
Dr. Jonila Godole/
Të dashur miq, le t’i hedhim një sy në këtë fundvit ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e kujtesës dhe mënyrën se si shoqëria dhe politika shqiptare (nuk) i trajtoi ato. Mund të shtoni natyrisht edhe data apo ngjarje të tjera që ju kanë bërë përshtypje, këtu kam shënuar ato momente kyçe që mua më kanë bërë përshtypje. 20 Shkurt 2021Në 30-vjetorin e rrëzimit të statujës së diktatorit Hoxha nuk pati asnjë ceremoni zyrtare shtetërore në përkujtim të kësaj dite që shënoi thyerjen e frikës dhe goditjen përfundimtare të regjimit. Të vetmet aktivitete u zhvilluan në kuadër të Memory Days organizuar nga IDMC dhe KAS. Ende nuk dihet nga publiku i gjerë se data 20 shkurt është caktuar si Dita e Përkujtimit të Viktimave të Regjimit Komunist në Shqipëri, dhe është flagrante që nuk pati asnjë ceremoni për të nderuar mijëra të vrarë, të burgosur dhe të internuar.11 Mars 2021Kandidatja për deputete në Tiranë, Luljeta Bozo, deklaroi në RTSH24, emisionin televiziv “Dekalog” të gazetarit @Roland Qafoku se “koha e Enverit” kishte pasur më shumë të mira se të këqija. Platforma Europiane e Kujtesës përmes një deklarate i kërkoi lidershipit të PS të distancohet nga deklarata dhe ta rivlerësojë kandidimin e saj në kryeqytet. Por asgjë nga këto nuk ndodhi; kryeministri e mori në mbrojtje kandidaten duke i akuzuar të përndjekurit politikë që reaguan, si dhe institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare si “baltaxhinj”. 30 Prill 2021U dëmtua me grafiti memoriali ne hyrje te Bllokut ne Tirane, i quajtur „Postblloku“ qëi simbolizon terrorin e regjimit komunist dhe eshte vendosur ne kopshtin e viles ku ka jetuar dikur Mehmet Shehu, vepër e publicistit Fatos Lubonja dhe artistit Ardian Isufi (2013). Pas denoncimit të bërë në media dhe rrjetet sociale, dhe sidomos pas angazhimit të institucioneve ndërkombëtare në rrugë formale dhe joformale, Memoriali u rehabilitua nga Bashkia e Tiranës, në heshtje dhe jashtë vëmendjes mediale.Maj 2021Shqipëria u prezantua në Biennalen e Venecias me konceptin e fqinjësisë së mirë gjatë komunizmit përkundër të huajtjes dhe ftohtësisë gjatë ditëve të sotme duke e ilustruar këtë me skena të filmit “Në shtëpinë tonë”, prodhim i Kinostudios i vitit 1979 dhe filma të tjerë. Ministria e Kulturës që e mbështet këtë projekt nuk bëri asnjë deklaratë për kritikat që erdhën nga shoqëria civile për mungesën e reflektimit kritik mbi kontekstin dhe referencat e asaj kohe. Për analogji, do të ishte e paimagjinueshme që të ashtuquajturit “filma kulturorë” (Kulturfilm) të propagandës naziste gjatë viteve 1930, si “Der Kampf um den Himalaya” (Beteja për Himalajën), “Der Berg des Schicksals” (Mali i fatit), “Olympia” etj, të përdoreshin sot si referencë e besueshme për të treguar epërsinë fizike të gjermanëve!!24 Korrik 2021Pa asnjë debat publik dhe diskutime me grupet e interesit, qeveria del se ka ngarkuar arkitektë britanikë të kthejnë vilën e ish diktatorit Hoxha në një „qendër kulturore dhe një vend për imagjinatë dhe debat“. Vila përdoret edhe sot e kësaj dite për pritje të zyrtarëve të huaj dhe për aktivitete promovuese qeveritare. Rast flagrant ishte festimi i 30-vjetorit të UNDP në Shqipëri, në një ceremoni madhështore, ku nuk u përmend asnjë herë të vetme se në