
Nga prof. Viola Isufaj/
I. Një fener dritëbutë që na prin udhën paqësisht
Një thënie prekëse në mënyrën më të pazhurmshme, një thirrje e paqtë sa edhe trandje, kujtesë për atë që kemi humbur, një fener që na heq udhën që e paskemi lënë pas, teksa na pushtoi harresa. Digjemi pa e ditur as ne për një rikthim tek thelbi i përbashkët i njerëzimit (përkundrejt individualizmit që pushtoi mendjet tona!), për rigjentjen e konfiguracionit shpirtëror të humbur.
Në Shqipëri, përplasjet e vazhdueshme kanë krijuar një klimë të ashpër, ku dialogu është zëvendësuar nga akuzat, grindjet dhe përbetimet politike- të gjitha këto janë bërë tregues i simptomave të një harrese më të thellë njerëzore, ndërsa interesi i përbashkët kombëtar mbetet në hije.
Shumë shqetësuese është përçarja mes shqiptarëve edhe përtej kufijve të shtetit amë, një fenomen i ri dhe i dhimbshëm. Kur Shenjta Tereze thotë “i përkasim njëri-tjetrit”, ajo flet për një lidhje që shkon përtej kufijve, përtej dallimeve. Nëse shqiptarët fillojnë të shohin njëri-tjetrin si të huaj, si rivalë, atëherë humbet vetë kuptimi i kombësisë. Paqja nuk lidhet vetëm me mungesë të konfliktit, por me prani të ndjenjës së përkatësisë. Rikthimi te vëllazëria, te bashkimi shpirtëror dhe kulturor ka qenë dhe mbetet gjithmonë forca e shqiptarëve.
Në një tjetër nivel, në nivelin global: kriza ekonomike, luftërat, emigrimi dhe migrimi masiv, polarizimi ideologjik dhe teknologjia që më shumë na largon sesa na afron kanë çuar në një zbehje të ndjeshmërinë ndaj njëri-tjetrit. Kur harrojmë se çdo njeri është pjesë e të njëjtit njerëzim, patjetër i bëhet vend zilisë, frikës, urrejtjes, racizmit, izolimit. Paqja përbotësuese, një ideal i largët e i vagullt tashmë, më shumë se me traktate do të ndërtohej me ndërgjegje kolektive, me rikthimin te humanizmi. Nëse secili prej nesh do të ndjente se i përket tjetrit, bota do të ishte më e butë, më e drejtë, më e paqtë.
Kur njeriu e sheh veten të ndarë nga tjetri, lind dhe vetmia e madhe ekzistenciale, ankthi ekzistencial, konflikti dhe mungesa e kuptimit. Nuk e kemi në ndërgjegjie se jemi të lidhur në mënyrë të pashmangshme në një rrjet të madh kolektiv me ndjenjat, nevojat, dëshirimet, pësimet dhe vuajtjet e njëri-tjetrit. Ne jemi dhe kemi qenë pjesë e pandashme e familjes së madhe njerëzore. Mirëpo, kur harrojmë këtë lidhje të shenjtë, nuk dëgjojmë tjetrin, nuk e kemi durimin për të pritur për të mësuar. Gjykojmë shpejt.
Siç thotë Nëna e Shenjtëruar: Ne do të kemi paqe kur të kujtojmë atë që kemi harruar: që i përkasim njëri-tjetrit.
II. E gjithë gjeografia shqiptare si një e vetme në udhëtimin shpirtëror e kombëtar (26 gusht – 5 shtator)
Ndër studiuesit që i kanë kushtuar vëmendje të posaçme e studime Nënës Terezë, kësaj figure emblematike që përbashkon “universalitetin e virtytit njerëzor dhe shenjtërinë hyjnore” është prof. dr. Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (Shkup).
Duke qenë midis njerëzores dhe hyjnores, ajo u mundua të na tregojë se “thellë në natyrën e njeriut bashkëjetojnë flijimi, ndërgjegjësimi dhe besimi, si tre komponentë që e bëjnë të veçantë qenien njerëzore. Nga studimet e shumta që i janë bërë jetës dhe veprës së Shën Nënës Terezës, rezulton që angazhimi i saj nuk ishte thjesht bamirësia… por flijimi, sepse flijimi, sipas Shën Nënë Terezës paraqet shkallën më sipërore në të cilën ndodhet vetëdija e njeriut për ta bërë të lumtur tjetrin duke hequr dorë nga lumturia personale”-ka arsyetuar ai.
