-Një delegacion nga shteti Iowa i SHBA-ve po zhvillon një vizitë në Kosovë, ku në takime me autoritetet po bisedohet për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Sot u prit nga kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, ndërsa u zhvilluan edhe takime tjera/
Prishtinë, 28 qershor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim një delegacion të Shtetit të Iowa-s në SHBA, të udhëhequr nga sekretari për Bujqësi, Bill Northey. Gjatë takimit u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit dhe fuqizimin e raporteve speciale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Iowa-s.
Kryeministri Isa Mustafa i njoftoi për zhvillimet në Kosovë dhe rezultatet e arritura në zhvillimin ekonomik, në arsim dhe në fusha tjera të jetës.
Po ashtu, kryeministri Mustafa e njoftoi delegacionin nga Iowa për përkrahjen e fuqishme që Qeveria i ka dhënë sektorit të bujqësisë si dhe reformat e ndërmarra në fushën e arsimit.
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me Iowa-n në këto fusha, duke falënderuar për përkrahjen e rëndësishme që Iowa ka dhënë për FSK-në.
Delegacioni nga Iowa vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejme për Kosovën në fushën e bujqësisë, arsimit, përkrahjen e mëtejme për FSK-në dhe përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera.
Kryeparlamentari Veseli priti në takim sekretarin për bujqësi të shtetit të Iowas në SHBA
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim një delegacion të shtetit të Iowas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kryesuar nga sekretari për Bujqësi, Bill Northey.Në këtë takim, Kryeparlamentari Veseli dhe sekretari Northey, kanë diskutuar për bashkëpunimin e deritashëm dhe ndihmën e vazhdueshme që shteti i Iowas dhe SHBA-të i kanë dhënë shtetit të Kosovës.Kryetari Veseli tha se industrializimi i bujqësisë, edukimi profesional dhe akademik në këtë fushë si dhe rritja e investimeve në bujqësi, janë prioritete të shtetit të Kosovës.Ai po ashtu tha se eksperienca e shtetit të Iowas dhe bashkëpunimi i deritashëm do të vazhdojnë dhe do të thellohen edhe më shumë.
Kosova dhe Iowa të thellojnë bashkëpunimin në fushën e bujqësisë
Një delegacion nga shteti i Iowa-s (SHBA), i kryesuar nga sekretari për Bujqësi, Bill Northey ka nisur sot vizitën në Kosovë. Ata janë pritur sot në Qeverinë e Kosovës nga ministra dhe përfaqësues të odave ekonomike në vend. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi. Ministri me këtë rast ka mbajtur një fjalë rasti, ku ka prezantuar të arriturat dhe sfidat e sektorit të bujqësisë në Kosovë.Ai theksoi se bujqësia mbetet një prioritet për Qeverinë e Kosovës dhe në vitet e fundit janë bërë investime të mëdha. Kjo, tha ai, ka bërë që të ketë rritje në prodhim të produkteve bujqësore dhe shtim të produkteve të përpunuara. Ministri Krasniqi përmendi edhe disa nga sfidat me të cilat, tha ai, po merret qeveria e Kosovës, sa i përket bujqësisë. Në këtë drejtim, përmendi nisjen e programit për sigurimet bujqësore, hartimin dhe realizmin e një projekti të madh për ujitjen e tokave bujqësore në Kosovë, rritjen e buxhetit për bujqësinë, menaxhim më efikas të fermave, e shumë aspekte të tjera. Ministri falënderoi sekretarin Northey për gatishmërinë që shteti i Iowa-s të mbështesë bujqësinë në Kosovë. Kosova, tha ministri Krasniqi, mund të mësojë shumë nga praktikat dhe tradita e madhe bujqësore në këtë shtet. Ai shprehi gatishmërinë që bashkëpunimi të thellohet në të ardhmen.
Nga ana e tij, sekretari Northey tha se ndjehet mjaftë i lumtur për vizitën e tij të parë në Kosovë dhe vlerësoi të arriturat e shënuara në sektorin e bujqësisë në Kosovë. Ai inkurajoi që të vazhdohet edhe më tutje me investime në bujqësi, si një sektor potencial për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.Ministri Krasniqi dhe sekretari Northey, të shoqëruar edhe nga anëtarët e tjerë të delegacionit kanë vizituar Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit dhe si dhe qumështoren ‘Eurolona’ në Fushë Kosovë.Ata edhe në ditët në vazhdim do të vizitojnë ferma dhe agro-biznese të ndryshme.
Ministri Bajrami priti një delegacion nga shteti Iowa i ShBA-ve
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur sot në takim një delegacion nga shteti Iowa i ShBA-ve, i cili po qëndron këto ditë për vizitë në vendin tonë.Delegacioni amerikan ishte i pëbërë nga rektorë, dekanë dhe profesorë të universiteteve të këtij shteti amerikan (University of Iowa, The University of Northern Iowa, Des Moines Area Community College (DMACC), si dhe Drake University), me të cilat universitete, ministri Bajrami paraprakisht ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi.
Me këtë rast, ministri Bajrami falënderoi delegacionin amerikan për vizitën dhe për bashkëpunimin e mirë që ka Kosova me shtetin mik Iowa në shumë fusha të jetës, e veçanërisht në fushën e arsimit të lartë.Duke prezantuar arsimin e lartë në Kosovë, ministri Bajrami përmendi disa sfida në të cilat po punohet e që janë: lidhja e arsimit me tregun e punës, ngritja e cilësisë së programeve akademike dhe mësimdhënies, si dhe financimi i qëndrueshëm në arsimin e lartë.Prandaj, ministri Bajrami theksoi se përvoja amerikane është shumë e rëndësishme për arsimin kosovar, sidomos sa i çështjes së financimit të arsimin e lartë dhe Kosova është shumë e interesuar për konkretizimin sa më të shpejtë të marrëveshjeve me universitetet e Iowas.
Delegacioni i lartë nga Iowa u shprehën po ashtu të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën dhe theksuan se do të sigurohen që t’iu japin studentëve dhe profesorëve kosovarë sa më shumë mundësi në universitetet që ata i udhëheqin.
Me këtë rast, ministri Bajrami pranoi medaljen e partneritetit të shtetit të Iowa-s me Kosovën nga Sekretari i Shtetit për Bujqësinë, z. Bill Northey.