
Intervistoi: Sokol Paja/
1. E nderuar Danjeza, si lindi ideja për të kandiduar në këshillin e qytetit në Oshawa, Ontario, Kanada dhe cila është platforma juaj elektorale?
Jam anëtare e ACPAC (Albanian Canadian Political Action Committee), një komision që synon të promovojë përfaqësimin e komunitetit shqiptar dhe të inkurajojë angazhimin e tij aktiv në proceset vendimmarrëse të vendit. Propozimi për kandidaturën time erdhi nga kryesia e ACPAC-it. Platforma ime elektorale bazohet në mbrojtjen e interesave të banorëve të Ward 1 në City of Oshawa. Ndërsa North Oshawa po rritet me ritme të përshpejtuara, unë angazhohem të jem një zë i fortë për komunitetin tonë dhe për nevojat e tij në zhvillim. Shtyllat kryesore të fushatës sime janë mbështetja e zhvillimit dhe diversifikimit ekonomik të zonave rurale përmes bujqësisë, agrobiznesit dhe fermave lokale, duke mbështetur fermerët tanë, prodhimet lokale dhe forcimin e ekonomisë rurale, e cila përbën një nga shtyllat kryesore në Ward 1 dhe një burim të rëndësishëm të vendeve të reja të punës.
Gjithashtu, angazhohem për një komunitet që investon tek të rinjtë, duke u krijuar atyre mundësi për t’u përfshirë në vullnetarizëm, aktivitete komunitare dhe procese vendimmarrëse lokale. Mbështes zgjerimin e mundësive për strehim të përballueshëm për familjet e reja dhe të moshuarit në nevojë, si dhe menaxhimin e përgjegjshëm, transparent dhe efektiv të taksave të qytetarëve, duke siguruar që çdo dollar i taksapaguesve të investohet në shërbimet dhe nevojat prioritare të komunitetit.
2. Cili ka qenë angazhimi juaj në qytetin e Oshawa, fokusi juaj, pozicioni dhe nismat tuaja për komunitetin?
Jetoj në City of Oshawa prej më shumë se 10 vitesh dhe gjatë kësaj kohe kam ndërtuar lidhje të forta me komunitetin ku jetoj dhe shërbej. Si Kryetare e Regjionit Durham për ACPAC, kam pasur privilegjin të njoh dhe të bashkëpunoj me anëtarët e komunitetit shqiptar në Oshawa, të cilët përbëjnë rreth 0.6% të popullsisë së qytetit. Mbështetja dhe endorsementi i tyre për kandidaturën time, në përputhje me kërkesat e Municipal Elections Act, është një nder dhe një përgjegjësi që e vlerësoj thellësisht.
Kandidatura ime për Këshillin Bashkiak të City of Oshawa është apartiake dhe bazohet tërësisht në shërbimin ndaj komunitetit. Për gati një dekadë kam kontribuar si vullnetare në mbështetje të grave dhe fëmijëve të prekur nga dhuna ne familje, gjithashtu kam kontribuar për familjet me të ardhura të ulëta që kanë nevojë për strehim, si dhe jam pjesë e komisionit dhe kryetare bordi për komunitetin shkollor. Çdo rol që kam marrë përsipër ka qenë i pavarur, vullnetar dhe pa ndikim partiak, me një qëllim të vetëm: t’u shërbej njerëzve dhe të ndihmoj në përmirësimin e komunitetit ku jetoj.
Sot nuk po kërkoj vetëm një votë. Po kërkoj besimin e qytetarëve të Oshawa-s për të vazhduar të njëjtin mision shërbimi në një nivel më të lartë. Dua ta sjell përvojën time si vullnetare, dëgjimin e zërit të komunitetit dhe përkushtimin tim ndaj qytetarëve në tryezën e vendimmarrjes së City of Oshawa, në mënyrë që çdo vendim të reflektojë nevojat, prioritetet dhe interesat e banorëve që kam pasur privilegjin t’i shërbej nepermjet punës vullnetare për më shumë se 10 vjet.
3. Cilat janë disa aspekte specifike të qytetit Oshawa ku kandidoni dhe ku e mbështesni suksesin e garës suaj elektorale?