Madje, shí për këtë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, në vitin 2020 themeloi Departamentin për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë.
Manifestimet kushtuar Ditëve të Nënës Terezë, që shtrihen nga 26 gushti, dita e lindjes së saj, deri më 5 shtator, përvjetori i ndarjes nga jeta, janë një udhëtim shpirtëror e kombëtar dhe, siç e shpreh prof. Asani, e gjithë gjeografia shqiptare bëhet një e tërë: nga Shkupi ku ajo lindi, te Tirana ku prehen nëna dhe motra e saj, nga Prishtina te Prizreni i trungut familjar, e deri te Struga e poezisë dhe solidaritetit. Në këtë hapësirë të gjerë kujtese, drita e Gonxhës shndërrohet në urë bashkimi e frymëzimi, duke na kujtuar se ajo nuk është vetëm shenjtore e botës, por edhe bija jonë, që me veprën e saj e ka bërë kombin shqiptar pjesë të historisë universale të humanizmit.
Nënë Tereza na mëson se një komb i vogël mund t’i dhurojë botës një dhuratë të madhe, ashtu si një Gonxhe e vogël mund të bëhet kurorë e njerëzimit- vijon prof. Asani- Prandaj, sot, duke përulur zemrat tona, shpallim se drita e saj nuk ka perënduar: ajo vazhdon të ndriçojë nga Shkupi në Kalkutë, nga gjiri i popullit tonë deri te mbarë njerëzimi.
III. Berat, 5 nëntor 2025, përurimi i shtatores së bronxtë të Nënës Terezë
Ndër aktivitetet që u zhvilluan këtë vit për ditët e Shënjtës Terezë në mbarë hapësirat shqiptare, përmes një emocioni të rrallë dhe një pastërtie të dridhshme buruar nga vetë shpirti i Nënë Terezës dhe nga puna e mrekullueshme e Klubit Letrar “Në gjurmët e Dodonës”, në bashkëpunim me Bashkinë e Beratit, erdhi edhe ky bashkim i shqiptarëve që jetojnë e punojnë në mjedise të ndryshme gjeografike dhe kulturore brenda dhe jashtë trevave tona. Ky klub ka sjellë në Berat aktivitete që tashmë kanë lënë gjurmë si: Konkursin Poetik në mars të vitit 2025 dhe Festivalin “Dodona”, një festë kulturore që bashkoi të vegjëlit në piano dhe violinë duke e kthyer qytetin në një qendër të melodisë klasike. Një takim i madh, një festim i kujdesshëm dhe i vetëpërmbajtur por dhe plot madhështi në zemër të qytetit.
Ngjarja ishte e madhe në thelbin e vet sepse duke iu përkushtuar plotësisht një shqiptareje të madhe, e përkujtoi atë me nderim të thellë e të sinqertë dhe përbashkoi natyrshëm rreth saj botën shqiptare, pavarësisht përkatësisë fetare apo dallimeve kulturore. Ky aktivitet letrar përkujtimor gati-gati u kthye në një ngjarje në përmasat e një momenti historik që takon bashkësinë e shqiptarëve nga treva të ndryshme, duke krijuar një lidhje dashurie dhe kompaktësie të veçantë.
Një ceremoni në pallatin e kulturës “Margarita Tutulani” të Beratit, një aktivitet me titullin: “Paqja fillon me një buzëqeshje” për të nderuar jetën, veprën dhe mesazhin e saj të përjetshëm, ndjekur nga akordimi i çmimeve për ese të konkursit kushtuar posaçërisht Shenjtores Nënë Tereze, u vijua nga vendosja e shtatores së derdhur në bronx në lulishten e këndshme pranë bibliotekës “Vexhi Buharaja” në tingujt solemnë të bandës muzikore të qytetit. Prerja e shiritit, zbulimi i shtatores dhe buzëqeshja e saj mes pemeve dhe luleve sikur të kish mbirë prej tyre përçuan përjetimin e ndjesisë se ajo, Nëna Terezë, përmes kujtimeve, vlerësimit të thellë dhe përfaqësimit të kësaj shtatoreje kishte qenë në të vërtetë, përherë aty.
