Ndertesa ku u mbajt Kongresi i Elbasanit
Prof. dr. Roland Gjini
Një vit pas Kongresit të Manastirit, në Elbasan u mbajt 2 deri 9 shtator, pra në vitin 1909, kongresi mbarëkombtar i cilëuar si “Kongresi i shkollës shqipe” Dita e fundit (9 shtatori) përkon me marrjen e vendimeve dhe mbylljen e Kongresit. Ky kongres u mblodh në një situatë të tillë kur politika xhonturke, e shqetësuar nga Kongresi i Manastirit dhe vendimi i tij për t’u shkruar shqipja me gërma latine,organizoi Kongresin e Dibrës për të penguar shkrimin e gjuhës shqipe sipas alfabetit të Manastirit, madje për këtë Ministria e Arsimit e qeverisë xhonturke urdhëroi shkollat shqipe shtetërore në trojet shqiptare që të përdornin alfabetin arab. Jo rastësisht zgjidhet Elbasani si qyteti i mbajtjes së këtij Kongresi. Traditat patriotike, arsimore e kulturore që në krye të herës të këtij qyteti, me figura të shquara si Dhaskal Todri e Kostandin Kristoforidhi etj., kanë qenë të njohura në të gjitha trevat shqiptare dhe kishin ushtruar një ndikim të fuqishëm në ata intelektualë që vendosën për mbledhjen e këtij Kongresi në këtë qytet. (L. Varoshi, Normalja në traditë, 1995)
Kongresi i Elbasanit mori përmasa mbarëkombtare për dy arësye kryesore:
Së pari, se në të morën pjesë përfaqësues nga pothuaj tërë trevat shqiptare, personalitete të lëvizjes kombëtare në pergjithësi e asaj arsimore ne veçanti, të cilët erdhën, përveç Elbasanit, nga Tirana, Korça, Berati, Durrësi, Gjirokastra, Përmeti, Pogradeci, Dibra, Shkupi, Manastiri, Ohri, Struga, Filati e deri nga Janina e Selaniku. Ndërsa Shkodra në emër të shoqërive, klubeve dhe arsimit shqip të zonës së Veriut, deklaroi se do të ishte dakort me çdo vendim që do të merrte Kongresi i Elbasanit në të mirë të arsimit e lëvizjes kombëtare. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Vlora. Të 35 delegatët, të cilët morën pjesë që ditën e parë të Kongresit, u përzgjodhën nga 28 klube e shoqëri patriotike që vepronin asokohe në mbarë trevat shqiptare e përreth tyre. Një delegat mund të përfaqësonte nja një deri disa klube e degë të tyre. Kështu, për shembull, Mit’hat Frashëri përfaqësonte 6 degë, ose një klub i një zone mund të caktonte delegat nje përfaqsues nga një zonë tjetër, kështu elbasanasi Ahmet Dakli ishte zgjedhur nga Struga, Qemal Karaosmani nga Berati, Selman Blloshmi nga Starova e Pogradecit, etj. Delegatët e tjerë ishin: Dervish Biçaku, që u zgjodh edhe kryetar i Kongresit, Taq Buda, Simon Shuteriqi, Josif Haxhimima, Qamil Haxhifeza, Et’hem Haxhiademi, Orhan Pojani, Idhomene Kosturi, Gjergj dhe Sevasti Qiriazi, Kristo Dako, Andrea Konomi, Thoma Papapano, hafëz Ibrahim Dalliu, dom Nikoll Kacorri, Mihal Sava, Kareman Vrioni, Hamdi dhe Irfan Ohri, Abdulla Reshiti, Refik Toptani, Grigor Cilka, Osman Joraja, Abdurahim Kavaja, Haxhi Bajrami, Teki Rushiti, Abdullah Koprëncka, Sulejman Leka, Sabri Efendi Beu, Telha Gramshi, Jahja Ballhysa. Ndër pjesëmarrësit e tjerë në Kongres, që morën statusin e delegatit, përmendim edhe disa figura, si Lef Nosin, që ishte edhe organizatori kryesor i Kongresit, Alush Saraçin, që një vit më pas do të zgjidhet kryetar i bashkisë së Elbasanit, e ndonjë tjetër figurë e njohur, që erdhën pak ditë më pas në kongres, të cilët u kooptuan si delegatë me të drejtë vote. Gjithashtu, shumë figura të tjera elbasanase, megjithëse nuk ishin zgjedhur delegatë, u morën gjallërisht me mikpritjen dhe organizimin e punimeve të Kongresit.
