



Edon Shaqiri, Kryetar i Bordit Drejtues të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Ilinois, në një rrëfim ekskluziv dhënë për gazetën “Dielli”, organ i Federatës “Vatra” në New York, tregon punën e jashtëzakonshme për ruajtjen e promovimin e vlerave e trashëgimisë kulturore e kombëtare shqiptare në mërgatën e Amerikës, historinë e Komunitetit Shqiptar në Illinois, aktivitetet kryesore patriotike, edukative dhe komunitare, projektet për fuqizimin e komunitetit në të ardhmen, ndihmën për kulturën dhe gjuhën shqipe, promovimin dhe bashkimin e shqiptarëve në Ilinois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me Edon Shaqirin bisedoi editori i gazetës “Dielli” Sokol Paja.
HISTORIA E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË ILINOIS
Shqiptarët në Ilinois kanë një histori që shtrihet që nga fillimi i viteve 1900, kur valët e para të emigrantëve nisën të krijonin rrënjë në këtë shtet. Gjithmonë ka ekzistuar një ndjenjë komuniteti, por organizimi i strukturuar erdhi më vonë, i shtyrë nga rrethana historike dhe nevoja për të vepruar së bashku. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Ilinois (“Komuniteti) ose the Albanian American Community of Illinois (“AACI”) u themelua në vitin 1998 nga një grup Shqiptarësh të angazhuar, të cilët u mobilizuan për të mbledhur ndihma dhe për të ndërgjegjësuar opinionin publik Amerikan gjatë rezistencës së Kosovës ndaj agresionit Serb.
Presidenti i parë i organizatës ishte Hidai Bregu, një nga filantropët më të shquar Shqiptarë të brezit tonë në Shtetet e Bashkuara. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij ngritën themelet e një organizate që synonte jo vetëm të ndihmonte atdheun në kohë të vështira, por edhe të forconte lidhjet mes Shqiptarëve në Illinois dhe të promovonte kulturën tonë.
Sot, Komunuteti është një organizatë e regjistruar si 501(c)(3) me një prani të fortë komunitare dhe me ndikim në të gjithë shtetin e Illinois. Misioni ynë mbetet i pandryshuar, të ruajmë dhe të forcojmë trashëgiminë Shqiptare në diasporë. Komuniteti është organizata ombrellë që përfaqëson të gjitha shoqatat shqiptare në Illinois – një zë i përbashkët që përfaqëson gjithë shqiptarët në këtë shtet.
AACI ka gjithashtu një nga strukturat më unike të drejtimit që ekziston ndër organizatat Shqiptare moderne: Bordi ynë përbëhet nga dy përfaqësues për secilën krahinë shqiptare, duke përfshirë të gjitha trevat historike të Shqipërisë ideale. Kjo qasje e veçantë siguron përfaqësim të gjerë, unitet në diversitet dhe një frymë të vërtetë bashkimi mes Shqiptarëve kudo që janë.
AKTIVITETET KRYESORE PATRIOTIKE, EDUKATIVE DHE KOMUNITARE
Komuniteti ka një traditë të gjatë në organizimin e aktiviteteve që ushqejnë frymën atdhetare, forcojnë identitetin kulturor dhe ndërtojnë lidhje të forta mes anëtarëve të komunitetit. Çdo vit, organizojmë festime madhështore për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Pavarësisë së Kosovës, me ceremoni zyrtare në zemër të Chicagos. Flamujt ngrihen në qendër të qytetit, përballë ndërtesave ikonike si City Hall dhe Daley Plaza, një gjest simbolik që nderon sakrificat dhe historinë tonë kombëtare. Këto ngjarje shoqërohen me valle, muzikë dhe pjesëmarrje të komunitetit të gjerë Shqiptaro-Amerikan. Këto ditë tashmë janë njohur zyrtarisht edhe nga Guvernatori i Illinois-it, JB Pritzker, një moment i rëndësishëm që flet për praninë dhe kontributin tonë në këtë shtet.
