Nga Anton Cefa/
Konica, personaliteti shqiptar më i kulturuar i kohës së tij, e pau me dhimbje kraharori gjendjen e ulët të qytetërimit të popullit tonë dhe të emigantëve shqiptarë të Amerikës, jo vetëm në rrafshin e kulturës material e të nivelit të jetesës, por sidomos në atë të kulturës shpirtërore dhe të zhvillimit shoqëror të shoqërisë shqiptare; e vuri në dukje në shkrimet e tija, e shqyrtoi me sytë e një sociologu, e këshilloi me zemrën e një edukatori atdhetar idealist dhe kritikoi ashpër po me këtë zemër. Duhej kultivuar brumi fisnik i shpirtit shqiptar, virtytet e vyera; duheshin luftuar veset, duke punuar për formimin e vetëdijes qytetare tek shqiptarët emigrantë dhe, krahas saj, të vetëdijes kombëtare, duke i ndërgjegjësuar ata për të drejtat dhe detyrat që kanë ndaj shoqërisë dhe shtetit – shtetit amerikan dhe shtetit shqiptar, me synimin që të përpiqen dhe të punojnë në dobi të shoqërisë së tyre dhe shtetit shqiptar. Është e vërtetë ajo që ka thënë mendimtari i viteve ’30, Vangjel Koça, për Konicën: “Në vend që t’a merrte problemin e brendëshëm shqiptar si problem edukate, . . . për fat të keq e mori si problem kamxhiku dhe sharjeje”. E përsëris që kjo është plotësisht e drejtë për polemikat e tij në marrëdhënie me kundërshtarët e tij politikë, sepse “toni i luftave të tija politike të brendëshme – siç thotëKoça – nuk ka qenë aspak i fismë”; por nëse e trajtojmë personalitetin e tij në marrëdhënie me njerëzit e thjeshtë, dhe, në rastin tonë, me emigrantët shqiptarë të Amerikës, nuk mund të pohohet një gjë e tillë. Dëshmi është e gjithë veprimtaria e tij këtu, në plan të parë, në gjirin e “Vatrës”. Në hullinë e qytetërimit, një rëndësi të veçantë, ai i jepte ngritjes morale dhe kulturore të qytetarëve, gjë që e konceptonte në dy rrafshe: në atë teorik dhe në atë praktik, në njohjen dhe në stërvitjen. Në kapitullin e parë të “Kanunores dhe Rregullores së Federatës Panshqiptare VATRA” – e njohur nga administrate amerikane e shtetit Massachusetts, më 13 qershshor 1912, dhe botuar për herë të parë në shtypshkronjën e “Vatrës”, në tetor 1926, – aty ku bëhet fjalë për “Qëllimet e Federatës”, vihet si qëllim kryesor: “Të përhapë në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës stërvitjen dhe doktrinat morale.” (Neni 3). Konica së bashku me Nolin dhe atdhetarë të tjerë krijuan dhe organizuan “Vatrën” si një institucion të edukimit kombëtar e qytetar. Duke e futur në Kanunore dhe duke e sendërtuar në praktikën e punnës së “Vatrës”, Konica e shndërroi edukatën qytetare nga një synim në një veprimtari të organizuar. Që në fillim, në Kanunoren, ai përcakton edhe rrugët për arritjen e këtij synimi. Në nyjën 1 thuhet: “Të ritë në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës, dhe me anë të tyre në mes të Shqipëtarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës në mes të tyre dhe të dashurisë për kombësin’ e tyre me anë konferencash popullore dhe botimesh.” Dhe këtë punë, ai filloi ta vinte në jetë që me krijimin e “Vatrës”, e vazhdoi gjatë kohës kur qe kryetar i saj, dhe më vonnë, vazhdimisht, me dashuri e përkushtim martiri, me shpirtin e tij, në të cilin siç është shprehur Noli “mbretëronte si njëfarë perëndie ideali stoik i detyrës.” Me aftësitë organizative, me punën e ti propagandistike, me konferencat që mbajti në periudhën para dhe pas formimit të “Vatrës” dhe më vonë, kur vizitonte kolonitë e mërgimtarëve, me shkrimet dhe