
Prof. Dr. Roland Gjini/
Sulë Harri i takon asaj familje patriotike elbasanase, ku si synime kryesore të edukimit kishte dashurinë për atdheun e dëshirën për dije. Vet ai paraqet modelin e një intelektuali të përgatitur, korrekt e të vetëdijshëm për misionin e vet. Kontributi i tij nuk spikati vetëm në drejtim të arsimit shqiptar, por edhe në aspektin atdhetar, madje ai dha edhe shembullin e një edukatori e kryefamiljari të denjë në familjen e tij.
Atdhetar i flaktë
Si mësues-pedagog ai gjykonte se nuk i shkonte për shtat të merrej me politikë, këtë jo vetëm e deklaronte por realisht dha shembuj të qëndrimit apolitik për sa i takon ndeshjeve të brendshme politike në vend. Por, duhet theksuar se kur vinte puna për probleme që kishin të bënin me fatet e vendit e të kombit, Sulë Harri përmbi pozicionimin e tij apolitik vinte interesat atdhetare.
Qëndrim të dallueshëm atdhetar ai tregoi në veçanti në vitet e pushtimit nazifashist. Në këto vite shumë mësues e profesorë shqiptarë të shkollave të mesme u pozicionuan hapur si antifashistë, një prej atyre, madje shumë aktiv, ishte Sulë Harri. Kështu, ai nuk pranoi t’u shërbejë pushtuesve italianë në politikën e tyre të fashistizimit, madje refuzoi me vendosmëri ofertën që i bëri kyeministri Vërlaci për t’i dhënë një post me rëndësi në kabinetin e tij qeveritar. Më 28 nëntor të vitit 1939, me rastin e Ditës së Flamurit, ai bashkë me antifashistë të tjerë demonstron në Tiranë kundër pushtimit italian. Sulë Harri pozicionohet kështu si antifashist, duke e paguar me kosto të rëndë, këtë pozicionim. Qëndrimin e vendosur si antifashist ai e demonstroi edhe pas transferimit në Elbasan si profesor i shkollës Normale. Nga autoritetet pushtuese fashiste ai cilësohet si i rrezikshëm dhe për këtë arsye më 30.06.1943 arrestohet dhe internohet. Akuza ndaj tij ishte për veprimtari patriotike dhe çuditërisht, për “ide komuniste”. Internohet në kampin e përqëndrimit në Porto Romano, bashkë me antifashistë të tjerë, dhe qëndron atje deri në shtator të vitit 1943, kur kapitulloi Italia fashiste.
Megjithëse antifashist, ai vazhdoi të mbajë qëndrimin e tij apolitik. Gjatë viteve 1941-1943 ishin krijuar disa parti apo organizata politike në Shqipëri që kishin shpallur e premtuar luftën kundër fashizmit, por që vepronin secila për hesap të vet. Nuk u anëtarësua në asnjërën prej këtyre partive apo organizatave. Në fakt ishte ai që kuptoi se pavarësisht se janë krijuar disa parti dhe organizata të ndryshme antifashiste, rruga e vetme e lirisë do të ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve. Prandaj ai e pranoi ftesën e krerëve të Organizatës së Ballit Kombëtar, para mbledhjes së Mukjes, në bisedimet me krerët e Frontit Nacionalçlirimtar. Mbledhja u zhvillua në fillim të korrikut të vitit 1943 në shtëpinë e Baki Kongolit, në lagjen Kala të Elbasanit. Në këtë takim ai shtroi tri çështje me rëndësi kombëtare: heqjen e yllit partizan, bashkimin e të tëra forcave antifashiste dhe çështjen e bashkimit me Kosovën. Sa i takon kësaj kërkese të fundit mjafton të përmendim fjalën e tij në këtë mbledhje ku ai shprehet se “… Kosova është pjesë e pandashme e Shqipërisë dhe se kosovarët janë shqiptarë me një gjak, me një gjuhë dhe po me atë flamur, trashëgim që nga koha e Skënderbeut”. Pavarësisht se krerët e Frontit u tërhoqën, dhe nuk i pranuan propozimet e Sulë Harrit, vendosmëria e propozimeve të tij bëri përshtypje të madhe tek qarqet nacionaliste.
