

Intervistoi: Sokol Paja/
1. Zonja Sako si lindi ideja për të kandiduar në Senatin e shtetit të Michigan? Cila është platforma juaj elektorale?
Vendimi për të kandiduar nuk ishte i menjëhershëm. Pas rikonfigurimit të kufijve zgjedhorë (redistricting), mora vazhdimisht telefonata nga drejtues dhe përfaqësues të Partisë Demokratike që më nxisnin të kandidoja për këtë vend në Senat. Fillimisht nuk doja të hyja në garë. Megjithatë, në ditët e fundit përpara mbylljes së afatit të kandidimeve, vendosa ta pranoja këtë sfidë për shumë arsye, personale dhe profesionale.
Ky kandidim është rezultat i shumë viteve angazhimi në komunitet, në arsim dhe në jetën publike. Si mësuese, si emigrante dhe si nënë, kam parë nga afër sfidat me të cilat përballen familjet e zakonshme. Kam kuptuar se ndryshimi nuk vjen vetëm duke folur për problemet, por duke marrë përgjegjësi për t’i zgjidhur ato.
Motoja ime gjatë kësaj fushate është “From Banks to Gas Tanks”, sepse familjet amerikane po ndiejnë presion ekonomik në çdo aspekt të jetës së përditshme.
Platforma ime bazohet në nevojat reale të qytetarëve: uljen e kostos së jetesës, forcimin e arsimit publik, zgjerimin e aksesit në kujdesin shëndetësor dhe shëndetin mendor, mbështetjen e bizneseve të vogla, mbrojtjen e tokave bujqësore, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe politika tregtare që mbrojnë konsumatorët dhe ekonominë lokale. Besoj se politika duhet të vendosë njerëzit në qendër të çdo vendimmarrjeje.
2. Cili është angazhimi politik në Distriktin 24 dhe thirrja juaj për shqiptarët për të të mbështetur?
Kandidoj si përfaqësuese e Partisë Demokratike për Senatin e Shtetit të Michiganit në Distriktin 24, i cili përfshin Bruce Township, Macomb Township, Ray Township, Washington Township, Village of Romeo, si edhe pjesë të Clinton Township dhe Shelby Township.
Ky është një distrikt me karakteristika shumë të ndryshme – nga zonat bujqësore te komunitetet urbane dhe ato në zhvillim – dhe pikërisht ky diversitet kërkon një përfaqësim që dëgjon dhe punon për të gjithë.
Prioritetet e mia janë mbrojtja e arsimit publik, përmirësimi i infrastrukturës, mbështetja e fermerëve dhe bizneseve të vogla, ulja e kostos së jetesës, transparenca në qeverisje, mbrojtja e të drejtës së votës, politika humane për emigracionin dhe mbrojtja e mjedisit.
Mbështetja që kam marrë vjen nga populli; nga mësues, prindër, fermerë, punëtorë, të rinj, pensionistë dhe qytetarë që besojnë se politika duhet të jetë në shërbim të komunitetit.
Shqiptarëve në Amerikë dhe kudo në botë u bëj thirrje të vazhdojnë të angazhohen në jetën publike. Ne kemi nevojë për më shumë përfaqësim në institucionet amerikane. Kemi nevojë të angazhojmë brezin e ri dhe të krijojmë hapësira ku zëri shqiptar të dëgjohet dhe të respektohet. Mbështetja e tyre nuk është vetëm për mua, por edhe për përfaqësimin e vlerave tona: punës, ndershmërisë dhe përkushtimit ndaj komunitetit.
3. Ku e mbështesni suksesin e garës suaj elektorale?
Senati i Shtetit të Michiganit është një nga institucionet më të rëndësishme vendimmarrëse, ku miratohen ligje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve: arsimin, ekonominë, shëndetësinë dhe sigurinë publike.
Besoj se suksesi i kësaj gare mbështetet vetëm te besimi i njerëzve. Përveç komunikimit në rrjetet sociale, kam trokitur derë më derë, duke dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe duke ndërtuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me ta. Për mua, politika fillon duke dëgjuar.
4. Një shqiptare që kandidon për një pozicion kaq të rëndësishëm në Michigan për të qenë zëri i fuqishëm qytetar, çfarë ndjesie keni?
Është një under shumë i madh, por edhe një përgjegjësi shumë e madhe. Nuk është e lehtë! Marrja e besimit të qytetarëve dhe nominimi si kandidate më kanë dhënë edhe më shumë përgjegjësi dhe motivim për të punuar pa u lodhur, në mënyrë që zëri i qytetarëve të dëgjohet aty ku merren vendimet.
Për mua, kjo nuk është thjesht një garë politike, por një mision për t’i përfaqësuar qytetarët me dinjitet.
Kam ardhur në Amerikë me ëndrra, si mijëra shqiptarë të tjerë. Ky vend më dha mundësinë të ndërtoj jetën time, të arsimohem, të punoj dhe të kontribuoj për komunitetin.