Presidentja e Klubit Letrar artistik, organizuesja kryesore e kësaj veprimtarie, znj. Ana Tisi shprehu falënderime “për punën madhështore dhe gjithë mundin e shpirtit të tij artist, zotit Nezir Ago, skulptori i mirënjohur i qytetit tonë.” Shtatorja, kjo vlerë e vyeshme e punuar nga artisti N. Ago iu dhurua qytetit nga Klubi letrar “Në gjurmët e Dodonës”, mbështetur dhe nga dashamirësit e artit dhe dashuruesit e veprës së Nënës Terezë, të cilët dhuruan me gjithë zemër për përfundimin e kësaj vepre që thirri rreth saj shqiptarët ngado që ndodheshin.
Ky bashkim i madh shton rëndësinë e kësaj ngjarjeje në rravgim të një simboli të unitetit, respektit dhe dashurisë për figurat e mëdha që na frymëzojnë.
Në fjalën e saj, në hapje të ceremonisë, presidentja e Klubit Letrar dhe Artistik “Në gjurmët e Dodonës” tha se Berati, qyteti i një mbi një dritareve, i shpallur pasuri e UNESCO-s, është një dëshmi e gjallë e historisë, kulturës dhe shpirtit shqiptar. Ky qytet është një thesar ku arti dhe krijimtaria lulëzojnë.”
Në këtë ngjarje morën pjesë me praninë dhe fjalën e tyre të mençur mbajtur për nder të bijës së kombit dhe të gjithë botës, Nënës Terezë:
– Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Republikës së Indisë në Shqipëri, zoti Ravindra Prasad Jaisal, i cili e nderoi skenën dhe të pranishmit;
– Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, zoti Skënder Durmishi, i cili përshëndeti aktivitetin dhe solli mesazhe universale për çdo njeri, anekënd botës, sa dhe për kombin tonë, të dashurisë dhe të mbështetjes për njëri-tjetrin.
– Kryetari i Bashkisë Berat, zoti Ervin Ceca i cili dëshmoi dhe një herë mbështetjen e pakursyer për të gjallëruar jetën kulturore dhe shpirtërore të vendit.
– Prof. Dr. Ejup Ajdini, ligjërues në Universitetin e Tetovës, figurë fort e dashur nga studentët dhe nxënësit. Prof. Dr. Ejup Ajdini tha se figura e Nënës Terezë është simbol i përgjithësimit botëror për humanizëm.
Politika e ekskomunikimit e ndjekur në sistemet diktatoriale, veçmas në Maqedoni, synoi të linte në errësirë edhe figurën e Nënës Terezë, deri në harresë të plotë, por ajo me humanizmin dhe këmbëngulësinë e saj arriti të shpërthejë nëpër qendrat e ndryshme botërore, duke filluar nga Kalkuta e Indisë dhe ky shpirt i lartë human dhe tejet njerëzor arriti që ta sensibilizojë të vërtetën duke bërë thirrje dhe duke u angazhuar drejtpërdrejt me botën e njerëzve me nevoja të veçanta. Ashtu si ka thënë dhe më parë prof. Ajdini, ajo preku ndërgjegjen e botës e për këtë bota e kuptoi realisht dhe i ndau çmimin Nobel. Por ajo edhe më tej, deri në frymën e fundit, u angazhua në misionin e saj të shenjtë dhe sot jemi dëshmitarë të kësaj kohe; që në vitin 2016 u emërua edhe shenjtore e u përcoll me nderime të mëdha nga mbarë opinioni botëror.
Adhurim dhe mirënjohje të pamatë përmes vargjeve kushtuar Nënës Terezë, shprehu përcjellësi i vlerave të kulturës sonë në botën gjuhës sllovene e kulturat sllave, si dhe anasjelltas, z. Nikollë Berishaj. Shkrimtar, poet, përkthyes, eseist, një shqiptar i shkëlqyer nga Mali i Zi, Tuz, laureat i çmimit më të lartë slloven për përkthimin e letërsisë – Çmimit Pretnar, krahas cilit jepet edhe titulli i nderit Ambasador i letërsisë dhe gjuhës sllovene dhe kulturave sllave, mes të tjerash, përkthyes i romanit të Ismail Kadaresë, “Prilli i Thyer” në gjuhën sllovene dhe i shumë veprave të tjera të autorëve të rëndësishëm.