artikujt publicistikkë, etj., ai u bë një edukator i flaktë i emigrantëve, arriti të shuajë mospajtimmet e kundërshtimet që kishin shoqatat me njëra-tjetrën, duke i shndërruar ato në degë të Federatës, i udhëhoqi në rrugët e vështira të formimit të vetëdijes qytetare dhe kombëtare. Ndihma e ndërsjelltë është shfaqje konkrete, e prekshme e dashurisë për njëri-tjetrin, dashuri që të çon drejt dashurisë për kombësinë, ashtu siç ndodhi dhe siç e kishte parashikuar, dhe për të cilën punoi Konica. Këtë normë morale, ai e pati vënë në Kanunore, tek qëllimet e krijimit të Federatës: “Vatra” krijohet “të ndihë moralisht për përmirësimin e anëtarëve të Federatës dhe të mprojë sa të mundë imigrantët dhe punëtorët shqipëtarë.” (Neni 4). Historia e “Vatrës” dhe historia e bashkësisë shqiptaro-amerikane e kanë dëshmuar katërcipërisht një gjë të tillë. Në historinë e “Vatrës”, ndihma e ndërsjellë nga dimensione individuaale kaloi në dimensione kombëtare, duke u bërë një faktor i jashtëzakonshëm i funksionimit të organiatës dhe i shpëtimit të Shqipërisë dhe zhvillimit të saj. Duke çekur këtë problem, Gurrazezi në “Historia e Federatës VATRA” ka thënë: “Me ato punë të rënda dhe rogë të vogëla, punëtorët shqipëtarë t’ Amerikës ndihmuan familjet e tyre në Shqipëri, përmirësuan tepër ndodhjen ekonomike të vendit të lindjes së tyre, dhe bënnë çudira duke ndihmuar me duar hapur për lëvizjen kombëtare . . . N’ Amerikë ka patur shumë mijëra shqipëtarë, po fakti është se çudirat i bënë vetëm Vatranët: ata 5000 shqipëtarë që ishin anëtarë të Federatës VATRA, ndotha edhe më pakë se aqë. . . ”* * * Në kapitullin “Anëtarët”, vihet si kusht pranimi në Federatë qëndrimi moral: “Çdo Shqipëtar . . . që ka sjellje të mirë . . . munt të kërkojë të bëhet anëtar i “Vatrës” (Neni 6). Por për t’u anëtarësuar nuk mjaftojnë sjellja e mirë dhe ndershmëria, vatrani duhet të dojë dhe të respektojë deri në një Kanunoren e “Vatrës” dhe “kanunet dhe institutat e Shteteve të Bashkuara.” Respektimi ndaj ligjit është gur themeli në ndërtesën e shtetit dhe të shoqërisë, shenjë qytetërimi. Një punë të madhe bëri Konica për formimin e vetëdijes qytetare tek emigrantët shqiptarë, duke i ndërgjegjësuar ata për të drejtat dhe detyrat që kanë ndaj shoqërisë dhe shtetit, me synimin që të luftojnë dhe të punojnë në dobi të shoqërisë dhe shtetit të tyre, edukoi ndjenjën e qytetarisë. Si një evropian i formuar, Konica vlerësonte tek qytetari, para së gjithash, ndjenjën e përgjegjësisë së individit ndaj shoqërisë. Ta ndjesh veten përgjegjës ndaj shoqërisë për çka e si ndodhë rreth teje është treguesi më i lartë i vetëdijes dhe i ndjenjës qytetare. Ky tipar formimi i personalitetit të njeriut së bashku me parimësinë në jetë përbëjnë kuintesencën e të qenit qytetar i lirë dhe i ndershëm. Të gjithë e dimë përkufizimin që i pati bërë Konica lirisë: “Liria është të mundet njeriu: të besojë ç’i do zembëra, të thotë ç’i thotë zembëra, të shkrojë ç’i do zembëra, veç ato që janë kundëra lirisë tjetër njeriu.” Liria e ndërgjegjes, liritë e individit, liria e fjalës, e shtypit, e veprimit, të drejtat e detyrat e qytetarit përbëjnë themelin e edukatës qytetare, që u përpoq të edukojë Konica tek shqiptaro-amerikanët. Ai thotë: “Liri, nuk do të lodhemi së kërkuari, se ajo është shpëtimi i kombit.” Ai nuk pushoi së punuari për një edukim të shëndoshë qytetar. Edhe pse në kohë të vështira, ai përdori edhe teatrin si armë e fuqishme me