cilin truall po festohej dhe me cilën histori lidhet shtëpia. Nga ana tjetër, edhe Piramida, e ndërtuar si një lloj mazoleumi i diktatorit pas vdekjes së tij, u vendos të kthehet në një qendër për teknologjinë e informacionit, pa debat publik dhe përfshirje ne diskutime të grupeve të interesit. https://exit.al/…/enver-hoxha-villa-to-be-turned-into…/30 Gusht 2021Kryeministri Rama deklaroi se ndihej krenar për vëmendjen që qeveria e tij u ka kushtuar ish të përndjekurve të diktaturës duke i dëmshpërblyer plotësisht ata që vuajtën në burgje. Këtu bëhej fjalë për një informacion të pavërtetë: Qeveria Rama 1 dhe 2 vendosën të japin shpërblime vetëm për ish-të burgosurit politikë që jetojnë bazuar në listat që gjetën nga qeveria e mëparshme më 2013, por përjashtuan kategoritë e tjera si të internuarit, etj. Dy muaj më vonë, ish-kreu i KLSH, Bujar Leskaj, do të deklaronte në fjalën e tij në parlament, se detyrimi ndaj të përndjekurve politikë është shlyer në masën 40%, ndërkohë që ngelen ende 60% për t’u shlyer (31 miliardë lekë) që me ritmin e tanishëm do të thoshte 31 vjet të tjera.21 Tetor 2021Aranit Çela, një nga prokurorët më famëkeq të regjimit komunist, i përfshirë personalisht në mbi 650 gjyqe politike, u nda nga jeta në moshën 98-vjeçare në shtëpi dhe jo në burg, ku do duhej të kishte qendruar pas dënimit të tij të parë. Çela qe dënuar me vdekje për “krime kundër njerëzimit”, por më 24 korrik 1996 dënimi i tij dhe i dy personave të tjerë (drejtori i fundit i Sigurimit, Zylyftar Ramizi dhe ish-prokurori i përgjithshëm Rrapi Mino) u anullua dhe u kthye në 25 vjet burg. Pas kthimit të socialistëve në pushtet më 1997, gjykatat rishqyrtuan pretendimet paraprake për krime kundër njerëzimit dhe Gjykata e Apelit vendosi më 20 tetor 1997 të heqë akuzat kundër Ramiz Alia dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë pasi ata “nuk mund të dënoheshin për veprime që nuk ishin të paligjshme në kohën kur u kryen”. Ndërkohë të gjithë kishin dalë nga burgu gjatë trazirave të vitit 1997, ca qenë fshehur brenda apo jashtë vendit.18 Nëntor 2021Në vilën e diktatorit Hoxha promovohet libri “Të lirë” i Lea Ypit me iniciativë të qeverisë dhe në prani të trupit diplomatik. Ndërsa tre javë më vonë, 9 Dhjetor 2021, dokumentari „Diktatori“ i gazetarit dhe autorit Blendi Fevziu shfaqet në Kinema për përfaqësuesit e trupit diplomatik, me ftesë të Ministrisë së Jashtme. Në këto raste del dukshëm në pah një politikë e kahershme e restaurimit estetik të socializmit që po ndiqet nga qeveria socialiste. Synimi është së pari, promovimi i veprave që qeveria mendon se duhet të përcaktojnë narrativën e re si duhet të mendojmë për diktaturën: si një fatkeqësi që na ra, por që pllakosi edhe gjetiu, dhe që sidoqoftë nuk ishte aq kriminale, për sa kohë njerëzit ishin „të lirë“ të jetonin dhe ndiqnin ëndërrat e tyre (fabula e përmbledhur e librit „Të lirë“). Këtu nuk ka si mos të të bjerë në sy që veprat e intelektualëve dhe shkrimtarëve të njohur si Fatos Lubonja „Jetë burgu“ apo Agron Tufa „Ngjizja e papërlyeme“, botuar në të njëjtën kohë, por me qasje krejt të ndryshme ndaj diktaturës sesa libri i prezantuar më sipër, nuk morën asnjë jehonë në media. Dhe së dyti, angazhimi maksimal i qeverisë për t’u treguar ndërkombëtarëve një PS