Sulë Harri gjatë viteve të Luftës nuk u pozicionua vetëm si antifashist, por edhe si antikomunist. Megjithëse i paantarësuar në parti nacionaliste, qëndrimi i tij antikomunist do t’i kushtojë shtrenjtë atij dhe familjes së tij pas Çlirimit, pra pas nëntorit të vitit 1944. Vitet e para vazhdoi punën si mësues i një shkolle fillore në Elbasan, por në vetëdijen e tij filluan regimet e para, siç ishte rasti i votimeve të 2 dhjetorit të vitit 1945 për Asamble Kushtetuese. Pakënaqësia e tij lidhur me të ashtuquajturën “demokraci” me vetëm një parti, e bëri atë të shprehet se “këto votime nuk ishin demokratike”, gjë e cila u theksua edhe në dokumentin e akuzës ndaj tij. Megjithë rezervat e tij ndaj Reformës Arsimore të zaptuar nga partia-shtet pas Çlirimit, ai nuk i zbehu pasionin dhe aftësitë profesionale në punën e mësuesit, përkundrazi, u përkushtua më shumë. Ndërkohë, shteti i ri po shtonte masat shtrënguese e reprezaljet si ndaj pronave ashtu edhe ndaj pronarëve, madje më keq, ndaj intelektualëve të zot e ndaj antikomunistëve. Kështu, më 24 maj të vitit 1947 Sulë Harri prangoset në sy të nxënësve, që ai i donte aq shumë dhe që ata e respektonin aq shumë. Akuzohet tashmë si “antikomunist”, kur vite më parë fashizmi e internoi si “komunist”. Këtu nis kalvari i dhembshëm i Sulë Harrit dhe i familjes së tij.
Gjatë muajve të burgimit në arrest u torturua aq shumë, sa që një prej prokurorëve të tij u detyrua të shprehej më pas se ai “ishte një njeri me karakter të jashtëzakonshëm dhe me qëndrim burrëror ndaj torturave të tmerrshme”. Më29 dhjetor 1947, gjykata komuniste jep vendimin, Sulë Harri dënohet me burgim të përjetshëm, në fakt prokurori kërkoi dënim kapital. Veç burgimit atij iu konfiskua edhe pasuria e tundshme dhe e patundshme, si dhe u privua nga të drejtat civile dhe politike. Familja e tij, gruaja dhe 5 fëmijët u lanë në shesh të hapur, pa plaçkë e pa shtëpi.
Mësuesi dhe pedagogu i aftë dhe i përkushtuar
Sulë Harri angazhohet në profesionin e nderuar dhe me përgjegjësi të mësuesit e pedagogut në fillim të viteve ’20-të, fill pas vendimeve të rëndësishme të Kongreseve të I dhe II të Arsimtarëve të Shqipërisë, kongrese të cilët përcaktuan detyra të rëndësishme jo vetëm për shtrirjen dhe masivizimin e e shkollave por, mbi të gjitha, për kombëtarizimin e arsimit shqiptar. Këto detyra Sulë Harri jo vetëm diti t’i vlerësojë si të rëndësishme, por arriti të kontribuojë me sukses për realizimin e tyre.
Punoi e kontribuoi krahas kalorësve të tjerë të arsimit tonë kombëtar, personaliteteve që hartuan platformat e para të zhvillimit të arsimit masiv si Aleksandër Xhuvanit, Mirash Ivanajt, Salih Cekës. Si kryemësues u rendit përkrah profesorëve e pedagogëve të shquar të Normales, si Simon Shuteriqi, Petër Dodbiba, Kostaq Cipo, Ahmet Gashi, Josif Haxhimima, Ahmet Duhanxhiu, Fadil Gurmani e dhjetëra të tjerëve.
Me aftësinë, intuitën, pasionin dhe përkushtimin e tij, ai dha arritje dhe shërbeu si shembull në shumë plane: si mësues-pedagog, si inspektor, si atdhetar e si prind.