Një mbështetje e jashtëzakonshme gjatë gjithë këtij rrugëtimi ka qenë bashkëshorti im, Astriti. Pa besimin dhe mbështetjen e tij, ndoshta nuk do ta kisha pasur guximin të merrja vendime kaq të rëndësishme, të cilat nuk i kisha menduar kurrë si pjesë të planeve të mia.
Sot ndihem krenare që kam mundësinë t’i shërbej vendit që më hapi dyert dhe vendit ku djali im po ndërton të ardhmen e tij, pa harruar asnjëherë rrënjët e mia shqiptare. Shpresoj që kandidimi im të jetë frymëzim për vajzat dhe gratë shqiptare, por edhe për çdo emigrant që beson se puna, integriteti, sakrifica dhe përkushtimi mund të të çojnë drejt suksesit.
5. Si po ecën fushata? Cila është strategjia e fitores dhe bindja e elektoratit gri?
Fushata po ecën me shumë energji dhe optimizëm. Qëllimi im është të jem vazhdimisht pranë qytetarëve, në lagje, në aktivitete komunitare dhe në bizneset lokale.
Strategjia ime është e thjeshtë: dëgjoj, komunikoj dhe punoj. Nuk premtoj atë që nuk mund ta realizoj. Flas për zgjidhje konkrete dhe për bashkëpunim.
Premtimi im më i madh është se do të jem gjithmonë pranë qytetarëve. Do të jem e pranishme në komunitet, do t’i dëgjoj shqetësimet e tyre dhe vendimet e mia do të udhëhiqen nga interesi publik, jo nga interesa të veçanta apo grupe lobuese.
Elektorati i pavendosur nuk kërkon retorikë politike; ai kërkon sinqeritet, kompetencë, transparencë dhe vendime të marra duke dëgjuar qytetarët. Pikërisht këtë përpiqem të ofroj në çdo takim dhe këtë dua të vazhdoj të bëj edhe pasi të jem zgjedhur në Senat.
6. Kush është Edlira Sako?
Jam mësuese, studiuese, aktiviste komunitare, bashkëshorte dhe nënë. Kam lindur dhe jam rritur në qytetin e Lushnjës, një qytet me rëndësi të veçantë në historinë e Shqipërisë, ku u mbajt Kongresi i Lushnjës në vitin 1920.
Pikërisht në atë qytet u formuan shumë nga vlerat që më kanë udhëhequr gjatë gjithë jetës: dashuria për arsimin, respekti për demokracinë dhe bindja se çdo njeri ka përgjegjësi për komunitetin ku jeton.
Kam përfunduar studimet në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës dhe më pas vazhdova studimet në Wayne State University në Psikologji dhe Shkenca Politike. Aktualisht jam duke përfunduar studimet Master në Psikologji Këshillimore.
Prej shumë vitesh punoj në sistemin arsimor amerikan dhe besoj fort se arsimi është investimi më i rëndësishëm për të ardhmen.
Aktualisht shërbej në dy borde dhe komitete komunitare dhe kam qenë e angazhuar në organizata që promovojnë pjesëmarrjen qytetare, edukimin dhe zhvillimin e komunitetit.
Në kohën e lirë më pëlqen të lexoj, të kaloj kohë me familjen dhe të jem pranë natyrës.
Motoja ime është:
“Mos hiq dorë kurrë nga ëndrrat e tua. Puno me ndershmëri, shërbe me përulësi dhe lër pas një komunitet më të mirë se ai që gjete.”
7. Cila është historia juaj e familjes dhe emigrimit në Amerikë?
Kam lindur dhe u rrita në Shqipëri, ku përjetova vitet e fundit të regjimit komunist dhe periudhën e tranzicionit demokratik. Këto përvoja më mësuan të vlerësoj lirinë, demokracinë dhe përgjegjësinë qytetare.
Në vitin 2012 emigrova në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen time, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë për djalin tonë. Fillimi nuk ishte i lehtë. Ashtu si shumë emigrantë, nisëm gjithçka nga e para. Me punë të palodhur, studime dhe përkushtim, ndërtuam një jetë të re.
Sot ndihem krenare që kontribuoj për komunitetin si mësuese, aktiviste dhe tani si kandidate për Senatin e Shtetit të Michiganit.
Historia ime është dëshmi se ëndrra amerikane vazhdon të jetë e mundur për ata që punojnë fort, besojnë te vetja dhe nuk dorëzohen kurrë.
Në të njëjtën kohë, ajo është edhe historia e një shqiptareje që nuk i harroi kurrë rrënjët e saj dhe që beson se suksesi merr kuptim vetëm kur u shërben të tjerëve.
Besoj se rrënjët tona shqiptare na japin identitet dhe krenari, ndërsa mundësitë që na ofron Amerika na japin përgjegjësinë për të kontribuar dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Për mua, ky kandidim është një mënyrë për të nderuar të kaluarën time, për të përfaqësuar komunitetin ku jetoj dhe për t’i shërbyer vendit që sot e quaj shtëpi.