moderne, e cila nuk është trashëgimtare e PPSH dhe krimeve të diktaturës. Kjo strategji ka edhe një arsye tjetër, më afatgjatë, pasi synon indirekt t’i „vjedhë“ kauzën e të përndjekurve politikë PD-së, e cila siç u shpreh kryeministri Rama më 30 gusht 2021, „do duhej të kishte qenë kali i betejës së PD për një shtet më demokratik, dhe që nuk ia doli“ dhe që ai dhe PS po ia dilte ta përmbushte edhe këtë boshllëk. Natyrisht dënimi i krimeve të komunizmit u përket të gjitha partive politike ta bëjnë, dhe pikërisht këtë PS nuk e ka bërë asnjëherë seriozisht deri më sot.28 Nëntor 2021Deputeti socialist Bujar Çela uron festën kombëtare duke evokuar figurën e diktatorit Hoxha dhe nuk tërhiqet nga kjo deklaratë as në ditët në vijim megjithë presionin e opinionit publik. Sipas tij, E.H. “ka kontribute, nuk është nul”. Partia Demokratike reagon kundrejt kësaj deklarate duke premtuar së shpejti propozime konkrete për ligjin e dekomunistizimit dhe dënimit të simboleve komuniste.29 Nëntor 2021Teatri Kombëtar njofton leximin skenik të veprës „Prefekti“ shkruar nga Besim Levonja, ku denigrohet dhe shtrembërohet figura e Qazim Mulletit, kryetar i bashkisë së Tiranës në vitin 1939-1940 dhe prefekt në vitet 1942-1944. Kjo ngjarje provokoi debat të madh në opinionin publik se si duhen trajtuar figurat historike nga këndvështrimi i të dhënave të reja që disponojmë këto 30 vjet për ta. Familja Mulleti u shpreh se do ta ndjekë çështjen ligjërisht, në mënyrë që të ndalojë shfaqjen apo leximin publik të kësaj vepre sa kohë prishet imazhi dhe denigrohet emri dhe kujtimi i të afërmit të tyre.13-15 Dhjetor 2021OSBE organizoi konferencën ndërkombëtare me titull: „Zhdukjet me forcë dhe në mënyrë të pavullnetshme në kohën e diktaturës dhe të kaluarës autoritare…“, ku morën pjesë studiues të njohur të drejtësisë tranzitore brenda dhe jashtë vendit, historianë e familjarë të familjeve të prekura. Tema e konferencës hapi debat mes disa studiuesve vendas në aspektin terminologjik, nëse termi „të zhdukurit“ mund të përdorej për të pushkatuarit me apo pa gjyq gjatë diktaturës, eshtrat e të cilave nuk gjenden, por krimi ndaj tyre është i njohur publikisht. Diskutime hapi edhe çështja e numrit të personave që janë ende pa varr, prej shumë vitesh qarkullon shifra 6,000 persona, por sipas studiuesve kjo shifër nuk është e saktë. Nga ana tjetër, gjatë konferencës u kritikuan iniciativa parimisht pozitive si ajo e ICMP, por që në fund dështoi duke mos dhënë rezultat, dhe duke e përdorur shumën e akorduar për identifikimin e ADN-së së eshtrave, tekefundit për projekte ndërgjegjësuese akorduar shoqatave dhe individëve. Vetë ICMP dhe institucionet shqiptare partnere ia kanë hedhur fajin e dështimit mungesës së vullnetit të prokurorisë për të dhënë leje për zhvarrimet. Deri më tani opinioni publik nuk është njohur me asnjë listë të familjarëve që kërkojnë eshtrat, me asnjë listë totale të atyre që rezultojnë të pagjetur, si dhe me asnjë listë të plotë të vendvarrimeve pranë ish-burgjeve dhe kampeve të punës gjatë diktaturës. Ndërkohë, gjatë vitit që lamë pas u ndanë nga jeta shumë të burgosur politikë, si Uran Kostreci, Sherif Merdani, Qani Beqo Sadiku, etj, vepra e të cilëve meritonte nderim të veçantë në këto 30 vjet. I paharruar qoftë kujtimi i tyre!!