-Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Buxhetin e Shtetit prej 2 miliardë euro për vitin 2017/
-Ndahen 500 mijë euro për Ministrinë e Punëve të Jashtme si mjete të cilat do t’i destinohen kodit të blerjes së Ambasadës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
-Sot qeveria e Kosovës u mblodh edhe me një ndryshim – zëvendëskryeministër të ri/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI /
PRISHTINË, 31 Tetor 2016/ Qeveria e Kosovës, sot në mbledhjen e 113 të rregullt, të 45-ten këtë vit, miratoi Projektligjin për Buxhetin e Shtetit për 2017-tën prej mëse 2 miliardë euro.Kryeministri Isa Mustafa e ka quajtur projekt buxhetin e vitit të ardhshëm buxhet zhvillimor që reflekton Programin qeverisës të koalicionit.“Ky buxhet si i tillë është buxhet zhvillimor dhe reflekton drejtpërsëdrejti Programin qeverisës të koalicionit. Është buxhet i qeverisë së koalicionit, që shpreh përcaktimin tonë për zhvillimin ekonomik, shpreh përcaktimin tonë për krijimin dhe hapjen e vendeve të punës dhe shpreh përcaktimin tonë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe stabilitetit fiskal brenda vendit”, tha kryeministri.Kryeministri Mustafa vijoi se Buxheti prej mbi 2 miliardë eurosh siguron rritjen e investimeve kapitale rreth 50 %.“Këtë vit kemi pas investime kapitale rreth 500 milionë euro, vitin e ardhshëm do të kemi 700 milionë, që është diku 46 % më shumë, që flet se orientimet tona buxhetore i kemi orientime zhvillimore, sepse dëshirojmë që të krijojmë mundësi të angazhimit të kapaciteteve të firmave tona, edhe rritje të mëtutjeshme ekonomike”, tha kryeministri Mustafa. Ministri i Financave, Avdullah Hot, gjatë prezantimit të Projekt Buxhetit për vitin 2017, tha se ai reflekton përkushtimin e qeverisë në adresimin e sfidave zhvillimore dhe zbatimin e reformave dhe projekteve specifike që ndikojnë në përmbushjen e objektivave që ka Qeveria e Kosovës për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale.“Përmes këtij propozim-buxheti, ne kemi bërë më të mirën për të balancuar kërkesat e shumta me mundësitë buxhetore që kemi. Parimet mbi të cilat është ndërtuar ky buxhet, përfshinë: ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, sigurimin e financimit të projekteve që janë në vijim, ruajtjen e rezervës fiskale në nivele të mjaftueshme, rritjen e shpenzimeve kapitale si zëri më produktiv buxhetor në adresimin e barrierave dhe ofrimin e insentivave fiskale që mundësojnë konkurrueshmërinë në sektorin privat”, tha ministri Hoti.Ai theksoi se, ky propozim-buxhet e ka pajtimin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar në të gjitha pozicionet buxhetore, me të cilat është përgatitur ky buxhet. Pas diskutimeve, Projekt Buxheti u miratua me disa propozime shtesë, duke përfshirë alokimin e brendshëm në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndarjen e 1 milionë e 500 mijë eurove për fondin për mbrojtjen e të akuzuarve potencialë në Dhomën e Veçantë dhe ndarjen e 500 mijë eurove për Ministrinë e Punëve të Jashtme si mjete të cilat do t’i destinohen kodit të blerjes së Ambasadës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Buxheti i Shtetit i Kosovës 2 miliardësh per 2017-en është një rritje e madhe dhe shifrat tregojnë rritje nga viti në vit.Buxheti i Shtetit për vitin 2016, i miratuar nga qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, ishte planifikuar të jenë 1 miliard e 598 milionë euro, me një rritje prej 4.1% krahasuar me vitin 2015 dhe 19% më shumë se në vitin 2014.
Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të mëdha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, e cila është votuar në 9 dhjetor 2014, një ditë pas konstituimit të Kuvendit të zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare që ishin mbajtur gjashtë muaj më parë – në 8 qershor, në 2017-tën do jetë në vitin e tretë të punës, ndërsa thuaja që nga fillimet ka pasur ndryshime. Javën e kaluar, në 27 tetor, nga kryeministri Mustafa në postin e zëvendëskryeministrit në qeverinë e Kosovës është emëruar Ramiz Kelmendi, i cili të njëjtën ditë dorëzoi mandatin e deputetit, ku kohëve të fundit ishte pa grup parlamentar, ndonëse ishte ende në PDK, derisa pak ditë para emërimit kaloi në LDK.Biznesmeni i njohur pas emërimit zëvendëskryeministër ka thënë për median se nuk ka qenë posti qëllimi i kalimit në LDK, por hapësira për të zhvilluar idetë e tij në zhvillimin ekonomik.Për Kelmendin sot është mbledhja e parë e qeverisë, ku i është uruar mirëseradhje e sukses në punë dhe është ulur në vend të zëvendëkryeministrit të mëparshëm. Më herët, në mbledhjen e qeverisë, në 25 gusht, kryeministri ka njoftuar lirimin nga detyra e zëvendëskryeministrit të Kujtim Shalës, me kërkesën e tij, që t’i përkushtohet tërë kohën Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku është ministër.
Kështu vazhdojnë ndryshime në qeverinë e Kosovës, ku siç ka deklaruar kryeministri Mustafa, me partnerët e koalicionit është duke u biseduar edhe për “reformatim e rekonstruim”.
Në 9 shtator ka dhënë dorëheqjen ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, për të shkuar në kabinetin e Presidentit të Republikës. Ministria e Integrimeve vazhdon të jetë pa ministër.
Qeveria e Kosovës e kryeministrit Mustafa, e cila në muajn e fundit të këtij viti mbush dy vjet, gjatë kësaj kohe ka pasur edhe disa ndryshime tjera dhe më i rëndësishmi ishte dorëheqja e zëvendëskryeministrit të parë e ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, pasi në 26 shkurt 2016 u zdhodh President i Republikës në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.
Në qeveri, në vend të Thaçit, në pozitën e zëvendëskryeministrit të parë u emërua Hajredin Kuçi, e në vend të tij në krye të Ministrisë së Drejtësisë u emërua Dhurata Hoxha, ndërsa ministër i Jashtëm u emërua Enver Hoxhaj.
Në qershor të këtij viti, kryeministri Mustafa e ka liruar nga detyra ministrin e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, me kërkesën e tij “deri në momentin e shpalljes së pafajësisë së plotë” pasi prokuroria kishte ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj 64 personave, ku përfshihej edhe ai. Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit e Planifikimit Hapësinor aktualisht është Ferat Shala, që ishte zëvendësministër.
Ndyshimi i parë në qeverinë Mustafa u bë më pak se dy muaj pas zgjedhjes së saj në Kuvendin e Kosovës. Në 3 shkurt 2015 kryeministri i Kosovës shkarkoi ministrin serb për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jablanoviç, pasi deklarata e tij ku protestueset në Gjakovë, familjare të personave të zhdukur gjatë luftës, i kishte quajtur “egërsira” shkaktoi shumë reagime dhe protesta, madje edhe të dhunëshme. Dalibor Jevtiç, po nga Lista Serbe, u emërua në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim në 24 prill 2015, pasi serbët i dhanë fund bojkotit institucioneve kosovare që po vazhdonte në muajin e tretë si reagim kundërshtimi pas shkarkimit të ministrit Jablanoviç.
Në Kosovë, një marrëveshje koalicioni e dy partive më të mëdha, në 8 e 9 dhjetor 2014, i dha fund situatës së “ngrirë” pas zgjedhjeve të 8 qershorit dhe mundësoi konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë, dhe si rezultat i saj lideri i partisë së dytë sipas rezultatit zgjedhor – LDK-së, Isa Mustafa u bë kryeministër, e pas kalimit të mandatit kushtetues të Presidentes Atifete Jahjaga, lideri i partisë më të madhe fituese në zgjedhje – Hashim Thaçi u kandidua dhe zgjodh President i Republikës ndërsa dha dorëheqje edhe nga kryetari i PDK-së, të cilën e drejtonte që nga themelimi në vitin 2000.