

Rafaela Prifti/
“Në ditën e rëndësishme të përvjetorit të 17 të pavarësisë së Kosovës, ju urojmë juve që ishit ambasadorë të saj kur Kosova nuk kishte ambasadë, ju që e mbajtët kurdoherë aktuale dhe në vëmendje çështjen e Kosovës në Nju Jork e Uashington ,” tha në fjalën e tij përshëndetëse Ambasadori Blerim Reka në pritjen diplomatike të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës që u dha me këtë rast në restorantin Empire Steakhouse në Manhattan, mbrëmjen e ditës së hënë.
“Para së gjithash, lavdi dëshmorëve që çliruan Kosovën, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me në krye komandantin Adem Jashari, dhe mirënjohje të përjetshme Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s,” deklaroi drejtuesi i Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork.
“Festimet janë të shoqëruara gjithmonë edhe me evokim e reflektim për rrugën e gjatë të përpjekjeve që e sollën këtë ditë,” tha në bisedë Dr. Pashko Camaj, Sekretari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA.
“Po mendoja sesa e re është një demokraci 17 vjeçare,” përsiati Harry Bajraktari, themeluesi i gazetës Illyria dhe aktivist i respektuar në bashkësinë shqiptare, “është si të jemi në vitin 1929 pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe në fund të viteve 1700 për Amerikën.”
Diplmati John Kelley ushtrues detyre i Misionit te Përhershëm të Amerikës në OKB përshëndeti festimin duke cilësuar se “rrugëtimi i Kosovës është shquar për nga vendosmëria dhe qëndrueshmëria. “Lidhjet midis dy popujve tanë janë të forta,” tha Kelley, dhe duke parashtruar perspektivat përfshirë ato ekonomike shprehu sigurinë se këto lidhje do të forcohen edhe më tej.
Organizatorët thanë se në pritjen diplomatike ishin rreth dyqind mysafirë prej të cilëve pesëdhjetë ambasadorë dhe diplomatë të shteteve anëtare të OKB-së, midis tyre edhe shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Midis pjesëmarrësve ishin veprimtarë të njohur dhe përfaqësues të shoqatave patriotike shqiptare dhe kulturore, anëtarë të trupit diplomatik, sipërmarrës shqiptarë-amerikanë, avokatë, profesorë dhe akademikë, artistë, publicistë etj.
E ardhur për herë të parë në një kremtim të tillë, Maya, duke qëndruar pranë gjyshes së saj Fadilja Çunmulaj tha se ishte e gëzuar që mori pjesë në festimin e 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.