Së dyti. Ky kongres mori përmasa mbarë kombëtare nisur nga vendimet e tij. Të shkruara e nënshkruara me 15 pika, vendime të cilat kishin të bënin me masivizimin dhe organizmin e shkollave shqipe, shoqërive dhe klubeve patriotike në mbarë trevat e vendit. Ndër pikat më të rëndësishme të vendimeve të Kongresit përmendim: vijimin e të shkruarit të shqipes me gërma latine, sipas vendimit të Kongresit të Manastirit, unifikimn e një gjuhe zyrtare standarte, ku të merrej për bazë dialekti i Elbasanit. Kongresi vendosi gjithashtu që shkollat shqipe të organizoheshin me programe e të përcaktoheshin lëndët mësimore, në to të përdorej vetëm gjuha shqipe, dhe të përpiqeshin që materialet mësimore dhe të shprehurit t’i përmbaheshin një gjuhe standarte, të qartë si për toskët ashtu edhe për gegët. Mund të themi se vendimet që kishin të bënin me përmbajtjen e shkollës mund të cilësohen si vënia e themelit të krijimit të arsimit e shkollës sonë kombtare. Prandaj ky Kongres mori edhe emërtimin “kongresi i shkollave shqipe”, pasi ai me vendimet e tij konkretizoi krijimin dhe organizimin e sistemit arsimor shqiptar dhe e konsideroi atë mjetin kryesor të përparimit shoqëror. (R. Koburja. Normalja ne tradite, 1995) Pika të veçanta i kushtoheshin financimit e mbështetjes ekonomike të shkollave shqipe, për këtë rolin organizues do ta kryenin klubet e shoqëritë patriotike, që me anë të donacioneve do të krijonin një fond të veçantë e do të kujdeseshin për mirëpërdorimin e tij. Kongresi gjithashtu u bënte thirrje shkollave fetare qe në programet tyre të përfshihej domosdoshmërisht edhe lënda e gjuhës shqipe. Një vendim i veçantë dhe shumë i rëndësishëm ishte edhe ai për hapjen e shkollës Normale në Elbasan, e cila u bë e mundur po atë vit, pak muaj më pas. Hapja e kësaj shkolle do të bënte realitet masivizimin, pasi do të përgatiste kontigjentet e mësuesve për shkollat jo vetëm ekzistuese por edhe për ato që do të hapeshin. Dhe është fakt që Normalja e Elbasani, që nga hapja e saj e deri në vitin 1946, vit kur u hap në Tiranë Instituti 2-vjecar për mësues, do të ishte institucioni i vetëm kombëtar për përgatitjen e kontigjenteve të mësuesve për tërë shkollat e trevave shqiptare.
Pavarësisht se anëtarët e Kongresit deklaruan se nuk do të merren me politikë, në diskutimet dhe në vendimet e marra u vu re një përmbajtje e thellë politike në mbrojtje të alfabetit, shkollës shqipe e lëvizjes sonë kombëtare në tërësi. Me vendimet e tij ky Kongres atakoi hapur politikën antishqiptare të xhonturqve, dhe mund të themi se ky kundërshtim qe një nxitje e rëndësishme për kryegritjet e armatosura antiosmane që do të shpërthenin në mbarë vendin e do të çonin në shpalljen e Pavarësisë.
Kongresi që u mbajt në Elbasan, nuk ishte rastësi. Prej dekadash ky qytet e trevat rreth tij jo vetëm kishin shfaqur dëshirën për shkollën shqipe, por edhe kishin bërë hapa konkretë në këtë drejtim. Me këtë kongres dhe me Normalen që vendosi të hapë ai, Elbasani fitoi tashme de jure, rolin e avangardit në arsimin e shkollën shqipe, duke krijuar një traditë të vyer e duke i shërbyer shkollës shqiptare gjithandej. Le të shërbejë kjo traditë, dhe në rastin tonë përkujtimi i ngjarjeve të tilla si një shtysë për ditët e sotme dhe për ato që do vijnë. Pavarësisht se kohët evoluojnë, e bashkë me kohët evoluojnë edhe qytete e treva të tjera, duhet ta kemi të qartë ne shqiptarët, mësues të vërtetë dhe arsim të vërtetë prodhon Elbasani. Këtë traditë, përvojë dhe vlerë brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë më pas duhet jo vetëm ta ruajnë, por edhe ta çojnë më tej.