ndikim të lartë edukativ, në rrafshin moral dhe në atë estetik. Ja se çfarë shkruan Jup Kastrati në monografinë e tij për Konicën: “Tragjedia ‘Othelo’, vepër e shënuar e Shakespeare-it, shqipëruar nga kryepeshkop Fan S. Noli, u shfaq për herën e parë në Arlington Theatre, në Boston, Mass., më 4 korrik 1923. Henrietta Miller luajti rolin e Desdemonës, Antigoni Vaskë Kosta lojti rolin e Emilisë, Vançi Miller pjesën e Othelos, Arapit të Venedikut, Andon Frashëri rolin e Jagos. Faik Konica, i cili stërviti amatorët interpretoi rolin e Dukës. Në kritikën që i bëri Konica kësaj shfaqjeje, në gazetën ‘Dielli’ të 7 korrikut 1923, në fund të artikullit thotë shprehimisht: ‘në një fjalë të lojturit e ‘Othelos’ në Arlington Theatre të Bostonit më 4 të korrikut ka qenë shumë më tepër se një lodrë amatorësh: ka qenë për herë të parë në gjuhën shqipe, përfaqësimi më i fortë dhe i bukur i një kryevepre tragjike”.* * * Është i padiskutueshëm personaliteti kundërthënës, kontradiktor, herë-herë paradoksal i Konicës, një personalitet kulmor në të dy kahjet, në atë pozitive dhe në atë negative, në të mirën dhe në të keqen, në të bukurën dhe në të shëmtuarën. Një personalitet i fuqishëm që i kishte të fuqishme, kulomore edhe kundërthëniet e tij, kudo në jetë e në punë, në politikë, në kulturë, në karakter, në qëndrimin ndaj tjerëve, po edhe ndaj vetes. Edhe në shpirtin e tij qe kundërthënes; por, siç na rezukton, ai u fali emigrantëve shqiptarë atë hise shpirti që u takonte engjujve dhe asnjëherë atë që u takonte djemenve. Kjo hise engjullore – jo aq e njohur në trojet tona – u jetësua në punë, në fjalë, në sjellje, në shkrimet publicistike, në vepra letrare, në marrëdhënie me mërgimtarët. E vërtetë, me shqiptarët e Amerikës edhe në gabime qe i sjellshëm, kurrë i vrazhdë; edhe në kritikë qe i butë, kurrë i ashpër; edhe në fjakë qe i ëmbël, kurrë i hidhur. Kritika e tij është kritika e babait që qorton të birin; vërejtja e tij vërejtje e mikut për mikun; tërheqja e vëmendjes tërheqje e vëmendjes e shokut ndaj shokut. Kët na e dëshmojnë të gjithë ata shqiptaro-amerikanë që e njohën dhe punuan me të; këtë na e sugjeron historia e “Vatrës”; këtë na e vërtetojnë sjelljet e tij në gjirin e vatranëve, shkrimet e tij për shqiptaro-amerikanët, “shpirita e tij responsible” ndaj “Vatrës” dhe ndaj bashkësisë shqiptaro-amerikane. Për shqiptarët e Amerikës dhe, në radhë të parë, për vatranët, ai qe vërtet jo vetëm udhëheqës politik, organizativ, kulturor, artistik; por, mbi çdo gjë, ai qe udhëheqësi shpirtëror idealist, i dashur, i nderuar, i admiruar dhe për pasojë, i ndjekur. I ndjekur me përkushtim. Konica gjithnjë e pati vlerësuar lart punën e vatranëve, gatishmërinë e tyre në punët e “Vatrës”, kontributet e tyre në lëmin atdhetar.. Në nr. 30 të “Diellit”, me rastin e përvjetorit të parë të botimit të kësaj gazete, Konica, në editorialin e tij, falënderoi Shoqërinë Besa-Besën dhe bashkëpunëtorët më këto fjallë: “Shoqërisë Besa-Besën”, kryetarit atdhetar dhe të palodhur të saj, pleqësisë së nxehtë kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, ana kombëtare u ka hua përhirime nga zemra. Dreqtor’ i ‘Diellit’ mbush një detyrë të veçantë duke rrëfyer se sa i çmon mundimet e të dashurit atdhetar, z. G. Konda Gjoleka, i cili ka marrë përsipër sundimin e gazetës. Dhe s’ munt të heshtim emrat e z. Efthim Natsi, i cili nga atdhesia ka marë gjurmat e të dy vëllezërve të njohur të tij, dhe z. Ilo Zografi. Në vende të tjera, munt që shtypogarfët të vështrohen si punëtorë, po, në përlindjen shqipëtare, rolli i tyre është me rëndëssi se bashkëpunojnë për zgjimin e një kombi. Zyra e ‘Diellit’ u shtua që nga ca kohë me një sekretar, z. Vani Çekani, puna e të cilit na solli shumë dobi dhe pemë.”