Ilir Berisha mund të de butojë me fanellën e Sh qipërisë kundër Norvegjisë.
Sipas të gjitha gjasave, qendërmbrojtësi kosovar do të thirret në takimin e
rëndësishëm ndaj “vikingëve”. Lajmin e kanë pohuar burime të sigurta pranë
FSHF-së, sipas të cilave, futbollisti që aktivizohet te skuadra e Orebros në
Suedi është i pari në listën e preferencave të trajnerit De
Biazi.
Ish-futbollisti i Prishtinës pritet të pajiset me pasaportë
shqiptare shumë shpejt. Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur procedurat për
ta pajisur me dokumentet e nevojshme futbollistin 21- vjeçar. “Kanë nisur
procedurat për ta pajisur me pasaportë shqiptare futbollistin Ilir Berisha, i
cili aktivizohet në Kategorinë e Dytë suedeze. Kemi çuar në presidencë
dokumentet e nevojshme dhe tani presim që ai të mund të marrë pasaportën sa më
shpejt”, – ka deklaruar përgjegjësi i zyrës për shtyp në FSHF, Lirim Zalla.
Trajneri De Biazi e sheh si një alternativë të mirë në repartin e prapavijës, ku
Shqipërisë shpesh i kanë munguar mundësitë e zgjedhjes. Aktualisht në qendër të
mbrojtjes luajnë Cana, Mavraj dhe Osmani, ndërsa shpesh është aktivizuar edhe
Curri. Mungesa e Canës në takimin kundër norvegjezëve (për shkak të pezullimit
prej kartonëve) e ka bërë De Biazin që të hulumtojë për zgjidhje të
tjera.
Berisha konsiderohet si alternativë në rast se ndonjë nga dyshja
qendrore e mbrojtjes, Cana apo Mavraj, mund të mungojë. Shtatlarti 189 cm i
gjatë është i aftë të luajë me të dyja këmbët, ndonëse e preferuara e tij është
e djathta. Afrimi i tij mund t’i hapë “telashe” Tefik Osmanit, i cili në fakt
është treguar mjaft konstant në ndeshjet që ka zhvilluar së fundmi me
kuqezinjtë. Ilir Berisha karakterizohet për teknikë mbi nivelin mesatar të një
mbrojtësi, por sidomos për luftën në ajër. Ai e njeh mjaft mirë portën, pasi në
15 ndeshje të zhvilluara deri tani me Orebron, ka realizuar dy gola.
Ilir Berisha ka deklaruar se nuk është në dijeni të faktit që Federata Shqiptare e
Futbollit ka nisur procedurat për ta pajisur me pasaportë. “Është e vërtetë se
jam kontaktuar nga FSHF-ja dhe jam i nderuar për interesimin e tyre, por ende
nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, – deklaroi Berisha për “Panorama
Sport”. Ai ka thënë se nëse do të marrë ftesë për ndeshjen kundër Norvegjisë, do
të përgjigjet pozitivisht. Qendërmbrojtësi 21-vjeçar është shprehur se është një
fans i zjarrtë i kuqezinjve, por kur është pyetur se në cilin pozicion pëlqen të
luajë më shumë mes Canës dhe Mavrajt, ai ka dribluar: “Mund të luaj në
qendër-djathtas, por edhe në qendër-majtas. Mos më pyesni se kujt mund t’i zë
vendin, sepse nuk do të ishte korrekte të flisja për këtë, ndërkohë që ende nuk
i jam bashkuar ekipit përfaqësueses”. Lojtari theksoi se nuk ka luajtur me asnjë
përfaqësuese tjetër në të kaluarën dhe se deri tani ka pasur ofertë vetëm nga
Shqipëria.