
Dr. Elmi Berisha/
Kombi shqiptar humbi një mik të madh. Frank G. Wisner shkoi të pushojë në përjetësi. Ndarja nga jeta e diplomatit të shquar amerikan Frank G. Wisner është një lajm i trishtueshëm jo vetëm për mua që humba një mik por për mbarë kombin shqiptar e sidomos shtetin e Kosovës që ka humbur një mik dhe një mbështetës të veçantë. Njohja ime me diplomatin Frank G. Wisner daton që në vitet 90-të kur punoja në Uashington. Ai kishte në zemrën tij një vend të tepër të veçantë për popullin shqiptar e sidomos për Kosovën. Falë diplomacisë së tij bashkësia ndërkombëtare u sensibilizua për Kosovën. Diplomati Frank G. Wisner bindi shtetet e botës demokratike bashkë me Ahtisarin se Kosova e meritonte dhe duhej të ishte e pavarur dhe të njihej nga të gjitha shtetet demokratike të botës. Në kujtimet e veprimtarisë sime patriotike veçoj dhe çmoj takimet e shkëlqyera të mërgatës së Amerikës me diplomatin e mençur Frank G. Wisner përgjatë periudhës së përpjekjeve e lobimit të Wisner për Pavarësinë e Kosovës. Wisner ishte një diplomat kalibri në nivel ndërkombëtar. Vështirë se do jetë një diplomat tjetër si Frank G. Wisner kaq i përzemërt e dashamirës ndaj kombit shqiptar.
Ndihem krenar dhe i emocionuar që Federata Vatra me rastin e 110 vjetorit të themelimit e nderoi dhe vlerësoi me “Mirënjohje” ambasadorin Frank G. Wisner për veprimtari të jashtëzakonshme e kontribut në shërbim të kombit shqiptar. Urtësia, pjekuria, maturia dhe diplomacia e tij janë një udhërrëfyes për çdo diplomat.
Në emër të Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës Vatra dhe të gazetës Dielli shpreh ngushëllimet më të dhimbshme për humbjen e mikut tonë e të kombit tonë.
Faleminderit dhe mirënjohje përjetë miku im i paharruar Frank G. Wisner.