gucisë, Bedri Bej Peja (pejan, me qëndrim në Tiranë), dr. Xhelal Mitrovica (mitrovicas, i ardhun nga Tirana), Sheh Hasani nga Prizreni, Sylejman Kryeziu i Gjakovës, Maz’har Sopoti (i pranuem si delegat i Tiranës në Shqipërinë Londineze), Mentor Çoku nga Ohri (delegat i Strugës), Qemal Karahoda nga Prizreni, Tahir Zajmi i Gjakovës, Qazim Bllaca i Suharekës, Xhevat Begolli i Pejës, Adem Kurtaga i Rozhajës (sot – komunë në Mal të Zi), Mahmut Shabanpasha i Prishtinës, Mehmet Devaj i Gjilanit, Hasan Dashi i Gjakovës, Bejtullah Haxhiu i Rahovecit, Nuredin Haliti i Suharekës, Rexhë Metë Ulaj i Vuthajve – delegat i Plavë-Gucisë, Bahtjar Qaflleshi i Dragashit, Haxhi Xheledini i Shkupit, Nexhip Basha i Pejës, Jusuf Jahja i Tetovës, Safa Ulqini – delegat i Ulqinit (sot – komunë në Mal të Zi), Bajram Gashi i Pejës – delegat i Istogut, Halim Shuku i Gjakovës – delegat i Ferizaj, Ahmet Lusha i Tetovës, Esad Berisha i Gjilanit, Bedri Gjinaj i Mitrovicës, Shahin Cami i Dibrës, Lutfi Spahiu i Kolesjanit – delegat i Bicaj në Shqipërinë Londineze, Aqif Bluta i Pazarit të Ri – delegat i kryeqëndrës së krahinës të Sanxhakut, Hasan Zvediç nga Senica – delegat i Sanxhakut (krahinë etnike shqiptare, e pushtueme nga Serbia), Vehbi Hamzagaj nga Senica – delegat i Sanxhakut, Remzi Ragibi i Gostivarit, Jusuf Agushi i Prishtinës dhe Rrustem Ymeri i Dibrës.
Bajram Haziri Rrogami e ktheu kullën e tij në bazë të randësishme të LANÇ, pasi aty u strehuan antarët e Shtabit të Kosmetit (Kosovës e Metohisë – Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit) si Ymer Pulaj, Mehmet Hoxha, Metush Grezda, Xhevdet Grezda, etj.; luftëtarë nga Shkodra që erdhën partizanë në Malësi të Gjakovës si Fahri Ramadani (Hero i Popullit), Bajram Hebovija,Muho Qamo, Isa Agoviku, etj.; disa partizanë në kohën e Operacionit Armik të Dimrit si Mehmet Dermani nga Vuthajt e Plavë-Gucisë – një nga firmëtarët e Konferencës së Bujanit, mjeku Vojo Kërçiku nga Durrësi, Teofik Meçja nga Pogradeci, etj.
Nga kulla e tij në vitin 1944 u nis çeta me krye aksionin e saj në Qafë të Morinës me Mehmet Mulosmanin, Rexhep Molikën e Gjongecajve (që u plagos në këtë betejë), Ram Qerim Bashkurtin, Bajram Gjonin, Haxhi Nikoçin, Brahim Zeqirin, Ukë Buçaj, Teofik Meçe, dy partizanë malazezë, etj.
Në shtator 1943 Bajram Hazir Rrogami e çoi djalin e tij, Rrustemin, partizan në batalionin “Bajram Curri”, “Rinia”, brigadën XXV-S, brigadën VII-S , duke luftue deri në trevat shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, ku titullohet oficer (1944) dhe pas çlirimit (pushtimit komunist) kryen detyra të randësishme ushtarake në Korçë, etj. dhe nderohet me dekorata të larta.
Në maj të vitit 1953 forcat e sigurimit të shtetit komunist shqiptar e arrestojnë Bajram Hazir Rrogamin në kullën e tij, çka i befasoi të gjithë malësorët e Tropojës, pasi njihej në popull si luftëtar i lirisë dhe i pavarësisë kombëtare shqiptare. Tre ditë pas arrestimit, rreth 30 forca policore me toger Ramadan Gjokën, kryejnë përmbysje e bastisje në kullën e tij në Rrogam dhe ia marrin pjestarët e familjes dhe ia çojnë në kambë deri në DPB në Bajram Curri, ku i burgosin përkohësisht gruan e tij, Shemen dhe vajzën 18 vjeçare, Rushën. Ato lirohen prej andej vetëm kur e vrasin pa gjyq Bajram Hazir Rrogamin, të cilit ende edhe sot nuk iu ka gjet varri. Mbi familjen e tij dhe pasardhësit fillon persekutimi komunist, gjersa duan t’i internojnë për në Tepelenë, bashkë me familjen dymbëdhjetë antarëshe të mikut të tij, Sali Tahir Bajraktarin e Kasajve, një familje me histori epokale që mbajti lart në shekuj bajrakun e Shipshanit.
shpati says
shume mire
shpshani nuk ka patur bajraktar.ata ka qen me gashin