
Konkursi mbarëkombëtar i letërsisë së humorit “Niko Nikolla”.
Para pak ditësh, më saktë në datat 13-14-15, në mes të muajit dhjetor, 2025, në teatrin “Andon Zako Çajupi”, në qytetin e Korçës, u organizua konkursi i III-të mbarëkombëtar i letërsisë së humorit “Niko Nikolla”. I gjithë takimi u projektua dhe u organizua nga Flora Nikolla, bijë e mjeshtrit të humorit Niko Nikolla.
Po i them që në fillim fjalët që duhen vendosur në fund të këtij shkrimi: – “Jam tejet i kënaqur që u bëra pjesë e këtij konkursi letrar, me librin tim “Filxhani me buzë të kafshuar”. (Tregime). Unë përmbusha një ëndërr të kahershme. Isha një ndër 31 autorët e përzgjedhur”.
Dikush mund të thotë me shaka: – Atëherë mbylle shkrimin, se e ke fikur edhe qëllimin….!”. Ndërkohë do t’i përgjigjem: – “Ky është vetëm fillimi, nga ku buron burimi, fryma dhe frymëzimi”. Them kështu sepse:
Së pari, e admiroj nismën dhe përpjekjet e znj. Flora, për të kujtuar e nderuar atin e saj Niko Nikolla, i cili njëherazi ishte dhe mbetet personalitet në humor dhe letrat shqipe. Më gjykoni nëse e teproj të shprehem: Cili nga ne krijuesit, shumë i njohur apo më pak i njohur, nuk do të krenohej që lart nga froni i Perëndisë në botën e përtejme, do të ndjejë t’i kujtohet e lartohet emri dhe vepra e tij….? Nuk ka rëndësi kush e ndërmerr një veprim të tillë. Vlerë ka veprimtaria, e cila dalë nga dalë po merr formë e një institucioni, për t’u përsosur e ndjekur në të ardhmen, duke përuruar e dalluar vlera të krijimtarisë në fushën e humorit. Besoj nuk është pak….!
Më tej: E çmoj për durimin dhe këmbënguljen për ta çuar deri në fund idenë e saj, kur në shumicën e herëve ndeshim dështim, pasi jo kushdo të mirëpret dhe të ndihmon, qoftë shtetar apo biznes. Znj. Flora ja ka dalë në krye. Besoj ndjehet e lumtur, mbase edhe e përkëdhelur. Por ajo që më shtyn të besoj, është fryma e besimit, mirëkuptimit dhe bashkëveprimit mes krijuesve, drejtuesve të shtetit dhe bizneseve.
Guxoj të them se: Nuk ka vdekur, as shuar apo venitur shpirti shqiptar, për të bërë gjëra të bukura dhe me vlerë, që i shërbejnë artit dhe kulturës kombëtare. Duhet të dish ku të trokasësh dhe të gjesh gjuhën e arsyes. E gjithë veprimtaria në Korçë, mund të shërbejë si udhë përvoje për të gjetur fonde, pa të cilat çdo përpjekje mbetet projekt në letër.
Në vazhdim, i shpreh falënderim dhe mirënjohje znj. Flora, që grumbulloi një numër kaq të madh krijuesish nga mbarë trojet Shqiptare, në fushën e letërsisë dhe karikaturave. Nuk është e lehtë të mbledhësh kaq personalitete të artit dhe letërsisë, në një veprimtari të ngjeshur për tre ditë me radhë. Cilido më beson, duke thënë një të vërtetë të trishtë, që e përjetojmë jo rrallë, kur duam të përurojmë një libër. Dhe, fshihemi për t’u dhënë një kafe miqve, shokëve dhe dashnorëve të librave.
Me sa di unë, nga Durrësi kishte edhe emra të tjerë pjesëmarrës, por që u tërhoqën në ditët e fundit. Mes tyre edhe Shpendi Topollaj, i cili kishte vërtet arsye të fortë, por ishte i pranishëm me një numër librash si dhuratë për Biliotekën Publike të qytetit. Kështu mbetem katër pjesëmarrës: Doranin Agalliu, Arjola Kondakçiu, unë Kadri Tarelli dhe Bashkim Hoxha, i cili nuk u paraqit, megjithëse iu shfaq emri dhe portreti në monitor.
Që në fillim e nisa me një shaka që lindi aty për aty, duke ju drejtuar një punonjësi të teatrit:
– Unë dhe shumë të tjerë vijmë nga larg. Më thoni ku mund të gjej një tullë të nxehtë, siç bëjnë korçarët që vinë të shohin shfaqje……!?
– Më vjen keq, – m’u përgjigj punonjësi, – Po ce bre të shkretën, të ka mbetur ora në ato vite kur teatri ynë nuk kishte ngrohje….!? Ndërsa tani, eja me mua dhe bindu: – Pak hapa më tej, një valë e nxehtë ajri vinte nga lart dhe ngrohte sallën e madhe. Qesha….! Shakaja bëri vend.
