
Sot e Dielë, 25 Maj 2025 në një nga sallat e institutit “Opera America” në Nju Jork u zhvillua një koncert kalsik me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë dhe artistëve ndërkombëtarë. Merrnin pjesë pianistja e mirënjohur e TKOB Hermira Gjoni me një karrierë prej 6 dekadash në skenat e gjithë botës, tenori Vasil Marku, baritoni i talentuar dhe me perspektivë Brendon Rapushaj, sopranoja Menora Uinston, sopranoja Katherine Vicente nga Republika Domenikane, dhe violonçelisti Enrique Orengo nga Porto Rico. Në program ishin pjesë nga autorët më të njohur botërorë të cilat u interpretuan me mjeshtëri nga këngëtarët të shoqëruar nga pianistja Gjoni. Koncerti u hap me baritonin Brendon Rapushaj me “Serenatë” nga Shubert. Më pas Katherine Vicente këndoi një arie nga Moxart pasuar nga tenori Vasil Marku me interpretimin e një prej arieve me kërkesa të larta teknike të Puçinit nga opera “Fanciulla del West”. Koncerti vijoi me “E lucevan le stelle” nga opera Toska e Puçinit të cilin tenori Marku e interpretoi me sukses dhe u duartrokit nga publiku. Pasuan ariet “Casta Diva” M. Uinston, ” Non piu andrai” baritoni Rapushaj, “O sole mio” V. Marku. Një nga pjesët më të veçanta të kësaj mbrëmjeje klasike ishte romanca e kompozitorit Hektor Villa Lobos “Bachianas Brasilieras” e cila ishte kombinim i zërit të sopranos Uinston me pianon dhe violoncelin e Enrique Orengo.
Midis dy pjesëve të koncertit pianistja Hermira Gjoni intereptoi për kënaqësinë e publikut dy pjesë për piano nga Sinding “Shushurimë Pranverore” dhe “Nokturn” nga Shopen. Koncerti u mbyll me arien “Libiamo” nga opera Traviata e interpetuar nga të gjithë këngëtarët. Për të pranishmit më pas u shtrua një bufe me gastronomi shqiptare.
Hermira Gjoni vazhdon aktivitetin e saj artistik duke dhënë kontribut në përgatitjen e talenteve të reja dhe promovimin e artit dhe kulturës në përgjithësi. Ajo është vlerësuar me urdhërin “Naim Frashëri” nga Kuvendi i Shqipërisë, çmimin “Albanian Excellence”, “Proklamatën e vlerësimit nga Senati i Nju Jorkut dhe çmimin “Vlerësim Special” nga Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA.
Nazim Saliu
NOLI TV