Pas mbarimit të Normales, në shkollat me famë të njohur austriake, Sulë Harri caktohet të ngrejë e të drejtojë të parën shkollë ushtrimore në Shqipëri, pranë Normales së Elbasanit. Ai gjykonte se detyrat e mëdha që qëndrojnë për zgjerimin dhe forcimin e shkollës shqiptare me fizionomi kombëtare do të vihen në jetë vetëm nga mësues të përkushtuar e të përgatitur. Kjo përgatitje do të realizohej jo vetëm nëpërmjet nivelit teorik, që përcillej nga profesorët e nderuar të Normales, por edhe nëpërmjet aftësimit praktik në Shkollën Ushtrimore, që ai ngriti dhe drejtoi për disa vite rresht. Normalistët te kjo shkollë gjetën laboratorin e gjallë të përvetësimit të profesionit të mësuesit.
Inspektori ideator
Në vitet ‘20-‘30-të, të shekullit XX, në kushtet kur arsimi shqiptar përjeton hapat e parë të organizimit, masivizimit dhe kombëtarizimit, pozicioni i inspektorit të arsimit ishte tejet i rëndësishëm. Për më tepër, Korça dhe prefektura që ajo përfshinte, kishte numrin më të madh të shkollave në vend dhe, siç shprehet edhe autori i librit kushtuar tij, kishte njëkohësisht edhe një kuadër mësuesish cilësorë. Në këto rrethana, caktimi i Sulë Harrit në detyrën e inspektorit në këtë prefekturë ishte sa një përgjegjësi e madhe ashtu edhe një vlerësim për cilësitë e tij.
Si inspektor në Korçë e më pas në Vlorë, Sulë Harri nuk luajti thjesht rolin e një kontrollori apo administratori shtetëror. Kryerja e detyrave që i përcaktonte ligji për të nuk do të thoshte se kishte kryer misionin e duhur. Detyrat ligjore Sulë Harri si inspektor i kreu me devotshmëri, por është për t’u theksuar se ai nuk mbeti i mbyllur në kornizat e një inspektori zyrtar. Ai punoimë tej duke kaluar në nivelin e një ideatori për shumë probleme e çështje që kishin të bënin si me përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies ashtu edhe me rritjen e rolit të shkollës në edukimin atdhetar. Raportet, informacionet zyrtare dhe, në mënyrë të veçantë, referatet e tij nëpër konferenca pedagogjike nuk ishin thjesht konstatuese, por në to shihje ide e udhëzime që mund t’i japë vetëm një specialist i mirë i arsimit.
Në këto prefektura, inspektori Harri udhëzoi dhe orientoi që në shkollë mësimi të kryhet i lidhur ngushtë me aftësimin praktik. Sipas udhëzimeve të tij, megjithëse ligji i detyrave të inspektorit nuk e përmbante, në mjaft shkolla u aplikuan mësime në natyrë, u ngritën kopshte dhe salla të veçanta për kryerjen e mësimeve të punës, u grumbulluan fonde në të holla që do të përdoreshin në funksion të mësimit. Me porosinë e tij para fillimit të mësimit nëpër shkolla ngrihej flamuri kombëtar e këndoheshin himne mbretërore e patriotike.
Shembulli i edukatorit si prind
Korrektësia dhe fryma atdhetare e Sulë Harrit nuk u ndje vetëm në arsim dhe në lëvizjen atdhetare, por edhe në familjen e vet. Ai përherë dha shembullin e një edukatori patriot, pavarësisht nga vështirësitë, fillimisht të shërbimeve jashtë Elbasanit dhe më pas të kalvarit të dënimeve e kundërvënieve të regjimit komunist. Sulë Harri që në fillim të martesës i hoqi së shoqes së vet të urtë ferexhenë, duke paraprirë me shembullin e një familjari përparimtar. Lindi mjaft fëmijë dhe emrat e tyre Sula si prind nuk i vendosi sipas zakonit patriarkal apo rregullave fetare. Në vënien e emrave të fëmijëve Sula jep përsëri shembullin e një prindi shembullor dhe atdhetar. Ai iu largua emrave fetarë dhe vendosi emra shqiptarë: Ndriçim, Sazan, Durim, Sopot e Flamur.