Programi ishte vërtet i ngjeshur, duke përfshirë si fillim ekspozitën e karikaturave, ku merrnin pjesë autorë nga shumë vende të botës, natyrisht edhe nga vendi ynë dhe nga Dardania. Kam të drejtë të mburrem, pasi aty u ndesha me disa punime të autorit Arben Çejku, ish ambasador në Maqedoninë e Veriut, dikur nxënës në Shkollën e Mesme të Katundit të RI, në Durrës, shkollë që sot mban emrin “Jusuf Hoti”. Arbeni konkurroi në dy gjini, letërsi dhe karikaturë.
Në çelje të ekspozitës u mrekullova nga oratoria e artistes korçare Zamira Kita, për të vazhduar ditën tjetër kur u ngjit në skenë. Besoj se nuk jam i pari që e them, se ekrani sado i përsosur të jetë, nuk i përcjell dot ndjesitë e kontaktit të drejtpërdrejtë, ku ndjen zërin, mimikën, lëvizjet dhe magjinë e fjalës.
Pjesëmarrja ishte mbarëkombëtare. Këtu, më duhet të them se takova edhe miq të hershëm, ardhur nga Dardania: si Izet Avdyli nga Drenasi i Drenicës dhe Osman Goranci, nga Prizreni, etj.
Organizatorët ishin kujdesur që, në një tavolinë të gjatë të vendosur në hollin e Teatrit, të publikojnë libra që kishin sjellë autorë të ndryshëm, si Shepndi Topollaj, Doranin Agalliu, Artjola Kondakçi, Arben Çejku, etj, etj.
Jam mësuar me takime të tilla, por ngazëllehem kur shikoj se si shkrimtarët dhe artistët takohen me njëri tjetrin si miq të vjetër, e gjejnë gjuhën e përbashkët të mirëkuptimit, formojnë grupime të vogla, pa u njohur më parë dhe bisedat e kanë një fillim, por nuk kanë fund. Gjatë kësaj kohe bëjnë edhe prezantimin, qyteti nga vjen, mundësisht edhe çfarë librash dhe veprash ka botuar, etj, etj. Bisedat ishin aq të ngrohta sa askush nuk kujtohej të lëvizte, për të shkuar në një lokal për të darkuar. “Meri Boutique Hotel”, quhej, ku shumica prej nesh provonte së pari ngrohtësinë dhe bukurinë e “Buzuqeve” korçare, ku veç ushqimit dhe verës, kishte muzikë dhe këngëtare.
Këtu më duhet të ndalem, pasi pavarësisht se vendi ishte disi i vogël për aq pjesëmarrës sa ishim ne, u krijua një mjedis aq i ngrohtë, me këngë korçare, pse jo edhe shkodrane, çame dhe dardane. Shpesh këndonim të gjithë. Jam mësuar, ndaj nuk çuditem të them se shkrimtarët dhe artistët e krijojnë vetë spektaklin, jo vetëm me këngë e valle, por edhe më shumë me shakatë e kripura që rrëfenin, veçanërisht nga përvoja e tyre. Të them të drejtën, një mjedis i tillë meriton një shkrim më të gjerë, për të përcjellë ndjesi të magjishme që krijohen dhe përjetohen aq ngrohtësisht në lokalet e Korçës. Ndenjëm vonë, deri në ora 01, pas mesnate, kur provuam edhe “freskinë” e netëve të dimrit korçar.
Dita e dytë ishte plotësisht e mbushur nga mëngjesi deri në darkë vonë: 1. Me autobus vizitë në Menkulas të Devollit, në shtëpinë muze të Dritero Agollit (Ishte në ndërtim), 2. Dreka në një lokal pranë Bilishtit, 3. Kthim në Korçë. 4. Ceremonia e ndarjes së çmimeve, si pjesa më kryesore e takimit dhe konkursit.
Nuk është hera e parë që shkel në fushën e Devollit, pasi aty jam lindur dhe kaluar një pjesë të fëmijërisë së hershme. Ndërsa në Menkulas ka mbi 75 vjet. Isha fëmijë por mbaj mend se në udhët e fshatit kishte shumë gjallëri, sidomos nga fëmijët dhe nxënësit e shkollës.
Ndërkohë në qendër të fshatit, aty ku po ngrihet Shtëpia Muze, e financuar nga Bashkia e Bilishtit, na pritën pak banorë që kishin mbetur pa u larguar dhe pak fëmijë. Grupit tonë të shkrimtarëve dhe artistëve, iu bashkua edhe Kosta Nake, mësues, shkrimtar, poet dhe studiues nga Devolli, autor i shumë shkrimeve dhe librave studimor.
Kur fjalimet dhe përshëndoshjet me banorët vazhdonin, fare pa pritur, dikush solli gota dhe shishe rakie, për të ngritur një gotë në kujtim të të madhit Dritero Agolli, njëkohësisht për të përshëndetur të pranishmit, ku në sytë e dikujt kishte mbirë pika e lotit. Nuk di çfarë fshihej në të: mall, gëzim, brengë apo trishtim……..!