Në verë, organizojmë Festivalin e Byrekut, i cili tashmë është kthyer në një traditë të dashur për komunitetin dhe një nga festivalet kulturore më të mirëpritura në rajonin e Chicagos. Festivali bashkon Shqiptarë nga të gjitha trevat, si dhe fqinj e miq Amerikanë, përmes ushqimit, muzikës live, artit dhe aktiviteteve për të gjitha moshat. Është një shfaqje e gjallë e asaj që do të thotë të jesh shqiptar në Amerikë.
Ndër evenimentet vjetore më të veçanta janë edhe mbrëmjet e rrjetëzimit profesional (networking nights), që i organizojmë dy herë në vit. Këto mbrëmje janë përpjekje të vetëdijshme për të afruar komunitetin tonë, qofshin ata profesionistë, sipërmarrës, studentë dhe drejtues të rinj, për të ndarë ide, krijuar ura bashkëpunimi dhe forcuar lidhjet brenda diasporës. Në thelb të tyre qëndron një qëllim i qartë: të bashkojmë njerëzit tanë.
Në fushën edukative, Komuniteti ka organizuar evente me shkrimtarë lokalë dhe kombëtarë, lexime publike dhe promovime librash që kanë për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e kulturës Shqiptare. Kemi ndihmuar me orientim arsimor, bursa për studentë, si dhe ndihmë individuale për familje të reja që vendosen në zonën tonë.
Gjithashtu, kemi ofruar asistencë të veçantë për raste emergjente, duke përfshirë ndihmë mjekësore, orë falas për këshillim ligjor dhe ndihma të drejtpërdrejta për familje në nevojë. Poashtu organizojmë edhe evenimente mjekësore ku sjellim mjekë dhe profesionistë Shqiptarë të shëndetësisë për të ndihmuar komunitetin me vizita, konsulta dhe informim të specializuar — një shembull tjetër i vlerës që sjell bashkimi.
Komuniteti është bërë një vend ku njerëzit kthehen për ndihmë, për bashkëbisedim dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, së bashku. Përmes rrjeteve sociale, ndjekim dhe shpërndajmë çdo aktivitet patriotik që ndodh në Illinois dhe më gjerë, duke përkrahur çdo përpjekje që nderon kulturën tonë dhe i bashkon Shqiptarët.
Asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur pa bazën tonë të anëtarësisë, e cila paguan kuotat çdo vit dhe pa donatorët tanë bujarë që besojnë në misionin e përgjithshëm dhe e mbështesin atë me zemër. Ata janë shtylla e organizatës dhe arsyeja pse kemi mundur të ruajmë dhe zgjerojmë këtë lëvizje në mënyrë të organizuar për më shumë se dy dekada.
PROJEKTET PËR FUQIZIMIN E KOMUNITETIT NË TË ARDHMEN
Në katër vitet e fundit, organizata jonë ka qenë e përqendruar në një nga qëllimet më të rëndësishme dhe afatgjata: krijimin e Qendrës së Komunitetit Shqiptar në Illinois. Kemi ndërmarrë hapa konkretë për ta realizuar këtë vizion: jemi certifikuar si organizatë në SAM.gov, çka na mundëson të aplikojmë për grante shtetërore dhe federale. Gjithashtu, sivjet kemi negociuar një marrëveshje për një zyrë fizike të Komunitetit – dhe ky është një lajm ekskluziv për Gazetën Dielli, që vjen në një moment ku organizata jonë vazhdon të konsolidohet si një institucion me strukturë të qëndrueshme dhe prezencë fizike në terren.
Po ashtu, kemi filluar të ndërtojmë një Dhomë Tregtie Shqiptare në Illinois, një platformë për bizneset dhe sipërmarrësit Shqiptarë që synon të nxisë bashkëpunimin ekonomik, të forcojë rrjetin profesional dhe të krijojë mundësi zhvillimi brenda komunitetit. Një element i rëndësishëm dhe historik në punën tonë është fillimi i mbledhjes të dhënave për komunitetin Shqiptar në Illinois, në përgatitje për rezultatet e censusit të SHBA-së 2030. Kjo nismë siguron që numri i saktë i Shqiptarëve të jetë i njohur dhe i përdorur për të kërkuar financime, përfaqësim dhe burime më të mira për familjet dhe brezat e ardhshëm.
