Nga Nikolla Lena/Korça çel sezonin turistik këtë vit me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve që do të nisë më 7 Qershor.Kjo festë e bukur, bazuar në një nga traditat më të spikatura të qytetit të kulturës, fton në Korçë vizitorë nga e gjithë Shqipëria si edhe shumë turistë të huaj të cilët së bashku me qytetarët korçarë, të festojnë e të shijojnë paradën e grupeve të karnavaleve dhe të bëhen pjesë e festimeve.
Me sloganin “Korça qyteti i festave”, Bashkia e Korçës prej vitesh tashmë ofron një paketë të plotë eventesh festive të cilat sjellin në qytet një numur të madh vizitorësh. Sezoni turistik i qytetit malor, kulmon çdo vit në gusht me Festën e Birrës, këtë vit nga data 13-17 gusht.
Karnavalet edhe këtë vit do të sjellin paradën muzikore, gazin dhe harenë e maskave si dhe koloritin e kostumeve të shumta. Rreth 30 grupe pjesëmarrëse do të paraqiten me fabulën e tyre të shoqëruar me koreografi dhe skenar të veçantë. Krahas grupeve nga Korça dhe qytete të tjera të vendit, festivali i përmasave ndërkombëtare do të sjellë edhe karnavalet nga trevat e Ballkanit.
Veç grupeve pjesëmarrëse edhe qytetarët e Korçës veshin maskat dhe kostumet e tyre dhe i bashkohen festimeve.
Korça është një ndër qytetet e para që rizgjoi traditën e karnavaleve duke krijuar në vitin 1992 Shoqatën e Karnavalit si pjesë e Shoqatës Kombëtare të Karnavalit Shqiptar. Në 10 Prill të vitit 1994, në Korçë u organizua Festivali i Parë Ndërkombëtar i Karnavalit në Shqipëri. Një vit më pas u organizua Festivali i Dytë Ndërkombëtar i Karnavalit me përmasa akoma më të mëdha. Që nga ky vit dhe deri sot, grupi i Karnavaleve të Korçës është përfaqësuar në një sërë festivalesh ndërkombëtare të organizuara në vende të ndryshme europiane.
Korça është pjesë e FEEC (Federata e Karnavalit Europian). Në vitin 2013 qyteti i Korçës përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve, Srumicë- Prilep 2013 në Maqedoni. Në këtë festival merrnin pjesë 57 grupe, që përfaqësonin shtete të ndryshme të botës si Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Polonia, Ukraina, Belgjika, etj.