– Prof. Dr. Adem Zejnullahu, studiues i letërsisë gojore dhe i letërsisë së shkruar shqipe, shkrimtar, profesor në universitetin e Prizrenit, me fjalën e mbajtur, i shtoi vlerat dhe dinjitetin aktivitetit mbarëkombëtar, si dhe u shpreh gjatë fjalës së tij.
Profesor Anton Nikë Berisha, fitues i shumë çmimeve si dhe i nderuar me Dekoratën Nënë Tereza akorduar, nga presidenti i Shqipërisë për studimet letrare dhe veprat për Nënën Terezë, ndër njohësit më të mirë dhe më të thellë të esencës së veçantë të figurës së Nënës Terezë.
Profesorit Anton Nikë Berisha i takonte fjala kryesore në aktivitet, pasi mes kontributetve serioze mbi të gjithë veprimtarinë e Shenjtëreshës, ai ka bërë një sintezë të dritës shpirtërore dhe një pasqyrim të rolit të njeriut përballë Krishtit. Kështu, ishte prof. Anton Nikë Berisha ai që kapi thelbin teologjik, udhëtimin shpirtëror e letrar të Nënës Terezë. “Të merresh me Nënën Terezë është të hysh në lutjet dhe letrat e saj, ku çdo fjali është e mbushur me etjen e Krishtit: ‘Kam etje’.” Kjo etje ndaj Krishtit shndërrohet në boshtin që e lidh të djeshmen me të sotmen.
Edhe pse fjalët e tyre burojnë nga horizonte të ndryshme kohore dhe kontekstuale, ato bashkohen në një bërthamë të përbashkët: bindjen se jeta merr kuptim vetëm atëherë kur jetohet për Krishtin dhe për dashurinë që e shndërron njeriun, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit. Studiuesi ka theksuar që më parë se pa lutjen, as Shën Pali as Nëna Terezë nuk do të mund të përballonin peshën e misionit të tyre hyjnor. Ata ishin misionarë të pashoq të dashurisë hyjnore dhe profesori në librin e tij, “Shën Pali dhe Nëna Tereze”, në nënkapitullin e tretë të pjesës së parë, titulluar: “Shën Pali dhe Nëna Tereze – vegla të Hyjit” na ka treguar se asnjë nga këto dy figura nuk i shihnin veprimet e tyre si vepra personale. Ata e dinin se ishin instrumente në duart e Zotit. Shën Pali e shprehte këtë: “Jo unë, por hiri i Hyjit në mua”. Nga ana tjetër, shenjtëresha Nëna Terezë thoshte: “Çdo frymëmarrje imja është akt dashurie për Zotin” – çfarë na dëshmon se misionarët e vërtetë veprojnë për të bërë të dukshme dashurinë e Zotit në njerëzimin në botë. Në nënkapitullin e katërt të pjesës së dytë me titull: “Përvujtëri dhe dashuri e pazakonshme për të varfërit”, autori përshkruan se përvujtëria është themeli mbi të cilin qëndron dashuria e vërtetë.
Shën Pali e quante veten “shërbëtor të Krishtit”, ndërsa shenjtëresha Nëna Tereze, duke jetuar mes varfërisë, e dëshmoi se dashuria bëhet e besueshme vetëm kur shoqërohet me përvujtëri. Libri “Shën Pali dhe Nëna Tereze”, tek i cili e pamë të udhës të ndalojmë shkurtimisht tani, për të kuptuar më mirë fjalën e mbajtur në ceremoni nga prof. dr. Anton Nikë Berisha, nuk le pa theksuar e shpjeguar dhe përmasën komunitare të misionit hyjnor: dashuria bëhet e prekshme kur kalohet nga një person tek një bashkësi e tërë – siç ndodhi dhe këtë ditë në qytetin e Beratit.
Prej Presidentes, shkrimtares Ana Tisi, u falënderua dhe studiuesi Përparim Kabo, profesori i dashur dhe mirënjohur i filozofisë, i cili librin “Epistolate – Antropologji fryme”, ia dhuroi Klubit artistik të qytetit “Në Gjurmët e Dodonës”. “Vjen të jesh drita jonë” – një shkrim frymëzues dhe i ndjerë, një pjesë i të cilit u lexua në sallë gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve.