Përveç qendrës, kemi filluar të ndërtojmë Dhomën e Tregtisë Shqiptare, një strukturë e re që do të shërbejë si platformë për sipërmarrësit dhe bizneset shqiptare në Illinois. Qëllimi është të nxisim bashkëpunimin ekonomik, të forcojmë rrjetin tonë profesional dhe të krijojmë mundësi konkrete për zhvillim dhe investim brenda komunitetit. Këto iniciativa janë pjesë e një plani më të madh për të fuqizuar infrastrukturën tonë komunitare, për të rritur kapacitetin organizativ dhe për të siguruar që zëri i shqiptarëve në Illinois të ketë peshë, qëndrueshmëri dhe përfaqësim të denjë.
NDIHMA PËR KULTURËN DHE GJUHËN SHQIPE
Komuniteti ka qenë gjithmonë i angazhuar në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit Shqiptar tek brezat e rinj. Mbështesim klasat e gjuhës Shqipe, programet edukative dhe aktivitetet kulturore që ndihmojnë fëmijët dhe të rinjtë të lidhen me rrënjët e tyre. Këtë vit, në bashkëpunim me Konsullatën e Kosovës në Des Moines, kemi ndihmuar në shpërndarjen e abetareve dhe materialeve mësimore për nxënësit. Ky është një hap i rëndësishëm në përforcimin e arsimit shqip në diasporë.
Kemi përkrahur gjithashtu organizata studentore Shqiptare dhe nisma të drejtuara nga të rinjtë, duke u dhënë hapësirë për të kontribuar në mënyrë aktive në ruajtjen e kulturës dhe në ndërtimin e komunitetit të së ardhmes.
Në bashkëpunim me OriginAL dhe Global Albanian Foundation, kemi bërë të mundur që pesë anëtarë të komunitetit tonë të marrin pjesë në një udhëtim të paharrueshëm drejt trojeve Shqiptare për të përjetuar nga afër kulturën, historinë dhe mikpritjen tonë. Gjithashtu, kemi dhe vazhdojm të bashkëpunojm ngushtë me profesor Gazmend Kapllanin në Universitetin DePaul për të mbështetur dhe forcuar Programin e Studimeve Shqiptare, i cili luan një rol të rëndësishëm në prezantimin e kulturës dhe historisë sonë në nivel akademik.
PROJEKTET DHE NDIHMAT PËR VENDLINDJEN
Po. Për vite me radhë, Komuniteti ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e Shqiptarëve jo vetem në Shqipëri por edhe jashtë kufijve, në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Preshevë dhe Çameri, sidomos në kohë krize apo nevoje emergjente. Në vitin 2019, pas tërmetit në Shqipëri, organizuam një fushatë të madhe solidariteti dhe mblodhëm mbi 150 mijë dollarë për ndihmë humanitare dhe projekte rindërtimi. Në janar 2023, kontribuuam në përballimin e pasojave të përmbytjeve në Kosovë duke financuar dy projekte restaurimi bibliotekash në Skenderaj dhe Mitrovicë.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, realizuam një donacion të rëndësishëm teknologjik, duke dhuruar pajisje të avancuara për shkolla dhe institucione arsimore. Kjo nismë synoi të përmirësojë qasjen në mësimdhënie moderne dhe të fuqizojë infrastrukturën edukative në vend.
MARRËVESHJET E BASHKËPUNIMIT ME SHOQATAT TJERA SHQIPTARE NË ILINOIS E MË GJERË
Komuniteti funksionon si organizata ombrellë për Komunitetit Shqiptar në Illinois, duke ofruar hapësirë bashkëpunimi dhe përfaqësimi për të gjitha shoqatat dhe nismat lokale. Ne e shohim veten si një platformë gjithëpërfshirëse ku çdo grup, organizatë apo individ Shqiptar ka vendin e vet dhe zërin e vet. Gjatë gjithë historisë sonë kemi synuar të bashkëpunojm me çdo shoqatë dhe grup Shqiptar që ka operuar në Illinois, por edhe me organizata në shtete të tjera si New York, Michigan, Iowa dhe më gjerë. Çdo herë që ka pasur një kauzë të përbashkët, një festë kombëtare, një tragjedi që ka prekur popullin tonë apo një projekt për të përmirësuar jetën e Shqiptarëve këtu apo në vendlindje, ne kemi qenë aty me mbështetje dhe vullnet për të punuar së bashku.