City of Oshawa, dhe në veçanti Ward 1 ku unë kandidoj, është një zonë e larmishme që përfshin segmente të ndryshme të komunitetit me profile të ndryshme demografike, përfshirë emigrantë, familje të reja, profesionistë, sipërmarrës dhe fermerë. Ktu është një elektorat i përzier, me nevoja, prioritete dhe pritshmëri të ndryshme, që pasqyrojnë diversitetin, dinamizmin dhe vitalitetin e komunitetit tonë.
Ndërsa pjesa veriore e Oshawa-s vazhdon të zgjerohet me ritme të përshpejtuara, kjo rritje kërkon njohuri të qarta mbi zhvillimin dhe zgjerimin e qytetit, si dhe mbi ndikimin që ky zhvillim ka tek banorët dhe cilësia e jetës së tyre. Në të njëjtën kohë, Oshawa është një nga qytetet e Greater Toronto Area ku taksat e pronës janë ndër më të lartat, prandaj qytetarët duhet të informohen dhe të kenë transparencë të plotë mbi mënyrën se si menaxhohen dhe shpenzohen taksat e tyre.
Gjithashtu, rritja e vazhdueshme e popullsisë, e nxitur nga pozicioni strategjik i qytetit, po e bën gjithnjë e më të domosdoshëm investimin në qendra komunitare, programe për të rinjtë dhe shërbime që u përgjigjen nevojave të një komuniteti në zhvillim. Të gjitha këto, së bashku me çështjet që kam paraqitur në platformën time, përfaqësojnë prioritete thelbësore për komunitetin dhe taksapaguesit e Ward 1. Pikërisht përqendrimi tek këto çështje dhe angazhimi im për t’i përfaqësuar ato në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe efektive janë ato që e dallojnë platformën time nga kandidatët e tjerë dhe që po priten me mbështetje pozitive nga komuniteti.
4. Një shqiptare që kandidon për një pozicion kaq të rëndësishëm në qytetin Oshawa, çfarë ndjesie keni?
Jam shumë e nderuar që, përmes kandidaturës sime, përfaqësoj komunitetin shqiptar në Kanada. Kjo më bën të ndiej një përgjegjësi edhe më të madhe, pasi kam privilegjin të përfaqësoj një komunitet të respektuar, të suksesshëm dhe me kontribute të çmuara në jetën publike, ekonomike dhe shoqërore të vendit.
Komuniteti shqiptar ka investuar dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë kanadeze. Tashmë besoj se ka ardhur koha që, përmes përfaqësuesve të tij, të jetë më aktiv edhe në politikën vendore, duke garuar në zgjedhjet lokale dhe duke marrë pjesë drejtpërdrejt në proceset vendimmarrëse të pushtetit lokal.
5. Si po ecën fushata? Cila është strategjia e fitores dhe marrëdhënies me publikun dhe bindja për elektoratin gri?
Fushata sapo ka filluar dhe për herë të parë, përmes Gazetës Dielli dhe për të gjithë shqiptarët e diasporës, veçanërisht shqiptarët në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë të prezantoj zyrtarisht faqen time të internetit. Përmes saj, të gjithë të interesuarit pavarësisht nëse janë apo jo pjesë e komunitetit mund të njihen më në detaje me mesazhin tim, prioritetet dhe pikat kryesore të platformës sime elektorale. Gjithashtu, ata që dëshirojnë të mbështesin fushatën mund të japin kontributin e tyre financiar nëpërmjet donacioneve ne website Danjeza Danglli — A New Voice for North Oshawa: https://danjezadanglli.ca/
Strategjia ime për fitore mbështetet në fitimin e besimit të qytetarëve përmes dëgjimit me vëmendje të shqetësimeve dhe prioriteteve të tyre, duke i vendosur ato në qendër të angazhimit tim publik. Besoj në një qasje të përgjegjshme, pa bërë premtime që nuk mund të mbahen, por duke qenë një zë i fortë dhe i qëndrueshëm në mbrojtje të interesit publik. Për mua, politika lokale është mbi të gjitha një shërbim ndaj qytetarëve dhe një përgjegjësi ndaj taksapaguesve, duke e vënë veten në funksion të nevojave, interesave dhe mirëqenies së komunitetit që synoj të përfaqësoj.