Në këtë aktivitet zgjodha të sjell përmes leximit copëza të teksteve të Nënës Terezë, përplot kumte të shenjta, shoqëruar nga tingujt e violinës së instrumentistit të talentuar të orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar S. Sinamati. Maestro Spartak Sinamati, violinisti virtuoz të Orkestrës së RTSH-së, krijoi një gjendje të veçantë në sallë sidomos përmes pjesës muzikore që kishte përgatitur për pjesën e dytë të aktivitetit.
Në ceremoni morën pjesë rreth 15 “Ambasadorë për Paqen” nga bashkitë Berat dhe Kuçovë.
Kryetari i Këshillit Rajonal për Paqen për qarkun e Beratit, Ymer Hoxha dhe anëtar i Kryesisë së Federatës për Paqen Universale përshëndeti takimin në emër të Federatës për Paqen Universale dhe kryetarit të saj z. Dëfrim Methasani, si dhe përcolli te të pranishmit pesë parimet më të rëndësishme ku mbështet veprimtarinë Federata e Paqes Universale Shqipëri.
Zotit Arben Qafa, drejtor i Bibliotekës dhe Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani”, Berat, iu shpreh mirënjohje për të gjithë mbështetjen dhe përkushtimin e tij në mbarëvajtjen e aktivitetit.
Të pranishëm ishin dhe miqtë poetë, kolegë të klubeve të tjera letrare, profesorë e pedagogë: zoti Ligor Shyti, Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri”; zoti Kreshnik Hajdari, Kryetar i Bashkisë Kuçovë; Zonja Evisa Cela, Kryetare e Këshillit Bashkiak, Berat; Zoti Agim Desku, pedagog e shkrimtar i Kosovës; zoti Marin Sopi, i ftuar i Kosovës; zonja Xhemazije Rizvani, gazetare e mirënjohur dhe dinjitoze e Shkupit; profesoresha Vjollca Berisha, pedagoge, shkrimtare e aktiviste; profesoresha Lili Sula, studiuese pedagoge e Universitetit të Tiranës; zoti Shkëlqim Ago, shkrimtar e publicist; zoti Arqile Mjeshtri, mjek; zonja Luiza Daci, mësuese e gjuhës angleze, Kuçovë; zoti Sadri Imeri, i ftuar nga Mitrovica; zoti Erald Shoshari dhe të tjerë.
Anëtarët e jurisë për konkursin e organizuar në nder të Shenjtëreshës Terezë, integriteti dhe përkushtimi i të cilëve u vu në dukje nga presidentja, ishin:
Dr. Olimbi Velaj: studiuese, pedagoge e Universitetit “Aleksandër Mojsiu” të Durrësit e poete e nderuar me çmime e vleresime kombëtare e ndërkombëtare, z. Behar Gjoka, studiuesi i mirënjohur i letrave shqipe dhe shkrimtar, anëtar i shumë jurive të nderuara për letërsinë, studimet dhe publicistikën, njëherësh Kryetar i Jurisë në fjalë; dr. Ermelinda Kashah: studiuese, pedagoge nga Universiteti “Eqerem Çabej” i Gjirokastrës; znj. Klarita Islami: mësuese e letërsisë dhe e gjuhës shqipe; z. Sokol Ferro: mësues i letërsisë e gjuhës shqipe.
Fituese e Çmimit të Madh “NËNË TEREZA” u shpall znj. Sherina Dyrma. Përpos këtij çmimi, u dhanë edhe për autorët e tjerë fitues: Çmimi “MARTIN CAMAJ”; Çmimi “ARSHI PIPA”; Çmimi Special “DODONA”; ndërsa për gjimnazistët: Çmimi “NËNË TEREZA”; Çmimi “ONUFRI” dhe Çmimi “VEXHI BUHARAJA”.
Një përshëndetje e përzemërt shkoi së fundmi për të 37-të pjesëmarrësit në konkursin me ese për nder të Nënë Terezës dhe veçanërisht për fituesit që nderuan aktivitetin me praninë, mirënjohjen dhe dashamirësinë e tyre: “Falënderoj secilin prej jush, që pranuat ftesat, morët rrugët nga brenda kufijve të vendit dhe nga të gjitha trevat jashtë tij e u bëmë një zemër e madhe që rrahu fort kur ra mbulesa dhe zbuloi shtatoren e Nënës Terezë në zemër të qytetit” – e mbylli takimin znj. Ana Tisi, organizatorja e kësaj veprimtarie.