Rafaela Prifti/
Piktori Klement Zoraqi konfirmon thënien e Aristotelit se “Edukimi i ndihmon njeriut të realizoj qëllimin që ka brenda vetes.” Dhe ai vetë është mishërimi i kësaj filozofie. Jo vetëm se i beson asaj si pedagog arti prej 40 vjetëve, por edhe e ka brendësuar atë sepse është ndihmuar ta jetësoj qëllimin e tij në sajë të edukimit dhe prej andej nuk ka rreshtur së dhëni mundësinë brezave të studentëve të arrijnë të njëjtin vetërealizim.
Lindur në Tiranë më 9 mars, 1960, në një familje të përkushtuar artit, kulturës dhe arsimit, ai u përqendrua te piktura qysh në moshën 14 vjeçare. Pasioni për artin e çoi në studion e piktorit të mirënjohur të peizazheve Aristotel Papa. Më pas kreu Zoraqi kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1980-1984) i specializuar për pikturën monumentale në ateljenë e Prof. Niko Progri dhe Vilson Kilica.
Duke folur për vjetërsinë në punë si pedagog i pikturës në Liceun Jordan Misja nga viti 1984 e deri më sot, Profesor Zoraqi thotë me humor se ai mund të jetë mbajtës i një rekordi të denjë për të hyrë në Guiness Book. Rrugëtimit të karrierës katër dekadash në mësimdhënie, ai i ka kushtuar librin “Liceu ynë, Fletë nga ditari pedagogjik”, Ombra GVG, Tiranë 2013.
Paralelisht me mësuesinë, Klement Zoraqi është nderuar me çmime dhe vlerësime të njohura në botën e artit për katër dekada. Ai është emër shumë i njohur i pikturës shqiptare me aktivitet dhe krijimtari të paraqitur në shumë ekspozita vetjake, kombëtare dhe ndërkombëtare, si në Paris 1996, 1998; London 1996, 1997, 1998; Barcelonë 2001, 2003; New York 2001, etj.
Në portofolin artistik të Zoraqit spikasin natyra dhe peizazhi që janë dallueshëm të tijat si nga peneli e stil edhe nga influenca e klasikëve dhe kontakti nga afër me artin dhe kulturën evropiane veçanërisht atë romane. Ai është përfaqësuar në ekspozitën e 100 piktorëve të Via Margutta, Romë qysh në vitin 1992 dhe është pjesëmarrës aktiv në galeri kolektive arti në Itali, pa e shkëputur kurrë krijimtarinë e tij në Shqipëri. Tek ai dhe vepra e tij manifestohet bashkëjetesa e një artisti shqiptar me kulturën pakrahasimisht të pasur romane me gjurme ne qytetërimin e Romës dhe në mbarë botën. Punimet e Zoraqit në galerinë FAB Gallery (U.A), Tirana 2016 dhe në Galleria Micro-arte visive, Romë 2017 janë vlerësuar shumë nga kritikët e artit. Në tre ekspozita të tjera në Didart Gallery 2006, Muzeu Historik Kombëtar 2007 dhe Kledio Gallery 2010, Zoraqi jep lidhjet shpirtërore me qytetin e tij të lindjes. Kohëve të fundit ai është angazhuar në dizajnin grafik dhe projektimin e veprave të artit në hapësira publike, si tek mozaikët e Teatrit për Fëmijë Pinokio 2022 dhe instalacione të tjera të këtij projekti, ilustrime të botimeve për fëmijë Voskopoja Printing House 2022, si dhe është bashkautor dhe ilustrues i librit “Elogio della Stufa” 2023, në italisht nga shtëpia botuese Strade Bianche, Romë.
Gjatë dekadës së fundit, artisti Zoraqi i jep vend interpretimeve personale të historisë të sjella në punime të peizazheve dhe në portrete, disa prej të cilave i paraqiti në ekspozitën Rrënjët Voskopoja në Muzeun Historik Kombetar 2017.
Gravura Fan Noli, punuar në këtë periudhë, paraqet portretin e figurës shumëdimensionale, frymëzuar nga një foto e vitit 1908, dy vjet pas ardhjes së tij në Amerikë, që përkon me kohën e dorëzimit prift. Në sfondin e gravurës është një bibliotekë me libra dhe një kuadër i shqiponjës dykrenare me një diell – stilizim i logos së gazetës Dielli, që e pati Kombi, ndërsa në plan të parë shihet një fragment i ballinës së Diellit. Piktori Zoraqi ia ka dhuruar gravurën Fan Noli Federatës Vatra dhe redaksisë së gazetës 115 vjeçare – si dy institucione të pazëvendësueshme, të cilat historia t’i jep veçse një herë.
Kolazhi
Foto Klement Zoraqi
Gravura Fan Noli – dhuratë nga piktori Klement Zoraqi për Vatrën dhe Diellin
Korça – nga dritarja e studios se Vangjush Mios,100 x70 cm, vaj mbi kanavace, 2017
Ringjallja – fragment nga “Ikonostasi i Voskopojës” 25 x 60 cm, 2015