-Kosova sot shënon Ditën e Kushtetutës, në 21 vjet liri e 12 pavarësi/
-“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 12 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”/
-Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/
-Përfaqësues institucionalë e politikë urojnë Ditën e Kushtetutës së Kosovës shtet/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari…
PRISHTINË, 9 Prill 2020/ Kosova në 21 vjet liri e 12 pavarësi Shënon sot Ditën e Kushtetutës, 9 Prillin.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 12 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”.
Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik. “Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha atëherë kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit, cituar në raportimin që kam bërë atëherë, në 9 Prill 2008.
Raportimi theksonte se kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene. “Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, të shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai. Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili ishte ngritur nga Ekipi i Unitetit, është zhvilluar debat publik që nga 28 Janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 Shkurti – dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.
Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 Shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.
Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.
Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu, “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.
Zhvillimet më të rëndësishme brenda 12 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator, ka miratuar amendamentimin e Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.
“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.
Deri në 12 vjetorin e Ditës së Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.
Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.
Kosova prej vitit 1974 ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.
Para 31 vitesh, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.
Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.
Demonstratat pasonin grevën e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28 Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.
Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Ibrahim Rugova.
Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.
Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008 ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.Para dy vitesh, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga presidenti Hashim Thaçi.
Dymbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës do shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare do festohet 21 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, filluan të hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.
Me lirinë në Kosovë ndodhi edhe kthimi i madh i shqiptarëve të dëbuar…
PRESIDENTI THAÇI: URIMET MË TË MIRA NË DITËN E KUSHTETUTËS!
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar Ditën e Kushtetutës me këtë mesazh:
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, aprovimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 9 prill 2008, si akti më i lartë juridik, ishte e arritur tjetër për shtetin tonë, krahas njohjeve ndërkombëtare që erdhën nga demokracitë më të zhvilluara të botës.
Kushtetuta e Kosovës, që shpreh më së miri qenësinë e shtetit dhe shoqërisë sonë, është dokumenti më prestigjioz i ruajtjes dhe mbrojtjes së integritetit të qytetarëve tanë, të institucioneve tona, prandaj të gjithë e kemi për obligim moral dhe ligjor ta respektojmë me përpikëri.
Gjithë qytetarëve të Kosovës u shpreh urimet më të mira në Ditën e Kushtetutës!
KRYEMINISTRI NË DETYRË, KURTI: KUSHTETUTSHMËRIA ËSHTË VLERË QË DUHET RESPEKTUAR PËRDITË
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në Ditën e Kushtetutës ka shkruar:Kushtetuta e shtetit i paraprinë pushtetit, ajo është si dyshemeja ashtu edhe tavani i qeverisjes demokratike dhe i funksionimit e i rregullimit institucional, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë. Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës.
Megjithëkëtë, kushtetutshmëria është vlerë që duhet respektuar përditë përveçse tekst betimi që shqiptohet një herë. Andaj sot me 9 prill shënojmë ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në përvjetorin e saj të dymbëdhjetë. Andaj do ta respektojmë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës sonë. Natyrisht, gjithmonë duke përmbushur obligimin tonë për mbrojtur deri në maksimum jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe mirëqenien ekonomike të bizneseve dhe punëtorëve të vendit.
KRYEPARLAMENARJA OSMANI: KUSHTETUTA E KOSOVËS, RRUMBULLAKËSIM I PËRPJEKJEVE PËR SHTETIN
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin italian në Kosovë, Nicola Orlando.
Kryetarja Osmani ia ka prezantuar ambasadorit Orlando kopjen origjinale të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe e ka njoftuar atë me procesin e hartimit të aktit më të lartë juridik shtetëror, duke falënderuar për kontributin anëtarët e Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës.(Lexoje te plote ne dielli online www.gazetadielli.com)
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është jo vetëm akti më i lartë juridik i shtetit. Ajo njëkohësisht ngërthen përpjekjet e popullit të Kosovës për krijimin e shtetit”, është shprehur Osmani.
