Shaban Murati/
E mendoj të nevojshme t’ju drejtohem me këshillën që të ndaloni së përdoruri dhe ta hiqni nga qarkullimi diplomatik dhe politik fjalinë alogjike “Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në BE”.
Asnjë komb dhe asnjë shtet nuk e përdor atë premtim idiot, por e përdorin vetëm zyrtarët shqiptarë. Nuk e përdorin, sepse asnjë komb nuk është bashkuar dhe as do të bashkohet në BE. Greqia dhe Qipro janë dy shtete greke, të dyja anëtare të BE, dhe nuk u bashkuan dhe as do të bashkohen dot. As Irlanda dhe Irlanda e Veriut nuk bashkuan dot në BE. Rumania nuk i thotë kurrë Moldavisë se do të bashkohemi në BE. Madje as Serbia, shtet kandidat i BE, nuk i thotë kurrë “serpska republikës” se do të bashkohemi ne BE.
Ndiqni shembullin e një shteti të mençur si Gjermania, e cila në Kushtetutën e vitit 1949, kur sapo e kishin ndarë përgjysëm, përfshiu nenin e bashkimit të kombit dhe megjithëse ishte shteti më i fuqishëm i BE, nuk foli kurrë për “bashkimin e kombit gjerman në BE” . Shteti i mençur gjerman punoi fort në heshtje për bashkimin kombëtar dhe pas 40 vjetësh e bashkoi kombin gjerman.
Mos këndoni para vaktit dhe mos u premtoni shqiptarëve lugën e floririt të “bashkimit të kombit shqiptar në BE”. Ata, që ua kanë servirur këtë slogan, janë tallur me ju.
Punoni fort sëbashku për bashkimin kombëtar që të arrihet bashkimi i kombit!