-Ministri Kujtim Shala viziton Ulqinin takon kryetarin Nazif Cungun, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës pritet së shpejti të nënshkruajë një marrëveshje kulturore me Malin e Zi/
-Drejt organizmit të Javës së Kulturës së Kosovës në Ulqin, gjatë sezones turistike/
PRISHTINË, 5 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i qeverisë së Kosovës, Kujtim Shala, ka vizituar komunën e Ulqinit, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Nazif Cungun dhe bashkëpunëtorët e tij.
Ndërmjet ministrit Shala dhe kryetarit Cungu u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të kulturës së Kosovës dhe atyre të shqiptarëve në Mal të Zi, me theks të veçantë në Ulqin.Në këtë takim, ministri Shala dhe kryetari Cungu u shprehën se intensifikim i këtij bashkëpunimi është në dobi të kulturës shqiptare dhe veçmas në funksion të ndihmës për shqiptarët në Mal të Zi. Ministri Shala drejtuesve të komunës së Ulqinit iu premtoi përkrahje konkrete në fushën e kulturës, duke u shprehur se komunikimi kulturor është tejet i rëndësishëm për shqiptarët e Malit të Zi. Më tej, ministri Shala u shpreh se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pritet së shpejti të nënshkruajë një marrëveshje kulturore me Malin e Zi, që është një akt i rëndësishëm politik, i cili i rregullon marrëdhëniet kulturore mes këtyre dy shteteve, dhe njëkohësisht hap rrugë për bashkëpunim konkret ndërmjet dy vendeve, dhe po ashtu ndihmon për bashkëpunim kulturor ndërmjet institucioneve të kulturës së Kosovës dhe atyre të shqiptarëve të Malit të Zi.
Po ashtu, ministri Shala dhe kryetari Cungu biseduan për idenë e organizmi të Javës së Kulturës së Kosovës në Ulqin, gjatë sezones turistike. Në kuadër të kësaj vizite në Ulqin, ministri Shala dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku, i dhuruan Bibliotekës së Ulqinit afro 800 libra me vlerë prej rreth 6 mijë euro. Kryetari i Ulqinit dhe drejtuesit e Bibliotekës e falënderuan ministrin Shala dhe drejtorin Gajraku për këtë akt dhe u shprehën se kjo ndihmë konkrete është në dobi të shqiptarëve të Ulqinit dhe njëkohësisht dëshmi e vullnetit të mirë të institucioneve të kulturës së Kosovës për të ndihmuar shqiptarët e Malit të Zi.