Nuk isha vetëm unë që u mrekulluam nga ajo e papritur, sepse u krijua një mjedis festiv vërtet i bukur, sidomos kur erdhi një grup valltarësh të rinjsh, djem e vajza nga Bilishti, përgatitur nga koreografi Sokol Çeka, të cilët kërcyen mjeshtërisht vallen “Devolliçe”, simbol i valles në Devoll, për të cilën devolliu, poet dhe shkrimtar Skënder Demolli, thotë me krenari: – “Këtu është derdhur shpirti i Devollit, që shpërthen si zjarr i fshehur mbledhur në shekuj”. (Valle e vlerësuar me çmim të parë në “Festivalin e Rinisë”, në Moskë. 1957)
Më erdhi mirë që ky takim i pazakontë në Menkulas, u vlerësua edhe nga Kryetari i Bashkisë së Bilishtit z. Eduard Duro, i cili iu bashkua grupit tonë. Them më erdhi mirë, pasi rrallë na ndodh (për mos thënë fare), që kryetarët e Bashkive të marrin pjesë në takime të tilla kushtuar artit dhe kulturës. Nuk e di pse ndodh kështu dhe kush e ka fajin, por ja që kështu ndodh dhe ne e pranojmë në heshtje.
Vonë u larguam nga Devolli, për t’u mbledhur përsëri në teatrin “Andon Zako Çajupi” në qytetin e Korçës. Ishte veprimtaria kulmore: Vlerësimi i krijimtarisë letrare humoristike dhe ndarja e çmimeve.
Veprimtaria u drejtua nga e palodhura Zamira Kita.
Më pëlqeu fjala e mbajtur nga z. Fatmir Toçi, në këtë rast kryetar jurie, i cili theksoi: – Vështirë për të vendosur cili meriton fitore. Jam i mendimit se të gjithë pjesëmarrësit janë të fituar, pasi ka fituar arti dhe kultura jonë shqiptare”. Jam në një mendje me z. Fatmir, pasi unë si pjesëmarrës në shumë takim e konkurse letrare, në Shqipëri, Dardani, Itali e Suedi, jam shprehur me bindje, se të fituar jemi ne pjesëmarrësit.
Unë jam i bindur, se shumë kujt nga soji i shkrimtarëve dhe poetëve nuk i hyjnë në vesh këto fjalë, pasi mendojnë se u bëhet padrejtësi duke mos e vlerësuar veprën e tyre si “kryevepër”. O zot çfarë marrëzie, kur dihet se 1-2-3 apo 4, do kenë çmime.
Nuk dua të mbuloj një program të ngjeshur që zgjati rreth dy orë, pasi është e tepërt. Kështu ndodh në të gjitha ngjarjet e konkurseve letrare apo artistike.
Ideja se çdo konkurrent do t’i përgjigjej shkurt vetëm një pyetje, për çastin m’u duk e arsyeshme, (shkurtonte kohën), por duke e parë më me kujdes, mendoj se duhesh thënë diçka për secilin konkurrent, për t’u njohur sado pak, me disa të dhëna të vendosura në monitor, si tituj nderi, dekorime dhe libra të botuar. Portreti nuk ngjit, nuk le shenjë nëse nuk shoqërohet me disa vlera apo cilësi, si intelektual dhe krijues. Duhesh gjetur një mënyrë për të treguar sadopak, nga meritat edhe krijimtaria e gjithsecilit pjesëmarrës.
Në fund çmimi i parë u fitua nga Bujar Kapexhiu. I cili përshëndeti duke thënë: “I bukur çmimi, por më i bukur bëhet kur shoqërohet me një zarf”. Me këtë rast u dhanë edhe shumë vlerësime të tjera, por mua më pëlqeu vlerësimi për dy pjesëmarrës: Skënder Demolli, korçar devolli, dhe Osman Goranci nga Prizreni, të cilëve ju premtua se do t’u botohej secilit nga një libër me komedi.
Darka në lokal tjetër, “Sidheri”, ku biseda nuk pushoi për orë të tëra, aq sa askush nuk shikonte orën që vraponte në atë natë të ftohë Korçe. Përvojë, për t’ua kujtuar atyre që duan të kalojnë një apo dy net në Korçë, të vishen mirë, pasi i ftohti t’i skuq faqet, të freskon ballin dhe t’i mpin veshët.
Në fund, besoj e vlen të thuhet se gjithë kjo punë kaq e madhe, nuk bëhet vetëm, pa pasur në krah bashkëpunëtorë të ditur e të zellshëm. E kam fjalën, jo vetëm për znj. Flora Nikolla, por edhe për znj. Nina Leka, e cila për ditë e muaj me radhë ka grumbulluar e përcjellë të gjitha kërkesat dhe dërgesat e autorëve të ndryshëm nga mbarë trojet Shqiptare.
Më duhet të jap një mendim, mbase realizohet: E gjithë veprimtaria të përmblidhet në një libër. Besoj se vlen. Fotografia fikson çastin, ndërsa libri përjeton dhe përjetëson ngjarjen dhe personazhet, që i mbetet brezave dhe kulturës kombëtare.
Urime dhe suksese në veprimtari të tilla, që kujtojnë njerëzit që kanë lënë gjurmë në kulturën e kombit.
Kadri Tarelli