
Haris Vongli, MSc/MPA
PhD Candidate, Glasgow Caledonian University, London
Si komunikojnë liderat shqiptarë?
Së pari, demokracia në Shqipëri ka pësuar ulje e ngritje drastike gjatë 3 dekadave të pluralizmit politiko-partiak. Ajo që vihet re më së shumti është tranzicioni i tejzgjatur. Për rrjedhojë, demokracia është e brishtë dhe po ashtu të gjithë përbërësit e saj, përfshirë komunikimin politik të partive politike dhe përfaqësuesve të tyre. Lidershipi është padyshim frymëzim, një optikë e gjerë shprese – në sjellje, artikulim e pamje. Forma dhe përmbajtja e lidershipit duhet të jetë e prekshme dhe shembullore, në mënyrë që të ndiqet pa ndonjë propagandë të jashtëzakonshme.
Gjuha e komunikimit politik është tejet e rëndësishme, jo vetëm në ditët e sotme; ka qene gjithherë e tillë, duke qenë se lidhet drejtpërdrejt me një ndër asetet kryesore të politikanit – komunikimin. Parë nga një aspekt psikologjik, studime të shumta kanë vërtetuar peshën e madhe të gjuhës së trupit, sa i përket komunikimit të ideve. Rregulli i Albert Mehrabian ilustron peshën që zënë disa aspekte të komunikimit politik: “7% fjalët 35% tonaliteti i zërit dhe 55% gjuha e trupit“. Në një shoqëri e cila është konsumatore e “fast-foodit”, në çdo aspekt shoqëror, pesha e imazhit dhe e posturës është rritur vazhdueshëm edhe në politikë.
Duke qenë se gjuha e komunikimit politik lë shpesh për të dëshiruar, komunikimi politik nuk është fort efektiv. Në strategjitë e komunikimit politik mungon origjinaliteti. Pavarësisht zotësisë së këshilltarëve të komunikimit të shumë prej figurave politike kryesore në vend, në optiken time duket qartë se strategjitë e komunikimit janë të huazuara nga perëndimi, por nuk gjejnë zbatim të drejtë në realitetin politik shqiptar. Ato shtrembërohen në praktikë, edhe nëse në teori mund të jenë premtuese.
Nëse votuesit shqiptarë do të ishin të vëmendshëm, do kuptonin se komunikimi politik gjatë fushatave zgjedhore lokale dhe qendrore vjen nga një strategji, nga një kompani PR-i apo nga një ekip që punon pikërisht për të formësuar një fabul për partitë politike dhe politikanët që garojnë kundër njëri-tjetrit. Kuptohet se ky komunikim është i strukturuar për një periudhë të caktuar kohe, pasi ai, në periudha të shkurtra, ndryshon dukshëm në krahasim me periudhat e dala nga fushatat elektorale.
Pra, dua të them se premtimet janë strategji për të tërhequr elektoratin drejt votimeve, por me të ardhur në pushtet Partia Socialiste, apo edhe pas humbjes së opozitës në zgjedhjet e fundit në 2021-shin, shumë nga prioritete e premtimet janë lënë në harresë dhe qëllimi i tyre është një fallcitet i ndërtuar jo vetëm me mund por edhe para, që në fakt dalin edhe nga taksat e shqiptarëve.
Komunikimi politik është pjesë e një pakete të gjërë elektorale e cila ka synim, ndër të tjera e mbi të gjitha, tërheqjen e elektoratit për të votuar një parti apo një tjetër. Dua të theksoj se në to prevalon manipulimi, edhe në detajet më të vogla.
Duke qenë se tonaliteti i zërit/intonacioni zë 35% të komunikimit, qartazi tregohet pesha e saj në komunikimin publik. Eksperti i komunikimit Chris Anderson (krijuesi i platformës TED, sugjeron një metodë/aftësi të rëndësishme në komunikimin publik që ka lidhje të drejtpërdrejtë me tonalitetin e zërit – ajo është narrativa (aftësia për të rrëfyer histori). Kjo aftësi është e rëndësishme edhe për politikanët, sepse një narrator i mirë është joshës në komunikimin publik.
Kjo varet nga shoqëria dhe qasja e saj ndaj poltikës, por edhe mentaliteti kulturor si një aspekt psikologjik i rëndësishëm. Veshja në përgjithësi ka pësuar ndryshime të shumta, ndër vite dhe dekada, ndërkohë veshja e politikanit ka mbetur e pandryshuar. Kjo mund të lidhet me konceptimin e një lloj “uniforme” politike, e gjithëpranuar si shprehje e seriozitetit e në të njëjtën kohë, duke e trajtuar si element të mërzitshëm nga pikëpamja psikologjike dhe estetike, e bën popullin/konsumatorin/elektoratin më të fokusuar drejt thelbit e jo paraqitjes. Ndërsa shumë politikanë shqiptarë, kanë tentuar ta sjellin veshjen në një format më modern e më sipërfaqësor, pra më të pëlqyeshëm, duke rrëshqitur në një degradim të theksuar serioziteti dhe estetike. Pra, figura kryesore politike shqiptare veprojnë në të kundërtën e “filozofisë së kostumit”, duke tentuar të përfliten për veshjen më shumë se sa thelbin. Kështu tërheqin vëmendjen nga problematikat reale, siç ndodh rëndomë me kryeministrin Rama, etj.
Komunikimin politik e shohim të përhapur në masë, në çdo formë, në platformat online të cilat janë biznes më vete. Edhe në perëndim është kështu, por detyrimi moral ndaj lexuesve dhe lufta e përditshme që bën media digjitale – më shumë në shërbim të popullit se sa politikanit, prevalon dhe ndryshon dukshëm. Në Shtetet e Bashkuara përshembull, “lufta“ që u bëhet politikanëve, presidentëve, kongresmenëve, senatorëve, etj, është e pakrahasueshme nga kompromiset që bën media dhe publiku në Shqiperi. Dhe për çfarë? Që të vazhdojmë të qeverisemi nga ata që më pak ndihemi të përfaqësuar?! Për fat të keq, funksioni mediatik dhe civil në Shqipëri, në përgjithësi, ka mbetur në shërbim të politikanit dhe kjo është padyshim një qasje e prapambetur, që tregon sa të varur jemi jo vetëm financiarisht, por edhe intelektualisht, kulturalisht. Demokracia është mentalitet, po ashtu komunikimi politik si dhe format e shpërfaqes së tyre