. Gjithsesi, në stilin e punnës së tij, në marrëdhëniet me të tjerët, një armë e fuqishme ka qenë kritika, më së shummti, e shtrirë në hulli ironie e sarkazme, që kanë qenë veçori e qenësishme e publicistikës së tij. Po ai nuk kritikonte vatranët e thjeshtë e të ndershëm. Tehun e kritikës, ai e ruante, më së shumti, për gabimet e fajet e ndonjë vatrani që kishte njëfarë përgjegjësie në punët e “Vatrës”. Kështu, kur në periudhën nga shtatori i vitit 1911 deri në maj të vitit 1912, ai jetonte në Cambridge dhe ndiqte studimet në Universitetin e Harvardit, editori i atëhershëm i “Diellit”, Kristo Floqi “për çudinë e të gjithëve – siç shkruan Gurrazezi në veprën e përmendur më lart – i quante iniciatorët e kësaj idejje dhe t’atij plani si ‘pengonjës të bashkimit! . . . Konitza thosh se s’ish në kontakt të dendur me shokët për arësyen se ronte lark Boston-it dhe shtonte që Diellin nuk e këndonte se kish frikë mos e harronte shqipen! Nga ky shkak, ai nuk e dinte mirë se ç’po bëhej për punën e bashkimit të shoqërive, punë të cilën e nisi ay vetë dy vjet më parë.”! Në Kuvendin e “Vatrës” të vitit 1923, drejtuesi i mbledhjes Pandi Janaq, i shtyrë nga delegatët, kërkoi nga Faik Konica t’u tregonte delegatëve arsyet përse “Dielli” përdorte gjuhë të ashpër. Është koha, kur siç shkruante Qerim Panariti, Konica si editor i “Diellit” filloi një fushatë të ashpër kundër Zogut dhe kohortës së tij reaksionare, që pas 1920-ës kishin kontroll të plotë mbi Shqipërinë.” Konica u përgjigj në këtë mënyrë: “Duhet bërë një ndryshim në mes të sjelljes që duhet të ketë njeriu në marrëdhëniet private me njerës të tjerë, dhe nga tjetra anë të sjelljes që njeriu duhet të ketë në luftrat për një ideal. Faik Konitza si njeri privat ka patur kurdoherë marëdhënie të pëlqyera me gjith’ ata që ka njohur personalisht, dhe në jetë të tij private nuk i ka ngjarë ttë shkelë regullat e hoborrësisë, të lëndojë zemëra dhe të zihet për arësye personale. Po në jetë poltike puna qëndron ndryshe, këtu nuk është sheshi i marëdhenieve shoqërore t’ëmbla dhe të holla; këtu është një shesh lufte për përparimin e një programi, dhe kush thotë luftë, thotë grushte të dhëna e të pritura. Pa fjalë, kjo luftë shumë herë nuk ësht’ e bukur në dukje, po ësht’ e domosdoshme kur marim nër sy qëllimet. Në jetë private, ata që duan ta kenë mirë me të gjithë janë për të lëvduar; po në jetë politike ata që duan të lënë deriçka për “compromises” të fitimshme për veten e tyre, vetëm ata heshtin, kurcejnë, mbyllin sytë; ata janë hipokritë dhe njerës të dyshimshëm. Luftëtari i vërtetë s’duhet as të kurcejë grushtin, qetësinë dhe reziqet e jetës për veten e tija. Vetëm më këtë mënyrë fitohen luftërat. Dielli që në nisje ka qenë një organ lufte: dhe Peshkop Noli si editor, Bahri Omari, Loni Kristo, dhe të tjerët, të gjithë kanë mbrojtur te Dielli idealet t’ona me forcën e pa kursyer, ashpërsinë të pahieshme po të domosdoshmme t’ ushtarit në shesh të luftës.Veti e çmueshme e karakterit të tij qe njohja dhe pranimi i gabimit – një cilësi e një njeriu vërtet të qytetëruar. Refat Gurrazezi ka shkruar: “Konica kish këtë të mirë, të cilën fare