Sokol Paja/
New York, 16 Janar 2025 – Konsulli i Përgjithshëm i Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York, Ambasador Blerim Reka në bashkëpunim me aktivistin e çështjes kombëtare z.Mark Gjonaj organizuan një takim përkujtimor në nderim të viktimave të krimeve e gjenocidit serb në Kosovë. Me pjesëmarrjen e shoqatave patriotike, kulturore, atdhetare e aktivistëve të shquar të komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës, u përkujtua me respekt, dinjitet e nderim jeta e humbur padrejtësisht e çdo shqiptari dhe qëndresa në Kosovë në përballje me regjimin gjenocidal serb. Në fjalën e mirëseardhjes Ambasador Blerim Reka theksoi nevojën e përkujtimit të viktimave të gjenocidit të Serbisë në Kosovë dhe ekspozimin e këtyre krimeve të tmerrshme. Mark Gjonaj në fjalën e hapjes apeloi për politikën në Kosovë që të bëjnë më shumë për të ekspozuar krimet e tmerrshme të serbëve në Kosovë dhe nxjerrjen para drejtësisë ndërkombëtare të kriminelëve serbë.
“Çdo cep i Kosovës është larë në gjak e lotë. Ne nuk do të harrojmë kurrë. Përulemi me respekt dhe kujtojmë mbi 13,950 jetë të humbura, 20,000 të mbijetuar të dhunimit dhe 1,620 personave ende të zhdukur gjatë gjenocidit të kryer nga serbët në Kosovë. Është detyrimi ynë moral t’i nderojmë ata, të mbështesim të mbijetuarit dhe të edukojmë botën për të siguruar që tragjedi të tilla të mos ndodhin më kurrë” tha ndër të tjera Mark Gjonaj. Aktivisti z. Shaqir Gjokaj kërkoi që Serbia të paditet për gjenocid në gjykatën ndërkombëtare.
Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj në emër të Federatës Vatra garantoi se zëri i Kosovës dhe çështja e krimeve të pa zbardhura serbe në Kosovë do të dëgjohet fuqishëm në institucionet amerikane. Patrioti Valdet Çobaj diskutoi rreth idesë së ekspozimit të krimeve serbe në Kosovë në Muzeun e New York-ut, Londrës etj. Aktivistja e komunitetit Moza Dajçi theksoi rëndësinë historike të zbardhjes së gjenocidit, ndërsa atdhetari Veri Talushllari vuri në dukje kontributin e kolegëve të tij në luftën për çlirimin e Kosovës dhe i preku pjesëmarrësit me recitimin e poezisë me motiv nga krimet e serbëve në Kosovë “Vërtitet një këmbë”.
Gjeneral Gani Shehu i Batalionit “Atlantiku” apeloi që të mos harrohet e kaluara e dhimbshme por edhe e lavdishme e shqiptarëve të Kosovës dhe apeloi prej të gjithë të pranishmëve që të bëjnë më shumë për ti treguar botës rreth krimeve monstruoze që Serbia bëri në Kosovë. Anëtari i kryesisë së Vatrës z.Ilir Cubi theksoi se zëri i shqiptarëve të Amerikës në demonstrata ndër vite ka sensibilizuar amerikanët dhe mbarë Perëndimin për çështjen e Kosovës. Takimi përkujtimor vazhdoi me biseda dhe shkëmbime idesh për të forcuar më tej komunitetin shqiptar në mërgatën e Amerikës drejtë një veprimtarie edhe më të fuqishme patriotike në dobi të çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara.