Sokol Paja/
New York, 16 Shkurt 2023 – 15 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës bashkoi në një festë madhështore në New York dhjetëra patriotë shqiptarë, aktivistë të shquar të komunitetit, diplomatë, drejtues të organizatave e shoqatave patriotike në Amerikë, gazetarë e veprimtarë të komunitetit shqiptar në përkujtim të ngjarjes më të shënuar të popullit e shtetit të Kosovës, pavarësia. Në fjalën e mirëseardhjes Ambasador Blerim Reka ndër të tjera tha se: “Kjo Republikë siç e dini është një rrugëtim i gjatë, me shumë sakrifica gjeneratash e brezash për çka i përkulem gjithë atyre bijve e bijave të kombit që këtë e bënë realitet me mund dhe sakrifica, me mençuri dhe me dije, por mbi të gjitha me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zoti e bekoftë Kosovën dhe Zoti e bekoftë Amerikën” tha në mesazhin e tij Ambasador Reka. Ambasador Lisa Carty përcolli për të gjithë të pranishmit në festë fjalët e ngrohta të Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara Ambasador Linda Thomas-Greenfield. “Ne emër të Ambasadores Greenfield, të misionit në UN, të shtetit tonë, ju përcjellim urimet më të ngrohta popullit e shtetit të Kosovës për 15 vjetorin e Pavarësisë” tha në mesazhin e saj Ambasador Carty ku ndër të tjera theksoi rëndësinë dhe rrugëtimin e shtetit të Kosovës deri në pavarësi. Mbrëmja vazhdoi nën tingujt e muzikës klasike, koktejl dhe biseda mes miqsh që përkujtuan me respekt dhe nderim betejat dhe sakrificat për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
Rroftë përjetë Republika e Kosovës.
Nder dhe lavdi luftëtarëve, çlirimtarëve, dëshmorëve dhe heronjve të lirisë.
Mirënjohje përgjithmonë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.