Shqiptarët në Ballkan kanë nevojë për njerëzit e tyre në Amerikë/
-Anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj dhe delegacionin shqiptaro-amerikan së Kosovë/
-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj: Shqiptarët në Ballkan kanë nevojë për njerëzit e tyre në Amerikë. Kisha kënaqësinë të nderojë Mark Gjonaj me dekoratën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, me motivin e lartësimit të vlerave shqiptare kudo që janë, por veçanërisht në Amerikë
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 27 Shkurt 2019/ Në Prishtinë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim anëtarin e Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj dhe delegacionin shqiptaro-amerikan.
Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, tha se ka kënaqësinë të nderojë Mark Gjonaj me dekoratën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, me motivin e lartësimit të vlerave shqiptare kudo që janë, por veçanërisht në Amerikë.
Kryeministri Haradinaj tha se gjatë takimit janë diskutuar tema të ndryshme, nga shqetësimet e punët e Kosovës, punët e shqiptarëve kudo që jetojnë.
“E kemi një situatë festimi më 3 mars, ku shqiptarët votojnë për Këshillin e Tuzit dhe ftojmë shqiptarët të votojnë dhe t’i gëzohen komunës së vet”, tha kryeministri Haradinaj, duke ftuar edhe institucionet e Malit të Zi që t’i gëzohen këtij suksesi të shqiptarëve në Tuz.
Kryeministri Haradinaj tha se shqiptarët në Ballkan kanë nevojë për njerëzit e tyre në Amerikë, që të vazhdojnë të qëndrojnë afër temave të Kosovës në Amerikë.
Ndërsa, anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, tha se është një nder i veçantë prania e tyre sot në Kosovë.
“Pasioni dhe emocionet që kam teksa kaloja në bulevard dhe mbërritja në Prishtinë te ky popull dhe komb i mrekullueshëm është diçka që do ta kujtoj edhe për shumë vite tjera që do të vijnë. Bujaria e kryeministrit Haradinaj dhe çiltërsia e tij janë të jashtëzakonshme”, tha Gjonaj, duke shtuar se dialogu mes tyre dhe kryeministrit Haradinaj do të vazhdojë.
Gjonaj tha se në takimin e sotëm diskutuan për interesin e axhendës nacionale, të ardhmen e Kosovës, veçanërisht raportet mes Kosovës dhe komunitetit të shqiptarëve që jetojnë në Amerikë.
“Faleminderit për mikpritjen tuaj dhe punën që po e bëni dhe punën që do ta bëjmë së bashku në të ardhmen që të mbrojmë historinë, kulturën, njerëzit tanë dhe shqiptarët kudo që jetojnë nëpër botë”, theksoi ai.
Për këtë takim, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar në ‘facebook’:
Nder i veçantë ta pres anëtarin e Këshillit Bashkiak të New York City, Mark Gjonaj, dhe delegacionin e shqiptaro-amerikanëve. Në një bashkëbisedë të hapur për zhvillimet në Kosovë, pozitën dhe rolin e faktorit shqiptar në gjeopolitikën ballkanike, u pajtuam se ruajtja e unitetit për të drejtën dhe të vërtetën tonë garanton avancimin e interesave tona në rajon dhe më gjerë. Shqiptarët, si pjesë e vizionit euro-atlantik, janë jetësisht të angazhuar për stabilitet dhe paqe të përhershme. Kosova është zotuar që lidhja dhe dashuria e ndërsjellë e shqiptarëve të forcohet dhe miqësia e përhershme me aleatët të ruhet si pasuri e jona më e çmuar. Për lartësimin e vlerave shqiptare kudo në botë, z. Mark Gjonaj i dhurova Medaljen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.