Ndërsa ambasadori Orlando ka përgëzuar kryetaren Osmani për Ditën e Kushtetutës.
Me ambasadorin Orlando, zonja Osmani diskutoi edhe për masat që po ndërmerren nga institucionet kosovare në përballje me pandeminë globale Covid-19 si dhe përgjegjësitë e Kuvendi të Kosovës për menaxhimin e kësaj situatë, mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
LDK: KRYETARI MUSTAFA URON DITËN E KUSHTETUTËS TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Me rastin e 12 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa dërgon këtë telegram urimi:
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sot, bëhen 12 vite nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ditë shënon një ndër momentet më të rëndësishme të shtetit dekomratik të Kosovës. Kushtetuta është akti më i lartë juridik që vuri themelet e ndërtimit, funksionimit dhe organizimit të shtetit modern të Kosovës, ku përcaktohen dhe mbrohen vlerat themelore të vendit.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është çelësi themelor dhe garancë mbi të cilin mbështetet funksionimi i institucioneve vitale.
Kushtetuta është akti më i lartë politik dhe juridik i vendit tonë, garantues i të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve. Më 9 Prill 2008, Kosova u radhit si shumë shtete të zhvilluara që ta bëj respektimin e të drejtave të njeriut, garantimin e paqes dhe demokracisë si vlera themelore të njerëzimit. Ky dokument i dha jetë pavarësisë së Kosovës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është akti më sublim, i cili ngërthen tërë sakrificën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra që punuan dhe u flijuan.
Shteti i së drejtës duhet të jetë mision për të gjithë ne, dhe realizimin e këtij definicioni duhet ta mundësojmë të gjithë bashkërisht që të kemi një shtet demokatik dhe të përparuar. Institucionet tona duhet çdo ditë të punojnë konfrom neneve të kësaj kushtetute në mënyrë që ta kemi një shtet modern, model të cilin e kemi synuar.
Urime Dita e Kushtetutës të Republikës së Kosovës”.
PDK-VESELI: 12 VITE MË PARË, NJË MOMENT I RËNDËSISHËM HISTORIK PËR KOSOVËN
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan:
Miratimi i Kushtetutës së Kosovës 12 vite më parë, shënoi një moment të rëndësishëm historik për konsolidimin e shtetësisë sonë si dhe për të ardhmen e popullit tonë. Ne krenohemi që kemi një ndër kushtetutat më moderne, e cila ka mishëruar praktikat më të avancuara dhe standardet më të larta në Evropë. Ky dokument themeltar i shtetit tonë, bazohet tek parimi i konstitucionalizmit, një ide evropiane që zanafillën e ka në epokën e iluministëve, të cilët nëpërmjet këtij parimi u përpoqën dhe ia dolën me sukses të kufizonin absolutizmin monarkik.
Në thelb të konstitucionalizmit qëndron kontrolli dhe kufizimi i pushtetit, përcaktimi i ndarjes së pushteteve si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut. Prandaj duhet kujtuar ky fakt, sot e në të ardhmen, ndaj kujtdo që manifeston tendenca despotike e autokratike që synojnë ta shkelin sundimin e ligjit në Kosovë. Urime të gjithëve për 9 prillin, Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!
AAK-HARADINAJ: DOKUMENTI MË KULMOR I LIRISË, SHTETËSISË…
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan:
Më 9 Prill të vitit 2008, Kosova vendosi themelet e saj të konsolidimit si shtet, duke e funksionalizuar aktin më të lartë juridik Kushtetutën e saj. Duke uruar të gjithë qytetarët dhe institucionet e vendit, kujtojmë sakrificat e popullit të Kosovës ndër dekada për të pasur dokumentin më kulmor të lirisë, shtetësisë, demokracisë dhe integritetit territorial. Ky bazament ligjor ka garantuar lirinë tonë dhe funksionimin e demokracisë, andaj mbështetja në normat e saj është siguria më e madhe për të gjithë ne.