6. Kush është Danjeza Danglli?
Unë jam një grua, një nënë, një qytetare e angazhuar dhe një profesioniste në fushën e jurisprudencës dhe planifikimit strategjik. Gjatë 18 viteve të jetës sime në Kanada, karriera ime profesionale është zhvilluar në ndërthurje të vazhdueshme mes sektorit publik dhe atij privat.
Si pjesë e sektorit rregullator pranë Professional Engineers Ontario (PEO), kam shërbyer si anëtare e Complaints Committee (Komitetit të Ankesave), një detyrë që e kam ushtruar deri në vitin 2022. Në këtë rol, kam bashkëpunuar ngushtë me profesionistë të njohur në fushat juridike dhe inxhinierike. Në vitin 2022, u emërova Policy and Strategic Planning Advisor pranë Advisory Committee on Standards for Voting Technologies, komisioni përgjegjës për zhvillimin e standardeve të teknologjive të votimit në Provincën e Ontarios. Njëkohësisht, shërbeva si anëtare e ekipit që hartoi standardet për sistemet elektronike të votimit, siç janë electronic poll books dhe vote tabulators.
Përmes këtij angazhimi, pata privilegjin të bashkëpunoj me figura të njohura të lidershipit institucional, akademik dhe publik në Kanada, duke kontribuar në iniciativa me ndikim të rëndësishëm për proceset demokratike dhe administratën publike.
Pas ndryshimeve ligjore të janarit 2024, drejtova një nga projektet më të rëndësishme të transformimit dhe modernizimit të të dhënave zgjedhore për të 444 bashkitë e Ontarios, një nismë që synonte rritjen e efikasitetit, saktësisë dhe integritetit të administrimit zgjedhor në të gjithë provincën.
Përtej angazhimit tim profesional, kam një interes të veçantë për politikën dhe çështjet publike, të cilat i ndjek dhe i studioj rregullisht. Më pëlqen të lexoj, të shikoj filma, të udhëtoj dhe të zbuloj vende të reja. Sporti zë gjithashtu një vend të rëndësishëm në jetën time. Gjatë verës, një pjesë të mirë të kohës e kaloj duke luajtur basketboll me vajzën time.
Kanadaja më ka dhuruar edhe një pasion tjetër që është kayaking, një sport që vazhdoj ta praktikoj me shumë kënaqësi. Gjithashtu, më pëlqejnë veçanërisht udhëtimet me makinë gjatë stinës së vjeshtës, kur peizazhi kanadez shfaq ngjyrat e tij më të bukura dhe të paharrueshme.
Besoj se përvoja ime profesionale, angazhimi qytetar dhe përkushtimi ndaj shërbimit publik më kanë ndihmuar të kuptoj më mirë sfidat dhe mundësitë që formësojnë shoqërinë tonë. Vazhdimisht synoj të kontribuoj në iniciativa që promovojnë transparencën, integritetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të institucioneve dhe komuniteteve ku jetoj e veproj.
Motoja ime është: “Mëso çdo ditë, edhe kur mendon se nuk ke nevojë.”
7. Cila është historia e familjes suaj dhe historiku i emigrimit në Kanada?
Bashkëshorti im ka qenë dhe mbetet mbështetësi im më i madh. Edhe pse ai nuk merr pjesë drejtpërdrejt në fushatën që kam nisur, për shkak të pozicionit që mban në Bashkinë e Qytetit dhe në respekt të politikave të vendit të tij të punës, ai më ka përkrahur vazhdimisht në çdo hap të rrugëtimit tim. Sot, ne jemi prindër krenarë të vajzës sonë, Aria. Edhe pse vetëm 13 vjeçe, ajo është tashmë e angazhuar në shërbim të komunitetit përmes punës së saj vullnetare, duke treguar vlera dhe përkushtim që na bëjnë jashtëzakonisht krenarë.
Si familje, ne zgjedhim ta investojmë kohën e lirë, energjinë dhe përkushtimin tonë në shërbim të komunitetit. Besojmë se një komunitet i fortë ndërtohet nga njerëz që kujdesen për njëri-tjetrin, dhe kjo është arsyeja pse angazhimi qytetar ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës sonë. Pikërisht kjo më bën të ndihem më krenare për familjen që kemi ndërtuar së bashku.