
Nga Keze Kozeta Zylo/
Këshilli i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane AARC mblodhi qindra shqiptare në një mbrëmje gala në Gotham Hall që ka hapësira ikonike për ngjarje elegante sociale si dhe për mysafirë tepër special. Kjo godinë dikur perdorej nga Banka e famshme e Kursimeve Greenwich. Mbrëmjen gala e moderoi plot kulturë, pasion dhe atdhetari presidenti i AARC-së z. Martin Vulaj një përfaqësues i denjë i Diasporës në Amerike dhe më gjerë. Fjala e tij mbresëlënëse në këtë mbrëmje madhështore shërbeu si frymëzim për gjithë shqiptarët që duan të punojnë fort për çështjen kombëtare, politikanët, por njëkohësisht ishte dhe si një nderim për të gjithë ata që kanë shërbyer pa u ndalur për Kombin.
Mbrëmja filloi me intepretimet e dy Himneve Kombëtare Amerikane dhe shqiptare kënduar plot talent nga Ilsi Ademi dhe Fiorela Miria. Me duartrokitje janë mirëpritur dy presidentët e Shqipërisë dhe të Kosovës Dr. Vjosa Osmani, Z. Bajram Begaj i cili shoqërohej nga Ambasadore Dr. Suela Janina në UN, Ambasador në Washington z. Ervin Bushati. Fjala e tyre në podium ndezi zemrat e shqiptarëve pjesëmarrës për mirënjohjen që ata shprehën për Mergatën Shqiptare si dhe respektin reciprok që treguan midis njeri tjetrit. Mbrëmjen e bekoi Dom Pjeter Popaj Famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, Imam Tahir Kukaj dhe në krah tyre ishte Imam Edin Gjoni.
Këta klerikë të komunitetit punojnë pa u lodhur për të gjallëruar jetën në Amerikë dhe jemi te bekuar t’i kemi midis nesh në komunitet duke sjellë vetëm bashkimin dhe shkuarjen vëllazërore midis nesh. Fjalen kryesore e mbajti Kongresisti z.Keith Self, një mbështetës i përkushtuar i çështjeve të Kosovës dhe shqiptarëve, ku fjala e tij u mirëprit me plot dashuri dhe duartrokitje.
Kongresisti Self është një përkrahes i madh i rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO. Fjalë miradie u folën për filantropistin e madh, manjat i bizneseve Sal Rusi i cili ka nje kontribut të vyer në çështjen kombëtare bashkë me vëllain e tij të nderuar Ilir Rusi.
Nëpërmjet një video mesazhi përshëndeti të pranishmit Kongresisti z. Mike Lawler si dhe ndihmësi i Presidentit Bill Clinton Christopher Hyland.
Emociounese dhe e dhimbshme ishte kur z. Vulaj iu kërkoi të pranishmëve të nderonim me heshtje të ndjerin Charlie Kirk, aktivistin e shquar politik kombëtar dhe ndërkombëtar i cili vdiq pasi u qëllua në një aktivitet para studenteve në mëngjesin e së mërkurës në Universitetin e Utah Valley. Ai bashkëthemeloi organizatën konservatore Turning Point USA (TPUSA) në vitin 2012 dhe ishte drejtori ekzekutiv i saj. Në këtë mbrëmje u nderua me çmimin “Nënë Tereza” Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams i cili me fjalën e tij rrëmbeu zemrat e pjesëmarrësve duke thënë se unë jam vëllai i shqiptarëve. Z. Adams u prezantua nga z. Mark Gjonaj Kryetari i Këshillitt të Diasporës emëruar nga shteti shqiptar me kryeministër Edi Rama. Çmimin “Kalorësi i Skënderbeut” iu dha z. Xhim Xhema nje aktivist dhe patriot i madh i çështjes kombëtare, çmim që e mori në emër të tij Kryetari i Federatës Pan Shqiptare “Vatra” Dr. Elmi Berisha i cili tha se ai është një Konica i dytë koheve të sotme.
Z. Martin Vulaj e vlerësoi si modelin më të mirë se si duhet të punojmë. Ishte kënaqësi të takonim figura të shquara të komunitetit si Harry Bajraktari “Nderi i Kombit”, Vehbi Bajrami botues i gazetës “Illyria, me bashkëshorten e tij Gena Morina Bajrami, menaxhere, Dr. Shpresa Xhakli, etj. Ne ishim në një tavolinë me pjesëmarrës në këtë aktivitet dinjitoz së bashku me diplomaten Vlera Thaqi ish mësuese në Alba Life, S.I., Themeluese e “Staten Island Learning Center” një aktiviste e palodhur, grua plot kulturë dhe bamirësi, me znj. Edit Shkreli, Gjyqtarja e parë shqiptare në Nju Jork e cila është një profesioniste e njohur ligjore dhe u betua si gjyqtare në Gjykatën Civile të Bronx-it, më 1 janar 2024, zonjushen Vanesa Limani një vajzë e integruar plot kulturë dhe me të ardhme pranë kabinetit të Kryetaritt ë Bashkisë së NY, Erik Adams, diplomatin në karrierë plot sukses Arian Spasse bashkë me bashkëshorten e tij fisnike Elda Spasse, Klodiana Zylo CPA, Finance Director, Manager Global Pensions and Corporate Investments at The Estée Lauder Companies Inc. kontribuese e Shkollave Shqipe “Alba Life” dhe drejtuese ne disa aktivitete.
Në Bordin e AARC-së janë Martin Vulaj, President, Eli Rusi Kryetar i Bordit, Burim Regjaj Sekretar, Tony Marke zv/kryetar dhe Sokol Anadolli për llogarinë financiare.
Të pranishmit u argëtuan me muzikë nën interpretimin e artistëve Riad Ymeri, Marsela Çibukaj, Mira Konci, Faton Macula ku një performancë të shkëlqyer dha mjeshtri Igli Tuga.
Udhë të mbarë AARC!
Autorja e shkrimit mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.