Shembull më vete vitaliteti tregon Shega, gruaja e tij, e cila iu nënshtrua punëve më të rënda për të ushqyer të pesë fëmijët, më i madhi 15 vjeç asokohe. Ndërkohë, ajo u përqëndrua edhe në mirëedukimin e tyre, duke luajtur edhe rolin e nënës edhe rolin e babait. Fëmijët e saj u dalluan në mësime aq shumë sa që megjithë njollën e errët që morën nga burgosja e të atit, shkëlqyen në mësime e u arsimuan, e shumta, vetëm në shkollën e mesme, pasi “biografia” nuk ua lejonte arsimin e lartë. Ndriçimi, djali i madh, i cili po ndiqte me rezultate të shkëlqyera shkollën Normale, u detyrua ta ndërpresë atë dhe në moshë fare të re punoi si mësues në shkollat e zonave më të thella, duke ndihmuar sadopak ekonomikisht nënën dhe fëmijët e tjerë. Djali tjetër Sazani, dallonte mbi të gjithë, siç shprehet një bashkënxënës i tij “në se unë isha i shkëlqyer në mësime Sazani ishte super i shkëlqyer”. Ndërsa Sopoti, sapo mbaroi 7-vjeçaren, që në moshë 14-vjecare u detyrua të punojë si llamarinist, për t’i ardhur në ndihmë familjes. Djali i vogël, Flamuri, pasi mbaroi gjimnazin me rezultate të mira, nuk iu dha e drejta e studimit më tej, për arsye biografike.
Ndërkaq në burg Sulë Harri shpalos më tej vlerat e karakterit të tij të paepur, të korrektësisë dhe të kulturës së gjerë që zotëronte. Pas 10 vjetësh ai lirohet nga burgu. Pas lirimit e bashkimit me familjen Sulë Harri vendosi të përdorë heshtjen e hekurt, duke mos u ankuar, nga njëra anë, e duke mos kërkuar falje, nga ana tjetër. Ndihmonte ekonomikisht familjen me anë të përkthimeve të tij nga gjermanishtja apo me anë të shitjes së prodhimeve të bahçes së tij.
Vdiq në 5 qershor të vitit 1980, në moshën 80-vjeçare, duke lënë pas jo vetëm emrin e mirë por edhe një kontribut të vyer në shkollën dhe arsimin shqiptar, si dhe një model të një intelektuali patriot. U përcoll me respekt e nderime të mëdha nga mijëra qytetarë të Elbasanit e normalistë të ardhur nga mbarë vendi.
Në këtë 90-vjetor të shkollës së parë ushtrimore në Shqipëri, del qartë në pah kontributi i vyer i Sulë Harrit në ngritjen e kësaj shkolle e më gjerë. Vlerat e tij i vazhdojnë sot disa trashëgimtarë tëfamiljes tij, si në fushë të arsimit ashtu edhe në fusha të tjera të jetës në vend.
Një monografi që i jep Sulë Harrit vendin e merituar
Të tëra kontributet dhe shembulli që paraqiti Sulë Harri gjatë tërë jetës së vet, janë parashtruar më së miri në monografinë e autorit Iljaz Gogaj, “Sulë Harri, kalorës i arsimit shqiptar”. Duke marrë shkas nga titulli i monografisë, dua të përforcoj përcaktimin sinjifikativ që autori ka i dhënë Sulë Harrit, këtij mësuesi të aftë e të apasionuar, si kalorës i arsimit kombëtar shqiptar. Kalorësit në kohët relativisht të mëparshme historike ishin fisnikët, pasi atyre u takonte e drejta të luftonin mbi kalë. Këta kalorës ishin njëkohësisht avangardët, paraprirësit e një populli apo kombi në luftën e jetës. Në rastin konkret, në kuptimin figurativ, kalorësit ishin ata që paraprinë luftën e kombit shqiptar jo vetëm për liri e pavarësi, por edhe për arsim, kulturë e përparim. Kalorës të tillë, megjithë kalimin e kohërave mesjetare, në shekujt XIX-XIX gjen plot në Shqipëri, por më së shumti në Elbasan. Një ndër ta është edhe Sulë Harri, që i përkiste fisnikërisë së arsimit jo thjesht elbasanas por mbarëkombëtar.
Sa më sipër, vërtet të bëjnë të besosh se Sulë Harri ishte një kalorës i inteligjencës elbasanase e mbarë kombëtare.
Rreth monografisë së autorit Iljaz Gogaj, “Sulë Harri, kalorës i arsimit shqiptar”.