
Erion Dasho, Drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Frankfurt, Gjermani rrëfen Shqipërinë në përballje me pandeminë globale Covid-19. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, mjeku Dasho analizon mjekësinë shqiptare se si përfundoi në kolaps prej korrupsionit e keqmenaxhimit, koncensioni i laboratoreve që solli një nga mangësitë më të mëdha të Shqipërisë atë të numrit të ulët të testeve sepse nëqoftëse nuk testohet, nuk kuptohet dhe nuk ka efektivitet pjesa tjetër e përgjigjes ndaj Covidit. Me Doktor Erion Dashon bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.
Ç’PO NDODH REALISHT NË SHQIPËRI, SHIFRAT NË RRITJE TË TË PREKURVE DHE FATALITET, GABIMI NË STRATEGJINË E KOMITETIT TË EKSPERTËVE TEKNIKË
Shqipëria është duke përjetuar një rritje të theksuar të numrit të rasteve, mesatarja gjatë javës që kaloi ka qënë mbi 300( treqind) dhe një rritje jashtëzakonisht e madhe në krahasim me javët paraardhëse. Fatalitetet që raportohen janë ende të ulëta pavarësisht se qarkullojnë fjalë se ka shumë persona të cilët humbin jetën si pasojë e simptomave të ngjashme me Covidin, por për shkak se testi i tamponit i ka rezultuar negativ nuk raportohen si vdekje nga Covidi. Strategjia e Komitetit Të Ekspertëve Teknikë ka qënë e gabuar në faktin se nuk u drejtua nga një përafrim strategjik por ishte reaktive, ishte e përbërë nga masa shpesh herë të pakuptimta si për shembull masa e fundit që kërkon me detyrim mbajtjen e maskave në publik ndërkohë që lejohet organizimi i panaireve ku personat nuk ruajnë distancimin fizik, vallëzojnë, pijnë, konsumojnë ushqim në vende ku nuk kanë mundësi ti dezinfektojnë apo ti lajnë duart, pra ka masa kundërsense të cilat realisht nuk bëjnë sens. Përgjigjia duhet të ishte orientuar nga parimi: testoj, gjurmoj, trajtoj, një parim tashmë i gjithëpranuar dhe natyrisht duhet të ishte bazuar edhe tek një partneritet me publikun, ku publiku të kuptonte dhe ti shpjegoheshin masat e qeverisë dhe ti kërkohej që nga ana e tij publiku të zbatonte masat të tipit distancim fizik, higjenë personale dhe mbajtje e maskës aty ku është provuar që ka efektivitet dhe dobi.
KAPACITETET E SHQIPËRISË PËR MË TEJ NË LUFTËN NDAJ COVID 19, MASAT DHE PROPAGANDA
Shqipëria ka kapacitete sepse në fund të fundit Covidi është një sëmundje infektive, një sëmundje e cila nuk kërkon teknologji të lartë dhe masa të shtrenjta për tu luftuar dhe mbi të gjitha edhe Shqipëria ka një sistem shëndetësor, ka një rrjet spitalesh që fillojnë nga spitalet rajonale e terciare, ka një rrjet qendrash shëndetësore dhe ambulancash që mbulon krejt vendin dhe i ka të gjitha mundësitë që nëqoftëse do të aktivizojë të gjitha këto burime, të luftojë siç duhet epideminë e Covidit. Por masat që janë marrë, e sqarova edhe më lart, janë masa të cilat nuk janë të orientuara strategjikisht, janë masa te cilat nuk bazohen në evidenca shkencore dhe masa të cilat shpeshherë janë kundërsens. Në këto kushte është e vështirë të luftohet Covidi. Për sa i takon propagandës, kjo është pjesa më e keqe, pjesa që mua më lë shijen më të keqe sepse Administrata, Qeveria, Komiteti i Eksperteve dhe Spitalet asnjëherë gjatë pandemisë nuk kanë pranuar gabimet e bëra por gjithmonë flasin për suksese dhe pikërisht kjo është ajo pjesa më e vështirë për tu gëlltitur sepse edhe vende që kanë patur përgjigje shumë më të sakta të bazuara mbi shkencë dhe mbi burime kanë pranuar herë pas here gabimet që kanë bërë, ndërsa sipas atyre që drejtojnë Shtetin dhe Ministrinë e Shëndetësisë në Shqipëri, ne kemi patur vetëm suksese. Dikur në muajin Prill na u tha se Shqipëria ishte duke punuar 10 herë më mirë se Gjermania dhe 50 herë më mirë se Italia, tani mbyllen sytë përpara faktit se Shqipëria është vendi i fundit në Europë përsa i takon numrit të testeve, mbyllën sytë përpara faktit që shqiptarët po trajtohen në shtëpi, dhe duke paguar nga xhepi i tyre trajtime shumë të shtrenjta dhe mbyllën sytë para faktit që Shqipëria ka një vdekshmëri shumë të lartë në spitale dhe sidomos në Repartet e Reanimacionit. Të gjitha këto tregojnë që është një propagandë e cila nuk bazohet në atë që është realiteti i përditshëm shqiptar.
