-Ministria Bajrami: Universiteti i Prishtinës, promotori më i madh i emancipimit dhe faktorizimit të shqiptarëve në Kosovë-
PRISHTINË, 15 Shkurt 2016-B. Jashari*/ Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” shënon sot 46 vjetorin e themelimit të vlerësuar ngjarje historike për popullin e Kosovës, por edhe për gjithë kombin shqiptar.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.
Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka uruar studentët dhe profesorët.
“Sot janë mbushur 46 vjet nga dita e themelimit të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. Po kaq vite të Universitetit të Prishtinës, janë pjesë e pashkëputur e historisë së Kosovës”, shprehet ai.
Universiteti i Prishtinës, vijon ministri, u themelua në momentet kyqe të rezistencës shoqërore dhe si i tillë ishte promotori më i madh i emancipimit dhe faktorizimit të shqiptarëve.
“Sot ndodhemi para një momenti tjetër të sfidës së reformimit të Universitetit të Prishtinës, prandaj duke besuar në përkushtimin dhe angazhimin Tuaj, ju ftoj të përqendroni gjithë energjinë tuaj për të punuar për autonominë substanciale akademike dhe financiare të Universitetit të Prishtinës, për të vendosur rend akademik, sistem të vlerave dhe të konkurrencës. Nuk ka asnjë çështje më të rëndësishme se sa cilësia akademike që ofron Universiteti i Prishtinës, sepse kjo do të përcaktojë edhe vlerën e shtetit tonë”, thekson ministri Bajrami.
Ai shpreh dëshirën që Universiteti i Prishtinës të jetë promotor i stabilitetit, i rendit akademik dhe hulumtimit shkencor.
Kosova shtet i pavarur nga 17 Shkurti historik 2008 ka hapur universitete publike edhe në disa qytete të tjera.
*Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Universiteti i Prishtinës – Rektorati, 17 janar 2016/
Pergezime per pervjetorin e Universitetit te Prishines. Ky Universitet shqiptar asht formue 26 vjet mbas hapjes e shkollave te para kombetare ne Kosove. Kur do te pranohet se shkollat shqiptare ne Kosove jan hape, per here te pare ne historine kombetare, me inicjativen patriotike e vullnetare e Ernest Koliqit (ish Ministri i Arsimit) dhe me perkrahjen financjare e materiake e Kole Bibe Mirakes (ish Ministri i Mbrendshem) qe vepruene ne menyre te pamvarune dhe vetemohuse per me krijue nji “fait accompli” para autoriteteve italiane? Klasa intellektuale qe dijti me mproijt botenisht drejtat njerzore e kombetare e popullit te Kosoves u formue me perkrahjen e 100 mesusave e Koliqit qe e sakrifikune veten per mbarvajtien kombetare. Po edhe ne kjoft se ato merita nuk njifen si duhet, edhe ne Kjoft se Koliqi e K.B. Mirakaj nuk dekorohen si Nderi i Kombit ose Kaloret e Skanderbueut, veprat e tyne ne sherbim te Atdheut kan dhan rrezultate te medhaja per perparimin kombetare ne shkalle historike dhe dishmoin per oatriotizmin e tyne ne menyre te pa mohusheme. Çdo arritje meriton nderim por disa merita, aq te randeshime sa hapjat e shkollave kombetare te para ne historine e Kosoves, nuk do te lehen te mbulueme ne pluhenin e harreses dhe ne erresine e pa mirenjohjes per gjithmone.