Sokol Paja/
New York, 22 Gusht 2024- Kongresisti republikan Keith Self përfaqësuesi i Distriktit të 3-të në Teksas vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra i shoqëruar nga Gino Mulliqi, Këshilltar Bashkiak në qytetin Wylie në Teksas dhe aktivisti i komunitetit shqiptar në Texas, Doc Vranici drejtues i “Albanians for America”. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha shprehu mirënjohjen e thellë dhe vlerësimin e lartë për Kongresistin Keith Self, lidhjen e tij me kombin tonë dhe diskutoi rreth kontributit historik që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë kombit shqiptar. Përgjatë fjalës së tij Dr. Berisha kërkoi mbështetjen e kongresistit Keith Self në aprovimin e ambasadorit amerikan në Tiranë David Kostelancik dhe ambasadorin amerikan në Mal të Zi Bix Aliu, emërime këto kaq të nevojshme dhe të domosdoshme në një kohë që po rritet ndërhyrja e trysnia ruse në Ballkan. Kongresisti republikan Keith Self shprehi kënaqësi e respekt për vizitën te Vatra i shoqëruar nga veprimtarë të komunitetit shqiptar në Texas. Ai kujtoi kohën e bashkëpunimit me gjeneral Wesley Clarc, takimin me presidentin e Shqipërisë e Kosovës, kryeministrin e Kosovës dhe mbështetjen ndaj shqiptarëve përgjatë veprimtarisë së tij në Uashington. Gino Mulliqi, Këshilltar Bashkiak në qytetin Wylie në Teksas vlerësoi punën e jashtëzakonshme të Vatrës dhe vlerësoi Kongresistin për ndihmën në çështjen e Kosovës ku renditi ndihmën në kohën e bombardimeve të Serbisë nga NATO ku kongresisti Self kordinoi ushtarë nga 37 vende të ndryshme të botës në kohën e luftës së Kosovës. Kemi nevojë për miq të fortë në Uashington për të kontribuar për çështjen kombëtare, tha ndër të tjera z.Mulliqi. Veprimtari Doc Vranici drejtues i “Albanians for America” e cilësoi takimin në Vatër shumë të rëndësishëm dhe emocio al në respekt të historisë së Vatrës dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Delegacioni i Vatrës përbëhej nga kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha, sekretari Dr. Pashko Camaj, editori i Diellit, anëtari i kryesisë Ilir Cubi dhe veprimtari Anton Raja.