IKJA E MJEKËVË NGA SHQIPËRIA, FUTJA E SISTEMIT SHËNDETËSOR NË KOLAPS
Mjekësia nuk bëhet vetëm me mjek por mjekët janë burim i domosdoshëm për të ofruar shërbim shëndetësor. Pra pa mjekë është e pamundur dhe sot Shqipëria ka numrin më të vogël të mjekëve për banorë në Rajonin Europian, dhe vendi që qëndron i parafundit në klasifikim është Taxhikistani. Pra kuptohet se në çfarë gjendje është katandisur sistemi shëndetësor shqiptar. Një mijë mjek janë larguar nga Shqipëria vetëm gjatë 20 viteve të fundit. Për të krijuar një mjek nevojiten përveç 12 viteve të shkollës parauniversitare edhe 10 vite shkollim në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Specializim, dhe të pakten një 10 vjeçar që mjeku i sapo specializuar të krijojë përvojen e duhur për të ofruar kujdes shëndetësor të pavarur. Pra ne kemi krijuar një boshllëk i cili kërkon 10 vite që të mbushet nëqoftëse ne fillojmë sot të punojmë në mënyren e duhur.
SI E KANË SHKATËRRUAR KONCENSIONET MJEKËSINË SHQIPTARE
Koncensionet e kanë dëmtuar në rrënjë mjekësinë shqiptare, ku koncensioni i laboratoreve ka paralizuar praktikisht rrjetin e laboratorëve dhe Shqipëria sot nuk mund të testojë sepse të gjitha kapacitetet laboratorike janë dhënë me koncension privat. Koncensioni i Check Upit e ka kthyer mjekun e familjes nga një profesionist në një argat të kompanisë që bën Check Up. Koncensione të tjera që herë pas here kanë dal në vëmendjen e publikut edhe kur janë të sakta nga ana teknike dhe bëjnë sens, vijnë me një faturë shumë më të lartë sesa duhet të ishin dhe kjo ka bërë që ta privojnë sistemin shëndetësor nga ato fonde që po të ishin investuar me mençuri dhe sipas prioriteteve do të kishim patur rezultate shumë pozitive, por kanë përfunduar në xhepat e koncensionareve.
KONCENSIONI I LABORATORËVE DHE NDIHMA E MUNGUAR NË LUFTËN NDAJ COVID 19
Koncensioni i laboratorëve ka luajtur një rol negativ sepse pikërisht në kulmin e epidemisë së Covidit, një konsorciumi privat që ka fituar të drejten për të menaxhuar sistemin e laboratorëve publikë për një periudhë shumëvjeçare ju transferuan këto asete, dhe ka patur deri paradokse ku Ministria e Shëndetësisë ngriti një laborator të ri në QSUT i cili pasi operoi për disa ditë, u mbyll nga koncensionari. Këto kanë qënë fjalë, duhen vërtetuar nëqoftëse kanë qënë të vërteta ose jo, por nëse kanë qënë të vërteta bëhet fjalë për një situatë skandaloze sepse ai laborator do të kishte ndikuar jashtëzakonisht për të përmirësuar një nga mangësitë më të mëdha që ne kemi, atë të numrit të ulët të testeve. Nëqoftëse nuk testohet, nuk kuptohet dhe nuk ka efektivitet pjesa tjetër e përgjigjes ndaj Covidit.
MESAZHI JUAJ SENSIBILIZUES E PATRIOTIK PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËS NË USA

Të gjithë shqiptarët janë borxhlinjë dhe mirënjohës komunitetit të shqiptarëve në Amerikë për atë që kanë bërë dhe luftën që kanë bërë për të mbrojtur kauzën tonë patriotike dhe besoj që mjekët në Amerikë do të vazhdojnë të luajë rol duke ofruar lidership, ekspertizë dhe mbështetje siç ka ndodhur gjate muajve të pandemisë. Mjekët shqiptarë e kanë ndjerë mbështetjen e kolegëve që punojnë në Amerikë dhe uroj që kjo të institucionalizohet dhe të mos jetë një marrëdhënie që përfundon gjatë pandemisë sepse Covidi do të largohet për pak muaj kur të dalë vaksina dhe të mbarojë periudha e emergjencës, por problemet e mëdha që ka sistemi shëndetësor në Shqipëri do kërkojnë gjithmonë mbështetje nga koleget tanë që jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.