Kryetarët dhe përfaqësuesit e organizatave të tjera Shqiptare ftohen gjithmonë në mënyrë ceremoniale në evenimentet tona kryesore, si shenjë respekti dhe bashkimi. Kjo është një traditë që thekson unitetin dhe rëndësinë e bashkëpunimit përtej dallimeve organizative.
VLERËSIMET E ÇMIMET
Në 2017, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani na nderoi me Urdhrin e Skënderbeut, një nga dekoratat më të larta shtetërore për kontributin tonë në forcimin e lidhjeve me komunitetin dhe çështjet kombëtare. Në vitin 2024, gjatë një vizite në Chicago për Paradën Ndërkombëtare të Policisë, Policia e Kosovës na dhuroi një medalje nderi për shërbimin komunitar, duke njohur rolin tonë aktiv dhe mikpritës në forcimin e lidhjeve institucionale me Kosovën. Por vlerësimi më i çmuar mbetet besimi dhe përkrahja e komunitetit tonë, pjesëmarrja e vazhdueshme, mbështetja e anëtarëve dhe donatorëve janë dëshmia më e fuqishme e ndikimit tonë real në komunitetin Shqiptaro-Amerikan.
KUSH ËSHTË EDON SHAQIRI?
Kam lindur në Shkup dhe jam rritur mes Luginës së Preshevës dhe Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1999, familja ime u shpërngul në Amerikë si refugjatë, duke lënë pas një realitet të vështirë dhe duke ardhur me shumë shpresë, por edhe me pasiguri. Këtu gjetëm një komunitet që na priti me zemër të hapur dhe që na bëri të ndiheshim si në shtëpi.
Aktiviteti im i parë me Komunitetin ishte në një festë për 28 Nëntorin në vitin 1999, ku i ftuar nderi ishte ambasadori dhe miku i popullit Shqiptar, z. William Walker. Familja ime dhe disa familje të tjera refugjate ishim të ftuar dhe u mbuluam financiarisht nga donatorë të zemërgjerë të komunitetit Shqiptar. Për mua, ajo nuk ishte thjesht një festë, ishte hera e parë që ndjeva çfarë do të thotë solidaritet, mbështetje dhe ruajtje e identitetit edhe larg atdheut. Në anën profesionale, kam ndërtuar një karrierë në sektorin bankar dhe aktualisht punoj si bankier në J.P. Morgan. Por përkushtimi im ndaj komunitetit është një vazhdimësi e asaj ndihme që dikur e morëm si familje dhe që sot përpiqem ta kthej me vepra.
Në organizatë, fillimisht jam përfshirë si vullnetar dhe më pas kam pasur privilegjin të shërbej në bordin drejtues.
Aktualisht kam nderin të jem Kryetar i Bordit, por puna që bëjmë është dhe ka qenë gjithmonë fryt i një përpjekjeje të përbashkët. Komuniteti drejtohet nga një strukturë unike bordi, me përfaqësues nga të gjitha trevat Shqiptare, të cilët udhëheqin me përkushtim nisma dhe projekte që pasqyrojnë zërin e çdo krahine. Krahas tyre, një rrjet vullnetarësh të palodhur kontribon në çdo aktivitet që organizojmë.
Për mua, kjo nuk është thjesht një angazhim vullnetar është një përgjegjësi morale dhe një mirënjohje e thellë për Komunitetin që dikur më priti me krahë hapur. Sot, çdo përpjekje që bëj është me shpresën që ato krahë të qëndrojnë të hapura për fëmijët e mi dhe për fëmijët e tyre, në mënyrë që edhe ata të rriten me ndjenjën e përkatësisë, krenarisë dhe përkushtimit ndaj rrënjëve të tyre.