pak njerës të lartër munt t’a kenë: kur e kuptonte se ish i gabuar, i jepte dorën kundërshtarit dhe e kish me sinqeritet të zemërës, s’qe hipokrit si shumë të tjerë.” Këtë e kanë pohuar edhe miqtë e shokët e tij të ngushtë si Asim Jakova, Peter Minar, e të tjerë. * * * Konica që pati fatin të studiojë në shkolla greke, turke, shqiptare, në shkolla të tjera evropiane dhe amerikane dhe që ishte inteligjent nga natyra dhe parimor nga morali pati formuar në vetëdijen e vet një vizion të qartë evropian perëndimor për të ardhmen e Shqipërisë. Më të qartin ndër personalitetet e Rilindjes dhe ata të periudhës së Pavarësisë. Kjo e ndihmoi atë t’i shpëtojë kategorikisht ndikimeve e mendësive orientale ballkanike. Ka mbetur si një relike e shenjtë e kësaj dëshmie telegram që ai i bëri Kuvendit të Vlorës, në nëntor 1912, botuar në “Dielli” më datën 5 dhjetor 1912 “Vatra’ përhiron Shqipërinë: Federata Pan-Shqipëtare Vatra e Amerikës dërgon urime të nxehta për inauguratën t’uaj, e cila s’do të harohet kurrë. “Vatra” me gojën e Konicës i lutet “Mbledhjes së Kombit” që të mos krijojë një shtet Oriental, po një shtet krejt Evropian, si Norvegjinë, Danimarkën, Hollandën dhe Belgjikën. I nënshkkruari u lutet veçan deputetëve muslimanë të provojnë atdhesin’ e tyre duke zgjedhur një princ të krishterë. Po të bëjnë ndryshe, do të bëjnë një lajthim të pandreqshëm. (Nënshkruar për Komisionin: Faik Konitza). Në Seminarin e organizuar nga “Vatra” me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Konicës, në vitin 1976, në New York, Namik Resuli e ka dhënë me këto fjallë atributin evropian të Konicës: “Faiku qe i pari toskë që u ushqye e u rrit me kulturë perëndimore të madhe e të shkëlqyer, i pari që jetoi e njazoi mënyrën e jetesës së Perëndimit, me një fjalë, i pari toskë që që trashëgoi mendësinë e një populli evropian. Ky ndikim e bëri Faikun të largohet sa më shumë prej Toskëve të tjerë të kohës së tij dhe e shtyti të bjerë në kundërshtim të thellë me ta, pse, me gjithë përpjekjet e tyre, s’dinin të shqiteshin nga mendësia orientale, pikërisht nga ajo mendësi që qe një nga trashigimet më të hidhura e më të dëmshme për zhvillimin e kombit tonë edhe pas fitimit të pavarësisë.” Ndërsa Jup Kastrati, në monografinë e tij të vëllimshme për Konicën, ka shkruar: “Ai mbetet apostull i qytetërimit shqiptar. Aso kohe kur pak kush e mendonte se e gjithë historia e Shqipërisë ishte lufta për t’i mbetur Azisë apo për t’iu rikthyer Evropës, qartësia e Konicës vezullon akoma sot.Shqipëria ishte Evropë dhe duhej të mbetej vetëm e tillë. Ai dëshironte që qytetërimi shqiptar të ishte i pranishëm e madje i barabartë në gjirin e qytetërimit evropian. I vetëdijshëm si një burrrë shteti, ai kërkon përmbushjen e të drejtave të njeriut edhe për shqiptarët.” Duke e parë përparimin e popullit tonë gjithnjë në drejtim të Perëndimit, Konica synonte jo thjesht nivelet e zhvillimit teknik e teknologjik, sistemet shtetërore e shoqërore demokratike, por kryeshisht qytetërimin, moralin dhe kulturën perëndimore. Ka thënë Winston Churchill: “Çmimi i madhështisë njerëzore është përgjegjësia.” I madhërishëm siç qe, Konica e ndjente veten “responsible” për shpirtin e “Vatrës”, për drejtimin shpirtëror përndritës që i dha asaj me punën e tij; çka na bën ne të shqyrtojmë ndërgjegjen tonë: sa jemi ne “responsible” ndaj shpirtit konician dhe ndaj shpirtit që i blatoi ai vatranëve dhe gjithë shqiptarëve të Amerikës.